Homo Albanicus

Ortodoksia, Kirili dhe teoritë e konspiracionit

18:05 - 02.05.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ardhja e klerikut të madh rus Kiril ka hapur dhe njëherë debatet për fenë dhe ortodoksinë në Shqipëri. Në masën e gjerë dhe në komentet pafund ndjen jo pak qesëndi deri në urrejtje për klerikët ortodoks dhe sidomos për kryepeshkopin, që për hir të së vërtetës, prej marrjes së nënshtetësisë shqiptare i janë zbutur disi presionet. Kjo, sepse, edhe de jure mori fund lufta virtuale mes patetikëve dhe puritanëve me njerëzit e fesë sa i përket pozicionit të tij zyrtar.




Argumenti që mbizotëron është pse nuk ka klerikë të lartë shqiptarë, në krye të drejtimit të kishës, ndërsa ata që pretendojnë se njohin historinë përmendin Fan Nolin dhe trashëgiminë e tij. Krahasimi është disi i pamundur sepse Fan Noli, njeriu i autoqefalisë shqiptare nuk ka jetuar në të njëjtën kohë me kryepeshkopin e sotëm me kombësi greke, por me pasaportë shqiptare. Paradoksalisht, të dy i bashkon një dhe një vetëm gjë, të dy kanë lindur jashtë Shqipërisë dhe prekjen me Shqipërinë e kanë pasur shumë vonë. Ndërkohë që Fan Noli është gjithnjë e më i respektuar në Kishën shqiptare, mbi të gjitha nga vetë kryekleriku.

Burimi i urrejtjes ndaj grekëve e ka një logjikë të pastër. Nëse do të shtyhesh shumë pas në histori aty rreth viteve të para të shekullit XX, një episod shërbese fetare i dha peshë të gjithë luftës shqiptare për Kishën Autoqefale. Asokohe, një klerik grek në Amerikë nuk pranoi t’i bënte shërbesat një shqiptari ortodoks të vrarë sepse ai konsiderohej si nacionalist shqiptar. Të fyer dhe me një urrejtje të justifikuar dhe të mbartur që nga Shqipëria për rolin jo të mirë të klerit grek në vend (vrasjet e shumta), shqiptarët menduan për themelimin e kishës së tyre. Fillimisht krijuan një “Shoqëri fetare” të titulluar “Nderi shqiptar” më 1907 dhe pastaj u zgjodh një përfaqësi, e cila do lidhte të gjithë shqiptarët.

Në fakt, e drejta ligjore për autoqefali, Kishës Ortodokse të Shqipërisë do i lindte që ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912 edhe pse vendi ynë ende nuk ishte i njohur ndërkombtarisht. Në rrethanat e krijuara, Kisha Ortodokse e Shqipërisë nuk mund të kishte më juridiksion nga Patriarkana, që ishte në territorin turk dhe e ndikuar nga pushteti vendas. Një rrugë që kishat e tjera të Ballkanit e kishin bërë me kohë dhe konform pavarësimit të tyre. Gjithsesi, janë shqiptarët e Amerikës, që mendojnë realisht dhe thërrasin përtej kontinentit Fan Nolin. Më 1908, ai arrin e shugurohet prift nga tre peshkopë; një rus, një ukrainas dhe një rumun. Mesha e parë prej tij nuk vonon, kurse entuziastët filluan të mendojnë për ndërtimin e ngrehinave të kishave kudo në SHBA, ku ekzistonin shqiptarë. Menjëherë mbijnë kisha e Shën Kollit në Sauth Brixh, kisha e Shën Palit dhe e Shën Pjetrit në Filadelfia, kisha e Shën Mërisë në Natik etj. Vetë Noli nuk u mjaftua me meshimin, por përktheu një sërë veprash që janë përdorur ndër vite mes besimtarësh si “Shërbesat e Javës së Madhe”, Libri i Shërbesave të Shenjta”, “Libri i të Kremteve të Mëdha”, “Trodhi i vogël”, “Lutjesorja” dhe “Pesëdhjetëvjetorja e vogël” duke e lënë përjetësisht emrin e tij në këtë kontribut të jashtëzakonshëm. I gjithë synimi ishte krijimi i një peshkopate, që pak nga pak do të zhvendosej në Shqipëri. Por parashikimi nuk mund të ecë, ndërsa kisha do të ketë shumë sfida, të cilat do të kthehen në pamundësi pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo batërdi do kulmojë në vitin 1967.

