MILOSAO

Jetëshkrimi i poetit të njohur

07:00 - 05.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Xhevahir Spahiu ka lindur në 1 mars 1945 në Malind të Skraparit. Shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare i mbaroi në vendlindje dhe në Vlorë, shkollën e mesme Pedagogjike në Berat dhe në Vlorë. Studimet e larta i kreu gjatë viteve 1963 – 1967 në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe.




Ka punuar: gazetar, nëpunës, redaktor letrar, mësues, libretist në: gazetën “Zëri i Popullit”, minierën e Valiasit, revistën “Nëntori”, shkollat e mesme, TOB etj.
Në vitet 1993-1998 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm dhe në vitet 1998-2000 Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ka punuar disa muaj në shtëpinë Botuese “Mësonjëtorja e Parë” dhe gjatë muajve maj- gusht 2002 Këshilltar i Ministrit të Kulturës.
Prej vitit 2003 është Këshilltar i Jashtëm për Kulturën i Presidentit të Republikës.
Drejton gazetën e përmuajshme “Dielli i Tomorrit”.

Është anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ka përfaqësuar kulturën dhe poezinë shqipe në shumë veprimtari kulturore dhe poetike ndërkombëtare.
Poezia e tij është çmuar, por dhe kritikuar për rebelizëm; kritika e huaj ka parë tek ky poet “një nga zërat më të fuqishëm të modernitetit në poezinë shqipe”, një “zë i mbijetesës”. (Dr. R. Elsie).
Poeti dhe akademiku Ante Popovski ka shkruar se “me Xhevahir Spahiun edhe vetë poezia europiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm”.
Gjatë 30 vjetëve e kanë larguar disa herë nga puna dhe është ndëshkuar për “gabime ideologjike” dhe frymë antikomformiste. Më 1979 libri i tij “Zgjimi i thellësive” u ndalua nga qarkullimi dhe u bë karton.


Libra me poezi:
“Mëngjez sirenash”-1970, “Vdekje perëndive”- 1977, “Zgjimi i thellësive” -1979. “Agime shqiptare”-1981, “Nesër jam aty”- 1987, “Heshtje s`ka”- 1989, “Kohë e krisur”- 1991, “Ferrparasja”-1994, “Pezull”- 1996, “Rreziku”-2001.
Përmbledhja e zgjedhur në kolanën “Poezia Shqipe” është botuar në 1990.
Përmbledhja tjetër e zgjedhur “Udha” është botuar në vitin 2005.
Në Kosovë kanë dalë dy përmbledhje të zgjedhura poetike: “Vdekje perëndive”(1981) dhe “Tek rrënja e fjalëve”(1988).
Libra me poezi për fëmijë:
“Ti, qytet i dashur”, (1973), “Zambakët e Mamicës” (1981), “Ekrani i kaltër” (1982), “Kitaristët e vegjël”, (1983), “Kryeartëzat”, (1987), “Dielli i lodrave”, (1990), “Zogj të kaltër”, (përmbledhje e zgjedhur,1999).
Përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare:
“Dyer dhe zemra të hapura”, (1978), “Bashkëkohësit”, (1980). “Plaku i këngës”, monografi (bashkautor, 2002).
Libra me përkthime nga poezia botërore:
“Zemra pa mure” (1992), “Këtej nuk kalon askush”, (1997), “Përtej meje”, (1999), “Zotit”, (2004).
Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 20 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja.

Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, hollandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht etj.
Çmime
Çmimi i LSHA për “Kitaristët e vegjël”, si libri më i mirë për fëmijë i vitit 1983.
Çmimi Letrar Kombëtar “Migjeni” për librin më të mirë të vitit 1987 “Nesër jam aty”
Çmimi i parë në Konkursin Letrar Kombëtar për librin “Heshtje s‘ka” – 1989.
Çmimi Letrar Kombëtar “Migjeni” për librin më të mirë të vitit 1991 “Kohë e krisur”
Çmimi Letrar Kombëtar për librin më të mirë të vitit 1994 “Ferrparajsa”, (dhënë nga Ministria e Kulturës).
Çmimi Letrar Kombëtar “Velija” për librin më të mirë të vitit 1996 “Pezull”.
Çmimi i parë për tekstet poetike në Festivalet Kombëtare të Muzikës së Lehtë në vitet: 1976, 1979, 1989, 1995.
Çmimi Letrar i Karrierës: “Një jetë poetike”, 2001 (nga LSHA)
Çmimi Special në Konkursin Ndërkomëtar “Les muses d`Or”, Paris 1993.
“Diploma de Excelenta” akorduar nga Ministria e Kulturës e Rumanisë në Festivalin Ndërkombëtar “Netët e Poezisë të Curtea de Arges”, 2003.
Instituti Amerikan i Biografisë e ka shpallur kandidat për Medaljen Amerikane të Nderit, (2003).
02 mars 2005 – Presidenti i Republikës, i jep urdhrin “Mjeshtër i Madh” poetit Xhevahir Spahiu
Është dekoruar me: Medalja e Punës (1972), Medalja “Naim Frashëri” (1974), Urdhëri “Naim Frashëri” i Klasit II, (1982).

Nga Xhevahir Spahiu

MESNATË DIMËRORE

Asnjë zë. Të lodhur prej ditës
marrin një sy gjumë stacionet.

Bota të mos mbetet pa muzikë,
bubullijnë horizontet.

NJERIU PA EMËR

Jam njeri pa emër,
jetoj në balada.
Ç’është ai që kalon? – pyesin njerëzit në rrugë.
Si e quajnë? Si?
O shok!
O burrë i dheut!
O njeri!
Unë eci dhe kokën s’e kthej,
jam njeri pa emër dhe në ç’kohë jetojmë nuk e di:
emrin ma kanë kyçur në dosje dhe zyra,
ia shtrëngojnë qafën me rrathë kuqalashë,
ia shtojnë pikëpyetjet si kosa kërcënuese,
tmerrohen kur unë dhe emri im jemi bashkë.
Jam njeri pa emër,
jam emërharruar.
Mos njerëzit kanë harruar të flasin, të shkruajnë?
O zot, më keq akoma:
kanë harruar të duan.
Ku shkoi emri im,
ma tregoni pak varrin.
Kam frikë se ndonjë ditë do të dal si i çmendur,
të kap cilindo për mënge në rrugë
e ta pyes:
Më thuaj, o njeri:
Si quhem unë?
25 gusht1985

FEMIJËT E MALIT
TË SHENJTË

Atje tek ujët e zi,
oi, nëna ime, oi.

fëmijët e Malit të Shenjtë
as libra, as bukë nuk kanë,
as flasin, as qeshin, as qajnë,
uria vetë ka uri,
oi, nëna ime, oi.

burimet si shpirtra të kthjellët
gëlltitin një vaj të humnertë;
o bija përrallash, o bij,
jam larg e nuk mundem të vij.

tri re me rrufè zënë e lozin
prej reve, pa shih! – mitralozi!

dhe zi e më zi e më zi,
oi, nëna ime, oi.

përkulet kaprollja mbi foshnja
t’u lidhë plagët e plumbit,
po pikë rakie nuk ka
as në katundin e fundit.

nata pagane shkul flokët,
lisat gremisen përtokë,
nxin ujët e ujit të zi, –
jam larg e nuk mundem të vij.

oi, nëna ime, oi.

ULJE ÇMIMESH

30 lekë një kg. mish,
një bukë e zezë 4 lekë.

Po më lirë?

Një kg dinjitet.

MIÇO

Unë s’jam i vdekur që të mos gaboj.
Hiqi syzet, Miçooo!

Diçka ti përtyp:
“Ç’të raportoj?”
O ju sy, sy të Miços që dhelpërisht shkëlqeni,
kur unë gaboj.

Gjoja rastësisht u the shefave,
në kafe kur pagove:
“Vjershat i kërren në orarin zyrtar,
dhe … si shumë u kundërshton eprorëve …”

Kur e di që ka Miço
unë e gdhij gjer në tre pas mesnate;
po ti pse u zverdhe,
ç’pate?

