OPINION

Pse e kthejnë kokën nga Marksi

07:35 - 31.05.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rrëzimi i komunizmit i hapi rrugën një kritike të shtuar e demaskimi ndaj modeleve socialiste e komuniste, që u kolapsuan dhe në një farë mënyre u rrëzuan përmes një lloj revoltimi të qytetarëve nga poshtë. Sipas Brzezhinskit, socializmi u rrëzua me atë mënyrë që ai rrëzoi kapitalizmin dmth., me revoltim të njerëzve nga poshtë. Ky proces u krye pa ngjarje të rënda, falë edhe një monitorimi nga afër nga perëndimi, për të shmangur daljen në skenë të aventurizmave e aventurierëve, që do të shkaktonin destabilitete të shumëllojshme. U ndoq rruga e ndihmës konkrete për të instaluar në vendet ish-socialiste, modelin me ekonomi tregu, pluralizmin politik, demokraci funksionale, me hapësirë të gjerë e funksionimi të lirive e të drejtave të njeriut, me sundim të ligjit dhe shtetit juridik. Njerëzimi kështu, pasi kishte parë kalimin nga feudalizmi në kapitalizëm, apo nga kapitalizmi në socializëm, pa edhe një proces apo ngjarje të re, atë ta kalimit nga modeli socialist në atë perëndimor, tashmë të evoluar përmes zhvillimit kompleks dhe funksionimit të sistemit të vlerave.




Ka një diskutim apo debat, përfshi edhe Shqipërinë, rreth përmbajtjes së modelit socialist, për çfarë rezultoi e krijoi ai në aspektin ekonomik, kulturor e social, ku evidentohet edhe mbrojtja e arritjeve konkrete, por edhe kritika e opinione rreth dukurive e fenomeneve të dështimit të zhvillimit ekonomik e sidomos rreth çështjes së lirive të njeriut e demokracisë, shtetit juridik, sidomos ndaj mënyrës së konceptimit dhe zhvillimit të luftës së klasave, ku dënimi i fjalës së lirë evidentohet veçanërisht. Edhe përvoja shqiptare dëshmoi se formësimi i modelit perëndimor në ish-vendet socialiste hasi në një problematikë komplekse. Oferta perëndimore e integrimit në BE i ka shërbyer mjaft plotësimit të atyre që njihen si standarde për integrim apo të krijimit të terrenit për funksionimin e sistemit të vlerave.

Dështimi i modelit socialist apo komunist tashmë është fakt historik, por ky fakt përmban në vetvete edhe një problem që lidhet me çështjen, dështoi vizioni i Marksit mbi modelin komunist apo dështoi ai koncept që pretendonte se ishte krijuar si zbatim i vizionit të Marksit. Pra, a mund të rreshtohet Marksi me atë grup që njihen si socialistë utopikë dhe në këtë mënyrë, krijimtaria e tij duhet mbyllur te sirtari i utopistëve, apo në krijimtarinë e tij ka analiza e konkluzione që të ndihmojnë të kuptosh zhvillimet e sotme të modelit perëndimor. Fakti apo fenomeni aktual i kthimit të kokës nga disa te Marksi dëshmon se sa i përket pjesës që lidhet me konturimin e shoqërisë socialiste e komuniste mund të mos ketë interes aktual, por analiza, metodologjia e konkluzione të nxjerra për thelbin, natyrën e mënyrën e funksionimit të kapitalit, për kontradiktën punë-kapital, për pabarazinë sociale, për tatimin progresiv mbi fitimin, globalizimin etj., paraqesin interes metodologjik e konceptual. Marksi është mendimtari i madh që analizoi në kompleksitet kapitalizmin në kushtet, kur ai ishte kristalizuar si model i ri. Ai zbuloi ligjet bazë të mekanizmit të këtij modeli të ngritur mbi kapitalin. Ai vlerësoi epërsinë e padiskutueshme të këtij modeli zhvillimi ndaj atij feudal, por njëkohësisht analizoi edhe kontradiktën bazë mes punës e kapitalit, mes borgjezisë dhe proletariatit. Duke bërë anatominë e këtij modeli të ri, Marksi zbuloi karakterin shfrytëzues të këtij modeli dhe mendoi se: a mund dhe si mund të zhdukej shfrytëzimi i njeriut nga njeriu, përmes zgjidhjes së kontradiktës mes borgjezisë dhe proletariatit.

