Intervista

Ekskluzive/ Me të tjera bindje politike? Flet Ina Zhupa: Do ktheja në demokrat edhe të fejuarin

13:20 - 28.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – E kemi dëgjuar shpesh të jetë në vijë të parë për t’i dhënë zë partisë që ajo përfaqëson, shpesh dhe me tone të ashpra për të mbrojtur bindjet e saj. Ina Zhupa vjen ndryshe në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare“, zëdhënësja e PD-së si dhe pedagogia e shkencave politike në UET, na tregon për jetën e saj edhe jashtë kornizave politike.




Si është të jesh një femër në opozitë që i jep zë partisë që përfaqëson? Ina na ka folur edhe për planet afatgjata që ka në jetën e saj si dhe për marrëdhënien e veçantë që ka me të fejuarin e saj Fabian. Planet për martesë? Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

Jeni një nga politikanet më aktive të PD-së. Si lindi dëshira për të qenë pjesë e kësaj partie?
Unë kam studiuar shkenca politike dhe lidhja me politikën ka qenë përherë në dëshirat edhe aspiratat e mia. Pastaj angazhimi aktiv erdhi pas angazhimeve të mia publike si pedagoge me ide të djathta që shkruaja në shtyp dhe dilja në media. Gjithçka shumë natyrshëm si rezultat i bindjeve të mia personale.

A ka qenë dikush që ju nxiti të ishit pjesë e politikës?
Mund të them se më mbështeti më shumë sesa nxiti, sepse vendimi ka qenë i imi. Më pas kam marrë mbështetjen dhe motivimin për të vazhduar nga i fejuari Fabian, prindërit e mi Kadri dhe Lili dhe vëllai im Ivi. Roli i tyre është shumë i rëndësishëm në jetën time, por sidomos kur zgjedh të bëhesh pjesë e politikës, edhe më e rëndësishme bëhet. Sepse do jesh në syrin e publikut, të medias, do kesh debate, kundërshti, mund të hasësh edhe shpifje dhe dashakeqësi që pa mbështetjen e njerëzve të zemrës e ke të pamundur t’ia dalësh.

Pse pikërisht zgjodhët PD dhe jo një parti tjetër?
Fillimisht lidhet me idetë e djathta që besoj se janë idetë që i duhen zhvillimit ekonomik, social dhe politik të vendit. Partia Demokratike është partia e vlerave të lirisë, të demokracisë, së ekonomisë së tregut që janë edhe parimet e mia politike. Në mënyrë aktive brenda strukturave të PD u angazhova në vitin 2013, me daljen në opozitë të PD. Më pas u thirra si koordinatore kombëtare për çështjet e integrimit nga kryetari Basha dhe në janar 2016 u bëra edhe zëdhënëse e partisë. PD sot është partia e vetme që mund t’i kthejë shpresën shqiptarëve për të ndërtuar jetën e tyre këtu. Ka vizion, ka program, ka lidership, ka struktura dhe ka vlera që i duhen vendit.

Në jetën tuaj është dikush me të cilin dhe jeni fejuar. A keni plane për martesë?
Hahaha, në fakt, po, jam e fejuar dhe shumë e dashuruar. Ne bashkëjetojmë dhe më shumë se martesa për ne ka rëndësi dashuria që kemi për njeri-tjetrin. Jemi të lumtur dhe kjo na mjafton.

Partneri juaj është me të njëjtën parti që jeni dhe ju? Nëse do të ndiqte një parti tjetër, do të pranonit të ishte me ju?
Fabi natyrisht që më mbështet mua dhe duke qenë me mua, përkrah edhe partinë time. Por aktivisht nuk merret me politike dhe s’ka lidhje me qarqet politike. Përkatësia partiake nuk ka lidhje me dashurinë, kanë ikur kohërat që mos të dashurohesh me armiqtë e partisë, (qesh). Për mua nuk do kishte rëndësi dhe po të kishte pasur bindje të tjera politike, edhe pse jam e bindur që do e bëja demokrat gjithsesi.

Si është të jesh dhe zëdhënëse partie dhe pedagoge?
Janë të dyja angazhime shumë të rëndësishme dhe me peshë. Pedagoge është profesioni im që e kam dashur gjithmonë që e vogël, edhe e dua, e bëj më shumë pasion dhe përkushtim. Mendoj se s’ka gjë më të rëndësishme se të kontribuosh tek rinia e vendit tënd, të jesh pjesë e edukimit të tyre profesional për të qenë nesër qytetarë dhe profesionistë të mirë. Zëdhënëse është detyra ime funksionale në partinë më të madhe opozitare, një përgjegjësi e madhe dhe një vlerësim i madh që kryetari Basha ma ka besuar mua. Ndjehem e privilegjuar që jam zëri zyrtar i demokratëve shqiptarë.

