MILOSAO

Jezuiti kroat që shkroi i pari shqip për Zonjën e Shkodrës

12:15 - 28.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Profesor Bardhyl Demiraj – Le të kumtojmë diçka më shumë për Vincenzo Basile-n, anipse nuk e kemi lënë pa i lakuar emrin sadopak në tjetër vend, bash kur merrnim në analizë prurjet e sivëllait të vet, Giuseppe Ign. Guagliata-s, në kulturën e shkrimit shqip të shek. XIX në arealin e Veriut.




(“Buletin shkencor” 65 [2015] 24vv.) Aty kemi vënë oroe, ndër të tjera, se të dy ndajnë së bashku ato të mira e të liga që u preu fati, kur i zbriti në Shkodër në vitet 1841-1843 me mision për të ngritur tëbanat e para të Urdhrit Jezuit, sikurse – siç edhe pritej (!!!) – të hapnin po aty shkollat e para për carrokët e besimit katolik në atë qytet.

Këtyre të mirave lejohemi t’u shtojmë tash pa rrudhur buzë e ngrysur vetulla edhe botimin e njëkohshëm dy vjet më vonë (1845) në Romë, të dy librave të tyre shqip, me të cilët të dy rihapën njëherësh siparët e pluhurosur të kulturës së shkrimit shqip në Shqipërinë e Veriut në shek. XIX.

Prashtu nuk i shtëmangemi dot, përkundrazi vetëm saktësojmë me një detaj shtesë synimin e këtij kreu modest, duke mëtuar tash, se ishin pikërisht këto dy botime, të cilat u bënë shkas për shkruesin e këtyre radhëve me u marrë konkretisht e në vazhdimësi edhe me jetën e aktivitetin fetar si edhe me angazhimin e tyre social-intelektual në Shqipëri.

Veçse një ndërmarrje e tillë përcjell vetiu thjesht dhe vetëm ato të liga që u desh të përjetonin këtu të dy këta barinj shpirtërorë, sikurse i gjithë misioni jezuit në fazën e tij të parë, i cili nuk zgjati më shumë se dy vjet, shi kur u desh të iknin turravrap vet’ i tretë, bashkë me Salvatore Bartoli-n, duke i lënë përfundimisht Dheut të Shqipes pendlat e korbit të bardhë.

Por jo vetëm kaq dhe jo vetëm atëbotë: zezonën e dytë, shpirtërisht po aq të dhimbshme, e përjetuan të dy këta autorë duke e parë nga lart, bash në gjysmën e dytë të shek. XX, kur – edhe pse citohen ashtu rrallë e për mall – linçohen keqas si pjesëtarë të ‘urdhrit famëkeq’, që vjen me thashunë shqip të Urdhrit Jezuit me ngulim të parë në Shqipëri.

Dhe ishte pas gjase ky vlerësim paraprak që i ndërkalli këta emra përfundimisht në indeksin e autorëve të ndaluar si fazë nismëtare e atij procesi afatgjatë që përkon në kohë me galvanizimin e trurit intelektual-akademik shqiptar, një dukuri kjo sa e natyrshme aq edhe e neveritshme e dhunës strukturore informale të kohës, të cilën jemi mësuar ta ngjërojmë ndërkohë si damnatio memoriae ase në emfazë si shpëlarje e trurit.

Suksesi i këtij procesi është bërë më se i dukshëm dhe po aq i prekshëm në kohën tonë të të ashtuquajturit ‘tranzicion’ kulturor shqiptar, i cili përkon jo rastësisht me zezonën e tretë të radhës që përjetojnë ndërkohë të dy këta autorë sikurse shumë e shumë e shumë sivëllezër të vet me veladon, të fshirë tashmë (pa) vetëdijshëm, por thuajse njëherë e përgjithmonë nga kujtesa historike-intelektuale shqiptare, bash ashtu siç i vuajmë sot e gjithë ditën, kur shfletojmë do doracakë ase vademekume zyrtare-akademike shqip të natyrës së “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, sidomos në ribotimin e tij në tri vëllime (ASHSH, Tiranë 2008/9).

