KULTURË

Isuf Luzaj, filozofi shqiptar, miqësia e korrespondenca me Sartrin

10:02 - 19.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – E nisi jetën si biri i një hoxhe, duke u ushqyer përditë me vargjet kuranore. Pas studimeve në Sorbonë e jo vetëm, Isuf Luzaj do të bëhej filozof. Pothuaj e gjithë jeta e tij, shkoi larg Shqipërisë. Kishte lënë këtej familjen që e humbi, kur komunizmi mbyste vendin në vetminë e vet.




Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) lajmëron botimin për së afërmi të 6 librave filozofikë të filozofit, shkrimtarit e poetit Isuf Luzaj (1913-2000), një ndër personalitetet më të shquar të mendimit shqiptar.

“I anatemuar gjatë diktaturës dhe i mërguar Luzaj qëndroi dhe shkruajti veprën e vet kryesisht në Argjentinë. Hartues i Dekalogut të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj ishte ndër intelektualët antikomunistë, që dëshironte të realizonte idealin kombëtar të Rilindësve për një Shqipëri të Bashkuar e Demokratike”,-bën me dije Agron Tufa. Shton më tej, se 6 librat me ese filozofike e interpretative (metafizika dhe metalogjika) botohen për herë të parë dhe janë organizuar brenda 2 vëllimeve me mbi 400 faqe secili nën titullin “Kujdesjet e Bletës”.

Këto janë fillimi i një publikimi në vazhdimësi i të gjithë trashëgimisë filozofike të Isuf Luzajt, të mbetur në dorëshkrime dhe që përbëjnë dhjetra vëllime. Falënderojmë me këtë rast dhe znj. Zyba Hysa për punën e madhe në përgatitjen e teksteve për botim, redaktimin dhe korrektimin. Më në fund Isuf Luzaj hyn në Shqipëri nga “dera ballore” e jo nga “dera e fshehtë”.

SHËNIMET BIOGRAFIKE, VETMITARI I PANDREQSHËM
Në kapitullin “Shoku im, vetmia dhe Pan-i”, Luzaj tregon se ka qenë natyrë e vetmuar. Ja çfarë shkruan ai: “Ka qenë natyra ime të jetoj i vetmuar edhe kur kam qenë në mes të shoqërisë. Dëshiroj të jetoj i vetmuar”. Ndonëse biri i një hoxhe, Luzaj thoshte se për të “fjala Zot, merr kuptim kur jam i vetmuar. Nuk besoj që Feja të jetë një themë për intelektin, as për shoqërinë në biseda e vanitete. Besoj vetëm kur nuk besoj mbi Fenë.

Kam nevojë për vetmi, aq sa kam nevojë për ushqim. Vetmija është koha që më jep më shumë shpërblime shpirti, porse këtë vetmi nuk e zgjedh dot unë, ajo më zgjeth mua. Për mua, me qenë i vetmuar do të thotë, me qenë i bashkuar me të gjithë botën. Në çaste vetmije i vë pjesat e mija bashkë si cickërra të një pasqyre të thyer dhe të rikompozuar dhe atëherë e shoh qartë që gjërat e vogla duken të mëdha, kurse ato që dukeshin të mëdha janë të vogla”.

Ai thoshte se e ndjente që vetmia është një akt i dashurisë me gjithë universin. Dhe në këtë pikë, ai analizon dhe krahason ndjesitë e veta në dy kohë: kur isha shumë fetar, në një kohë të shkuar vuajtjesh e deziluzionesh, mërmëroja dendur lutjet e Budës, Krishtit dhe Muhametit bashkërisht, njëkohësisht, duke kërkuar konekcionet në pikat e përpjekëshme të metafizikës së tyre, mirëpo, n’atë kohë pata rezultate gabimesh, sepse humba intuitën, imagjinatën dhe fuqinë shpirtërore aktive për të ndërtuar struktura të shkrimevet të mi.

“Intuita më sugjeron t’a përdor atë,- thotë Luzaj, duke shtuar se “kur është çasti i sajë për zbulime horizontesh dhe të përdor meditacionin kur e ndjej që kam nevojë për paraqitje tek Zoti; të përdor arësyetimin kur ky vjen natyrisht në ndihmë për të zgjidhur ndonjë ekuacion të zgjidhshëm”.

Ka një qasje interesante edhe ndaj kritikave: kur më kritikojnë, unë e shoh që kritikonjësit duan të marrën kontakt me mua për ndonjë hall të tyre që është i pa konfesuarshëm nga ata. Nuk më shqetësojnë dhe këjo më jep një lloi kënaqësije pasive, sepse ata e dinë që gabuan dhe u ulën aqë poshtë, sa Morali, Etika dhe Estetika nuk më premtojën kontakt me ata. “Miqt e mi që çëmojnë durimin tim thonë që unë i ngjaj një FAKIRI të BUDËS, ose një fetari të përulët kristian. Nuk e di në se këtu më gjukojnë drejtazi po e di mirë që heshtja jep më kënaqësi sesa grindja”,-thekson Luzaj.

