Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot dhënien e shtetësisë shqiptare për Imzot George Anthony Frendo Arqipeshkëv, Metropolit i Tiranë–Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Vendimin e tij kreu i shtetit e njoftoi gjatë meshës së mbajtur në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë me rastin e 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Meta theksoi kontributin e Imzot Frendo, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare.
“Vlerësim kontributit dhe veprimtarisë së spikatur mbi 20-vjeçare të Imzot Frendo, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare. Imzot Frendo u shërbeu dhe kontribuoi me shpirt për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë dhe ishte një nga frymëzuesit dhe arkitektët e shumtë të ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë së besimeve. Falë nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë e shërbime qindra njerëzve në nevojë dhe veprat e tij e shndërruan Kishën Katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi në Shqipëri. Nder e privilegj në këtë meshë kaq të veçantë, nëpërmjet së cilës, na u përcollën mesazhe paqeje, mirësie, dashurie e humanizmi”- tha Meta.
Vendimi i Presidentit, vjen pak kohë pas dekretimit të dhënies së shtetësisë shqiptare të kryepeshkopit Anastas Janullatos.