EKONOMI

Vasilika Vjero: Bizneset me shkelje, mbyllje aktiviteti 30 ditë

12:10 - 26.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Bizneset në zonat turistike që shkelin ligjin, duke fshehur të ardhurat apo duke mos deklaruar punonjësit, rrezikojnë mbyllje të aktivitetit për një periudhë 30 ditore në kulmin e sezonit. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, ka theksuar se administratat tatimore do të ketë zero tolerancë ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitet në kundërshtim me ligjin. Vjero bëri me dije se për bizneset e rregullta do të ketë reduktim kontrollesh, ndërsa për ato që ka të dhëna se janë problematike, do të ketë shtim të kontrolleve. Në të gjithë vijën bregdetare do të kontrollohen 20 mijë biznese.




Aksioni
Një pjesë e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonat bregdetare, vijojnë të punojnë në mënyrë të paligjshme, duke mos u regjistruar në organet tatimore, duke mos regjistruar punonjësit si dhe mos lëshuar kuponin tatimor. Fakti është bërë publik nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, e cila ka deklaruar, se administrata tatimore do të ketë tolerancë zero ndaj tyre, duke u mbyllur, gjobitur dhe kallëzuar penalisht për aktivitetin që ata kryejnë. “Dëshirojmë t’ju drejtohemi publikisht këtyre sipërmarrjeve për t’iu thënë se nuk do të ketë asnjë tolerancë nga administrata tatimore në funksion të zbatimit të ligjshmërisë së këtyre bizneseve deri në mbyllje të aktiviteteve të tyre për një periudhë 30 ditore çka do të dëmtonte realisht aktivitetin e tyre.

Sigurisht që ne nuk e dëshirojmë një gjë të tillë, por përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Ndaj zero tolerancë për këdo që mendon se mund të ushtrojë aktivitet të paligjshëm apo mendon se mund t’iu devijojë detyrimeve ligjore”,-tha Vjero. Vjero nënvizoi faktin, se gjatë sezonit turistik, shumë biznese kryesisht në zonat bregdetare, riaktivizohen dhe intensifikojnë veprimtarinë e tyre, në funksion të fluksit të qytetarëve. Sipas saj, kjo ka bërë që administrata tatimore të jetë gjatë gjithë kohës në terren, për të parandaluar subjektet e tilla që të ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke qenë se janë tërësisht jashtë kontrollit të institucioneve. “Ne, gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë ata tatimpagues, të cilët iu përgjigjën pozitivisht thirrjes sonë për t’u vetëkorrigjuar dhe për të vetëdeklaruar detyrimet e tyre. Kjo do të thotë deklarim i xhiros reale, pra si rrjedhim xhiro më e lartë, përdorim i kuponit tatimor, faturim i ndershëm. Të gjitha këto në funksion të nxitjes së konkurrencës së ndershme, regjistrim të numrit të të punësuarve dhe të pagesave të kontributeve për ta. Ndaj për këto sipërmarrje, të cilat tregojnë përgjegjshmëri në ushtrim e aktivitetit të tyre administrate tatimore do të vijojë të ketë një qasje shumë pozitive, duke reduktuar kontrollet tatimore për sa kohë ata do të vijojnë të vetëdeklarojnë dhe paguajnë rregullisht detyrimet. E kundërta do të ndodhë me ata tatimpagues, të cilët kërkojnë t’i fshihen administratës tatimore. duke krijuar së pari, një pandershmëri në konkurrencë e së dyti, duke shmangur detyrimet ligjore”,-tha Vjero. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, ftoi të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë në luftën kundër informalitetit, duke refuzuar pagesat nëse nuk iu jepet kuponi tatimor. Gjithashtu, çdo i punësuar mund të denoncojë raste të mospagesave të kontributeve për punën e kryer.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.