Në vijim, zbulon edhe një çast mjaft të rëndësishëm të jetës së njeriut. Ai zbulon pothuaj arritjen e Nirvanës, si qëllimin final të shumë ndjekësve të Budizmit, për çka shkruan: Për dashurinë të së VËRTETËS dhe të së DREJTËS, më duhet të plotësoj që- është e domosdoshme, e nevojshme e fortë dhe konstante një GJYMNASTIKË të mekanizmavet të trurit me ndihmën e studimit të heronjëvet të mendimit për të arrijtur këtë traguard. Pas pesëdhjetë vjet gjymnastike, as unë nuk mund të afermoj që e kam arrijtur një qind për qind atmosferën psikollogjike të NIRVANËS.
NJOHJA ME SARTRIN
Në një pjesë tjetër të vëllimit të parë, Luzaj tregon njohjen me Zhan Pol Sartrin. “Në dy udhëtimet që bëri Sartri në Amerikë, më ra mua llotaria të ishja përkëthenjsi i konferencavet të tija, si në Universitetin t’im në Indiana dhe në New York ku e vendosi ai këtë zgjidhje.

Kam një korrespondencë dhe kam vizituar dy herë në Paris, në prezencë të Simone de Beouosit. Besoj ta kem njohur pakë ma afër se komentaristët e botës.

Thashë për fat të mirë, ose të keq, sepse nuk jam i sigurtë, cili mbiemër më ndihmoi ose më dëmtoi. Për arësye admirimi për mendimin e tija, humba kontratën me NOTRE DAME të Indianës: Institut i lartë studimesh porse rrënjësisht Katolik pa leje të dilte në DOGMA.

94% e profesorëve ishin priftërinj Katolikë dhe refuzuan kriterin t’im të lirisë që e trazuan me fenë t’ime myslimane. Ndoshta, për fatin e mirë t’imin sepse në Universitetete të tjerë pati 100% të zgjidhja unë BIBLIOGRAFINË E kursevet, dhe jetova kështu në ikuosferën e lirisë frënge 1789, që është dhe temperamenti im”.

Më tej, në “një parathënie ontogjenike”, kujton se për të parën herë në jetën time, më 1 janar 1936 hyra në klasën e parë të Normales së Elbasanit, si mësonjës i gjuhës frëngjishte. “Në shkurt t’atij viti, Xhuvani, drejtor i shkollës më ngarkoi kursin e Pedagogjisë2 së klasës së fundit. Për të fundit herë në jetën t’ime, më 1 janari 1993 dhashë dorëheqjen nga kathedra e Fillozofisë, për arësye shëndetësore, në Chicago.

Pushim zemre, më 28 nëntor 1992, duke dhënë një intervistë gazetës Illyria, korrespondentit Vehbi Bajramit. Gjatë këtyre 56 vitevet, me përjashtim të parantezavet të jetës t’ime: burgime, internime, luftëtar vullnetar, mbeten egzaktësisht 51 vite mësonjës shkollash: Shqipëri, Itali, Argjentinë, Buenos Aries, Lima Peru, Bogata, Colombia, Boston Massachuselts, Coletrosh, Neë Hamshire, Lac Focest Ilinois, Bloonungton Indiana, Samt Jozeph Indiana, Champagne Ilinoes, Profesor vizitor gjatë pushimesh: Notre Dame Indiana, San Franchisko, Austin Texas”.

Luzaj pati pranuar se “i pari që më ra nga shtatuti që i paçë ndërtuar qe Bergsoni, ish mjeshtri im në Sorbonë. I fundit që më deziluzionoi qe SARTRE, i kërkoj ndjesë për miqësinë që më dha.

Vuajta shumë shpirtërisht për kontradiktat e tyre dhe për konfliktet që po smadhoheshin në mendjen t’ime për arësye se, më dukej shumë pretendim të rrëzoja disa pjesë të theorivet të tyre dhe sepse e ndjeja veten fajtor t’u mësoja sinqerisht n’atë e ato që besoja unë atyre Mijërave shpirtrave të rinj, të cilët prisnin nga unë të vërtetën, kurse unë nuk ishja në akord me mendjen t’ime dhe me yjet e mendimit, në se me të vërtetë po mësoja të VËRTETËN”.

Po aty, shton se për Sartrin liria koincidon në rrënjët e saja më MOS – QENËJEN, e cila është në zemrën e njeriut. Për një qenie njerëzore, ME QENË do të thotë me zgjedhë veten e tij, vetë ai, asgjë nuk i vjen njeriut as që për së jashtmi, as për së brendëshmi, të cilën ardhje ai do ta presë ose do ta pranojë. “Ky mendim i rëndë në kuptim është edhe i gjerë në konseguencat e tijë. Njeriu është krejtësisht dhe pa asnjë shpresë nënë sundimin dhe mëshirën të nevojës së të paduruarëshme, për t’a bërë veten e tija QENËJE, bile edhe deri në hollësirat më të imta të të egzistencës së tija.

Pra LIRIA nuk është QENËJE as TË QENURIT, është po qenëja e njeriut, që do të thotë MOSQENËJA e tija. Po të fillojmë t’a konceptojmë njerinë si një PLOTËSI – TERESI, n’a bëhet absurde të kërkojëm në atë (në njerinë) çaste psikike ose ZONA TË LIRISË; na do të kërkonim për një vend bosh, brenda një kusije plot me ujë. Njeriu nuk mund të jetë disa herë i lirë dhe disa herë rop (SKLLAF); ose ai është gjithmonë dhe krejtësisht i lirë, ose ai nuk është kurrë, kurrë dhe kurrë i lirë. Ky koncept i Sartrit, shpjegon qartazi fillozofinë e tija mbi LIRINË”, shënonte Luzaj për lirinë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.