KULTURË

“Del dokumenti, ministria parashikonte restaurimin e Teatrit Kombëtar”

13:50 - 15.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Pas pranisë së ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro javën e kaluar në Komisionin e Medias, këtë të hënë të pranishëm ishin një përfaqësi artistësh për të diskutuar mbi çështjen e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa protestojnë në të gjitha mënyrat që prej muajit shkurt, kur së pari, u hodh ideja e shpërnguljes së artistëve për t’i hapur rrugën shembjes e më pas rindërtimit të një Teatrit të ri Kombëtar, përmes bashkë punimit publik privat, artistët nuk janë dorëzuar. Madje, kanë këmbëngulur që projekti i prezantuar nga arkitekti në Kryeministri në mars, të anulohet për të rënë dakord për një teatrër tjetër, që nuk përfshin humbje të truallit të godinës aktuale.
Dje, mes debateve, kryetari i Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Alert Çeloaliaj përsëriti mungesën e transparencës mbi projektin e Teatrit Kombëtar. Në përgjigje të kritikave të artistëve, deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli u shpreh se deklarata e kryeministrit Edi Rama se “Teatri Kombëtar do të shembej” është keqkuptuar.




Alert Cceloaliaj, në emër të artistë ve tha se “në se si komunitet teatror na kërkohet që të heshtim nuk pranojmë. Përgjigjen për gjendjen në të cilën ndodhet Teatri Kombëtar sot, e gjeni te të gjitha qeveritë: nga e majta dhe nga e djathta. Thuhet se Teatri Kombëtar është rrezik për punonjësit, atëherë përse nuk merren masa për këtë gjendje? I vetmi që ka bërë diçka për Teatrin Kombëtar është Pandeli Majko. Ne e ftojmë që të prononcohet për të ardhmen e teatrit dhe duam e kërkojmë që Teatri Kombëtar të shpallet monument kulture”.


Më tej, fjalën e mori regjisori Kastriot Çipi sipas të cilit, Ministria e Kulturës në programin e trashëgimisë kulturore 2013-2017 parashikonte restaurimin e Teatrit Kombëtar. Por fjala e tij u ndoq nga sulmet deputetëve të pozitës në pushtet.
“Në strategjinë e Ministrisë së Kulturës 2013-2017 në pikën 16 parashikohej restaurimi i TK. Masakra që po i bëhet Tiranës ka filluar jo vetëm nga kjo qeveri, por edhe nga ato paraardhëse”.
Në ‘Programi i trashëgimisë kulturore 2013-2017’, që gjendet ende online në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës thuhet se “trashëgimia kulturore ka nevojë për një vizion afatgjatë zhvillimi në përputhje me detyrat dhe për korrektim në përputhje me vizionin e ri. Për këtë duhet kryer menjëherë diagnostikimi i detajuar dhe fizik i gjendjes së trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin. Vetëm pas një analize të thelluar faktike, institucionale dhe ligjore mund të vazhdohet me plane zhvillimi afatgjata”. Në fund të programit, në pikën 16 thuhet: “ndërtimin e një plani për restaurimin dhe rijetësimin e disa monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë së vonët historike, si piramida, Teatri i Kukullave dhe Teatri Kombëtar”.

REPLIKA
Në përgjigje të fjalës së Çipit, deputeti i së majtës, Fidel Ylli tha dje në Komisionin e Medias se në dëgjesën për Teatrin Kombëtar është bërë me dije se kërkesa e projektit ka ardhur nga një biznes, as nga Ministria e Kulturës dhe as nga Bashkia. “Është vetëm një ofertë që do të shqyrtohet nga qeveria, nuk është një vendim”, tha Fidel Ylli, duke theksuar se “në godinën ekzistuese nuk mund të behet teatër”.
“Kullat nuk janë vetëm për të fituar biznesi, por edhe për arkitekturë. Ju falënderoj që ngrini zërin, se vërtetë po se ngritët ju zërin, qeveritë do të ju shkelin me këmbë”, shtoi Ylli. Mandej, fjalën e mori Shezai Rrokaj, i cili deklaroi se është dakord me ndërtimin e një teatri, por jo mbi kockat e atij ekzistues. “Në TK janë 3 shfaqje për fëmijë, pra u rrezikohet jeta 600 fëmijëve sipas raportit, kjo është e papranueshme. Teatri është kujtesa e një shteti dhe do të jetë një gafë e madhe nëse nuk rindërtohet në formën që ka. Qeveria të mos përdorë si alibi që shteti nuk ka para për ndërtimin e TK, shqiptarët kanë nevojë për identitet kombëtar”, tha-ish rektori, përfaqësues i LSI.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.