1. Vëzhgime hyrëse

Dhe është më se e kuptueshme, që këto rrethana aspak fatlume të kenë ndikuar si efekt domino në mungesën e interesimit për një lexim kritik-filologjik sado të përciptë të veprës së tij: “Ruga e Parrisit. Calzuem kerscténvet Arbniis prei P. Vincenzit Basile t’ Sciochniet Jesus” (= shq. let. Rruga e Parajsës. Kallëzuar të krishterëve të Arbërisë prej At Vinçenc Baziles të Shoqërisë së Jezusit), e cila pa dy herë dritën e diellit në Romë si botim i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s (1845, 1873) e që do të kemi rast me e marrë në fokusin e vëzhgimit në një krye më vete të kësaj vepre. (D/XXVII) Aty nuk do të mungojë assesi edhe përshkrimi paratekstual i sfondit historik-kulturor, në të cilin u përftua vepra, paraqitja dhe përshkrimi i saj sado i thukët, sikurse edhe ndonjë vërejtje e natyrës kritike-filologjike mbi tekstin e rrjedhshëm shqip.

Përmblodhëm kështu, më saktë ngushtuam radiusin e ekspozesë sonë në këtë krye, duke shprehur njëherësh dëshirën dhe shpresën e mirë se mund të nxisim dikur, në një të ardhme mundësisht të afërt, kërkime të mirëfillta arkivore lidhur me rrethanat e përftimit të veprës, sikurse edhe me aktivitetin kulturor-intelektual të autorit të saj në Shqipëri. Pra le të mjaftohemi fillimisht me do grimca të naty-rës biografike mbi jetën dhe formimin intelektual së bashku me aktivitetin klerikal dhe angazhimin social të Basile-s.

Burime të sigurta mbi personin në fjalë mundësojnë në ra-dhë të parë aktet Annali siculi (bl. IV: 1840-1844; Palermo 1908, f. 34vv.) e sidomos një studim i mirëfilltë bio-bibliografik me autor Mijo Korade-n SJ (1982 106vv.), historian i mirënjohur i Kishës Katolike në Kroaci dhe sivëlla jezuit i autorit tonë, i cili mbështetet në një dokumentacion të pasur arkivor që e citon në fusnota, madje një pjesë sish e boton në plotësi të lëvdueshme si shtojcë të atij punimi. Lidhur me aktivitetin e Basile-s si drejtues (= it. superiore) i misionit jezuit në Shqipëri (Shkodër: 1841-1843), i detyrohemi për këtë fazë, aq sa dimë, sigurisht punës së ngulmët të Ines Murzakut (2006 67vv.; 108vv.) dhe Markus Peters-it (2007 51v., 64, 297), ndërkohë që ndonjë të dhënë shtesë mbi familjen dhe vitet e tij të fëminisë kemi mundur ta fiksojmë në ndonjë faqe serioze interneti, pra pa mundur të verifikojmë në detaj saktësinë e kumtit elektronik përkatës në kohën tonë.
Asgjëmangut, Korade na mëson që në hyrje të punimit të tij datën e saktë të lindjes, ndërkohë që vendlindja dhe familja përkojnë në disa burime bashkë.

Prashtu, sipas tij, Vincenzo Basile lindi më 28 dhjetor 1811 në Siculiana të dioqezës së Agrigenti-t (deri më 1927: <Girgenti>) në Sicili, në një familje vendase me nënë Vita Schembri Volpe-n dhe baba Pasquale Basile-n me profesion administrator tokash. Familja dhe fati i saj janë të fiksuara njëherë e mirë në kumtin sikulian të kohës: “Ni la casa di Vasili tutti monaci e parrini, missionari Gesuiti e Liguorini, ci nni fu unu spiziali ca nun si vosi maritari” (: “Në shtëpinë e [Pasquale] Basile-s të gjithë murgj e priftërinj, misionarë jezuitë dhe liguorinë; na ishte dhe një farmacist që nuk donte të martohej.”) Dhe është fakt që kjo familje e madhe nuk arriti të degëzojë dot lisin e vet të gjakut, edhe pse në të u lindën plot pesë djem. Ndër ta, tre vëllezër: Onofrio, Salvatore dhe Vincenzo ynë, përjetuan qysh në moshë të re Thirrjen Hyjnore, ndërsa dy më të rinjtë Giuseppe (mjek i Garibaldi-t) dhe Luigi iu përkushtuan qysh në të ri sipas rastit vetëm mjekësisë, politikës dhe farmacisë.

