KULTURË

Nga Rripi i Gazës te Praga e pushtuar, kinemaja e avangardës dhe besimi në art

12:30 - 12.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Nga Rripi i Gazës te Praga e pushtuar, si pikënisje e udhëtimit për në Izrael e Palestinë; vdekja e punëtorit dhe lindja e makinerisë; perdja e hekurt e monumenti i Gramscit, veç shteteve që kapërcehen, kapërcehen njësoj tematika e politika. Diku me kinemanë e avangardës e matanë me rrekjen për t’iu kundërvënë politikave, besimi në art nuk është vetëm titulli i një prej filmave që shfaqen, por edhe fuqia që ka arti të ndryshojë, të shndërrojë a të ndikojë mbi tematikat që prek a iu qaset. Edicioni i dytë i festivalit “Ekrani i Artit”, që mbahet në Shkodër më 25-27 maj, është një bashkëpunim i “Art House” me “Lo schermo dell’arte” Film Festival.




Këtë vit, programi i përzgjedhur sjell filma, dokumentarë e video që janë shfaqur vitin e fundit në festivalin e filmit, i cili shënoi edhe dhjetë vjetorin e themelit të tij. Koordinatorë të projektit janë Tea Çuni, Melisa Paci dhe Arta Nikolli, ndërsa për dizajnin është kujdesur Lek Gjeloshi. Më 27 maj do të promovohet libri “Dhoma e Dritshme” i Roland Barthes, përkthyer në shqip nga Zef Paci.”Lo schermo dell’arte”, është një festival ndërkombëtar i filmit, i cili organizohet që nga 2007 në qytetin e Firences në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra për artin, akademi e universitete italiane e ndërkombëtare. I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione video, takime me artistë e kuratorë, rezidenca për artistë ndërkombëtarë, produksione dhe shpërndarje të filmave.

Të ftuar të veçantë të “Ekrani i Artit” do të jenë Silvia Luçhesi, drejtoreshë e “Lo schermo dell’arte” dhe Leonardo Bigazzi, kurator i VISIO European Programme on Artists’ Moving Images, Rä di Martino, regjisore e “Controfigura”, njërit prej filmave që do shfaqen, Driant Zeneli, artist pjesëmarrës në programin VISIO 2017 me videon “It would not be possible to leave planet Earth unless it existed”. Ditët e “Ekranit i Artit”, krahas projeksioneve, do të shoqërohen edhe nga momente muzikore, biseda e prezantim libri.


TEMATIKA ANË E KËND
“Equivalent units”(2017) është rezultati i një serie të gjatë takimesh mes punëtorëve në portin e Gjenovas, të ftuar për të bashkëndarë, përmes teknikave të përfshirjes (përfshirë këtu edhe meditimin e drejtuar) aspekte të rëndësishme të punës së tyre e të ndryshimit të saj në vitet e fundit, si pasojë e automatizimit. Videoja e Danilo Correale (Itali/SHBA 19’) përqendrohet mbi kompleksitetin e punës në port, e parë nga pikëpamja e mallit që udhëton: kontenieri bëhet lentja përmes së cilës shihet njeriu dhe lidhja e tij me metalin e rëndë. Editing-u i ngërthyer i videos na sugjeron natyrën e pandalshme të logjistikës në shoqërinë post-kapitaliste.

Fotografi çek, Josef Koudelka u rrit pas Perdes së Hekurt duke dashur gjithmonë të dinte se “çfarë ndodh në anën tjetër”. Dyzet vite pasi fiksoi imazhin ikonë të pushtimit sovjetik në Pragë në vitin 1968, fotografi legjendar i agjencisë Magnum mbërrin në Izrael dhe në Palestinë. Te “Shooting Holy Land” (2015 Gilad Baram, Izrael ’72) me të parë murin nëntë metër të lartë, të ndërtuar nga Izraeli në Bregun Perëndimor, Koudelka tronditet dhe nis një projekt katërvjeçar në këtë rajon, i cili do ta ballafaqojë sërish me realitetin e ashpër të dhunës dhe konfliktit.
Mandej, “Ekrani i artit” shfaq “Deep Sleep” të Basma Alsharif. Kur qe përkohësisht e ndaluar të udhëtonte në Rripin e Gazës për shkak të konfliktit në kufi, artistja ka ndërmarrë studimin dhe praktikën e autohipnozës, me qëllim që të gjendet njëkohësisht në shumë vende të ndryshme. Filmi i saj, i 2014-ës përfshin një udhëtim Greqi-Maltë-Palestinë. Rezultati i kësaj është lëvizja përmes rrënojave të qytetërimeve moderne në shkatërrim (Athinë), ndërtesave të braktisura të siteve anonime (Maltë) si dhe një sit i post-qytetërimit (Rripi i Gazës). “Deep Sleep” merr si pikënisje kinemanë e avangardës historike për të na ftuar që të tejkalojmë kufijtë gjeografikë në një akt kolektiv që eliminon kujtesën në këmbim të një të tashmeje të thellë.

