Kryesore

Erzen Shkololli, një drejtor për dy shtete. Nga Galeria e Kosovës në krye të Galerisë së Shqipërisë

09:20 - 18.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli/ Erzen Shkololli është drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë. Pas katër vitesh në këtë detyrë, Artan Shabani do i dorëzojë detyrën Shkolollit, më herët ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Kosovë.




Prej muajsh emri i tij ka qenë më i përfoluri për postin në fjalë dhe për dy arsye: e para, sepse Shkololli është shumë i përfshirë në skenën e artit bashkëkohor ndërkombëtar, jo vetëm si ish-drejtor i GKK-së në Prishtinë, por edhe si kurator në disa ekspozita ndërkombëtare të dorës së parë, si “documenta”. E dyta, sepse marrëdhëniet e tij me qeverinë shqiptare janë të kahershme.

Zanafilla e këtyre marrëdhënieve shënohet prej kohës kur ai ishte në krye të GKK-së së Kosovës. Madje, si i tillë, ai ka ardhur me ekspozitë edhe në GKA-në e Shqipërisë, kur nga Kosova sillej ekspozita e Simon Shirokës.

Ka qenë një vendim qeverie i ditës së mërkurë, që e ka emëruar Erzen Shkolollin, i cili nga ana tjetër nuk është i panjohur në selinë e Këshillit të Ministrave. Ai ka hapur sezonin e tretë të vitit 2016 në COD- Qendra për Hapje e Dialog në Kryeministri. Sezoni titullohej “Të dialogosh me prani”, ndërsa ekspozita i shtonte këtij titulli një konstatim “Duke qëndruar pezull”… Në rolin e kuratorit, ai pat ftuar në COD, artistët Flaka Haliti nga Kosova, Laurent Mareschal (Francë), Nathan Coley (Mbretëri E Bashkuar), Peter Kogler (Austri) dhe Vigan Nimani (Kosovë).

Por, kush është Erzen Shkololli?
Erzen Shkololli është artist dhe kurator, drejtor i Fondacionit “Unë e du Kosovën” në Prishtinë, Kosovë. Gjithashtu, ka qenë këshilltar kuratorial për ‘documenta 14’. Ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri më 2015. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales së Venecias.

Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë, e cila e transformoi skenën kulturore vendëse. Praktika e tij artistike përdor ritualet dhe folklorin vendës për të tërhequr vëmendjen te situata specifike socio-politike dhe është ekspozuar ndërkombëtarisht në muze, siç janë Van Abbemuseum, Eindhoven; Centre Pompidou, Paris dhe Fridericianum, Kassel.

Shkololli organizoi Ekspozitën e Kontakt Art, të titulluar “Thirty One” (Tridhjetë e një) dhe kuruar nga Hans Ulrich Obrist e Petrit Halilaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës (2015). Ishte kurator i “Thirty Years After: Šejla Kameri?”(2015), “Sokol Beqiri: Retrospektivë” (2014), “Simon Shiroka: Retrospektivë” në Galerinë Kombëtare në Tiranë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës (2013); bashkëkurator i ekspozitës “Engjëll Berisha – Befre: Retrospektivë” (2013) dhe “Grafika” nga koleksioni i GKK-së (2013).

Nga viti 2008 deri më 2009 ishte përfitues i Bursës së DAAD-së për Artistët në Rezidencë. Nga viti 2003 është anëtar i Parlamentit Europian të Kulturës.
Artan Shabani erdhi në krye të GKA-së në vitin 2013, nga Italia ku jetonte.

Pas katër vitesh ai i lë detyrën, ish-homologut të tij në Kosovë. Ndryshe prej epokës së Shabanit, ku qeveria la Galerinë Kombëtare pa asnjë mbështetje duke qenë se fokusi i saj ishte te Muzeu Marubi, Teatri “Migjeni”, Muzeu i Ikonave në Korçë, Teatri i Korçës, Shtëpia me gjethe, etj., në këtë 4-vjeçar, GKA si edhe Muzeu Historik e Biblioteka Kombëtare do jenë në fokus të investimeve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.