Intervista

Bozdo: Zgjedhjet e përgjithshme, më afër nga ç`mund të imagjinohet!

11:16 - 02.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Demokratët kanë mbyllur procesin e analizës në mbarë vendin duke identifikuar shkaqet e brendshme dhe të jashtme të humbjes së thellë të 25 qershorit 2017. Sekretari organizativ i PD-së Enno Bozdo thotë për “Gazeta Shqiptare”, se raportet e hollësishme për çdo degë dhe për çdo qark do t`i shërbejnë lidershipit të PD-së të ndërtojnë strategji dhe të ndërmarrë riorganizim në përputhje me rrethanat e krijuara, për të maksimizuar votën për PD-në në zgjedhjet më të afërta.




Por deri atëherë sipas Bozdos duhet lidership dhe aksion politik pasi “këneta sociale” e krijuar në Shqipëri është treguar e aftë të “thithë” pa shumë zhurmë zërin e denoncimit. Në kushte të tilla, sekretari organizativ beson se PD-ja është e destinuar të fitojë pasi shqiptarët po jetojnë nën diktaturën e Edi Ramës dhe prej duhet t’i shpëtojë PD-ja. Ai beson se zgjedhjet parlamentare janë më afër nga ç’mund të imagjinohet, ndaj Bozdo zbardh strategjinë e fitores së opozitës përmes bashkimit të vetë demokratëve.

Z.Bozdo, çfarë rezultoi nga mbyllja e procesit të analizës së PD-së?
Procesi i analizës zgjati për një periudhe tre mujore dhe përfshiu të gjithë strukturat e Partisë Demokratike, nga qendra deri në bazë. Procesi u drejtua nga anëtarët e kryesisë qendrore, anëtarët e Këshillit Kombëtar, drejtues vendorë dhe qendrorë dhe u shtri deri tek anëtarët e thjeshtë. Analiza u zhvillua nën frymën e një angazhimi individual shumë serioz dhe absolutisht të ndershëm për sa i përket identifikimit të shkaqeve, të brendshme apo të jashtme, që sollën rezultatin e padëshiruar të zgjedhjeve 2017.

Unë personalisht jam i impresionuar nga kthjelltësia politike e demokratëve, guximi për t`i thënë të vërtetat në sy, mirëkuptimi për rrethanat e rënda dhe kushtet e pabarabarta në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje, por edhe ndjenja e përgjegjësisë, në të gjitha nivelet, për gjëra që duhet t`i kishim bërë më mirë dhe menduar më mirë.

Në qarkun e Beratit ku kam qenë i deleguar, kam marrë pjesë në thuajse të gjitha analizat e zhvilluara në nivelin e grupseksionit dhe të kryesive të pesë degëve që përmban ky qark. Janë më shumë se 230 diskutime të bëra nga anëtarësia në afro 40 takime, ku gjërat janë thënë troç, pa doreza, me ndershmëri.

Eshtë vënë gishti në plagë, pavarësisht se jo rrallë plaga ishte e jona. Është denoncuar qartazi droga dhe paratë e përdorura haptazi në fushatë për blerjen e votave, presioni maksimal ndaj administratës nga dy forcat e majta, PS dhe LSI, por edhe të metat jo të pakta si dhe problematikat tona të brendshme. Si përfundim, tashmë ka raporte të hollësishme për çdo degë dhe për çdo qark. Këto raporte të vlefshme do t`i shërbejnë lidershipit të PD-së të ndërtojë strategji dhe të ndërmarrë riorganizim në përputhje me rrethanat e krijuara, për të maksimizuar votën për PD-në në zgjedhjet më të afërta.

Çfarë ka propozuar baza e PD-së dhe ku fokusohet kryesisht?
Identifikimi i problematikës, për shkaqe të brendshme apo të jashtme, ishte vetëm një pjesë e procesit të analizës. Por procesi përfshinte edhe konsultimin e anëtarësisë në lidhje me aksionin politik të PD-së në rrethanat e krijuara, si dhe propozime konkrete për ndryshime statutore me qëllim dhënies hov dhe frymëmarrje të re jetës politike në Partinë Demokratike.

