Intervista

Alarmi, gjysma e minatorëve të Bulqizës punojnë në të zezë. Edison Hoxha: Punonjësit kanë frikë të flasin

13:45 - 02.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Gjysma e punonjësve në minierën e Bulqizës janë të padeklaruar, pra punojnë në të zezë, ndërkohë që vetëm 49% e minatorëve informohen nga punëdhënësi mbi rrezikun që mbart puna e nëntokës. Ky alarm ngrihet pas një studimi të bërë nga Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social, (CLRD) e cila zbardh shifrat tronditëse pas hulumtimeve të saj në sektorët e industrisë nxjerrëse.




Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, koordinatori kombëtar i kësaj qendre, Edison Hoxha tregon se punonjësit kanë frikë që të tregojnë mbi punën në të zezë e më tej shton se punëmarrësit nuk i plotësojnë detyrimet e tyre për të informuar punonjësit mbi rrezikun që ka puna e tyre në galeri. Më tej Hoxha thekson se rreth 58% e punonjësve në miniera në 12 muajt e fundit kanë qenë dëshmitarë apo kanë pasur aksidente në punë e shton se në rastin e aksidenteve të vogla, shumica e punonjësve nuk i deklarojnë, pavarësisht se është një detyrim ligjor. Sipas tij, është vetë punëdhënësi që i mbulon këto aksidente.

Si lindi ideja e realizimit të këtij studimi nga qendra juaj?
Studimi “Tregu, marrëdhëniet e punës dhe lidhja midis informalitetit, konkurrueshmërisë, produktivitetit dhe pagës minimale në industrinë nxjerrëse në Shqipëri” është në proces lançimi dhe është përcaktuar të mërkurën që vjen. Ne vendosëm që ta bënim këtë studim, pasi në vendin tonë nuk ka një studim që ta shohë pagën minimale në të gjitha aspektet, si në interesin e punëmarrësit, ashtu edhe në atë të punëdhënësit që është produktiviteti. Ky studim synon t’u shërbejë të dyja palëve të mësipërme si dhe vetë institucioneve shtetërore.

Në studim ju jeni fokusuar tek industria nxjerrëse. Pse pikërisht ky sektor?
Ne kemi parë që investimet vendëse dhe të huaja kanë pasur interes më të lartë te këta sektorë dhe administrimi i duhur i të ardhurave në industrinë nxjerrëse është një potencial i jashtëzakonshëm për t’i larguar shqiptarët nga varfëria dhe për të kontribuar në zhvillimin e këtyre zonave ku nxirren burimet natyrore.

Sa është numri i punonjësve në këta sektorë dhe sa prej tyre punojnë në të zezë?
Në total, të paktën në pjesën e formalizuar kemi të bëjmë me 8400 të punësuar në industrinë nxjerrëse. Por vlen të theksoj se në minierën e Bulqizës ku ne kemi pasur kontakte me vetë punonjësit, apo me përfaqësuesit e tyre, kemi konstatuar se numri i punonjësve të formalizuar (me sigurime) është i njëjtë me punonjësit e paformalizuar, pra rreth gjysma e tyre punojnë në të zezë, nuk janë të deklaruar. Ky fenomen nuk ndodh nga ana e kompanisë së madhe që operon aty, por nga disa kompani të vogla koncesionare që punojnë në informalitet.

Gjatë studimit, a keni arritur të kontaktoni me vetë këta punonjës të padeklaruar?
Ne jemi munduar që të kontaktojmë me ta, por edhe në rastet që kemi qenë të sigurt që puna e tyre nuk deklarohej, punonjësi ka frikë të tregojë. Në minierën e Bulqizës kemi arritur ta sigurojmë informacionin, pasi punonjësit janë më të organizuar, më aktivë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Si mund të luftohet informaliteti, cilat janë disa nga zgjidhjet që jepni?
Një politikë elastike për TVSH-në, për produktet minerare do ishte shumë pozitive. Një iniciativë tjetër do ishte edhe shpallja e zonave minerare si zona të lira ekonomike si dhe rritja e aftësive teknike dhe profesionale të punonjësve që punojnë në këtë sektor.

