KULTURË

Sëndukët shqiptarë në detin Azov, kolonët përtej Danubit

14:00 - 05.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kolonët përtej Danubit. Albanologu rus Aleksandër A. Novik i njeh me këtë “kod” shqiptarët Ukrainës. Pasi i ka studiuar prej vitesh, tanimë është një ndër autorët e një monografie kolektive, ku fushë studimi është gjuha dhe kultura shqiptarëve të Ukrainës, pasardhësve të “kolonëve përtej Danubit”.
Mes hulumtimeve, në fokus kanë qenë edhe festat tradicionale, feja e krishterë dhe vendet e pelegrinazhit, stolitë e shqiptarëve të Ukrainës, ekonomia fshatare dhe zejet popullore, prodhimi i verës, blegtoria (delet), tekstili tradicional, gjendja sociolinguistike etj. Autorët gjithashtu kanë në plan të botojnë “Fjalorin e së folmes së shqiptarëve të Ukrainës”, botim ky i konceptuar në dy pjesë: shqip-rusisht dhe rusisht-shqip.




Të dhënat vijnë prej hulumtimeve në terren të “Ekspeditës në Azov”. Në vitet 2015-2016 janë organizuar kërkime në terren në rajonet e Detit Azov (Priazovje) të Rusisë (rajoni i Rostovit), ku në fund të shekullit XVIII kanë qenë themeluar vendbanimet e arnautëve – shqiptarëve dhe grekëve, që kishin marrë toka si shpërblim për shërbimin në ushtrinë ruse.

Grupit të shkencëtarëve me përvojë vitet e fundit i janë bashkuar studiues të rinj në sferën e interesave, ku përfshihen çështje si nga fusha e gjuhësisë dhe etnologjisë (që kanë përparësi për autorët e kësaj monografie kolektive), ashtu edhe nga fusha e arkeologjisë, muzeologjisë, historisë të së drejtës, folkloristikës etj. Botimi “Ekspedita në detin Azov – Gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës” (nominuar për çmimin: “Kërkuesi i ri më i suksesshëm” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë) është paraqitur në Akademi javën e shkuar. Novik vërejti se në jug të Ukrainës ndodhen 4 fshatra me popullsinë shqiptare: Zhovtnevoe (ish-Karakurt), Gamovka (ish-Xhandran), Devninskoe (ish-Taz), Georgievka (ish-Tyshki) e Zhovtnevoe që ndodhet në krahinën e Odesës. Sivjet shqiptarët e Ukrainës festojnë 200-vjetorin e themelimit të Karakurtit dhe aktivitetet solemne do të kenë vend të dielën e parë të shtatorit. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga trojet amtare në shekujt XV-XVI. Territoret nga të cilët kanë ikur shqiptarët diskutohen në shkencën moderne. E folmja e shqiptarëve të Ukrainës dmth., të dhënat linguistike, dëshmojnë qartë që paraardhësit e këtij grupi etnik kanë ikur nga territori i Toskërisë dhe më saktë nga zona e të folmeve toske veriore (Sharapova 1990; Zhugra, Sharapova 1998). Por, më saktë nuk mund ta përcaktojmë rajonin e vendbanimeve të mëparshme.
Afërsisht prej tre shekujsh ky grup etnik ka jetuar në lindje të Bullgarisë. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët kanë huazuar shumë në fushën e kulturës tradicionale edhe në jetën ekonomike e shoqërore nga bullgarët dhe gagauzët (Derzhavin 1948).

STUDIUESIT
Aleksandër Novik, Julia Buçatskaja, Denis Ermolin, Aleksandra Dugushina, Maria Morozova janë grupi i studiuesve që janë marrë me shqiptarët e Ukrainës. Ata punojnë për Muzeun e Antropologjisë dhe i Etnografisë “Pjetri i Madh” (Kunstkamera), Akademinë e Shkencave e Rusisë, Institutin e Studimeve Linguistike e Universitetin Shtetëror i Sankt-Petërburgut. Sipas Censusit të viti 2001, në territorin e Ukrainës jetojnë 3308 shqiptarë: në qarkun e Odesës – 1862, në qarkun e Zaporozhjes – 892, në qarqe të tjera – 554. Në qarkun e Odesës 1484 shqiptarë pohuan se kanë shqipen si gjuhë amtare.
Në parathënien e monografisë kolektive sqarohet historia e projektit shkencor në terren “Ekspedita në Detin Azov” (1948 – 2016), me fokus kryesor në studimet e kulturës tradicionale dhe të gjuhës së shqiptarëve të Buxhakut dhe të rajonit të Detit Azov. Themeluese dhe organizatore e këtij projekti ka qenë Julia Vladimirovna Ivanova (1929 – 2006). Për herë të parë, ajo ka bërë studime në terren tek shqiptarët e rajonit të Detit Azov në vitin 1948. Më vonë puna e saj shkencore u vazhdua nga plejada e studiuesve të rinj, që janë autorë të këtij libri.
Qëllimi kryesor i kësaj monografie është analiza e plotë e ruajtjes së kulturës tradicionale dhe përshkrimi i gjuhës së grupit etnolokal të shqiptarëve që nga koha e mërgimit në Perandorinë Ruse deri në ditët e sotme.