Ai konceptoi një model pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu, pa pronë private, por me një pronë shoqërore, që sipas tij do të shërbente si bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social, që do mundësonte bollëkun material dhe kalimin e shpërndarjes së produktit e pa kriza ciklike, nga principi sipas punës në principin sipas nevojave dhe që do të mundësonte shuarjen e shtetit. Ai besonte se ky model do të mundësonte kalimin nga sundimi i sendeve mbi njeriun, në sundimin e njeriut mbi sendet. Por, Marksi gjykonte se kjo etapë e re e zhvillimit të njerëzimit do të fillonte të vinte, pas konsumimit historik të modelit kapitalist, prandaj dhe mendonte se ky proces do të fillonte nga vendet më të zhvilluara kapitaliste. Është fakt, jo pa rëndësi të veçantë, se modeli i ri filloi jo si e kishte menduar Marksi, por në vendin më të prapambetur e me mbeturina të theksuara feudale. Ishte ky devijimi i parë esencial nga vizioni i Marksit dhe që ka rëndësi për të kuptuar se çfarë ishte në të vërtetë, ai që u njoh modeli socialist apo komunist. Modeli që u konceptua dhe formësua në Rusi nga Lenini e Stalini, u kopjua apo u adapatua në vendet e tjera socialiste të Europës Lindore etj. Ky model dëshmoi se  funksiononte në fazën e parë të tij, por që më pas filloi të shfaqte probleme serioze, që erdhën duke u thelluar. Problemet e brendshme serioze dhe një trysni e ashpër dhe komplekse nga perëndimi, sollën dhe fundin e tij, rrëzimin përmes kolapsimit dhe jo me ndonjë ndërhyrje nga jashtë. Asnjëherë nuk u pohua se krijimi i këtij modeli filloi jo mirë, jo sipas vizionit të Marksit, prandaj dhe filluan tërheqje, masa apo veprime absurde e të dështuara, që në Shqipëri u shfaqën me ato sajesat qesharake të “tufëzave” dhe “arëzave”. Hrushovi dhe grupi i tij u anatemuan si revizionistë e antimarksistë, por në thelb dalja e këtij grupi erdhi nga një kontradiktë reale dhe ngecja e vërtetë e funksionimit të modelit në BS, që bënte trysni për ndërhyrje esenciale. Ky grup nuk kishte as ndonjë studim serioz e as ide të reja, as kishte mundësi të gjykonte sipas filozofisë së Marksit. Si rrugë shpëtimi, për të mos pranuar dështimin, panë një çlirim ndaj drejtimit tepër të centralizuar, një hapje ndaj disa kategorive ekonomike të fitimit e efektivitetit, një liri ekonomike më të madhe dmth., një orientim nga kërkesat e ligjeve të tregut. Me këto masa mendonin edhe të fshihnin dështimin e krizën reale, por edhe të mbronin qëndrimin në pushtet, duke mbajtur nën kontroll situatën e brendshme, por edhe brenda kampit socialist. Ky ishte demarshi i parë dhe i dyti u ndërmor nga Gorbaçovi, në prag të kapitullimit pa kthim, me ato ofertat për “perestrojkë” dhe “gllasnost”, që vërtet ishin përpëlitja e fundit e modelit.

Aktualisht ndodhemi përballë një zhvillimi real, kur modeli perëndimor, që fitoi në përballjen komplekse me modelin komunist, duke dëshmuar epërsi të pakundërshtueshme, ka shfaqur një problematikë komplekse funksionimi edhe në elementët ekonomikë, por edhe në ato politikë e socialë. Deri tash në perëndim është punuar e luftuar për të përballuar krizat ciklike të radhës, që janë në natyrën e brendshme të modelit, që mbështetet mbi kapitalin. Megjithatë, kriza ekonomike e financiare botërore e vitit 2008 ishte një shkundje tepër e madhe, që evidentoi një problematikë komplekse të brendshme të funksionimit të modelit perëndimor, që realisht sot përfaqëson modelin më të lartë dhe një mënyrë reale të funksionimit mbi bazën e sistemit të vlerave. Në SHBA goditjet e rënda të krizës ekonomike botërore u përballuan përmes aplikimit të filozofisë së Kejnsit, që frenoi avancimin e krizës dhe rivendosi ekuilibrat ekonomikë e financiarë. Në hapësirën europiane u veprua më shumë nisur nga koncepti i shkollës liberale ekonomike, që rezulton për vështirësi komplekse dhe pasoja që nuk po kapërcehen dot.

