MILOSAO

“Në syrin e ciklonit”, nga Stefan Martiko

07:00 - 05.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Josif Papagjoni – Stefan Martiko është një emër i njohur në letërsinë shqipe, një poet që ndërtoi individualitetin e tij qysh para viteve ’90, e më pas, emigruar në Greqi, e shtoi dhe begatoi krijimtarinë e tij jo vetëm në gjininë e poezisë, por fare natyrshëm u hodh edhe në prozë, posaçërisht në tregimin e shkurtër apo ese e përsiatje të gjithëfarta mbi jetën dhe raportet e njeriut me historinë, me shoqërinë, me shpirtin, posaçërisht ato me vetveten. Pas librave “Shkurtima” dhe “Pritje në përgjim”, ja ku vjen një i tretë ngjashmërisht dhe i një tipologjie me to, me një titull sfidues, Në syrin e Ciklonit, i cili sikur të falë kryeherit ndjenjën e epërisë dhe triumfit, e diçkaje të guximshme, gati hakmarrëse ndaj çdogjësendi kërcënues, të frikshëm, qoftë dhe madhështor. Libri ndjek, si dhe dy të parët, pikërisht paradigmën prozodike të “short story”, pra të shkurtimave, ku subjekti vështirë se dallohet ose dallohet fare pak duke u tretur në nebulozën e përjetimit, te shestimi shpesh në vrap e ritëm i një ideje, i një mendimi të ngulur dhe anksioz; përthellimit brenda strukturave mentale që shfaqen si biseda me vetveten dhe si përsiatje. Kjo formë lakmon filozofimin me jetën dhe dukuritë e larme. Ajo anon nga optikat ontologjike të qenies si të tillë. Vetëmjaftohet aty.




Duket haptazi se Martiko është një ndjekës i prozës së Borhesit, ku përzihet dituria me zhbirimet në psikën e njeriut, herë në çaste meditimi e herë në çaste vrullimesh, ankthesh të brendshme, gjakimesh për t’i dhënë shpjegim gjërave thuajse të “pashpjegueshme”, nën një vel transhedental, e sakaq duke hyrë e duke u “ngatërruar” në labirinthin e enigmave të qenies, mendimit, ecejakeve ndjesore, vetë kozmosit. Mendimi i tij luan kësodore me ndoca thelbe përtej asaj që duket apo preket; krijohet sish një farë turbullire mistike-eksotologjike, tejet e vështirë për t’u rrokur qysh me leximin e parë, prandaj dhe kërkojnë vëmendje. Një grimë nëse vëmendja ikën, ikën dhe filli korrelativ i idesë, ikën ajo që fshihet pas, sepse ato janë simbiozë, pjesë e njëra-tjetrës, sikurse dhe njësi vetanake e të vetëmjaftueshme, siç mendja e njeriut është në fakt në vrapin e saj të pandalur asociativ.

Libri nuk ka një bosht, le ta quajmë, “tematik”. Jo! Ai vrapon në qindra tema, brenda një mikrokozmosi që zgjeron kufijtë nga tregimi në tregim dhe bëhet i pafund, ashtu sikurse lëngatat e njeriut dhe rrekjet e mendjes për të gjetur një shkak a premisë parake të asaj që ndodh tani, pse ndodh, si ndodh, përherë e lidhur me një të shkuar të gëlltitur që diku aty bri teje frymon e të trazon. Ky vallëzim i mendimit përbën karakterin dhe tipologjinë e prozës së shkruar të autorit në këtë libër. Ndonjëherë mendimet janë kaq të mprehta, sa ngjan sikur kalohet nga letërsia në filozofi. Në fakt është një letërsi me pak traditë ndër ne dhe Stefan Martiko është nga të paktët “bujq” që lëron me ngulm në arat e një letërsie cilësore kësilloj.

“Do kisha pëlqyer përherë flladin dhe erën, përbindshin krifëkrehur që pranon përkëdheljet e mia, – shkruan ai për librin si për t’i dhënë kredon e nënkuptuar, – por sa e sa herë kam ndjerë të vdes një fuqi brenda meje, e cila bëhej gati të shpërthente. Dhe nuk di si mund të fitohen këto beteja që i kanë besuar këtij shpërthimi, ku më pas duket se me të ka vdekur vetë gjuha. Copëzat e këtij libri i shpalla martirë të një lufte të pabarabartë me Syrin e Ciklonit.”

