Intervista

Ndikimi rus në Ballkan, Rudi Giuliani: Vrulli për integrimin të përshpejtohet

13:25 - 23.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina Tanushi – Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudolf Giuliani, njëherësh edhe këshilltar personal i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump ishte këto ditë në Shqipëri. Ai mori pjesë në një takim të madh të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me muxhahedinët.




Giuliani është takuar në kryeqytetin shqiptar me Maryam Rajavi, e cila është drejtuesja e rreth 2 mijë muxhahedinëve që janë strehuar në Shqipëri. Mësohet se ata diskutuan mbi regjimin në Iran dhe nevojën për të adoptuar një politikë vendimtare kundrejt regjimit atje. E pas takimeve që pati në Tiranë, edhe me drejtues të shtetit shqiptar që nga Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama e drejtues të opozitës, Giulini vlerësoi në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” rolin që mbajti Shqipëria duke strehuar muxhahedinët.

“Pranimi i MEK-ut tregoi se ky vend ka vlera dhe guxim dhe bën gjënë e duhur në momentin e duhur. Mendoj se ishte shumë e dobishme për Shqipërinë dhe, nga sa pashë, Mek-u ka qenë konstruktiv dhe produktiv gjatë qëndrimit të tij në këtë vend”, tha Giuliani. I pyetur në lidhje me ndikimin rus dhe integrimin e Ballkanit, ai u shpreh: “Mendoj se kjo është diçka që duhet ta konsiderojmë të gjithë. Stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për Evropën dhe vrulli për integrimin e Ballkanit duhet të vazhdojë dhe të përshpejtohet”.

Z.Giuliani keni ardhur këtu për të vizituar muxhahidët e Iranit në Shqipëri, si është situata e tyre këtu dhe çfarë mund të bëhet për t’i ndihmuar ata?
Prania e tyre në Shqipëri ishte një hap i madh drejt garantimit të sigurisë së tyre. E di që regjimi iranian po përpiqet t’i dëmtojë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe fushatën e dezinformimit. Pra, mendoj se është e rëndësishme të sigurohemi që regjimi iranian apo agjentët e tij nuk do të jenë në gjendje të veprojnë në këtë vend. Kjo është gjithashtu në interes të Shqipërisë dhe mund t’ju them se do të ishte në përputhje me këndvështrimin e Qeverisë së SHBA-ve, duke qenë se administrata amerikane e sheh regjimin iranian si një kërcënim të madh.

Ju e njihni MEK-un për vite me radhë. Keni qenë mbështetës aktiv i kauzës së lirisë dhe demokracisë në Iran. Cila është përshtypja juaj për ta dhe në veçanti për znj.Maryam Rajavi, presidente e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, përbërësi kryesor i të cilit është MEK-u?
Ata janë njerëz shumë të përkushtuar. Janë shumë të arsimuar dhe besojnë në parimet e rëndësishme që vlerësohen nga e gjithë bota moderne dhe e lirë si, liria e fjalës, liria e asocimit, liria e fesë, barazia gjinore dhe gjithashtu një Iran jobërthamor. Ata luajtën një rol kyç në zbulimin e programit sekret të ajatollahëve për t’u pajisur me armë bërthamore. Kanë vuajtur shumë dhe kanë paguar një çmim të rëndë duke iu kundërvënë ajatollahëve. Gjatë viteve, më shumë se 100,000 prej tyre janë vrarë nga ky regjim, i cili është një shtet totalitar dhe numri një për sponsorizimin e terrorizmit në botë. E njoh personalisht znj. Rajavi që prej gati 10 vjetësh. Është një grua shumë e kulturuar dhe e arsimuar, që përkrah një Islam tolerant. Ajo ka treguar një lidership të jashtëzakonshëm gjatë viteve në udhëheqjen e rezistencës për liri. Admiroj vendosmërinë dhe bindjen e saj. Përgjatë viteve kam vërejtur se mbështetja ndaj lëvizjes së saj është rritur. Çdo vit ata organizojnë një tubim të madh në Paris, ku marrin pjesë më shumë se 100,000 njerëz nga e gjithë bota.

Mendoni se në SHBA është rritur mbështetja për MEK-un dhe kauzën për ndryshimin e regjimit në Iran?
Po. Kam vërejtur një mbështetje në rritje mes politikanëve dhe sidomos në Kongres. Në mënyrë shumë interesante, kauza e tyre për vendosjen e lirisë dhe demokracisë në Iran ka mbështetje dypartiake në SHBA, gjë që është shumë e veçantë në këto ditë. Dhe mendoj se me kalimin e kohës, më shumë njerëz po e kuptojnë se bërja e një marrëveshjeje me ajatollahët, sikurse bëri administrata jonë e mëparshme, ishte një gabim i madh dhe ne duhet të mbështesim politikisht dhe moralisht ndryshimin e regjimit nga vetë populli iranian. MEK-u ka treguar se ka mbështetje të mirë popullore në Iran.

