KULTURË

E vërteta për autorësinë e “Kanuni i Labërisë” dhe një kujtesë për trajtesën e studiuesit Vasil Bendo

12:40 - 08.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nazmi Sejfo- Në datën 7 shkurt 2018, lexova shkrimin e Vasil Bendos, me titull “Kanuni i Labërisë”, Nderi i Kombit. Titulli ishte inspirues dhe mendova se më në fund edhe historianët tanë dhe njerëzit e specializuar në këtë fushë, po fillojnë të studiojnë dhe botojnë shkrime, nëpërmjet së cilëve na njohin me aspekte të rëndësishme të historisë së popullit tonë, siç është edhe fusha e të drejtës zakonore penale. Por që në fillim të shkrimit ndjeva zhgënjim, pasi në të nuk flitej për Kanunin e Labërisë, por qëllimi i shkruesit ishte vlerësimi për prof. dr. Ismet Elezin, si mbledhës dhe kodifikues i këtij kanuni dhe deri këtu çdo gjë është normale. Unë nuk kam njohje personale dhe as kam pasur lidhje pune me profesorin e nderuar, por me aq sa kam lexuar e dëgjuar për të, kam respektin më të madh për gjithë çka bërë. Dhe realisht ai ka bërë shumë, prandaj mendoj se vepra e tij shkencore është e denjë dhe do të ishte në nderin tonë që edhe prof. dr. Ismet Elezi të rreshtohej përkrah figurave të rëndësishme të kombit, qoftë edhe duke marrë titullin “Nderi i Kombit”.




Zoti Vasil Bendo që në fillim të shkrimit shprehet se: “Veprat e mëdha shkruhen nga njerëz të mëdhenj, vepra është “Kanuni i Labërisë” kurse hartuesi dhe kodifikuesi është prof. dr. Ismet Elezi”. Mendoj se duke menduar kështu z. Vasil ka një përqasje jo shkencore dhe historike për vlerësimin që jep për këtë problem. Duke e paraqitur veten si studiues ai më shumë është treguar apasionant dhe një shmangie e tillë nga personi që e ndjen veten specialist është shqetësuese. Që në fillim dua t’i them z. Vasil se prof. dr. Ismet Elezi nuk është hartuesi i Kanunit të Labërisë, por është mbledhësi, studiuesi, një nga vlerësuesit kryesor të tij dhe pa tjetër ka meritë në kodifikimin dhe përgatitjen për botim të tij. Nuk mund që studiuesit të një vepre historike, ose të një periudhe të caktuar historike t’i veshim vlerat e autorit, të hartuesit të saj. Këtu nuk bëhet fjalë për një lapsus të rëndomtë, por për një rrëshqitje totale. Parë me logjikën e zotit Vasil, sipas të cilit autor i Kanunit të Labërisë është profesori i nderuar Elezi, del që betejat e Skënderbeut i përkasin Marin Barletit, se ai ka shkruar dhe ka analizuar çdo aspekt të tyre. Por jo, Marin Barleti ka vlerën e madhe që ka përshkruar me saktësi aspektet më të rëndësishme të kësaj periudhe historike, duke bërë edhe një vlerësim real për njerëzit dhe ngjarjet. Skënderbeu dhe epoka e tij legjendare janë tjetër gjë, janë lënda bazë, materia e patjetërsueshme e studimeve prestigjoze të Barletit të madh.

Kanuni i Labërisë, sipas të dhënave të ardhura deri në ditët tona, është hartuar rreth fillimit të mijëvjeçarit të dytë dhe hartues i tij mendohet se ka qenë Papa Zhuli, nga fshati Zhulat. Ky kanun luajti rol të madh në njehsimin e rregullave shoqërore dhe juridike në gjithë zonën e Labërisë, deri në trevat e Çamërisë, për gjithë periudhën që ekzistoi, deri në mesin e shekullit të 18-të. Duke marrë në konsideratë fillimin e veprimtarisë së tij, mund të themi se ai është kanuni më i vjetër që ka vepruar në trojet tona, pasi më vonë kanë vepruar edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Maleve, Kanuni i Skënderbeut, etj., për të cilët profesor Elezi ka bërë edhe një studim të vlefshëm, të titulluar “E drejta zakonore penale e shqiptarëve”.

