MILOSAO

Jam patriot i mishit

11:50 - 27.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një poezi filozofike e poetit të njohur shqiptar, që vjen pas pak kohësh te “Milosao”. Përmes vargjeve, ai tregon cinizmin e kohës dhe përballjen e një Alter Ego-ja…




Nga Roland Gjoza

JAM PATRIOT I MISHIT

jam patriot i mishit
sa herë nisem për Shqipëri mbërrij deri te gjinjtë e tu te virgjër
djeg biletat
Boingu merr me vete një të çjerrë ëndrre dhe e zbret në tiranë
ç’më bën ti, s’ma bën njeri
sapo ngopem
ndiej uri përsëri
jam patriot i mishit
mos ma vini re
i paemër jam
s’ngrita kandar
keshtu që s’më zënë me të shara
në pranverë ngre flamujt e mishit
të dua
dhe
shpirti im
janë himnet më të fuqishëm!
jam patriot i mishit!

ATO PESË GISHTËRINJ

ato pesë gishtërinj më mungojnë
ato pesë gishtërinj me djersë prej emocionit
që futeshin në gishtërinjtë e mi si flutura
në kthetrat prej skifteri linin pushin
të humba
po në qiej u ngjita të kërkoja ty
në natën amerikane me shumë yje
flutur
edhe më e bukur ishe
në kthetrat e mia le pushin
një flutur skifterit i tha sërish të dua
po ishte qiell
çdo gjë qe e trilluar
ato pesë gishtërinj më mungojnë
ato pesë gishtërinj me djersë prej emocionit

ERDHËM PO XHUNGËL ËSHTË BOTA

erdhëm po xhungël është bota
me territore të gabuara
qëlloj unë si një dre i ri
shkel në savanat e luanëve
dhe s’më mbetet tjetër veç të më shqyejnë,
e dashur
perëndimi i diellit atje është më i bukur kur luanët e shtrirë përgjojnë prehën
ku i dihet
kjo henë që doli mund të jetë e fundit për ne
prej dashurisë do të vdesim
prej një puthjeje
se e shkreta dashuri nuk ka frikë nga luanët
po nga dashuria vetë

E LAMË MUZGUN

e lamë muzgun dhe dolëm në mëngjes
hipëm në një pikë vesë dhe e hapëm si ombrellë
kaluam oqeanin
çarçafët e virgjërisë i lamë rrëmujë në perëndim të diellit
me një pupël pëllumbi
shtymë pak hënën drejt qiellit
i dhamë lëvizjen e orës së ëndrrës
pastaj perden e shiut ulëm
dhe nudo kërcyem
në savanat me luanë
diellin prej sekseve shkulëm dhe e lamë të shkonte
me një pizgë gjaku
mbi çarçafët e sapolarë që shtroheshin mbi oqean

HAPAT E TUA

hapat e tua marr nga balta dhe i vë në qiell
prej hapave të tua zoti më ndryshon dhe mua
në vend të brinjëve
drapërinj më ngul
dhe në vend të kolonës qirinj
gatuan bukën e meshës së pagëzimit
me grunajën që korr në qiell
ndez qirinj për fjalët; të dua
po vjen djalli prej fundesh që nxijnë
i fryn dhe i shuan
hapat e tua i marr nga qielli dhe i vë në baltë përsëri
dhe bëhem siç isha
njeri

NINA NANA MODERNE

do t’i vë mbrëmjes një qepallë foshnjeje
qyqet nuk këndojnë për engjëjt
kur të vish
hëna do të jetë bërë pendë
në sqetullën tënde

dashuritë e vërteta ndodhin vetëm në qiell

SHFLETOJ ERËN

shfletoj erën
të gjej fjalët që thamë
po ato janë shuar prej furtunave
strukem diku në një faqe maji
që vjen aromë gruaje
dhe pres
një mollëz gishti të më kthejë
bashkë me fletën
po s’e lexon njeri erën
përveç ndonjë poeti

 

FRYN ERA

fryn era me krehëra
në vend qe t’ua krehë vajzave flokët
ua prish
fjongot ua merr
ndiq vajzat
ndiq era
një kaçurrels
që s’pyet për erën me krehëra
për bishti e kap erën
dhe ngrihet lart
bie era
platitet ndërkaq
kush ua kreh vajzave flokët me krehëra?
një kaçurrels
poet
që për vajzat jep gjithë vjershat për krehëra
fryn era

Ç’TË DËGJOJ

ç’të dëgjoj
rrapëllimën e makinave
zhabllimen e avioneve në qiell?
jam kaq i mbytur nga kujtimet
dhe një puthje e vjeter
që kërciti para tridhjetë vjetëve
e lë shumë prapa zhurmën e jfk
dhe një psherëtimë dashurie
në barin me vesë te liqeni
i bën të duken lule ulërimat e autostradave të nju jorkut dhe nju xhersit
kam heshtje
dhe një lumturi prej oqeani në kohen kur bëjnë dashuri peshqit
jam një titanik letre
në prag të vdekjes
dhe shpesh marr sinjalin; kujdes!

në kujtime fshihen ajsberg


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.