Regjimi iranian është shumë i ashpër ndaj MEK-ut dhe jo vetëm që i vret ata në Iran, por gjithashtu i ka shndërruar në objektiv të një dezinformimi masiv dhe sulmeve të egra nga ana e Teheranit. Pse mendoni se Teherani është kaq i fokusuar te MEK-u?
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ata paraqesin një kërcënim serioz ndaj ajatollahëve. Me gjithë vrasjet dhe vuajtjet, ata jo vetëm kanë mbijetuar, por po ashtu janë rritur. Kjo është arsyeja pse ajatollahët vazhdojnë të flasin dhe të shprehin shqetësimet e tyre për ta. Ishte mjaft treguese që në mes të protestave të mëdha, Hassan Rouhani, presidenti i ajatollahëve, telefonoi Presidentin francez dhe u ankua për rezistencën dhe rolin që luan znj. Rajavi. Ishte mjaft treguese për ndikimin e opozitës brenda Iranit. Duke pasur parasysh të gjitha krizat me të cilat përballen ajatollahët, është e kuptueshme që ata bëjnë diçka për të diskredituar opozitën e tyre. Por po bëhet gjithnjë e më pak efektive.

Cila është përshtypja juaj për protestat e mëdha në Iran? A mendoni se kjo ishte një thirrje për zgjim të shumë njerëzve në perëndim se regjimi i ajatollahëve është i dobët dhe i urryer brenda vendit nga iranianët? A mendoni se SHBA duhet të bëjë presion për sanksione më të ashpra ndaj Iranit dhe t’i japë më shumë mbështetje morale dhe politike opozitës?
Mendoj se treguan qartë se populli iranian është i ngopur me regjimin. Ai do liri, do demokraci. Ai nuk beson në fantazinë e të moderuarve dhe në ndryshimin nga brenda këtij regjimi. Fakti se ka pasur protesta në më shumë se 100 qytete dhe fshatra dhe burra e gra nga të gjitha shtresat e shoqërisë marrin pjesë dhe këndojnë kundër udhëheqësit supremë, e bën të qartë se ai do ndryshimin e regjimit dhe është i gatshëm të paguajë çmimin. Mendoj se iu dërgua një mesazh i qartë Perëndimit se bërja e biznesit me ajatollahun është e gabuar dhe ai duhet të ikë. Mendoj se janë shumë të nevojshme më shumë sanksione për shkak të veprimtarive të këqija dhe të neveritshme të ajatollahut në Iran dhe jashtë Iranit. Ne duhet të jemi në anën e popullit iranian për ndryshimin e regjimit nga ana e popullit iranian, sikurse bëri presidenti dhe nënpresidenti ynë gjatë protestave dhe mendoj se duhet të shkojmë edhe më tej.

Jeni në një nga vendet më proamerikane në botë. Shqipëria është aleate e SHBA në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria gjithashtu shtoi praninë e saj në Afganistan. Si e vlerësoni marrëdhënien midis dy vendeve?
Mendoj se kemi një marrëdhënie shumë pozitive me Shqipërinë. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie. Ka qenë e tillë për vite me radhë. Shqipëria ka qenë një aleate e ngushtë dhe jam i sigurt se do të vazhdojë kështu.

Mendoni se pranimi i MEK-ut në Shqipëri ndihmoi imazhin e Shqipërisë në botë në përgjithësi dhe në SHBA në veçanti?
Vërtet që ndihmoi imazhin e Shqipërisë në SHBA. Kam dëgjuar të njëjtën gjë nga shumë miq të mi evropianë. Pranimi i MEK-ut tregoi se ky vend ka vlera dhe guxim dhe bën gjënë e duhur në momentin e duhur. Mendoj se ishte shumë e dobishme për Shqipërinë dhe nga sa pashë, Mek-u ka qenë konstruktiv dhe produktiv gjatë qëndrimit të tij në këtë vend. Pra, të gjithë përfituan nga prania e tyre dhe nga mirëpritja këtu.

Flitet për praninë dhe ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit. A mendoni se SHBA dhe Evropa mund të bëjnë më shumë për të përshpejtuar integrimin euroatlantik të rajonit?
Mendoj se kjo është diçka që duhet ta konsiderojmë të gjithë. Stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për Evropën dhe vrulli për integrimin e Ballkanit duhet të vazhdojë dhe të përshpejtohet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.