Dëshira dhe synimi i të atit ishte që edhe Vincenzo të bëhej mjek. Por ja që hesapet i kishte bërë pa hanxhinë, meqë ky djalë ‘plangprishës’ u dorëzua në moshën 16 vjeç pa lejen e tij në Urdhrin Jezuit, duke u regjistruar rishtar më 14 qershor 1827 pranë Casa Professa në Palermo. Aty studioi me pasion vite të tëra filozofi (1831-1833) e në Marsala teologji (1836-1839), duke u thelluar edhe në zotërimin dhe perfeksionimin e latinishtes. Pas fitimit të një përvoje solide në mësimdhënie dhe predikim në misione të ndryshme të provincës amë (Alcamo, Marsala, Palermo etj.) si edhe gjatë disa udhëtimeve në vende të ndryshme pelegrinazhi ai vihet në dispozicion të Urdhrit si misionar i Etërve Jezuitë.

Me këtë funksion do ta ndeshim Basile-n së pari, në fillim të vitit 1841, në Shkodër – i ftuar zyrtarisht prej ipeshkvit të asaj dioqeze, Imz. Luigi Guglielmi –, ku vendoset në krye të misionit të parë jezuit në Shqipëri si “superior” i grupit të përbërë prej tre vetësh, pra së bashku me dy sivëllezërit e vet që përmendëm më lart: P. Giuseppe Ign. Guagliata dhe P. Salvatore Bartoli. Në kuadër të këtij misioni fillon e zhvillohet aktiviteti i tyre disadrejtimësh: a) arsimor: me synimin farëmirë të themelimit të një kolegji me (konvikt dhe) kapacitet deri në 200 rishtarë; b) meshtarak: me mbarështimin e besimit në bashkësinë e krishterë të qytetit, dhe c) social: me përkuj-desjen shëndetsore të popullsisë së gjithë qytetit. Por siç e kemi cekur dikur gjetkë (2015 27): “… ishte bash kjo ndërmarrje fanmirë që iu kthye vetë misionit si bumerang ogurzi: Jo më larg se gushti i vitit 1843, pra diçka më shumë se dy vjet pas ngulimit të tij të parë në Shqipëri, duke përfshirë këtu edhe gjashtë muaj ngujimi në ambientet e bani-mit të zëvendës-konsullit austriak, Vincenzo Ballarini-t – për t’i shpë-tuar së ashtuquajturës “revoltë popullore”, e cila përjetoi si pikë kulmore shkatërrimin në themel të ndërtesës së porsapërfunduar që ishte parashikuar si seminar jezuit – […]” misioni detyrohet të mbyllë paraprakisht dyert e veta në Shkodër, ndërkohë që anëtarët e tij u shpërndanë: Guagliata dhe Bartoli u vendosën fillimisht në Romë, por dikur më vonë i pari u rikthye me lang e me plang në Paler-mo/Sicili, ndërsa të dytit i ra fati me marrë rrugën e misionarit përtej detit, drejt e në Guatemala, ku i humbi nami e nishani. Vetë Vincenzo Basile u transferua fillimisht – deri në vitin 1845 – në Ragu-sa (= sot <Dubrovnik>) me kërkesë të ipeshkvit të atyshëm Tomo Jederliniæ.