Po ç’është “syri i ciklonit”? Unë them se është ajo që shpesh e quajmë “tjetra”, “e ndryshmja”, e “parrokshmja”. Është guximi për ta parë të vërtetën në sy, pa pasur frikë se Meduza e paragjykimeve gjithfarshe të ngrin si guri me kodet e kthyera në norma dhe ide të mortifikuara, është fuqia okulte apo ajo djabolike që e vret mendjen tënde thërmuar mes mashtrimesh, iluzionesh, utopish të rrejshme dhe ideologjish vrastare. Është triumfi i humanes. Triumfi i të drejtës që piqet brenda një shpirti të lirë. Triumfi i të vërtetës që sfidon çdo tabu, çdo paragraf doktrinor, çdo klishe logjike, çdo rrjedhë mendimi asociativ, i cili humbet dialektikën dhe nis të ngrijë nga ftohma, ngjashmëria apo tipologjia. Në të gjitha rrëfimet e këtij libri S. Martiko bisedon me të vërtetën e ndjesive të tij deri thellë, aty ku ajo plasohet e buis. Dhe duke e kryer këtë akt katarsik, ai ka biseduar gjithëpo me çdo lexues, duke afruar ngjashmëri dhe paralele përjetimesh shpirtërore, meditimesh e përsiatjesh. Prandaj ne gjejmë aty vetveten, brenda vetes së autorit. Ai shkrihet e humbet kështu mes nesh, sikundër ne shkrihemi dhe humbasim në përsiatjet e tij. Ky komunikim dykrerësh mes tij dhe nesh asnjëherë nuk e humbet kahun e një letërsie që epohet nga filozofimi, me ndërliksje elementesh të rrëfimit, diku dhe ndonjë ngjarje, diku një portret e diku gjetkë një motiv, temë, fanitje, vegim, veprim…

Po marr në shqyrtim disa ekzemplarë, i bindur se nuk janë me domosdo ata më shënjuesit e më të veçantët:
Mendja e njeriut lëviz mes ngjyrës dhe përthyerjeve të saj në një objekt të rëndomtë e masiv siç është pema. Por pas kësaj të rëndomte ja ku shfaqet fuqia shpërndërruese e mendimit soditës dhe transfigurues të shkrimtarit që e kundron, i cili sikur shndërrohet prej vet magjisë së saj në një njeri tjetër. Dhe kjo vjen përmes një vuajtjeje të ëmbël e të nevojshme pa të cilën s’do të kishin kuptim as lumturitë e mëdha. Dhe zogjtë brenda gjetheve nga mendimi metaforik i shkrimtarit konvertohen në të vdekurit e përmallshëm, si kujtesat e pashuara që e mbajnë njeriun lidhur pas rrënjëve (Ta bësh fjalë çdo gjethe që fëshfërin).
Realja dhe iluzioni, apo shëmbëllimi, është një dukuri e kudogjendshme, sa fizike aq dhe psikike. Duke i pranëvënë, eseisti hedh mes rreshtave arsyen për të kuptuar, ndër të tjera, lojën e artit ose vdekjen e tij, kur këto raporte në vend që të kuptohen dhe të çlirohen nga ngurtësia, prishen dhe krijojnë kundërshti zhbërëse. Te eseja Realitet i shqyer nga ëndrrat ai sikur na kujton se kurmi i letërsisë, madje i krejt artit, është ëndrra e përthyer, ëndrra që ndërton konstruksionet e mëdha të rrëfimit letrar dhe pështjellimit shpirtëror, ëndrra si apokalips e kataklizmë, ku “Një çast edhe unë kam vdekur dhe bota u riformësua sipas një modeli tjetër. Unë tani i gjallë kam hak për të marrë ndaj vdekjes. Nëpër të tjera ëndrra. Ato pak ëndrra që kujtesa i ruajti unë i shkrova të gjitha. Shpresoj që prej tyre të kryej operacione letrarë dhe do të dal në treg për të shitur ëndrra. Do t’i quaja tashmë ëndrra artistike, botë të mbrame të shpëtuara si dëshmi të katastrofave.” Kësaj s’ke çfarë t’i shtosh më.

Kush është shkrimtar e ka kuptuar saora kodin a hieroglifin e vetë poezisë apo gjerazi letërsisë si art.
Lëvizja e mendjes dialektike midis rrjedhës së pandalur të kohës nga e shkuara drejt të ardhmes që krijon “historinë”, nga njëra anë dhe çastit të vetmuar ku konvergojnë kahet e vetë kohës dhe së toku shfaqin një thelb, nga ana tjetër, kjo e gjitha kundrohet në fuqinë e dyshimit, luhatjes dhe dilemave si instrumente logjike të njohjes dhe zotërimit të së vërtetës (Një njeri në dilemë). Shkrimtari e sjell vetveten në mijëra përthyerje, sa gjendjesh aq dhe përsiatjesh, ku vetvetja mbetet përherë strumbullari i çdo “subjekti”. Por, megjithatë, dy janë kahet e përhershme ku ai vendoset: a) kosmopolitizmi duke e kundruar veten pjesë të dhimbjes dhe të shqetësimit të njeriut si qenie universale e “gjakut të botës” dhe b) malli, dëshpërimi dhe humbja e atdheut, qoftë si tokë ku mbi një parmendë ai dëshiron të përlind poezinë e tij, qoftë si kujtesë tragjike teksa harresa e një kohe që po vjen do ta gëlltisë atë me tërësej. Te skica Vetmitarë të përkulur ai mediton në ngushticën paradigmatike midis ndjenjës prej narcisti të njeriut për të “shitur” vetveten kudo dhe kurdo dhe ndjenjës për vetëmbyllje, hermetizëm, ndaj dhe në këto përplasje kahesh njerëzimi ecën në udhët e të njohurës dhe të panjohurës njëherazi, pa ditur se ç’vjen nesër, por pa suprimuar misionin e guximshëm të gjetjes së “shtegut të ri”.

