KULTURË

Forumi i Trashëgimisë: Gjirokastra në listë rreziku, alarmante e fatale

09:23 - 18.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli-Ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore sa i takon alarmit të ngritur për sitin e Gjirokastrës, si një ndër 7 monumentet që mund të futen në listën e rrezikut nga “Europa Nostra”.




Përmes një deklarate për mediat, Forumi thotë se zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër për gjendjen e monumenteve në sitin e mbrojtur nga UNESCO.

“Përkundër mendimit tonë që gjendja në Gjirokastër është alarmante dhe po shkon drejt një pike fatale, ministria ka vijuar të trumbetojë me të madhe që Gjirokastra tashmë ka dalë nga gjendja e emergjencës dhe ka hyrë në një fazë të re, atë të ‘rijetëzimit’. Ky mendim për ne është i gabuar”, – thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Forumi, një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë të bashkuar përtej bindjeve politike për të mbrojtur trashëgiminë kulturore risjellë në vëmendje listën e shkurtër të ‘EUROPA NOSTRA’-s, me 12 sitet më të rrezikuara të trashëgimisë në Europë.

Siç “Gazeta Shqiptare” raportonte në numrin e saj të djeshëm, në dy vendet e para të kësaj liste ishin dy site nga Shqipëria, Gjirokastra në vendin e parë dhe kishat pasbizantine të Voskopojës e Vithkuqit në vendin e dytë. Për sa më sipër, ditën e martë, Ministria e Kulturës rikujtoi të gjitha restaurimet e bëra në Voskopojë, Viothkuq dhe risolli në vëmendje ndërhyrjet në Gjirokastër, sikundër edhe listën me 18 objekte ku do ndërhyhet sivjet sipas projekteve të miratuara këtë javë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

REAGIMI I KUMBAROS
Po të martën, përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook, ministrja Mirela Kumbaro, tha se “Gjirokastra”, që duam është Gjirokastra ku ndërtohet çdo ditë, ku merr vlerë e jetë shprehja ‘gur-gur bëhet mur’. Kjo do kohën e vet, se 30 vite harresë nuk rikuperohen në 4 vjet, por në 4 vjet Gjirokastra ka vëmendjen e qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë, donatorëve dhe sidomos të atyre që e duan vërtetë Gjirokastrën, jo për sot, por për përgjithmonë”!

Kumbaro shtonte se rezultat i punës shumëmujore të specialistëve të Institutit të Monumenteve dhe të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në mbledhjen e tij të fundit, miratoi mbi 18 projekte restaurimi të banesave më të rrënuara, por edhe domethënëse të qendrës historike, banesa të komplikuara për nga pronësia, vendndodhja dhe degradimi disa dhjetëra vjeçar”.

Me këtë rast, ajo ka ftuar pronarët, investitorët, apo trashëgimtarët, nëse e duan vërtetë pronën e tyre, shtëpinë e tyre, shtëpinë e gjyshërve, të bëhen partnerë të Ministrisë së Kulturës, në rimëkëmbjen e shtëpive të tyre dhe të trashëgimisë kulturore.

“Asnjë shtet nuk mund të shpenzojë pa fund paratë e taksapaguesve për të restauruar vetëm prona private, që më pas as nuk mirëmbahen, por rrënohen sërish. Banesat – pasuri kulturore, janë një mundësi shumë e mirë për t’i rijetëzuar në bujtina, restorante, qendra shërbimi dhe të tjera aktivitete private fitimprurëse. Çdo propozim është i mirëpritur! Projektet e restaurimit janë gati!”, e mbyllte ajo reagimin e saj.

REAGIMI I FORUMIT
“Forumi ynë ka qenë shumë i vëmendshëm karshi gjendjes së monumenteve në Gjirokastër përgjatë kohëve të fundit”, shkruhet në deklaratë. Shtohet se duke filluar nga data 12 shkurt 2016, “ne filluam botimin e mjaft fotove nga gjendja e monumenteve në këtë qytet, duke kërkuar të arrinim si sensibilizimin e qytetarëve, opinionit publik, të aktorëve që veprojnë në fushë, por në radhë të parë të atyre që janë përgjegjës për mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve, DRKK Gjirokastër, Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe vetë Ministrinë e Kulturës”.

Forumi thotë se mjaft prej anëtarëve të vet kanë hedhur idenë dhe kanë bërë thirrje që gjendja në vend është alarmante, ndaj kanë sugjeruar që Ministria e Kulturës të shihte mundësinë për të bërë një takim me aktorët e fushës në vend, pikërisht në Gjirokastër dhe për t’i bërë atje diskutimet. “Zëri ynë, si edhe për shumë çështje të tjera në fushën e trashëgimisë ra në vesh të shurdhët. Përkundër mendimit tonë që gjendja në Gjirokastër është alarmante dhe po shkon drejt një pikë fatale, ministria ka vijuar të trumbetojë me të madhe që Gjirokastra tashmë ka dalë nga gjendja e emergjencës dhe ka hyrë në një fazë të re, atë të ‘rijetëzimit’. Ky mendim për ne është i gabuar”, thotë Forumi.

Mandej, kujton se më 16.01.2018, një organizatë ndërkombëtare prestigjioze në fushën e trashëgimisë, “Europa Nostra”, shpalli një listë me 12 sitet më të rrezikuara të trashëgimisë në Europë. “Për fat të keq në dy vendet e para listoheshin dy site nga Shqipëria, Gjirokastra në vendin e parë dhe kishat pasbizantine të Voskopojës e Vithkuqit në vendin e dytë. ‘Europa Nostra’ gjithashtu jepte edhe rekomandimet e saj kryesore për këto site. Sugjerimet janë bërë nga aktorë vendorë (për pikën e parë nga Fondacioni ‘Gjirokastra’, dhe për pikën e dytë nga Fondacioni ‘E Shkuara Për Të Ardhmen’), por gjykimi dhe vlerësimi është bërë nga një komision i gjerë ndërkombëtar. Nga kjo shortlistë do të përzgjidhen më pas 7 sitet më të rrezikuara dhe do të shpallen në datën 15 mars nga ‘Europa Nostra'”, nënvizon Forumi.

E mbyll deklaratën për mediat me shpresën “që ky qëndrim i Europa Nostra, bashkuar edhe me mjaft reagime të aktorëve vendorë (ku Forumi ynë është një prej tyre) të jetë një tërheqje vëmendjeje për organizmat tona shtetërore, që operojnë në fushën e trashëgimisë. Shpresojmë që Ministria e Kulturës të dalë nga guaska e vetëkënaqësisë ku është mbyllur dhe të fillojë të jetë më bashkëpunuese me aktorët dhe faktorët vendorë, si dhe me ata ndërkombëtarë. Ne i qëndrojmë mendimit që trashëgimia jonë duhet parë me tjetër vizion”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.