“Monumenti i Gramsci-t” është homazh ndaj njërit prej mendimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XX, një instalacion që artisti zviceran Thomas Hirschhorn, ka realizuar gjatë verës së vitit 2013 për Dia Foundation në Forest Houses, në lagjen Bronx të Nju Jorkut. Monumenti u konceptua si një instalacion ndërveprues mes elementëve të ndryshëm, si laboratorë për punëtori mbi artin dhe politikën, biblioteka apo hapësira për fëmijë. I njohur për veprat e tija provokuese, të cilat kane trajtuar shpesh tematika sociale, Hirschhorn, për realizimin e kësaj vepre ka jetuar për pesë muaj me banorë të Bronx-it, duke u ballafaquar me realitete e grupe etnike të ndryshme, duke bashkëndarë me ta eksperiencën njerëzore në tentativën për të përhapur idetë e Gramsci-t.

Filmi “In Art we Trust” i vitit 2017 nga Benoît Rossel (Zvicër/Francë) është një film dokumentar mbi ditët e fundit të shtëpisë së artit Tacheles. Pas rënies së Murit të Berlinit, Tacheles luan një rol të rëndësishëm në jetën artistike të kryeqytetit gjerman. E vendosur në Oranienburger Strasse, në lagjen Mitte, historia e kësaj shtëpie reflekton mbi ndryshimet sociale në Berlin. Ishte një vend ku diversiteti gjeti shprehje të lirë, ku u formuan artistë ndërkombëtarë. Ishte gjithashtu një shembull i mirë për qendrat alternative nëpër botë, të cilat po jetonin gjithashtu pasojat e të shkuarit kundër normave të shoqërisë. “In Art we Trust” eksploron faktorët historikë dhe socio-politikë që kanë ndikuar në vazhdimësinë e Tacheles, ndërsa portretizon shtëpinë e artit si një refleksion simbolik i kulturës alternative bashkëkohore të Berlinit (nga 1990-2012).

“It would be impossible to leave the earth unless gravity existed” nga Driant Zeneli që është i ftuar special i festivalit, ka në fokurs Marion. Një burrë i cili ka pasur gjithmonë pasionin për të fluturuar e për të ndërtuar aeroplanë. Metalurgjiku, është një hapësirë industriale e braktisur me sipërfaqe 250 hektarë, ku 12.000 vetë punonin në Shqipëri gjatë viteve ’70. Mario sot është bërë mjeshtër i montimit të makinave fluturuese dhe ka një dëshirë të paepur për të arritur ne një vend të largët, diku në hapësirë. Metalurgjiku, nga ana tjetër, u boshatis nga punëtorët e tani na shfaq rrënojat e tija sikur të ishin prova të prekshme të falimentimit të një projekti, i cili ishte pjesë e një shoqërie ideale, siç imagjinohej gjatë periudhës komuniste. Filmi është një takim mes utopisë dhe distopisë dhe bashkon dy dëshira: atë të një shoqërie ideale me atë të ndarjes prej saj.

Te filmi “Séance” Yuri Ancaranit pasqyrohet takimi mes psikologes Albània Tomassini dhe Carlo Molino, i cili ka vdekur në 1972. Fulvio Ferrari, qiraxhiu i Shtëpisë Molino, u shërben darkën dy miqve, njëri i dukshëm e tjetri i padukshëm. Ancarani xhiron një bisedë unike ku Molino flet për kuptimin dhe qëllimin e jetës së tij të kaluar dhe orientimin e tij të ri drejt perfeksionit, që është i mundur vetëm në dimensione të tjera.

“Controfigura” i Rä di Martino (Itali/Zvicër/Francë/ Marok 75’) është një ekip i vogël aktorësh që sillet në Marakesh dhe rrethinat e tij për të gjetur një pishinë, e cila do të bëhet vendi i një “remake” për një film amerikan, ku një burrë kalon përmes një konteje, pishinë pas pishine, për të arritur në shtëpinë e tij. Corrado, një kontrofigurë, provon inkuadraturat për të gjetur rrugën përmes qytetit dhe pishinat, ku personazhi kryesor të mund të vrapojë dhe të notojë. Në të njëjtën kohë, duket sikur e kap nevoja për të qenë më shumë se një kontrofigurë. Ai ndjen të gjithë dinjitetin e një aktori dhe dëshiron të na tregojë që mund të jetë po aq i aftë sa një aktor profesionist. Ndërsa shohim përpjekjet e tija, fillojnë të shfaqen aktorët e vërtetë që punojnë në set mes dyshimeve dhe britmave. Një film që kërkon të gjejë se cili prej tyre është filmi i vërtetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.