Working Title/Artist: Sketch for Jesus the Son of Man
Department: Modern Art
Culture/Period/Location:
HB/TOA Date Code:
Working Date: ca. 1923
photography by mma , slide #c-7250
scanned and retouched by film and media (jn) 8_30_04

Autori ka një këqyrje të asaj që ndodh jashtë, por e konvertuar nga përbrenda vetes, pra asaj që heshturazi apo në kundërshti të hapura kërkohet diku thellë teje, identifikohet me ty, lihet të piqet (në se është e mundur), për të gjetur një ekuilibër e strukturë të re mendore. Herë-herë diçka e turbullt vjen si nga diku, nga tutje-tutje, në mugëtirë, ku gjësendi humb trajtë dhe semantika bëhet e shumëfishtë; është ndofta një fanitje, një imazh i gërryer nga harresa e viteve, ndofta një portret, paçka se jo tronditës si prej Ofelie e Sheksipirit, megjithatë me një rrëmet brenda zemrës djaloshare, në vitet e agut erotik, që nuk e shuan flokun e vajzës rënë mbi ballë (Adriana). Syri dyshues e shoqëron shkrimtarin edhe në furitë e ngjarjeve të mëdha të shembjes së diktaturës dhe diktatorit, me pyetjen ekzistenciale, përtej turmave të frikshme dhe guximit të heronjve, se vallë plagët e marra a do të gjenin shërim te vetë njeriu si qenie, si qelizë, në mikrokozmosin tonë, aty ku fillon “njëshi”, “uni” i sinqertë përballë vetes, aty ku përjetimet marrin formën e një ure zjarri për të djegur gjithëpo vetveten. Njeriu në dyzimin e tij ishte tragjik, aty ku revolja prekte mishin dhe dukej se të mbronte, aty në fakt ishte vrasja, lufta, ndoshta vdekja (Paqja kujtonte përherë luftën).

Nga shqetësimet e shumë eseve a shkurtimave te ky libër ngre krye dialektika e njohjes, ajo që ishte dhe ajo që vjen, raporti i ndërlikuar me kohën dhe brezat e shuar, plori i historisë që gërmon po të njëjtën tokë, e mbytur krejt në gjak, vdekje e eshtra, pa një bulkth që të këndojë teksa dheu hapet në hullinë e re të kombit. Udha e kombit dhe udha e plorit në arën që hapet, ose udha e jetës, udha ekzistenciale, njësoj si gërmat dhe “ara” e letrës së shkrimit, bëhen tok të gjitha në një rit stërmundimi, njohjeje dhe përtëritjeje si te eseja e ëmbëlth, mendjemprehtë dhe e trishtë Sizifi i parë si një kryevepër. Rëndom idetë dhe mendimi ndërtohen në formë antitezash, kurndërshtish të njëpasnjëshme, ndoshta nga që njohja e vetvetes, si proces është diç e pamundur, diç agnostike, që ndryshon trajtë, sepse ndryshojnë pikat e shikimit, ndryshon kujtesa e sulmuar nga harresa, vetë elementet dhe pjesët që zhvendosen në perandorinë e së tërës, pra të personalitetit, dhe tundimi për t’i dhënë vetes një emër, apo historisë së një jete një subjekt koherent, merr trajtën e një përbindëshi që gëlltit vetveten. Sikundër shihet pra dhe nga kjo parashtresë, shkrimtari luan dhe vuan me nxjerrjen në spikamë të turbullirave shpirtërore e mendore, prej një subjekti krijues që duket herë-herë si i topitur nga pamundësia e shpjegimit të gjësendeve.

Herë-herë mendimi i Stefanit, anipse jo mirëfilli brenda terminologjisë rigoroze të filozofisë dhe estetikës, arrin të gjejë qasje, pranëvënie dhe dallime të holla dhe të mprehta midis letërsisë dhe filozofisë, letërsisë dhe historisë, duke e çmuar atë, letërsinë, jo si ngarendje drejt vdekjes, por si zogun që rikthehet te dega, qoftë dhe në shkretëtirë, dhe që cicërin. Letërsia madje është një hap para filozofisë, sepse nuk e sheh jetën si proces dhe tërësi dukurish, as si fillim të një fundi, por e këqyr në imtësitë e saj, në pjesën e papërsëritshme, në vijimësinë e lidhjeve e raporteve të imta si një spektrale drite, duke i bishtnuar me zgjuarsi deduksioneve dhe tërësisë.
*Kritik arti


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.