KULTURË

Edi Hila-Mjeshtri në Varshavë me propagandën, sloganet, nënën dhe bulevardin

11:40 - 19.02.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arsyeja për të cilën po trajtojmë veprën e Hilës në këtë kohë është mprehtësia e një artisti që nuk pranoi të mashtrohej nga gjurmët e transformimit, me gjithë kërcënimet që bartte.




“Edi Hila: Piktor i Transformimit 2 mars – 6 maj 2018”, Muzeu i Artit Modern Varshavë.
Dora e shtrirë e nënës me një telekomandë. Një shikim i humbur në tutje-tëhunë e një ekrani që nuk shihet. Rrethinat, bulevardi dhe dy vepra të 1988-ës, që tregojnë përgatitjet e Partisë dhe laboratorin e prodhimit të sloganeve.

Shqipëria siç ishte dhe Shqipëria që pak ndryshoi, shpërfaqet në Muzeun e Artit Modern në Varshavë në një ekspozitë dymujore, kushtuar Edi Hilës, nën titullin “Piktor i transformimit”. Kuratorë të ekspozitës janë Kathrin Rhomberg, Erzen Shkololli dhe Joanna Mytkowska. Janë vepra që ngërthejnë kohë të ndryshme, si për të dhënë një kuadër të plotë të veprës së Hilës, parë tanimë në kohë lirie.
EKSPOZITA
Muzeu i Artit Modern në Varshavë po përgatit ekspozitën e parë retrospektivë të piktorit shqiptar Edi Hila, që e cilëson si një nga mjeshtrat e fundit të shpërfillur të Evropës Lindore.
Në informacionin për mediat, MAM i Varshavës, së pari jep jetëshkrimin, duke shënuar se Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944 dhe punon në Tiranë. I lidhur me Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës, ai ka qenë aty një pedagog me shumë ndikim.
Edukuar në Shkodër, një qytet zanafilla e të cilit prek lashtësinë, Hila ka pasur gjithnjë një qasje të afërt me rrënjët e kulturës klasike.

Në vitet 1960, gjatë studimeve artisti pati eksperimentuar. Më 1972 pikturoi “Mbjelljen e Pemëve”, një pikturë e këndshme ku përdorimi i ngjyrave ishte disi joreal.

Për shkak se vepra largohej nga doktrina e realizmit socialist në fuqi atë kohë, piktura u përdor si pretekst për dënimin e tij në një kamp riedukimi. Për disa vjet qe i detyruar të jetonte në fshatra dhe të punonte në një pulari, duke qenë praktikisht një artist që i hiqej e drejta të praktikonte pikturën. Asokohe, bëri vizatime të shumta, para së gjithash serinë e viteve 1975-1976, ku dokumentonte jetën rurale, që trondit për realizmin dhe prezantimin e nënshtresave ekzistenciale.
Në vitet 1990, duke kërkuar rrugën e vet drejt pikturës, Hila ndoqi me kujdes zhvillimin e jetës pas rënies së regjimit të Hoxhës dhe u përpoq të përshkruante transformimin shoqëror.

Në serinë novatore ‘Comfort’ (1997), artisti merret me paaftësinë për të kënaqur nevojën për rehati që i qe premtuar shoqërisë së re.
Ai krijon kryesisht seri që trajtojnë një temë të zgjedhur në disa piktura. Më të rëndësishmet e serive të Hilës përfshijnë ‘Paradoksi’ (2000-2005), ‘Marrëdhëniet’ (2002-2014), ‘Kërcënimet’ (2003-2009), ‘Objekte në rrugë’ (2007-2010), ‘Penthouses’ (2013), ‘Bulevardi’ (2015) dhe ‘Tendë mbi çatinë e makinës’ (2017). MAM Varshavë shënon se realizmi i pikturës së tij është i dallueshëm, bazuar mbi një vëzhgim të kujdesshëm të detajeve, të cilat ai i shfrytëzon për të përcjellë të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar.

Hila i përzgjedh me kujdes temat për seritë e pikturave. Ato bartin forcën e autenticitetit të vëzhgimit të përditshëm, si dhe universalitetin e parimit ekzistencial.
Sipas MAM Varshavë, kjo ‘zhvesh’ transformimin në Evropën Lindore, tipike të shumë prezantimeve dhe i jep asaj peshën e të vërtetave të përgjithshme, sikur të ishte kronisti i tij përfundimtar.

“Një nga arsyet e këtij thjeshtëzimi radikal mund të jetë prirja e Hilës drejt klasicizmit, një magjepsje prej burimeve të pikturave të Rilindjes. Është sikur modernizmi të jetë zhdukur nga fusha e tij e interesit dhe sikur nuk ka dilema mbi modernitetin.
Kjo është arsyeja pse transformimi, në përplasje me traditën klasike të pikturës dhe ekuilibrin e marrë prej shpirtit të largët të Rilindjes, e përcjell në mënyrë të qartë ndarjen dhe sulmin ndaj harmonisë dhe rregullit”, shënon MAM Varshavë.

Sipas preskitt-it të tyre nga ana tjetër, ajo është e rrënjosur në dilemat njerëzore që janë të vështira për t’u fshehur, madje edhe me një ‘lustër’ të modernizimit.
Ekspozita e Edi Hilës në Muzeun e Artit Modern në Varshavë përshtatet me një sërë ekspozitash kushtuar artistëve të anashkaluar të Evropës Lindore. Gjatë disa viteve të fundit, MAM i Varshavës ka përgatitur ekspozita personale të Ion Grigorescu, Július Koller dhe Mária Bartuszová si edhe ka realizuar projekte me Sanja Ivekovi? dhe Tomislav Gotovac. Por, muzeu shënon se, “ky projekt shtrihet përtej kuriozitetit akademik ose nevojës historike”. MAM i Varshavës thotë se, “arsyeja për të cilën po trajtojmë veprën e Hilës në këtë kohë është mprehtësia e një artisti, që nuk pranoi të mashtrohej nga gjurmët e transformimit, me gjithë kërcënimet që bartte”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.