NGA SHQIPËRIA NË UKRAINË
Përshkruhet në këtë studim edhe historia e mërgimit të paraardhësve të shqiptarëve të sotëm të Ukrainës nga juglindja e Shqipërisë moderne në verilindje të Bullgarisë dhe mandej në perandorinë ruse, në stepat e Buxhakut e më pas të Azovit. Autorët kanë për qëllim përmbledhjen dhe paraqitjen e rregullt të materialeve të disponueshme, të nxjerra nga dokumentet e shekullit XIX (studimet statistikore e P. Köppen-it, A. Klaus-it, A.A. Skalkovskit etj.), veprat e hershme për shpërnguljen e arnautëve (K. Jireçek, L. Miletiq, V. Marinov, D. Jaranov), nga arkivat dhe artikujt shkencorë të akademikut N. S. Derzhavin, si dhe botimet e albanologëve të Leningradit/ Sankt-Petërburgut (A. V. Desnickaja, L. V. Sharapova, A. V. Zhugra) dhe të etnologëve bashkëkohorë ukrainas që merren me studimin e Buxhakut (A. V. Shabashov).
Një vend i veçantë i është lënë edhe çështjes së rëndësishme të mitologjisë historike të shqiptarëve të Ukrainës dmth., legjendave, gojëdhënave dhe kujtimeve të lidhura me historinë e këtij grupi etnolokal, që ruhen dhe përcillen deri tani gojë me gojë. Pasqyrohen përfytyrimet dhe mendimet e banorëve të sotëm të fshatrave shqiptare për mëmëdheun e tyre historik, për shpërnguljen e stërgjyshërve të tyre nga Ballkani në Perandorinë Ruse, për themelimin e fshatit Karakurt, për mërgimin e një pjese të popullsisë nga Buxhaku në bregdetin Azov dhe për formimin e tri vendbanimeve të reja.
Të dhënat gjuhësore, veç të tjerash i kanë ndihmuar autorët që të plotësojnë hipotezat e mëparshme që ekzistojnë lidhur me vendin e prejardhjes së shqiptarëve të Buxhakut dhe të rajonit të Detit Azov dhe ta lokalizojnë zanafillën e tij në krahinën e Devollit në juglindje të Shqipërisë së sotme.
Feja e krishterë ortodokse ka qenë një nga faktorët e mërgimit të kolonëve ballkanas në shekullin XIX në territorin e Perandorisë Ruse ortodokse. Reliket e krishtera të trashëguara nga paraardhësit e fshatrave shqiptare Georgievka, Devninskoe dhe Gammovka, së bashku me gjuhën kanë evoluuar në një sistem simbolesh identitare, i cili përmban një sugjerim të ngushtë lokal dhe përcaktohet nga lidhja me fshatin amtar dhe banorët e tij të parë.

RITET E LINDJES
Studiuesja Aleksandra S. Dugushina, që është marrë me “Ritet e lindjes ndër shqiptarët e Ukrainës” ka sjellë të dhëna mbi besimet dhe praktikat popullore që lidhen me lindjen e fëmijës në traditën e shqiptarëve të Ukrainës. Materialet për ritet e lindjes janë grumbulluar prej autores gjatë kërkimit në terren, kryer në gjashtë ekspedita nëpër fshatrat shqiptare të rajonit të Detit Azov (Georgievka, Gammovka, Devninskoje, 2007-2011) dhe në Karakurt (2013). Ato materiale pasqyrojnë kujtimet e të anketuarve, që i përkasin periudhës kur nëpër fshatra mungonte kujdesi i kualifikuar mjekësor dhe maternitetet (fillimi dhe mesi i shekullit XX). Kapitulli përfshin përshkrimin e përfytyrimeve dhe të praktikave gjatë dhe pas shtatzënisë (periudha dyzetëditëshe, festat e lindjes), të lindjes tradicionale me ndihmën e babos dhe të riteve të shoqërizimit të fëmijës (pagëzimi, emërtimi dhe institucioni i kumbarisë).

LEHONAT DHE TRADITAT E DASMËS
Albanologu Aleksandër A. Novik sqaron për “A babos- dita” se në traditën e shqiptarëve të rajonit të Detit Azov: është dita ku kryqëzohen koordinatat hapësinore dhe kohore.
Ai ka analizuar materialet për festën A babos dita (shq. Azov.) që ishte e përhapur ndër shqiptarët e rajonit të Detit Azov deri në vitet 1970-1980 dhe vazhdon të jetë e rëndësishme tek shqiptarët e Buxhakut deri në ditët tona. “A babos dita” është festa e mamive dhe lehonave, ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me të fshehtat e lindjes dhe të socializimit të mëtejshëm të vajzave dhe të grave në shoqëri.