Si paraqiten kushtet e punës për punonjësit e industrisë nxjerrëse?
Ne kemi bërë një aktivitet në Bulqizë, ku kemi diskutuar mbi kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe rreziqet që vijnë. Sektori i minierave vazhdon të mbetet sektori më i vështirë përsa u përket kushteve të punës, ku shumë raste kanë qenë fatale nga aksidentet në punë, pa harruar këtu edhe sëmundjet profesionale. Ndërsa në sektorin e naftës, punonjësit janë më të prekur nga sëmundjet profesionale.

Sa të informuar janë punëmarrësit mbi rrezikun që ka puna e nëntokës?
Gjatë studimit, kemi konstatuar se 49% e punëtorëve në sektorin e minierave, pra vetëm gjysma e tyre, janë të informuar mbi rreziqet që vijnë nga puna në nëntokë nga ana e punëdhënësit. Pavarësisht se ky i fundit e ka për detyrë që të ndihmojë në këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë e të informojë punonjësit mbi riskun që kanë në vendin e punës.

Pse ndodh diçka e tillë?
Në radhë të parë është problemi i punëdhënësve që nuk përmbushin detyrimet e tyre, por ka edhe një mungesë ndërgjegjësimi te vetë punonjësit. Kemi pasur raste kur vetë punëdhënësit na kanë treguar që u kanë thënë punëtorëve që të mbajnë mbrojtëset individuale në frontin e punës. Por ky është vetëm një justifikim, pasi punëdhënësit i kanë të gjitha instrumentet dhe autoritetin që të marrin masa ndaj punonjësve që nuk binden.

A bëhen publike aksidentet në punë, përveç rasteve fatale?
Rreth 58% e punonjësve në miniera në 12 muajt e fundit kanë qenë dëshmitarë apo kanë pasur aksidente në punë. Në rastin e aksidenteve të vogla, shumica e punonjësve nuk i deklarojnë, pavarësisht se është një detyrim ligjor. Edhe vetë punëdhënësi i mbulon këto aksidente.

Si paraqitet paga minimale për punonjësit e industrisë nxjerrëse?
Në këta sektorë, paga minimale është e lartë, nuk diskutohet paga 22-24 mijë lekë, por ne kemi kërkuar që paga minimale në sektorin e minierave të jetë jo më pak se 700 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme, por që gjen mbështetje edhe nga studimi ynë. Aktualisht paga minimale është 500 mijë lekë të vjetra e vetë punonjësit kërkojnë miratimin e statusit që përfshin të gjitha të drejtat e tyre. Beteja për miratimin e këtij statusi ka marrë angazhimin maksimal edhe nga ana jonë, e kërkojmë një ambient të përbashkët, ku të gjithë aktorët të bashkohen e të arrijmë një konkluzion që të ndihmojë në miratimin e tij.

Cili është misioni i qendrës suaj?
Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social është një organizatë jofitimprurëse që punon me punëmarrësit, sindikatat, shoqërinë civile, institucionet shtetërore etj., me synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave në punë. Gjithashtu, kërkojmë promovimin e së drejtës për t’u organizuar kolektivisht me synim zhvillimin e marrëdhënieve të punës në Shqipëri. Ne jemi përqendruar në disa sektorë të ekonomisë, kryesisht në sektorët ekstraktivë, pra të industrisë nxjerrëse si nafta, gazi dhe minierat që paraqesin edhe kushte të vështira e vazhdojnë të mbeten një problematikë e mprehtë për vetë punonjësit që punojnë në këta sektorë. Ne kemi zhvilluar aktivitete me të gjithë aktorët të përfshirë në këtë marrëdhënie pune dhe jemi përqendruar në këshillimin ligjor, informimin e punonjësve, mbrojtjen e të drejtave të tyre në punë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.