OPINION

Më tepër se vizitë studimore

07:30 - 25.01.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kështu mund të thuhet pa kurrfarë teprimi për «vizitën studimore» të 21 deputetëve të zgjedhur për herë të parë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në fillim të kësaj në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel me ftesë të këtij të fundit.




Gjatë turit dy ditor u zhvilluan bashkëbisedime të dobishme dhe intensive me 18 drejtues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

Mikpritësit kishin ftuar të ligjëronin dhe bashkëbisedonin në panelet përkatëse me një katalog gjithëpërfshirës «peshat e rënda» të politikës së jashtme dhe sigurisë të rajonit tonë – dy zv.presidentë të Parlamentit Evropian, zonjat Heidi Hautala dhe e Livia Jaroka, kryetarët e delegacioneve dhe raporterët e secilit vend, drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Chriatian Danielsson, etj.

E theksojmë këtë moment, sepse është vërtet privilegj i rrallë dhe për mysafirët tanë deputetë të bashkëbisedojnë lirshëm dhe hapur me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm, mediatorit të krizës së vjetme në vendin tonë, zotin David McAllister, madje gjatë një drekë pune; ashtu sikurse dhe me paraardhësin e tij për 25 vite rresht, Elmar Broek, Raporterin për vendin tonë, Knut Fleckenstein, Kryetaren e delegacionit, Monica Macovei dhe me veteranin e Europarlamentit, Eduard Kukan, ndër njohësit më të mirë të problematikës sonë, të dy ish-ministra në Rumani dhe Slovaki, etj.

Deputetët tanë ishin të pranishëm dhe në seancën plenare të Europarlamentit më 23 janar, kur Ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva parashtroi përparësitë kryesore të Presidencës së radhës të BE-së. Të gjithë eurodeputetët e pritën dhe përcollën me duartrokitje njoftimin mbi praninë e tyre në sallë.

Vështirë se mund të kishte moment më të gjetur për këtë aktivitet – parlamentet e të tre vendeve tona kanë rifilluar funksionimin disa muaj më parë pas zgjedhjeve të reja; jemi në prag të disa ngjarjeve të rëndësishme që lidhen direkt me rajonin tonë: më 6 shkurt, Komisioni Evropian do të paraqesë në Strasburg Strategjinë e re të Veprimit për Ballkanin Perëndimor, një gur i ri kilometrik në aspiratën e vendeve tona për integrim. Më 12 shkurt, do të zhvillohet në Tiranë takimi i delegacionit të Parlamentit Evropian me homologët e vendit tonë.

Në muajin prill, Komisioni Evropian do të bëjë vlerësimin e ecurisë së vendeve tona me shumë të ngjarë në rast se do të kryejmë gjatë muajve të ardhshëm «detyrat e shtëpisë» ndezjen e dritës jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, çka do të marrë vulën përfundimtare në Samitin e BE-së në Sofje më 17 – 18 maj 2017.

Si fillim, do thënë se la përshtypje mjaft të mira fakti që në Kuvendin tonë janë zgjedhur për herë të parë 54 deputetë të rinj. Po ashtu janë zgjedhur 39 gra dhe vajza ose 28 për qind e Kuvendit, shifra më e lartë nga viti 1992.

Krahas përgëzimeve të rastit, deputetëve të pranishëm iu bë thirrje që të justifikojnë besimin e zgjedhësve dhe të forcave politike nëpërmjet një aktiviteti të dendur e të gjithanshëm. Madje, tani çështja shtrohet që duke pasur një numër të tillë të madh deputetësh me mentalitet të ri, me kulturën e kompromisit dhe tolerancës dhe me vështrimin përpara, ata të bëjnë çmos për të sjellë ndryshimet e duhura në Kuvend. Kushtet dhe mundësitë për të bërë diferencën e kërkuar mbi bazën dhe të përvojës së grumbulluar nga deputetët më me përvojë janë të shumta, duke filluar nga pyetjet, diskutimet, ligjërimet dhe debatet në Komisionet parlamentare dhe seancat plenare, takimet me forcat politike, elektoratin e deri te shtypi dhe media.

