KULTURË

Feja e Skënderbeut, kur ishte ortodoks, mysliman e katolik. Dokumentet e studimet

10:05 - 16.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli/ Deklaratat e një kleriku ortodoks gjatë një meshe se Skënderbeu ishte ortodoks kanë rikthyer edhe njëherë debatet për përkatësinë e fetare të heroit. Shpesh, tema e përkatësisë së tij fetare shërben si pikënisje për t’i shtuar asaj si ‘prapashtesë’ titujt me “grek” a “sllav”.




Historia e njeh lindjen e tij në familjen e Gjon Kastriotit, pagëzimin, e mandej konvertimin në islam në Turqi. Kur ai lë Turqinë dhe kthehet për të shënuar nëntorin e parë, a e rimori fenë e të atit? A e la islamin? A u bë katolik? Çfarë do të thotë të ishe për Papën “Atlet i Krishtit”?

Pyetje si këto ngrihen këto ditë, ndërsa kompetentë e jokompetentë që flasin ka si gjithnjë. Shpesh, kur kompetentët nuk duan të dalin në ballë e as para prozhektorëve mediatikë, skena mbetet e gjitha për ata që duan lavdinë.
Në larminë e diskutimeve të pashtershme, që gjithsesi nuk mund të shmangen për heroin, veçojmë drejtorin e Arkivit të Shtetit, autori i një studimi për Kishën Ortodokse në Shqipëri, Ardit Bido.

Sipas tij, “Skënderbeu ka lindur në një familje feudale të Dibrës, me prindër arbëror, të besimit ortodoks me traditë fetare sllavonishte. I ati ka dhuruar dy fshatra në Manastirin e Hinlandarit, ku vdiq edhe vëllai i Skënderbeut. Ky i fundit u martua me një ortodokse, me shumë gjasa në Manastirin ortodoks shqiptar të Ardenicës. Hipoteza e hedhur nga Noli se mund të ishte unit i ritit bizantin ka rënë me kohë. Nuk ka dyshim se ai ka lindur ortodoks, u rrit mysliman, u rikthye në krishtërim në kohën e bashkimit të kishave, gjatë Këshillit të Firences dhe ndaj edhe u shpall Kampion i Krishtit nga Papa, edhe kishte atë shpirtëror Zaharinë e prift, patriarkun e mëvonshëm, arbrin tjetër Shën Nifonin!”.


Bido shton se Skënderbeu na përket të gjithëve, pavarësisht feve. “Fakti historik që ka lindur ortodoks, është rritur mysliman e ka vijuar jetën si i krishterë, krah Papës e Patriarkut njëherazi, veç e forcon figurën e tij mbarëkombëtare pa dallime. Mirëpo, të shihet kjo si përçarje e jo bashkim është e pavend dhe jo në dobinë tonë kombëtare”, thotë ai, duke sqaruar më tej se bëhet fjalë për periudhën e Këshillit të Firences, ku kishat pranuan të bashkoheshin, por bashkimi nuk eci para.
DOKUMENTET E SHËNIMET
Vlen të vihet në dukje një koment i Ardian Vehbiut, që në të shumtën e vet citon Aurel Plasarin, autor i një botimi studimor mjaft serioz për Skënderbeun, me titullin “Skënderbeu, një histori politike”. Vehbiu tregohet përmbledhës, duke parashtruar disa të dhëna e disa argumente për rrethanat historike në të cilat Skënderbeu u gjend e veproi.


Ja çfarë shkruan Vehbiu:
I ati i Gjergjit, Gjoni, shfaqet në dokumente si katolik në vitin 1410, kur i shkruante Republikës së Venedikut dhe nëpërmjet saj Papës, për t’iu ankuar për juridiksionin e peshkopatës së vet; por si ortodoks në 1419, kur lidhte një aleancë me carin e Serbisë. Më vonë, në 1430, Gjoni do t’u nënshtrohej osmanëve dhe do të shndërrohej në mysliman, duke marrë emrin Hamza (Kamusa). Në një dokument të analeve të Raguzës, Gjergji do të paraqitet si: “… i lindur prej Kamusa Kastriotit, zot i Krujës”.
Edhe emrat e vëllezërve dhe motrave të Gjergjit nuk lënë shumë shteg për dyshime: Stanish, Reposh, Konstandin (vëllezërit) dhe Maria, Jella, Angjelina, Vllajka, Mamica (motrat). Disa prej këtyre nuk mund të jenë emra katolikësh, por vetëm të krishterësh ortodoksë.
Më pas Stanisha do të bëhej mysliman, do të merrte emrin Karagus dhe do të kishte një djalë, Hamzanë, i cili do të luftonte përkrah Skënderbeut dhe më pas do ta tradhtonte.

Gjon Kastrioti me të bijtë i pat dhuruar manastirit të Hilandarit, në Malin e Shenjtë (Athos), dy katunde: Radostushën dhe Trebishtën; akti i dhurimit të tyre, në sllavonishte, është ruajtur.
Më pas, dikur midis viteve 1426 dhe 1431, Gjon Kastrioti dhe të bijtë Reposh, Konstandin dhe Gjergj blenë prej igumenit të manastirit të Hilandarit, “Pirgun e Shën Gjergjit” po në Malin e Shenjtë (këtë aktshitjeje A. Plasari e cilëson si provë përfundimtare të përkatësisë së Kastriotëve në Kishën ortodokse, meqë pronat në Malin e Shenjtë mund t’u shiteshin vetëm besimtarëve të asaj kishe dhe askujt tjetër).
Pirgu i Shën Gjergjit, në Hilandar, quhet ndryshe edhe “Pirgu shqiptar” (????????? ????).