Por unë do të ndalem veçanërisht në rekomandimet që vijnë për ngritjen e aksionit politik dhe krijimin e frymës së fitores. Jetojmë në një realitet post-politik, shumë larg të qenit normal. E quaj të tillë, sepse çfarë ndodhë sot në rrafshin politik në Shqipëri, në thelb ka pak apo aspak lidhje me politikën e mirëfilltë. Degradimi i debatit publik si dhe supa e ftohtë e folësve dhe retorikës së konsumuar që na serviret çdo darkë tregon shumë mbi sëmundjen e shoqërisë. Shmangia e qëllimtë nga diskutimi i temave më të rëndësishme për shoqërinë si p.sh. ekonomia, shëndetësia, korrupsioni, paaftësia administrative dhe mungesa e shtetit, kriminalizimi i strukturave të tëra shteterore, është fenomen i përditshëm që mundësohet, me një farë suksesi, nga spin-off apo ndryshe fuga e pushtetit.

Në këtë pike, “arritja” më e madhe e Ramës është ndjesia e adaptimit social me të keqen në atë përmasë saqë sot po gërryen tesutin social të vendit dhe po mpin aftësinë tonë për të reaguar si shoqëri e civilizuar.

Çfarë duhet të bëjë opozita përballë kësaj situate…?
Përballë kësaj situate, denoncimi i përditshëm është vërtetuar se nuk mjafton, sepse “këneta sociale” e krijuar në Shqipëri është treguar e aftë të “thithë” pa shumë zhurmë zërin e denoncimit. Këneta duhet tharë.

Pritat apo digat që e mbajnë atë “të gjallë” duhen hedhur në erë. E për këtë s`mjafton vetëm denoncimi, por nevojitet lidership dhe aksion politik. E mbi të gjitha besueshmëri të mesazhit dhe të mesazherit.

Për të arritur të prekim fibrën e kësaj shoqërie, për ta bindur atë të lëvizë, nuk mjaftojnë vetëm fjalët me vend të folësit, por mbi të gjitha besueshmëria e atyre që flasin, integriteti i tyre individual dhe profesional. PD-ja ka shumë njerëz të tillë, ka madje më shumë se çdo forcë tjetër politike në Shqipëri. Suksesi do të përcaktohen nga angazhimi tërësor i tyre, me pak fjalë nga “oferta” që PD-ja do t’u afrojë tashmë shqiptarëve.

Për t`iu kthyer përsëri pyetjes tuaj: anëtarësia gjatë këtij procesi të konsultimit dhe analizës, drejtpërdrejtë dhe pa doreza, ka treguar mjetet dhe rrugën për të arritur pikërisht këtu. Pra, kush di të dëgjojë, do të gjejë edhe mesazhin brenda.

Në çfarë situate janë aktualisht strukturat e PD-së? A janë dorëzuar listat e delegatëve nga të gjitha degët dhe sa delegatë do të jenë të pranishëm në Kuvendin e 28-29 prillit?
Bashkë me analizën kemi përfunduar tashmë edhe një proces të rëndësishme organizativ, që ka lidhje me strukturën dhe organizimin kapilar, të imët, të Partisë Demokratike.

Nga pikëpamja organizative tashmë jemi plotësisht të gatshëm të thërrasin Kuvendin e PD-së ku pritet të miratohen ndryshimet statutore si dhe të zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar i PD-së. Kjo potencialisht do t`i hapte rrugë me shpejtësi dy proceseve shumë të rëndësishëm që zhvillohen paralelisht: riorganizimi strukturor, bazuar në konceptet e reja statutore si dhe përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor.

Në këtë mënyre, lidershipi i ri i PD-së do të drejtonte proceset pa humbur aspak kohë. Në të gjithë këtë përqasje koha është thelbësore. Eshtë përgjegjësia jonë ta kuptojmë siç duhet këtë çast dhe të veprojmë pa humbur kohë, përtej axhendave personale. Sepse ne nuk mund të humbim as edhe një ditë duke u marrë me punët tona të brendshme, ndërsa zgjedhjet vendore janë në prag.

Çdo përqasje tjetër ndaj axhendës së Kuvendit do të ishte në dëm të fitores së zgjedhjeve vendore dhe përgatitjes për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat duket se janë më afër nga ç`mund të imagjinohet! Ndërkaq, mandatet tashmë janë gati. Afro 7000 të mandatuar do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit të Partisë Demokratike.