Kjo festë deri tani është shumë e njohur në Bullgari, ku ishte huazuar sipas analizës sonë nga mërgimtarët shqiptarë të shpërngulur nga rajonet juglindore të Shqipërisë së sotme, sipas Novik. Sipas tij, sot po nguliten motivime dhe skenarë të larmishëm lidhur me kremtimin e kësaj feste ndër shqiptarët e Priazovjes të shekullit XX: nga nderimi i mamisë, që ndihmonte në lindjet e komunitetit femëror (fshati Devninskoje) deri në dorëzimin e dhuratave gruas më të moshuar të fshatit (Georgievka); në të dyja rastet kemi të bëjmë me perceptimin e misterit të pjellorisë, me traditën e nderimit ritual të mundësisë së gruas për të lindur fëmijë. “Rrëfimet e regjistruara nga autori ilustrojnë edhe një komponent tjetër të rëndësishëm të festës, një ritual gaztor, ku lejohen thuajse të gjitha gjërat e ndaluara, madje (dhe sidomos) ato që klasifikohen si tabu në jetën e përditshme, jofestive, si dhe argëtimi i shtirë, në të cilin shakatë, talljet, përfshirja e një numri të madh pjesëmarrësish janë kushti i domosdoshëm dhe çelësi i kryerjes së ceremonisë rituale të nderimit të mamisë/ gruas më të moshuar të fshatit”, tha Novik.
Ky albanolog është marrë dhe me “Dasmat dhe traditat e martesës ndër shqiptarët e Ukrainës”.
Ai merr në shqyrtim institucionin shoqëror të martesës (zgjedhja e bashkëshortit/bashkëshortes, kushtet ekonomike dhe sociale të nënshkrimit të martesës, faktori rajonal, stereotipat etnike etj.) dhe ritet martesore tek shqiptarët e Buxhakut dhe të rajonit të Detit Azov në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI. Sipas tij, dasma është një nga ngjarjet kryesore jo vetëm në jetën e njeriut, por edhe në jetën e familjes së tij, të farefisit, shoqërisë vendëse, nganjëherë madje edhe të komunitetit fisnor dhe krahinor.
Autori në bazë të materialeve të vjela në terren gjatë ekspeditave rindërton kodin veprues të dasmës, duke sqaruar skenarin e ceremonive martesore në vitet 1940, të cilat konsiderohen nga të anketuarit kryesorë dhe me autoritet si tradicionale dhe shqiptare (siç!). “Në këtë pjesë të monografisë analizohet leksiku i terminologjisë së riteve të dasmës (ky fjalor është shumë i pasur), vjelë nga autori, si dhe rrëfimet e regjistruara në të folmen vendëse dhe në rusisht tek shqiptarët e lindur në vitet 1900-2000; ky fakt lejon të bëhen krahasime të gjendjeve kalimtare që ndodhin në fushën e gjuhës dhe të traditave”, ka vërejtur Novik.
Ai shton se ritet dhe zakonet martesore, që janë ndikuar fort prej traditave të etnive të tjera dhe struktura e të cilave është transformuar ndjeshëm me risi në kushtet e zbehjes së vazhdueshme të traditës, nga pikëpamja e metodikës shpjegohen me shumë shembuj materialesh të grumbulluara në terren.
RITET MORTORE
Me “Ritet mortore e përkujtimore dhe kulturën e varrimit” te shqiptarët e Ukrainës, është marrë Denis S. Ermolin.
Kjo pjesë e monografisë kolektive u është kushtuar përfytyrimeve, besimeve dhe praktikave lidhur me vdekjen e njeriut dhe me kulturën e varrezave tek shqiptarët e Buxhakut dhe të rajonit të Detit Azov.
Është trajtuar një spektër i gjerë çështjesh kushtuar një tematike të përgjithshme: përfytyrimet e shqiptarëve të Buxhakut dhe të rajonit të Detit Azov për vdekjen dhe çka lidhet me të (fati dhe lajmësit e vdekjes, etapat e përgatitjes së varrimit dhe riteve të tjera, kompleksi përkujtimor dhe kultura e organizimit të hapësirës së varrezave).