Eduard Kukan, duke iu referuar përvojë së vet parlamentare fillestare, theksoi me zë të kumbueshëm në sallë : «Jo, ju nuk duhet kurrsesi të ambientoheni dhe të pajtoheni me gjendjen, por të luftoni për ta ndryshuar dhe përmirësuar atë në të gjitha drejtimet».

Për këtë qëllim, europarlamentarët apeluan që të hiqet dorë njëherë e mirë nga praktikat e dëmshme të bojkotit parlamentar dhe të rrugës, siç ka ndodhur vitet e fundit në Maqedoni dhe në Shqipëri pas zgjedhjeve.

Të gjithë folësit europarrlamentarë paralajmëruan me një zë se BE nuk do të mbështesë asnjë lloj bojkoti parlamentar apo demonstrim rruge, sepse demokracia bëhet në parlament.

Në pyetjet, komentet dhe diskutimet e deputetëve të pranishëm, natyrisht «gjuha vajti te dhembi që dhemb më shumë» – liberalizimi i vizave dhe gjykata speciale në Kosovë, çështja e emrit në Maqedoni dhe për Shqipërinë, reforma e gjyqësorit dhe çelja e mundshme e negociatave të anëtarësimit në BE gjatë këtij viti.

Lidhur me këtë të fundit, deputetët tanë u treguan të përgjegjshëm dhe me kulturën e nevojshme kur shtruan pyetje dhe bënë pohime lidhur me arritjet dhe problematikën e rastit, çka la mbresa pozitive te bashkëbiseduesit. Në të gjitha rastet u vlerësuan hapat dhe masat e ndërmarra për realizimin e reformës së gjyqësorit, si më e rëndësishmja krahas hapave në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kanabizimit dhe reformimit të administratës publike, veçse pa i politizuar këto aspekte madhore.

Lidhur me reformën e gjyqësorit, duke dëgjuar konstatimet e deputetëve tanë për arritjet dhe sfidat, Elmar Broek u shpreh se janë realizuar në mënyrë të kënaqshme formulimi dhe miratimi i ligjit dhe ngritja e organeve të vetingut. Tani mbetet aspekti më i vështirë, zbatimi i kësaj reforme. Duke përforcuar këtë ide, Monica Macovei, kryetare e delegacionit me Shqipërinë shkoi më tej duke kërkuar që zbatimi i kësaj reforme kyç të jetë i plotë, i drejtë dhe në kohën e duhur. Gjithashtu, e rëndësishme është besueshmëria te kjo reformë.

Të gjithë folësit konfirmuan se BE do ta mbajë premtimin që ka dhënë në mbështetje të çeljes së negociatave me vendin tonë, por tani i mbetet politikës së vendit tonë në përgjithësi dhe qeverisë që të bëjë hapa të tjera përpara deri në muajt e ardhshëm.

Në panelin përkatës, eurodeputeti gjerman Elmar Broek tha se BE e vlerëson drejt edhe aspektin gjeostrategjik që përmendet shpesh nga vendet kandidate. Por do mbajtur paraysh sipas tij se një vend do të pranohet në BE ose do të çelë negociatat e anëtarësimit jo vetëm falë këtij aspekti, sado i rëndësishëm që mbetet, por në radhë të parë pas plotësimit të kritereve të meritës dhe atyre të Kopenhagenit. Kjo pasi BE nuk mund të importojë më probleme dhe kriza nga jashtë, ashtu sikurse nuk do të pranojë t’i faturohen asaj dështimet dhe mosarritjet e të tjerëve.

Ja përse e thamë qysh në fillim, se kjo vizitë, në fakt, i kaloi ku e ku caqet studimore. Për këtë, meritën kryesore e ka Europarlamenti për organizimin e përkryer dhe sponsorizimin e kësaj veprimtarie në të gjitha aspektet. Padyshim që këtu ka meritën e vet për bashkëpunimin dhe përgatitjet e rastit edhe Kryesia e Kuvendit tonë. Ndërsa Misioni ynë pranë BE-së, si gjithnjë aktiv dhe në raste të tilla.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.