Më anë tjetër, një vëlla i Gjergjit, Reposhi, është varrosur në narteksin e kishës së Hilandarit, në Malin e Shenjtë, jo si “murg”, siç është thënë shpesh, por si “dukë ilir”, sikurse shkruhet në mbishkrimin serbisht të varrit.
Ka spekulime që Gjon Kastrioti vetë mund të jetë varrosur në Malin e Shenjtë, diku pranë të birit.
Ka edhe të dhëna të tjera, që duket se e mbështetin ortodoksinë e Gjergjit. Kështu, Plasari shënon se ambasadori që dërgoi ai tek Alfonsi i Napolit, peshkopi Stefan i Krujës, e nënshkroi traktatin e Gaetës “me shkronja greqishte”, për t’u vënë re edhe se ky peshkop Stefan i Krujës, sipas Plasarit, nuk përmendet gjëkundi në dokumentet katolike të kohës, kështu që nuk do të ketë qenë i asaj hierarkie. Ekziston edhe një dokument aragonez i vitit 1453, ku dikush ankohet se në Krujë “nuk kishte as prift, as xhakon latin…”.

Më tej akoma, historianët vërejnë praninë, përkrah Skënderbeut, të një murgu athonit (ortodoks) të quajtur Zaharia, të cilin Skënderbeu e paskësh bërë “at shpirtëror të vetin” (Plasari e thekson këtë, duke u mbështetur te Jorga dhe Beduli); edhe Nifoni, patriarku i mëvonshëm i Kostandinopojës dhe shenjtori i ardhshëm i Kishës ortodokse, “u hirotonis prift me bekimin e arkiereut të qytetit të Krujës”, vëren ky autor.
I njëjti studiues arrin pastaj në përfundimin se lidhjet e intensifikuara të Gjergj Kastriotit me Vatikanin dhe katolikët anembanë Europës kishin natyrë më shumë politike se shpirtërore dhe se vetëm katolikët ishin në gjendje, në atë kohë, të jepnin ndonjë ndihmë domethënëse me para, armatime dhe ushtarë, për Skënderbeun dhe përpjekjet e tij kundër osmanëve.

Në rrethanat kritike të përballjes me superfuqinë më të madhe të kohës, diferencat mes dy kishave – të Perëndimit dhe të Lindjes – do t’i jenë dukur këtij arbri krejt të parëndësishme, aq më tepër që ai vetë ishte mësuar me dinamikat e kalimit nga njëra fe te tjetra, për arsye politike madhore. Shto këtu, më në fund, që në ato vite dramatike për Europën bashkimi i kishave po merrej seriozisht në shqyrtim nga të dyja krahët (Koncili i Ferrara-s, më pas i Firenze-s etj., që gjithsesi nuk dha ndonjë rezultat).

Shkruan Plasari: “Mes njeriut të fesë dhe burrit të politikës, ai (Gjergji) mbeti vendosmërisht ky i dyti”.
Çfarë mund të nxjerrim nga të gjitha këto? Edhe po të mënjanojmë me kujdes interpretimet e historianëve dhe veçanërisht ato të Plasarit, faktet flasin qartë: Arbëria nga ku rridhte Skënderbeu dhe ku vepronte ai i përkiste, në thelb, Kishës ortodokse; në një kohë që katolikët ishin fort të pranishëm në vijën bregdetare, ose në Arbërinë Venedikase. Vetë familja e Kastriotëve, si familje feudale, e përdorte përkatësinë në këtë apo në atë fe, duke përfshirë këtu edhe fenë islame, si instrument politik për të mbijetuar dhe/ose përfituar sipas rrethanave.

Skënderbeu lindi pas gjase në fenë ortodokse dhe u rrit dhe u edukua në fenë islame, por erdhi duke u afruar me katolicizmin, meqë kjo i hynte në punë edhe për arsye politike. Nëse afrimi i Skënderbeut me Vatikanin ishte edhe pasojë e zgjedhjeve të tij mirëfilli “ferrëfyese” (për të përdorur një term të Plasarit), këtë nuk e gjejmë dot. Po ashtu, që Vatikani vetë kishte interes ta paraqiste dhe ta propagandonte Gjergj Kastriotin si “atlet të Krishtit” dhe komandant të asaj kryqëzate që nuk u krye kurrë nuk do të thotë, automatikisht, se Skënderbeu luftonte për Vatikanin dhe interesat e tij në Ballkan.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Emri GJERGJ, ka qene dhe do mbetet perjetesisht ,,,KATOLIK…Porosite ne çastet e fundit te jetes..”ruani fene katolike, mos persekutoni per shkak te fese,…per asnje arsye mos ndrroni fene…”Prifti katolik, ipeshkvi Pal Engjelli, ka qene prifti personal dhe njeriu me i besuar ne maredhenit me jashte…Varrimi ne kishen e Shen Kollit ne Lezhe, dhe shume fakte te tjera historike te pakundershtueshme, tregojne perfundimisht se GJERGJI I MADH ishte KATOLIK,,,Strategjia dhe qellimi i koleres turke ishte shpallur boterisht…”me shpate dhe kuran ,do vendosim kalifatin ne bote “….Armiku kryesor i kesaj kolere ishte dhe mbeti KATOLICIZMI…Prandaj dhe GJERGJI I MADH mbetet perjetesisht…IN-PE-RA-TORE-BT…

    Përgjigju ↓