A nxiten shpesh debate në klasat që ju jepni lidhur me partinë që përfaqësoni?
Debate në klasë ka gjithmonë, sepse është një nga metodat e mia të mësimdhënies, që i shtyj studentët drejt mendimit kritik. Por nuk janë në lidhje me partinë që unë përfaqësoj, por për temat që kemi në leksione. Duke qenë se unë jap tek shkencat politike kemi edhe tematike që lidhen me elitat politike, me partitë politike, me sistemet qeverisëse etj., dhe mund të dalim edhe në aktualitetin shqiptar, por unë aty jam pedagoge dhe jo zëdhënëse.
Si keni reaguar nëse ndonjë nga studentët ka folur keq për PD-në?
Duke u nisur nga studentët e shumtë që iu jap edhe iu kam dhënë mësim, është normale që të kem pasur me PS, PD, LSI, por kjo nuk ndikon fare në marrëdhëniet e mia me ta. Kam pasur dhe kam studentë shumë të mirë që janë me PS, për shembull, dhe mbasi mbarojnë, ruajnë respekt për mua si unë për ta.

A e keni menduar veten deputete të PD-së apo diçka më shumë? A e keni në planet tuaja afatgjata?
Planet e mia në PD janë të jap kontribut të pandalur për të bërë një opozitë të fuqishme dhe për të rrëzuar sa më shpejt Ramën nga pushteti për të mirën e çdo shqiptari të ndershëm. Pastaj postet politike do jenë të mirëpritura kur të vijnë si propozime të demokratëve si rrjedhojë e punës time dhe kontributit në parti. Tani është e rëndësishme të bashkojnë forcat të gjithë, sepse kemi një të keqe të madhe përballë, dhe ambiciet personale t’i analizojmë në këtë drejtim.

A ka pasur ndonjë moment që keni dashur të hiqni dorë nga politika e të largoheni jashtë vendit?
Jo, asnjëherë nuk e kam menduar. Të largohem nga vendi s’e kam menduar as kur isha pak më e re, gjimnaziste apo studente, jo më tani. Nga politika nuk largohem, sepse mendoj se mund të jap një kontribut për vendin tim, të bëj gjënë që besoj se është e duhura për shqiptarët. Taksat, faturat, këto rrugë, këtë shëndetësi i përjetojnë edhe prindërit e mi, edhe njerëzit e mi si gjithë shqiptarët.

Si e mendon veten Ina pas 5 vitesh?
Planet kaq afatgjata me siguri do kenë edhe gjëra që nuk dalin. Përtej shakasë, disa gjëra mund t’i them, e mendoj veten me titullin Prof.Asoc.Dr të fituar, unë tashmë jam Doktore e Shkencave. E mendoj me kontribut në fushën akademike, po ashtu me rëndësi në fushën politike dhe mbi të gjitha një njeri i respektuar në shoqëri.

 

Si e priti familja juaj faktin që u bëtë pjesë e PD-së?
Ishin të lumtur që po bëja gjënë që doja. Ata kanë qenë përherë në krahun tim, në zgjedhjet që kam bërë. Prindërit patjetër që kishin atë merakun, se duke qenë vija e parë mund të rrezikoja në kuptimin e kërcënimeve. Se politika shqiptare po luftonte me kriminelet në parlament, ishte koha që kërkohej ligji i dekriminalizimit p.sh. Mund të kujtoj kur unë kam dalë në deklarata të forta kundra Sajmir Tahirit kur ai ishte ende i plotfuqishmi i ministrisë së Brendshme, prindërit kishin një farë frike për mua. Megjithatë mbi frikën ka dominuar përherë krenaria që kanë për mua dhe lumturia që më shohin mirë.

 Si është të punosh me Lulzim Bashën? A keni pasur mosmarrëveshje më parë?
Të punosh me Lulzim Bashën është fat dhe përgjegjësi. Është një njeri super i formuar, me një kulturë perëndimore, që të ofron shumë lehtësi në komunikim, nuk ka barriera. Jo vetëm për ne që jemi stafi i tij, por edhe çdo qytetar që e takon ngelet i impresionuar nga Basha për nga mënyra si e trajton dhe si e dëgjon. Zakonisht liderët vetëm flasin dhe nuk dëgjojnë, ndërsa Basha ka aftësinë edhe të dëgjojë qytetarët dhe këdo përveç se të flasë me elokuencë.
Nuk kemi pasur asnjëherë mosmarrëveshje, edhe për faktin se çdo gjë bisedohet dhe sqarohet dhe të gjithë jemi bindur që është vendimi më i mirë që po marrim. Basha është lider i formatit europian që i duhet vendit për një qeverisje më të mirë dhe më demokratike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.