Në vitet 1845-1852 Basile-n e ndeshim si meshtar në Gradac të Hercegovinës e më pas, deri më 1859, edhe si superiore i misionit jezuit në Trebinje, ku mbarështoi – duke lëvizur gjithherë kaluar mbi mushkë – një famulli të shtrirë në plot 28 fshatra. Më 1865 emërohet Visitator Apostolik me funksion ipeshkvi në atë dioqezë, ku administron një bashkësi të krishterë me mbi 3000 frymë. Pas një qëndrimi të shkurtër në Sicili (1859-61) për arsye shëndetësore rikthehet përsëri në tokë të krishterë kroate si at shpirtëror (Požega), si edhe konsulent dhe drejtues kongregacionesh të ndryshme fetare (Malpaga dhe Zemunik pranë Zarës). Më 1872 ishte Imz. Domenico Turano, arqipeshkvi i Agrigento-s që iu drejtua zyrtarisht me një kërkesë në formë lutjeje me shkrim Padre Generale-s së Shoqërisë së Jesus-it me seli në Romë për ta transferuar Padre Basile-n në dioqezën e vendlindjes. Kërkesa iu miratua. Aty Basile vijoi të predikojë vite me radhë, duke zhvilluar ushtrime spirituale sidomos në kohën e kreshmëve në misionin e Agrigento-s, sikurse edhe në ato të Siracusa-s, Palermo-s dhe Trapan-it. E vijoi këtë aktivitet edhe më 1880, me rastin e pelegrinazhit në Tokën e Shenjtë në Seminarin e Jerusalemit.

Basile ndërron jetë më 3 mars 1882 në Pia Casa del Bocone del Povero të Shën Markut në Palermo. Korpi i tij gjen prehjen e fundit në varrezën familjare të Santo Spirito di S. Orsola në Palermo. Me rastin e mortit gazeta “Sicilia Cattolica” e dt. 6/7 mars 1882 shkruan, sa vijon: “Col più grande dolore si è intesa nella nostra città la morte del carissimo e santo missionario, il Padre Vincenzo Basile, tanto caro a quanti lo conobbero, tanto benemerito della Chiesa e decoro dell’ Ordine cui apparteneva e che fu un vero apostolo nel corso della sua vita esemplare […])”. Për kohë të gjatë u ruajt në kujtesën kolektive sikuliane kandi i pazakonshëm i predikimit të tij që përqasej shpesh me atë të një shenjtori: “La predicazione del Padre Basile non è comu-ne, ma è come quella di un santo.”
Sa i përket botimit të tij shqip: <Ruga e Parrisit…, n’ Rom 1845> (144 f.), lejohemi të kumtojmë këtu thukët se nuk kemi të bëjmë aspak me një lule të parë dhe të fundit që solli beharin e kulturës shqiptare në shek. XIX. Ky libër rezulton gjithsesi të jetë i vetmi në gjuhën shqipe që mban firmën e tij, anipse përjetoi si i tillë edhe një herë të dytë dritën e botimit në shtypshkronjën e Propa-ganda Fide-s (Romë 1873 118 f.). Përndryshe titujt e botimeve të tjera që mëtojnë autorësinë e tij i ngjërojmë vetëm në kroatisht, ndër to do libra të natyrës asketike dhe syresh lutjesh, khs.: “Razmišljaj ovo dobro” (1844 me tri botime, si përkthim në kroatisht i Bartol Baudrand “Pensez y bien”), “Molitvenik za katolièka poslanstva” (= “Libër lutjesh për misionin katolik”, 1861  –l– katër botime), “Važñi uzroci” (= “Arsye të rëndësishme”, 1864  –l– me autor Antun Kanižliæ) etj. Hollësi për këta tituj mësojmë sidomos prej Korade-s (1982 154), i cili mëngon të kumtojë gjithashtu se ishte pikërisht ideja nismëtare e Basile-s ajo që nxiti kardinalin Juraj Haulik, arqipeshkëv i Zagrebit, të themelojë më 1867 Shoqatën Letrare të Shën Jeronim-it, e cila ka mbështetur mbi 1000 botime kroatisht.