Është fakt tashmë se, me shumë vështirësi u kuptua dhe besua, që modeli perëndimor po përjeton një problematikë të brendshme serioze në funksionim, që nëse nuk trajtohet e përballohet me vëmendje të veçantë, me metodologji shkencore dhe nuk përballohet në kohën e duhur, mund të fusë krejt modelin në krizë. Deri tash mezi u lëviz të pohohet për krizë të BE, për ngecje të ecurisë së projektit europian, apo u trajtuan kriza konkrete si ajo greke, spanjolle, fenomeni “brexit”, përfshi një problematikë konkrete mes SHBA dhe BE për çështje të partneritetit tregtar e probleme të sigurisë etj. Pra, ka pasur fokusim në kriza përbërëse, por tash po mendohet seriozisht për një krizë të vërtetë të bashkimit europian e pse jo ka shqetësim për një krizë reale të modelit perëndimor. Me këtë mund të shpjegohet edhe hedhja në treg e koncepteve “më shumë Europë”, “Europa me dy shpejtësi”, apo dilema “thellim apo zgjerim”, që deri më sot ka mpirë çdo veprim apo hap konkret. Ka më shumë skepticizëm se sa realizëm në këto pohime, më shumë shqetësim dhe shterpësi idesh serioze, aq më tepër që është mbetur në nivel deklarimesh e nuk ka platforma e strategji të përpunuara. Këto tregojnë se akoma nuk është depërtuar në thelbin e vërtetë të problematikës, që kalon modeli perëndimor në hapësirën europiane. Kjo shpjegohet me faktin se modeli po funksionon, edhe pse po piqet me shpejtësi nevoja përsosjes konkrete të tij.

Kriza botërore financiare në një farë mënyre goditi rëndë jo thjesht ekonominë e financat, por të gjithë modelin perëndimor. U konstatua një përballim real i dallgëve të larta të krizës botërore, por përsëri ka shqetësim për flluska të infektuara financiare apo dhe për shpërthim të një krize tjetër në nivel depresioni të madh. Po kështu, tash evidentohet një problematikë konkrete sociale, por edhe sa i përket funksionimit të sistemit të vlerave. Në përballjen integrim-sovranizëm, duket që po fiton më shumë terren tërheqja nga sovranizmi, interesat e shtetit-komb dhe euroskeptizmi. Tash nuk mund të mohohet konsumimi i rëndë i partive tradicionale, mbështetëse të projektit europian dhe rritja e peshës dhe rolit të partive euroskeptike apo anti-BE e antieuro. Zhvillimet më të fundit në Itali, kriza aktuale institucionale, që po përjeton ky vend i rëndësishëm europian, por edhe për ecurinë e projektit europian, mund të mendohet një përbërës i zhvillimeve të brendshme të modelit europian, që risin shqetësimin e formësimit të një krize të vështirë të të gjithë modelit. Për arsye komplekse, në Itali është shfaqur një stanjacion ekonomik dhe një mungesë e zhvillimit të reformave, që ka sjellë si rezultat një borxh me mbi 2 trilionë euro. Italia ka një borxh 1.3 herë më të lartë se prodhimi kombëtar vjetor. Ky është në fakt borxhi i dytë më i madh në botë pas Greqisë dhe Japonisë. Nisur nga kjo situatë, po lëshohen deklarata nga parti euroskeptike populiste, si ajo e Salvinit, se zgjedhjet e reja do të jenë një referendum për të çliruar Italinë nga regjimi skllavërues i detyruar nga eurozona. Duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja, sa i takon klasës politike qeverisëse italiane, apo paaftësive e korrupsionit etj., euroskeptikët e populistët italianë fajësojnë për stanjacionin e krizën që kalon vendi, zyrtarët e BE, apo siç pohohet prej tyre “pseudo teknokratë të emëruar”, apo dhe deklarimet akuzë, se Italia nuk është koloni, apo se nuk jemi skllevër të Gjermanisë, Francës, të bonove qeveritare apo të financave. Siç vihet re, partitë populiste e euroskeptike nuk flasin për mbrojtje të sistemit të vlerave, që përbën bazamentin e modelit perëndimor, por përcjellin deklarime anti-BE dhe antieuro. Dhe këto deklarime vijnë nga Italia që është vend i madh ekonomik dhe një aktor i rëndësishëm i projektit europian dhe BE. Kriza politike institucionale në Itali është prova më e fundit, është tregues se si populistët kërcënojnë të ardhmen e projektit europian, duke përdorur legalitetin demokratik e parlamentar, se si mund të goditet sistemi i vlerave, duke përfituar nga funksionimi i atij sistemi. Pavarësisht se si do të evoluojë e do të zgjidhet kriza italiane, ajo tashmë është tregues real i një krize të brendshme të BE, por edhe i një problematike shumë serioze, që po përjeton e piqet brenda modelit perëndimor të zhvillimit.