Shqiptarët me dogmatizmin skajor politik dhe bindjen e turpshme u ngritën në bllok për t’iu kundërvënë kishave e xhamive, por ky fakt harrohet sot, ashtu si shumë syresh.

Viti 1990 e gjeti besimin e lëkundur dhe me një realitet shumë të dhimbshëm në vend. Komuniteti ortodoks iu drejtua për ndihmë autoriteteve sipërore të fesë dhe madje arritën e dërguan një delegacion te Patriarkana. Fryt i punës së këtij delegacioni ishte ardhja në Shqipëri e eksarkut patriarkal, Janullatosi. Qëllimi i tij ishte që në këtë funksionin të testonte individët e përshtatshëm me shtetësi shqiptare, që t’i dorëzonte si kryepeshkop të Kishës. Stuhia komuniste kishte qënë aq e madhe saqë në Shqipëri klerikët e gradave të larta, nuk gjenden më. Që këtu fillon procesi i nisur nga vetë besimtarët për zgjedhjen e Anastas Janullatosit. Epilogu i të gjithë kësaj pune ishte se më 24.6.1992, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike e zgjodhi Anastas Janullatosin me votën unanime si Kryepeshkop të Shqipërisë. Në ditët tona gjërat kanë ndryshuar shumë. Sot administrata e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë qëndron e ndarë sipas katër Mitropolive: të Tiranës, Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës. Për më tepër, të gjithë Arkimandritët e KOASH-it sot janë me gjak dhe shtetësi shqiptare. Disa prej tyre kanë realizuar dhe procesin dhe janë dorëzuar edhe peshkopë shqiptarë të Kishës Ortodokse, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë fe tjetër në Shqipëri, por edhe që jep besim për një udhë të mirë të ortodoksisë shqiptare.

Për fat të mirë, kisha ortodokse meshon shqip dhe gjatë viteve ka realizuar një punë të mirë sa i përket ndërtimit të 150 kishave të  reja, ku më të njohurat janë të vendosura në Korçë, Fier, Berat, Durrës, Sarandë, Gjirokastër; kanë restauruar dhjetëra kisha të vjetra dhe janë rehabilituar rreth 60 monumente kulturore.

Në kohën që lidhet me religjionin nuk ka absolutisht afate si në kohën që kërkojnë laikët, porse ka parime që ndërtohen dhe besueshmëri që ngrihet. Kisha ortodokse është gjithnjë e më shumë shqiptare dhe ky është një fakt që duhet t’i gëzohemi. Nuk ndodh kështu me problematikën e religjioneve të tjera, ku prania e të huajve është krejt evidente dhe madje gjuha e përdorur është krejt e huaj. Por për këtë ka heshtje dhe nuk përzihemi, sepse ne shqiptarët gjithnjë punojmë me dy standarte. Në fakt, standardi më i mirë është e vërteta dhe fakti që besimi po ngrihet në një popull, që e shkallmoi krejtësisht për 25 vjet de jure tregon se ne kemi shumë probleme. Ndaj ardhja e Kirilit, me shtetësi ruse,  ngjalli aq shumë teori konspiracioni, ashtu si çdo veprim i kryepeshkopit Anastas bën çudi. Por ne jemi këta që jemi, një grigjë konfuze, që kërkon të identifikohet mbi absurdin dhe duke bërë fajtor gjithnjë të tjerët. Kurrsesi veten. Është e vërtetë se kryepeshkopi Anastas është një nga eksponentët më të lartë të ortodoksisë botërore, por mos i mveshim Kishës shqiptare, fuqi dhe atribute, që nuk mund t’i justifikojë.  /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.