Thyeji syzet, Miçooo,
kuptoje bujarinë time të pafund.
E ç’do të ishe ti, o mor i gjorë,
po të mos gaboja unë?

NESËR JAM ATY

Nesër jam aty,

U bëni zë lisave të më dalin përpara
në këmbë të babait.
Medet sa jam rritur,
lisat sa të vegjël!
Babai u hidhte supeve pjergullën:
i besoja babait, bokërimat e dinë:
ish ai perëndia që kish shpikur hardhinë.
Me të kish punë vetëm puna.
Ç’la pa krasitur?
Le ta thotë Juga.

Nesër jam aty.

Gurrës me kupën e gurtë i thoni
ta ruajë, po mundi, një grusht ujë për mua.
Kam një etje të moçme.
Vij i lodhur nga rruga.

Nesër jam aty.

Këpucët do t’i heq në të hyrë të fshatit;
ngashërimi do t’ia shkundë fletën e fundit
manit,
(Fletë e fundit a fjalë e pathënë e babait?)

Thinjjen time fëmijëria do ta shtyjë në
kufijtë e harresës.

Jam aty,
nesër.

NGJARJE NË TREN

Gjeli me lafshë të kuqe,
me kikiriku-n e zgjimit në fyt.

Gjel pa qiell. Qiell pa gjel.
Gjysmagjel.
Çerekgjel.

Lafsha krenare, flamur gjysmështizë,
përpëlitet
brenda çantës
në terr.

Hape atë çantë.
ta marrë djalli, ta marrë,
siç ke hapur për vete dritaret e trenit,
atje brenda po fiket kënga e gjelit.

Ora e gjelit, orë zgjimi, ka mbetur.
Treni po ecën
me gjelin e vdekur.

A thua të zbresim
një nga një si në zi
me gjelin
përmbysur
përmbi glasat e tij?

Endè pa u dergjur në bark a nën tokë,
mua më këndojnë 40 gjela në kokë.

1989

PËRKTHIMI I LUMIT

Rri dhe përkthej lumin.
Përkthim i vështirë
ky i ujërave.
Fjalë të rralla,
shprehje të ngurosura,
ritëm i tejkohëve.
Njëqind burime njëzëri
mitin e moçëm kallzonin.
Gjithë natën përktheva lumin.
Në mëngjes
përkthimi ishte zhdukur.

Skrapar, 1983

KU

Nata
korb i zi.

Ku të shkosh?

As lart.
As poshtë.

Syri në syrin e pleshtit,
kokrra në kokrrën e elbit,
dreqi në thelbin e dreqit.

Xhepat bosh.

Bosh?

Boshi i boshtit pa bosht.

Nata
korb i zi.

Ku të shkosh?

* * *

A ka gjëkund ndonjë shitore
a ndonjë tezgë kot më kot, –
të ble me ca qindarka qorre,
jo bukë, po pak durim, o Zot?

* * *
Malo Sevranit

Një gjysmë molle kuqëlon në degë.

Zogu, që gjysmën tjetër kishte ngrënë,
për mua udhëtarin e kish lënë.

LIGJËRIM MBI
QENIN PA JETË

Qeni im, kush të vrau,
e pse të vrau, qeni im?
Shtrirë si dhembje përmbi bar
pranë lules së gjakut tënd;
sytë e tu të hapur dikë presin t’i mbyl1ë,
dy lehje të pakuptuara sytë e tu.
Po vijnë delet gjakun tënd të lëpijnë,
tunde pakëz bishtin si biskonjë prilli.
S’ka paksa që hënës mitikisht i lehje,
dhe tani … dru i prerë … heshtje …
Një histori dhelprash është varrosur me ty;
atje në bjeshkë,
atje në vërri
ujku nga tronditja bren këmbën e tij.
Ti i pagjumi kur edhe krojet flinin,
ti bir i besës kur pabesitë nxinin,
ma ktheve kërrabën në hakërrim drejt qiejve;
e ndien si rrëzohen mbi sytë e tu të zbrazët
lotët e nxehtë të mi?
Angulli dhe njëherë,
të mos angullij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.