Kryesore

Debati mbi komunizmin Xhufi: ‘Tepelena’ s’ka qenë Aushvic. Tufa: Enverist i vjetër, ja dëshmitë

12:15 - 30.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Historiani Pëllumb Xhufi ka publikuar në një studion televizive një dokument të CIA-s rreth kampit të Tepelenës dhe gjatë komentit për dokumentin është shprehur se cilësimi i kampit si Aushvici shqiptar, është banal. “Kampit i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë. Ai i Maliqit ishte më i tmerrshëm. Askush nuk e thotë pse u ngrit ky kamp. Pas prishjes me Jugosllavinë, ka ndodhur një gjë e madhe pasi Jugosllavia ngriti bazat në Prizren dhe në Ulqin, ku organizoheshin grupet që arratiseshin nga Shqipëria. Armatoseshin, vinin dhe bënin aksione. Në këtë kamp u izoluan familjet kryesisht nga veriu”, tha Xhufi. Ai shtoi se, “këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi, ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen, sepse është një banalizim. Unë kam pasur rastin të shoh dokumentet e CIA-s për këtë kamp që ishin informuar nga njerëz nga brenda. Ata thonë që këta janë familjet e njerëzve të arratisur të sponsorizuar nga Jugosllavia”,-deklaroi Xhufi. I pyetur nëse ka një numër të vdekurish në këtë kamp, historiani i njohur tha se: “Absolutisht jo! Kanë qenë kazermat e ushtrisë deri në fund të viteve 60. Ato i ka ngritur ushtria italiane, ndërtesa solide me tulla”.




Të gjitha deklaratat e më sipërme kanë shkaktuar një lum reagimesh gjatë ditës së enjte. Të gjithë përfaqësuesit e shoqatave apo instituteve që merren me të përndjekurit e kanë kundërshtuar Xhufin, madje disa kanë qenë të ashpër deri në fyerje.

AGRON TUFA
Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit shkroi në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’, se “në një studio enveristi, Pellumb Xhufi, vë në dyshim ekzistencen e kampit shfarosës të Tepelenës. Cinizëm ekstrem, për të cilin vendet më ish-komuniste të Europës sot, të procedojnë për burg. Por këtu jemi në Shqipërinë e rilindur komuniste”.
Tufa shton se “nuk është vetëm Servet Pëllumbi që mohonte krimet e komunizmit, po tash edhe Pëllumbi tjetër (i paqes…) A e dini si vepron Europa me këta tipa?”, pyet Tufa dhe jep më poshtë një raport që Komisioni Evropian në dhjetor 2010 ka përgatitur për Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, me temën e sipërcituar. Tufa shënon se në këtë raport, ndër të tjera, citohet: “Drejtësia për viktimat është e rëndësishme për tranzicion të suksesshëm nga totalitarizmi në demokraci”. “Gjykimet e autorëve, mekanizmat e kërkimit të së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi dhe kompensimi i viktimave dhe kthimi i pronave të konfiskuara, janë ndër mjetet kryesore për arritjen e këtij objektivi”,-shënon Tufa.
Më pas, verën se janë katër shtete anëtare të BE-së që kanë legjislacionin kombëtar kundër mohimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, i cili përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.
– Në Republikën Çeke: Kodi Penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist, komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit.
– Në Poloni: mohimi publik dhe kundërfaktual për krimet naziste, krimet e komunizmit dhe krimet e tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimet e luftës është një vepër penale.
– Në Hungari: refuzimin publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, të kryera nga regjimet kombëtare socialiste dhe komuniste – është një vepër penale.
– Në Lituani: lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimeve të kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik), ose Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”.
Tufa bën me dije se ka disa aspekte mbi të cilat po punohet, e që janë: • Edukimi dhe ndërgjegjësimi; • Projektet kërkimore; • Simbolet e totalitarizmit dhe • Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve
Në raport, gjithashtu, citohet: “Më 16 qershor 2009, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme miratoi konkluzionet, duke deklaruar se: “Për të forcuar vetëdijen Evropiane të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, kujtimi i të kaluarës së trazuar të Evropës duhet të ruhet, pasi pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”.

AUTORITETI I DOSJEVE
Veç Tufës, edhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka reaguar në mënyrë të tërthortë. Kryetraj e Autoritetit, Gentiana Mara Sula, ka publikuar një material historik mbi kampin e Tepelenës, përgatitur me 13 mars 2018 nga Qendra e Studimeve Albanologjike.
Çfarë ishte kampi i Tepelenës?
Në maj 1949 filloi të funksionojë kampi i Tepelenës, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit. Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendoj se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Organizimi i Tepelenës vazhdoi të ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba, në të cilin të internuarit kontrolloheshin nga ushtarë të armatosur. Gjatë viteve 1949-1953, në Tepelenë u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë.
Tepelena nuk ishte i vetmi vend internimi në Shqipëri, as në këtë kohë dhe as gjatë gjithë viteve të regjimit komunist. Shumë krahina të tjera në Shqipëri shërbyen si vende për të internuar njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin të afërm të individëve që regjimi i konsideronte të rrezikshëm. Por, Tepelena është kampi, i cili mbeti në mendjen e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.
Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja. Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria. Ndërkohë që nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë, fenomen, i cili nuk haset në kampe të tjera të ngjashme.
Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe nevoja për të konsoliduar sistemin e internim-dëbimeve, që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.
Brezi më i ri i shqiptarëve ka pak njohuri për çfarë kanë ndodhur gjatë regjimit komunist dhe mekanizmat e përdorura prej tij për të mohuar të drejtat më elementare njerëzore për kundërshtarët realë apo imagjinarë. Dokumentet arkivore për vitet e para të regjimit mungojnë, apo janë shumë të pakta. Kjo për shkak të nivelit shumë të ulët të edukimit të nëpunësve të administratës së asaj kohe. Në kushtet kur po humbasin, për shkak të moshës, edhe dëshmitë e personave që e kanë jetuar atë kohë, shumë shpejt nuk do të kemi mundësi të gjejmë të dhëna mbi këto aspekte të Shqipërisë komuniste.
Në mënyrë që e kaluara të mos harrohet dhe të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar në baza më solide të ardhmen, shqiptarët kanë nevojë për të pasur disa vende të kujtesës, si: institucione burgimesh, internimesh etj. Sa i takon sistemit të internim-dëbimeve, kampi i Tepelenës do të ishte ideal si vend kujtese për disa arsye:
1. Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës në Kampin e Tepelenës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.
2. Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.
3. Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto – Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës etj., nuk na kanë mbetur objekte kujtese, për kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga barakat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Previzit na japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit.
Përgatitur nga Qendra e Studimeve Albanologjike, datë 13 mars 2018, për te paraprirë punën projektuese të memorialit të Tepelenës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zoti Pullimb ka shume te drejte.Burgu eshte dhe do jete burg.Pa shikoni sa po vriten sot me apo pa shkak.99% e atyre qe shkonin ne burg atehere e kishun dashur burgun.Vetem 1% kishin vajtur padrejtesisht.Ajo kohe mos ardhte kurre po qe t’i thuhet kembes “dore” nuk eshte aspak e drejte.Profesor Pullumbi eshte shume objektiv.Kurse kur degjoja Paskalin mu peshtiros.

    Përgjigju ↓