Kryesore

Hyn në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme

13:45 - 08.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Lista e re e barnave të rimbursueshme ka hyrë në fuqi në datën 5 maj, por farmacitë nuk janë njoftuar paraprakisht për këtë ndryshim, çka ka ngjallur reagime të forta nga ana e farmacistëve. Në një deklaratë për mediat, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma ka shprehur indinjatën e ka theksuar të gjitha dëmet që i janë shkaktuar kësaj kategorie.




“Hyrja në fuqi e kësaj liste në mënyrë të paparalajmëruar ka shkaktuar tek farmacitë humbje të konsiderueshme financiare për shkak të gjendjes së barnave të blera me çmimin e listës së mëparshme. Farmacistët gjenden sot para një situate kaotike, e cila do të sjellë dhe përballje me qytetarët për shkak të çmimeve të ndryshme për të njëjtin bar”,-ka thënë Toma në fjalën e saj. Më tej kjo e fundit ka bërë me dije se farmacistët duhet të përballen me faktin e mungesave të shumta të barnave qofshin këto alternativa të para apo alternativa të vetme e ka ngritur shqetësimin se lista e re e barnave është shoqëruar dhe me ndryshime të kodeve të barnave, gjë që ka sjellë vonesa në punën e farmacisë dhe sorollatje të pacientëve.

Kontrata
Diana Toma ka ngritur akuza edhe ndaj kontratës farmaci-Fond, çka e vlerëson si totalisht të njëanshme. “Për sa i përket kontratës farmaci – Fond, e cila është totalisht një kontratë e njëanshme, janë përcaktuar kritere, të cilat bien në mënyrë të hapur në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Që nga viti 2003 kur është futur nocioni i negocimit të kontratës ndërmjet ISKSH sot Fondi dhe aktorëve farmaceutikë, përfshirë dhe Urdhrin e Farmacistëve, ent publik i krijuar me ligj, është hera e parë që ndeshemi përpara faktit të hartimit dhe miratimit tërësisht të njëanshëm, pa marrë parasysh asnjë mendim dhe sugjerim, pa negocim dy palësh”,-theksoi presidentja e UFSH-së. Ndërkohë farmacistët kanë akuzuar se kontrolli i barnave që qarkullojnë me receta pa rimbursim nuk është objekt i kontratës e Fondit nuk i shkaktohet asnjë dëm ekonomik nga tregtimi i barnave pa rimbursim. Toma ka nënvizuar se mungojnë aktet nënligjore për recetën tip pa rimbursim dhe farmacia nuk mban autorësi e për pasojë përgjegjësi për mënyrën e përshkrimit të recetës.

“As në këtë kontratë nuk është parashikuar rimbursimi që duhet t’i bëhet subjekteve farmaceutike lidhur me kostot e recetës elektronike. Megjithëse shpenzimi për recetën elektronike i është faturuar totalisht subjekteve farmaceutike, nga Fondi në mënyrë të padrejtë kërkohet që pacientit farmacia t’i mbajë vlerën prej 100 lekësh, vlerë kjo e cila mbahej në kohën kur receta ishte manuale”,-tha më tej presidentja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Në lidhje me gjithë shqetësimet e sipërpërmendura farmacistët kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e tyre duke iu drejtuar mënyrës ligjore, nëpërmjet institucioneve që kanë të tërë të drejtën ligjore për ta zgjidhur dhe për të përfaqësuar grupet e interesit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.