Vëmendje i është kushtuar rolit të priftit, veçorive të varrimit të fëmijëve të papagëzuar, beqarëve, vetëvrasësve. Shpjegohen me hollësi kompleksi përkujtimor kalendarik dhe shndërrimet e tij gjatë shekullit XX. Është përshkruar kultura e varrezave e fshatrave shqiptare të Ukrainës me shembuj të veçantë të varrezave të Georgievkës (rajoni i Detit Azov) dhe ato të Karakurtit (Buxhak); këto materiale na lejojnë të hulumtojmë ndryshimin e tipave të përmendoreve mbivarrore, të analizojnë parimet e organizimit të hapësirës së varrezave tek grupi etnolokal në studim. “Në bazë të studimit të motiveve ballkanike në strukturën e riteve mortore të shqiptarëve të Ukrainës është arritur në përfundim se këto komponentë të riteve në kohën e sotme luajnë një rol markues identiteti etnik dhe/ose rajonal. Elementët e ritit dhe përfytyrimet ballkanike që janë ruajtur në kulturën e shqiptarëve të Ukrainës kanë paralele me kompleksin mortor-përkujtimor të traditave të përbashkëta dhe rajonale të Gadishullit Ballkanik. Krahasimi i kompleksit mortor-përkujtimor të shqiptarëve të Ukrainës me traditat e përhapura në Ballkan, kryer nga autori, na tregon për hyrjen e kulturës së kolonëve të Buxhakut dhe të rajonit të detit Azov në arealin kulturor karpato-ballkanik, si dhe për vijimësinë e ruajtjes së praktikave dhe përfytyrimeve tradicionale”, shënon Denis S.Ermolin.
VESHJET
Në këtë pikë mendimet kanë qenë disa. Por, studimi i grupit të albanologëve rusë, vëren disa pasaktësi. “Miti që ka ekzistuar më parë si në mjedisin popullor edhe nëpër botime e studiuesve të mëparshëm për mëtimin që shqiptarët dhe bullgarët të kenë pasur të njëjtat veshjet (fjala është kryesisht për rajonin e Detit Azov në fund të shekullit XIX – gjysmën e parë të shek. XX), për herë të parë kritikohet këtu me argumente konkrete dhe bindëse në bazë të koleksioneve muzeale (në radhë të parë të Muzeut të Antropologjisë dhe Etnografisë të Sankt Petërburgut) dhe të artefakteve të ruajtura nëpër sëndukë banorësh të moshuar të fshatrave shqiptare dhe bullgare”, thonë ata.
Albanologët rusë shtojnë se materialet për veshjet tradicionale të shqiptarëve të Ukrainës analizohen për herë të parë duke përfshirë të dhëna për kostumin e shqiptarëve të fshatit Mandricë të Bullgarisë, grumbulluar gjatë ekspeditës së vitit 2014. Materiale të tilla më parë nuk sqaroheshin nga studiuesit për shkak të interesit të kufizuar nga kuadri shkencor (shqiptarët e Mandricës ishin kryesisht objektet e hulumtimeve të linguistëve dhe historianëve) dhe të ruajtjes së dobët të veshjeve popullore tek dy këto grupe të etnosit shqiptar.
SHQIPJA E RUAJTUR
Albanologia Maria S. Morozova ka bërë një përshkrim të shkurtër të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës. Ajo shënon se për gramatikën e të folmen në gjendjen e saj aktuale është bazuar edhe në materialet e mbledhura gjatë ekspeditave në fshatrat shqipfolëse të Buxhakut (2011-2013) dhe të rajonit të Detit Azov (2005-2010, 2012). Trajta të zgjedhura të morfologjisë emërore dhe foljore e të sintaksës të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës interpretohen në këtë përshkrim si arkaike ose të reja në krahasim me të folmet e tjera të shqipes.
Krahasimi me gjuhën letrare shqipe, me të folmet e zonës ‘nënë’ të toskërishtes veriore dhe me të folmet toske në jug të Italisë, në Greqi dhe në Bullgari është kryer me përdorimin e përshkrimeve dialektologjike, të gramatikave të shqipes standarde dhe të Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe (ADGjSh).
Zhvillimi i risive morfologjike dhe sintaksore në të folmen në shqyrtim analizohet duke përdorur materialet arkivore dhe botimet e N. S. Derzhavinit (materiali i mbledhur në terren në vitet 1920 në rajonin e Detit Azov), artikuj dhe materiale të S. Islamit (rajoni i Detit Azov, ekspedita e vitit 1949), N. V. Kotovës (Buxhak dhe rajoni i Detit Azov, 1950-1954) dhe të L. J. Demkos (Zhovtnevoje, vitet 1960), botimet e gjuhëtarëve nga Leningradi/Sankt Petërburgu të bazuara në rezultatet e ekspeditave të viteve 1960-1970 në Zhovtnevoje dhe në fshatrat shqiptare të rajonit të setit Azov, si dhe duke përdorur punimet e reja në bazë të materialeve të ekspeditave të viteve 1998-2013. E folmja e shqiptarëve të Ukrainës i përket grupit të të folmeve lindore të toskërishtes veriore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.