Ka probleme komplekse e të vështira, ka kriza dhe fenomene shqetësuese, por nuk ka ide të reja, nuk ka studime komplekse të fokusuara ndaj zhvillimeve të brendshme të modelit perëndimor të zhvillimit. Ka nevojë në rritje për një vizion të plotë, se si do të mund të reformohet e përsoset më tej modeli perëndimor i zhvillimit. Kuptohet nevoja e shtuar e një revolucioni tjetër teknik e shkencor, që të impulsohet nivel më i lartë i prodhimit, por tash po piqet me shpejtësi një përsosje e gjithë godinës politike, ekonomike e sociale. Ka rritje të urisë për dije, për produkte të rëndësishme shkencore, për vizion të ri. Ndjehet nevoja për përmirësime në skemën e prodhimit, shpërndarjes dhe qarkullimit. Natyrisht që këto produkte një ditë do të vijnë.

Në këto kushte, disa e mendojnë si të nevojshme t’u referohen analizave të Marksit për modelin e ngritur mbi kapitalin, për marrëdhëniet mes punës e kapitalit, për analizat e kryera ndaj skemës së prodhimit, ndaj problemeve të tatimit mbi fitimin progresiv dhe zhvillimin e ekonomisë botërore në kushtet e globalizimit. Marksi inspironte një shoqëri të lirë, ku të zhdukej tjetërsimi, të mundësohej një realitet i sundimit të njeriut mbi sendet e jo anasjellas. Marksi nuk ishte utopist, por dialektik, prandaj nuk krijoi skema të gatshme, por një metodologji kërkimi e studimi që mund të shfrytëzohet sot për të kuptuar zhvillimet aktuale dhe prodhuar ide për reformimin e këtij modeli zhvillimi. Natyrisht, që me rëndësi esenciale janë studimet e thelluara e komplekse shkencore për zhvillimet aktuale e perspektive botërore, për modernizimin e përsosjen e mëtejshme të modelit të zhvillimit, të ngritur mbi sistemin e vlerave, që sot nuk mund të konkurrohet nga asnjë model tjetër autoritarist. Është një nevojë që nuk mund të përballohet thjesht me spontanitet, por me një organizim serioz kërkimi e të mbështetur fuqimisht. Kjo kërkon edhe ndërgjegjësim, por edhe përgjegjshmëri më të lartë të klasës politike perëndimore, që ta përmbushë këtë nevojë tashmë historike. Presidenti francez Macron, në një deklarim të fundit të tij, pasi nënvizon se dëshiron që Rusia të qëndrojë në Këshillin e Europës, thekson qartë se, “Ne kemi rrënjë të përbashkëta, ne duhet të punojmë me projekte të reja si dhe në një model të ri ekonomik dhe social, i cili do të ndihmojë në përmirësimin e standardit të jetesës”.

Kjo deklaratë vërtet përbën lajm, sepse dëshmon se është kuptuar thelbi i vërtetë i problematikës komplekse që po përjeton modeli perëndimor dhe se cili është objektivi kryesor e i vërtetë që duhet përballuar. Është tregues për të vepruar tani e për të mos lënë që të bëhet vonë, me kosto të lartë e të vështirë për t’u përballuar. Pra, nuk është çështja që të mbyllen kriza e probleme të veçanta, të qetësohen disa situata të vështira e problematike ekonomike, politike e sociale, por të mundësohet një përmbajtje konkrete ndryshimesh esenciale, që saktë presidenti francez e përcakton model i ri ekonomik e social.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.