Në mesin e shek. 18-të ishte Idriz Sulli, po nga Zhulati, i cili si një patriot dhe legjislator popullor i mençur vërejti se kishte ardhur momenti që shumë nga zakonet e kodifikuara në Kanunin e Papa Zhulit, të riformoheshin dhe rikonceptoheshin. Për këtë arsye ai ideoi, organizoi dhe drejtoi dy kuvende të Labërisë, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të rëndësishëm të Labërisë, Bregut dhe Çamërisë. Këto kuvende, të cilat u zhvilluan njeri në fshatin Senicë (rreth viteve 1770) dhe tjetri në fshatin Zhulat, në vendin e quajtur Rrapi i Agait (rreth viteve 1780), analizuan dhe prekën probleme shumë të rëndësishme, për të cilat dolën edhe vendimet përkatëse. Nuk është vendi për të analizuar vendimet e këtyre kuvendeve, pasi për to duhet një studim rrënjësor dhe i specializuar, ku unë nuk jam kompetent, por për të cilat historianët tanë duhet të flasin, duke ndriçuar edhe këto momente të historisë së popullit tonë, ku marrin ndoshta përgjigje edhe disa nga problemet që kanë dalë këto kohë. Vendime të tilla si: organizimi i mbrojtjes së trojeve dhe mobilizimi ushtarak pa dallim feje e ideje për të luftuar çdo pushtues, organizimi dhe zbatimi i marrëdhënieve të reja shoqërore dhe familjare, e drejta e barazisë mbi pronën, marrëdhëniet e reja mbi gjakmarrjen, bashkëjetesa fetare dhe detyrimi për respektimin e objekteve dhe riteve të secilës fe, dalja e gruas në punë së bashku me burrin, lejimi i ndarjes (divorcit) shoqëruar vetëm me saksione ekonomike, e shumë të tjera, të cilat janë pasqyruar më së miri në librin “Kanuni i Labërisë”, i dhanë një ritëm tjetër jetës dhe bashkëjetesës në këto troje. Pra, vetë reformimi tërësor i Kanunit të Labërisë ishte produkt i diskutimeve të shumta të patrioteve më të mëdhenj të asaj kohe, pjesëmarrës në këta dy kuvende. Ata, pas këtyre diskutimeve dhe krijimit të bindjes se Shartet e Idrizit (ndryshimet kanunore të propozuara prej tij dhe të miratuara nga bashkkuvendtarët) tashmë duhej të bëheshin të detyrueshme në gjithë trevat nga ata vinin, siç edhe ndodhi realisht.

U zgjata pak në analizën e këtyre problemeve, duke menduar se dhashë një panoramë modeste mbi të drejtën zakonore – penale të trevës së Labërisë e më gjerë, si dhe duke vlerësuar në mënyrë të veçantë dy nga figurat e rëndësishme që u morën në veçanti me to: Papa Zhulin dhe Idriz Sullin. Duhet të jetë obligim për ne vlerësimi i patriotizmit dhe mençurisë së tyre, duke i vënë këto cilësi të tyre në funksion të çështjes kombëtare. Me keqardhje vërej se ende nuk është bërë asnjë studim i rëndësishëm për këto figura nga historiografia jonë, nuk është emërtuar asnjë rrugë, shesh apo institucion arsimor me emrat e tyre dhe ndoshta duhej të merrej në konsideratë edhe shpallja e tyre me titullin “Nderi i Kombit”. Djemtë e fshatit Zhulat e përjetësuan figurën e Idriz Sullit para disa vitesh në përmendoren e tij, realizuar mbi trungun e rrapit shekullor në qendër të fshatit, por mendoj se kjo është shumë pak për të.

*Autor dhe investitor i kompleksit historik “Idriz Shulli” në fshatin Zhulat


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.