Këtë vend të bekuar që gëzon me kohë dhe ndërkohë autori ynë në historinë e letërsisë dhe të kulturës së shkrimit kroat në gjysmën e dytë të shek. XIX na mbetet ende sot e gjithë ditën detyrë me e gjurmuar e qëmtuar nëpër ata shpërgënj të shkelur e të tretur (pa)vetëdijshëm në historinë e kulturës së shkrimit shqip për këtë periudhë. Me këtë rast mjafton të ripërmendim konstatimin e bërë më lart se është pikërisht ky libër, së bashku me katekizmin e vogël shqip të Guagliata-s, njëri ndër ato dy botime solide që rihapën në shek. XIX, shi më 1845, siparët e kulturës së librit shqip me destinacion arealin kulturor të Veriut katolik shqiptar. (Demiraj 2015b 24vv.)

Epilog: Zoja e
Shkodrës në
pendën e Basile-s
Sigurisht që do të ishim të paplotë, sikur të linim pa përmendur, të paktën në mbyllje të këtij shkrimi informativ atë vlerë unikale që bart dhe përcjell penda e Basile-s me /Rugen e [tij t’] Parr)zit/ në trashëgiminë e vyer të arealit kulturor të Veriut, më saktë në përkatësinë e tij të patjetërsueshme në historinë e kulturës shqiptare e europiane në përgjithësi. Kështu nuk bëjmë aspak çudi përse autori ynë (1845 52-56 dhe 1873 44-47) ia kujton dhe bën të qartë grigjës së lexuesve të vet se kjo rrugë nuk i anashkalon, përkundrazi vetëm parakupton mirëfilli mirënjohjen dhe mbarështimin shpirtëror të kultit të Zojës së Shkodrës, andaj do medituar gjithherë me devocion për të, të paktën një herë në javë, bash ditëve të shtuna, si vijon:
(transkriptim)

/Mennim per t‘ shtunen
Zoja e Shkodres
N‘ Arbnii âsht devocion fort e madhe per Zojen e Shkodres; sa asht bukur praa n‘ ket dit, konsakruem laudit e ndeerit shêjtnushmes Mrii Virgjin me mendue t‘ dalunit zot asaj? Sa âsht mir, tuj njoft perse Zoja [e] beekueme iku prej Shkodres me kujtue mnyren me e bâ me ardh prap ndopak n‘ zembrat tona? Kalxojm praa m[aa] para si ka qillue t‘ ikunit Zojes e Shkodres e masandej mendojm me dobii t‘ shpirtit si me e sbut per me pas mishirier.
Njat Shkodres âsht nji kish tash e renuome, ne t’cillen ishte ndeerue nji figure e buker shêjtnushmes Mrii. Por masi forti i foort Skanderbek diq, Shkodra raa nder duor turqvet e kie vum nden haraç. At’her bâni vakii e tash kan shkuem treqin e shtatdhet e tet vjet qi Zoja e beekueme tuj ik prej asaj kish, shkoi afer Roms ne nji t’ vocerr katun qi thohet Genazzano; atje kie, edhe âsht ndeerue prej gjith popullit, perse ka bâm e bân deri sot shum mrekullii. T’ lumt ato dy konaqe Gjergjit e [De] Sclavis, qi paska nafake me perciell figuren e mrekulluoshme Zojes e beekueme, prûm prej nji shtyll zjermit naten e prej nji shtyll erêjet diten? Por t’ shuumt ju, o t’ kershtent e mii, qi mbetni pâ nanen e dashtnushme! … E pse o nana e dashtnushmeja, pse braktise jetimat e tuu, pâ ndim kundra anmiqvet, pse s’ kee sevap per birt tuj, qi kjajn, qi gjimojn t[a]sh gadi per kater shekull pâ ty? Ah, m’ duket, qi Zoja beekueme m’ pergjegj; ah! une ika prej Shkodres per mkatet; e s’ jam njit alaa, perse s’ kan pushuem alaa mkatet; t’ pushojn mkatet e une kam per me njit prap! […]/