Cilat janë propozimet kryesore që kanë ardhur nga baza dhe sa do të merren parasysh kërkesat e kritikëve për ndërhyrjet në statutin e partisë?
Propozimet që kanë ardhur nga baza, por edhe nga ata që duan të kontribuojnë me idetë e tyre, përfshijnë çështje që kanë lidhje me organizimin në terren të Partisë Demokratike, me mënyrën e funksionimit të organeve të saj vendimmarrëse, me mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave elektorale, me instrumente që mundësojnë përçimin e zërit të anëtarësisë nga niveli më i poshtëm deri tek ai me i larti.

Këto koncepte janë trajtuar, gjithashtu, në mënyra dhe thellësi të ndryshme, në dy dokumente zyrtare të ardhur në Partinë Demokratike, të cilat reflektojnë propozime konkrete dhe në princip, për të adresuar disa çështje kritike të organizimit, të rregullave të qarta të lojës si dhe të sigurimit të hapësirave për të gjithë ata që kanë kontribute dhe duan të vazhdojnë të japin kontribut të mëtejshëm në Partinë Demokratike.

Grupi i punës për këtë qëllim është duke trajtuar me shumë përgjegjësi të gjitha propozimet, me qëllim afrimin e tyre dhe konsolidimin mundësisht në një dokument të vetëm. Gjithsesi nuk është në tagrin e grupit të punës të vendosë për propozimet. Vetëm Kuvendi i PD-së do të vendosë për ndryshimet në statut.

A ka pasur takime, negociata me kritikët e Lulzim Bashës me qëllim sheshimin e pakënaqësive brenda së djathtës?
Ka pasur kontakte me të gjithë ata që kanë dashur dhe duan të kontribuojnë për një Parti Demokratike më të fortë.

Si mund të bëhet më e fortë, apo si mund të bashkohet PD-ja? Kush mund ta bashkojë atë dhe ta çojë atë drejt fitores?
Që të ketë bashkim duhet të ketë vullnet për të sheshuar sa të mundim diferencat. Diferencat janë normale në politikë, qoftë edhe kur janë të thella. Por vecanërisht në këtë situatë, për t`i sheshuar ato, nevojiten nga të gjithe veprime konkrete besimi.

Përfundimisht bashkimi apo bashkëjetesa arrihet duke qenë “me këmbë në tokë” dhe duke lëshuar të gjithë nga pak, për të gjitha ato që propozohen, apo edhe që kërkohen si kërkesa ultimative. Qëndrimi në frëngji dhe ngujimi pasi ke “qit pushkë”, nuk sjell as bashkim dhe as bashkëjetesë.

Në këto kushte që është sot PD-ja a mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale?
PD-ja është forca e vetme sot në spektrin politik shqiptar që ka të drejtën morale të denoncojë drogën, korrupsionin galopant dhe mbytës, krimin që ka zaptuar edhe kryeministrin, halabakërinë që po përzë qytetarët nga vendi, rrënimin ekonomik dhe varfërinë mbytëse.

E ka fituar këtë të drejtë me qëndrimet e saj thellësisht parimore në këto 27 vite, qoftë në opozitë apo në pushtet. E vërteta është se data më të rëndësishme historike të Shqipërisë moderne, ndryshimet më të mëdha në të gjitha fushat si dhe progresi më kuptimplotë ndonjëherë, janë arritur thuajse gjithmonë me kontributin e Partisë Demokratike, edhe kur kjo ka qënë në opozitë.

PD-ja ka një forcë të madhe morale dhe intelektuale brenda saj, për të cilën ndoshta edhe ne vetë në ndonjë rast, nuk jemi mjaftueshmërisht të ndërgjegjshëm. Kur të vendose ta nxjerrë këtë shpirt në pararojë, shpirtin e mbarë dhe fitues, pra në çastin e parë që PD-ja do të vendosë të fitojë zgjedhjet, ajo do t`i fitojë ato. PD-ja është e destinuar të fitoje dhe ta shpëtojë vendin nga kjo e keqe e madhe që ka pllakosur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.