KULTURË

Ekspozita/ Përballja moderne mes diktatorit e kodikëve dhe një sfidë në hije

14:30 - 25.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Më shumë se 20 mijë vizitorë i janë drejtuar në 2 javë, vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Në ambientet e brendshme të tij, ekspozohen kodikë e dorëshkrime nga shek VI-IXX. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zgjati me një javë kohën e ekspozimit për shkak të interesit të treguar. “Përmes një urtësie të pashuar” përmbledh shekuj historie në dorëshkrime të vjetra. Natën e çeljes, kryeministri i vendit tha se arsyeja pse antikuarët e ekspozoheshin aty, qe jo vetëm pika strategjike, por edhe një farë sfide që i bëhet ish-diktatorit që për një kohë të gjatë i ndaloi.




Por çfarë ka ndodhur ndërkohë? Konkurrenca mes vilës së diktatorit dhe antikuarëve të kulturës si objekte e interesi, ka qenë e hapur. Paçka vlerave që bartin librat, të punuar në Kostandinopojë a Voskopojë- streha e gjirokastritit që qeverisi me dorë të hekurt duke e çuar vendin në izolim, përbën kaq shumë kureshtje. Pa paragjykuar dëshirën për të ditur se në ç’dhomë flinte, rrinte, lexonte, bisedonte, priste a merrte vendime Hoxha, duket ka raste kur shtëpia e shpirtrave tërheq më shumë se shpirti i kulturës a i trashëgimisë. Dorëshkrimet si çelës i botëve të shkuara, anipse prej vizitorëve me gjasë zor se lexohen- nuk e zgjojnë gjithnjë aq shumë interesin, sa ç’e zgjon në mënyrë pothuaj djallëzore një vëzhgim i beftë muresh pa jetë, brenda të cilave, ka frymuar ai dhe ajo- kur ata(ne) ngujoheshim e kishim frikë se edhe muret kishin veshë.
Dilema është nëse nevoja për të ditur- si jetoi ai- është një farë sindrome Stokholmi a një kurë dhimbjeje? Dilema është, nëse tërheq më shumë vila se antikuaret prej se dhembja ndjehet më shumë se e bukura?


Si mund të mos e fashisin interesin për atë shtëpi, dorëshkrimet që bartin mesjetën? Përndryshe, ecejaket në ato dhoma mbivendosin jo vetëm kujtesën e një kohe të frikshme. Do të duhej, që kodikët të mundnin refuzimin për korridoret ku ai kalonte- jo të shërbenin si justifikim për të shkelur në ato korridore. Si një mallkim i bartur ndaj së shenjtës (që fare mirë mund të jetë dhe laike) pesha e imazhit të kahershëm është ende e rëndë.

Mes dy të ndaluarash dikur- të shenjtës së dorëshkrimeve dhe banesës së atij- duket se ka prej nesh që ende zgjedhim të dytën. Sërish. Duket, sikur rizgjedhim vilën në vend të kodikëve- vila që na i ndaloi kodikët, duke i strehuar na i fsheh.
Shtëpia e pajetë për kujtesën që bart, e sfidon hapur ekspozitën. Ndryshe ndodhi me ekspozitën e çelur në janar në Pallatin e Kongreseve, ku bezja e zezë që mbulonte çdo gjë në një sallë pa asnjë ngarkesë emocionale që na lidh me kujtesën, ngjiste në fron vetëm objektet e ekspozitës.
Përkundrazi, këtë herë, grishja për të parë shtëpinë e njeriut që i atribuohen krimet e komunizmit që herë-herë pothuaj po justifikohen, a së paku askush nuk mban përgjegjësi për to, në një këndvështrim dhemb- po aq sa dhembte dikur vuajtja në heshtje e atyre, që liheshin vetëm në fatin e tyre- të prekurit politikisht.

Brendavënë në të njëjtën hapësirë, ja ku rrinë pra e shenjta dhe djallëzorja, kujtesa dhe dëshira për të harruar, kultura e lirisë dhe zyra e censurës, dëshmitë e shekujve dhe shekulli i fundit, të ngërthyera “keqas”- dhe prapë duket se hija e tij e mund dritën e tyre.
Për ndonjë çast, kur një vizitor i çfarëdoshëm pyet, për dhomën e ‘atij’, duket sikur kemi ngecur në kurthin e thashethemeve të ish-bllokut pa mundur të grishemi prej kulturës më shumë se prej kuriozitetesh jetësh individuale, qoftë ajo e Enverit, Mehmetit a Ahmetit. Në mundshim të kapërcejmë këtë prag- me largpamësinë për të kërkuar të dimë a të luftojmë fenomenin, pa u ndalur te individi, diç do kemi mësuar.


“Është ndoshta një ndër ekspozitat më të vizituara. Kanë qenë në këtë periudhë, zyrtarisht mbi 20 mijë vizitorë. Ka momente të pikut, ku i gjithë ambienti është tërësisht plot. Fatmirësisht ndonëse ditët e para mund të vinin edhe për godinën, tani shohim që po vijnë për kodikët dhe për dorëshkrimet e rralla që gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror”,-shprehej në media Ardit Bido, drejtor i Arkivit.
Shtëpia e diktatorit do hapet prapë, me gjasë në të dikur edhe mund të kërcehet a të kthehen gota si kudo përreth saj- ndërsa antikuaret e Arkivit do të duhet edhe një 10- vjeçar tjetër që të dalin nga fondet kur ruhen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.