Do njohës sado të përciptë të fushës dhe sosh të letrave shqip nuk do ta kenë aspak të vështirë ta cilësojnë këtë paragraf si dëshminë deri sot më të hershme në hapësirën kompakte shqipfolëse që na kumton shqip mitin historik të ‘Fugurës së Zojës së Shkodrës’ me rrugëtimin e saj hyjnor drejt Genazzano-s (Itali), ku iu shfaq popullit më 25 prill 1467, sikurse gjithçka shqiptare që bashkëlidhet me të, ndër të tjera: a) fiksimin e këtij miti në kujtesën historike-intelektuale e, pse jo (!), edhe të bashkësisë katolike shqiptare të kohës, përkatësisht b) ndërthurjen e tij të natyrshme me ngjarjet historike të kohës, si p.sh.: vdekja e Skënderbeut, pushtimi osman i vendit, eksodi tragjik i shqiptarëve drejt Perëndimit etj.; dhe sidomos c) atë detyrim shpirtëror të bashkësisë katolike shqiptare në shek. XIX për të vazhduar me përkujdesur e mbarështuar me devocion kultin e ‘Zojës së Shkodrës’, të cilën bota e krishterë e mirënjeh dhe nderon sot e gjithë ditën në emrat e dhjetra e qindra kishave e kapeleve, sikurse në mijëra e mijëra riprodhime, veçse ashtu thjesht e ‘ripagë-zuar’, si: shq. Zoja e Këshillit të Mirë, (it.) Madona del Buon Consiglio, angl. Mother of Good Council, gjerm. Mutter vom Guten Rat, sp. Madre del Buen Consejo, port. Mãe do Bom Conselho etj., etj. etj.
Parë nga kjo perspektivë ‘Fugura e Zojës së Shkodrës’ është një thesar i vyer dhe i patjetërsueshëm në trashëgiminë e kulturës shpir-tërore shqiptare që e bashkëlidh atë natyrshëm me vlerat e patun-dshme të trashëgimisë kulturore-kristiane të Perëndimit, pra më se i krahasueshëm me vendin e heroit kombëtar shqiptar në historinë e Shqipërisë dhe percepsionin e tij në kujtesën historike-intelektuale të Perëndimit. Andaj nuk kemi përse bëjmë aspak çudi që në fund të shek. XIX, në Koncilin e Tretë të Arbënit (Shkodër, maj 1895) – bash kur Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare kishte ngjitur ndërkohë një pikë kulmore (!!!) – ‘Zoja e Shkodrës’ shpallet Pajtorja e Shqipërisë.

Ndodhitë e mëpasme historike-kulturore në Shqipëri, sidomos në gjysmën e dytë të shek. XX, rrodhën ashtu si rrodhën, thënë më saktë ashtu siç nuk duhej të rridhnin: ‘Zojës së Shkodrës’ si Pajtore e Shqipërisë sistemi në fuqi i preu aortën kryesore të parës, sikurse gjithë institucioneve të kultit në vend, ndërkohë që me dhunën e vet strukturore informale e orientoi politikën e formimit intelektual drejt njëanshmërisë largvajtëse, sidomos sa i përket mbarështimit të kujtesës historike-intelektuale në vend. Është pikërisht kjo kujtesë që vuan thuajse të njëjtën situatë – mos edhe më keq (!) – në kohën tonë, pra edhe pas 25 vjetësh (1991-2016) tranzicioni kulturor, kur në bordet drejtuese dhe redaksitë përgjegjëse të veprave eciklopedike me rëndësi kombëtare gjëllijnë ende pjella hibride të atij orientimi intelektual-ideologjik dështak. Andaj nuk kemi përse bëjmë sot aspak çudi që ‘Zoja e Shkodrës’ dhe ‘Fugura’ e saj nuk figurojnë si zëra të veçantë sado minorë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, qoftë në botimin e parë (Tiranë 1985), por sidomos në ribotimin e tij në tri vëllime (Tiranë 2008/9); një zë i veçantë për autorin tonë, Padre Vincenzo Basile-n, jo se jo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.