EKONOMI

Të dypunësuarit, detyrimet për kontribute dhe përfitimet

16:10 - 27.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Drejtoria e Tatimeve në vijim të trajtimit të rasteve të punonjësve ekonomikisht aktivë në më shumë se dy subjekte ka publikuar një buletin këshillues, si më poshtë, ku ka paraqitur raste të tjera të mundshme të personave të vetëpunësuar dhe punësuar në më shumë se dy subjekte aktive. Në rastin e parë kur personi fizik i vetëpunësuar është njëkohësisht edhe i punësuar te një punëdhënës (person juridik ose person fizik), ai duhet gjithashtu të paguajë kontributet edhe si i punësuar te ky punëdhënës. Për llogaritjen dhe deklarimin e kontributeve për personin e vetëpunësuar, i cili njëkohësisht është edhe punëmarrës te një punëdhënës tjetër kur paga mujore e të vetëpunësuarit si punëmarrës tek një tatimpagues tjetër është më e vogël se kufiri maksimal i pagës për kontributet shoqërore, tatimpaguesi punëdhënës (person juridik ose person fizik), ku i vetëpunësuari është i punësuar, bën të gjitha veprimet e llogaritjes dhe deklarimit të kontributeve njësoj si për gjithë punëmarrësit e tjerë sikur personi të mos ishte edhe i vetëpunësuar.




Pra, kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore llogariten dhe deklarohen mbi bazën e pagës reale, por jo më pak se paga minimale në shkallë vendi. Ndërsa për kur i vetëpunësuari, si i tillë, për vete, te personi fizik do të llogaritë dhe deklarojë kontribute shoqërore deri në kufirin e pagës minimale në shkallë vendi, në atë masë që shuma e pagës si punëmarrës dhe paga deri në kufirin minimal si i vetëpunësuar të mos kalojë kufirin maksimal të pagës për kontributet shoqëror. Në këtë rast tek emri i tij në rubrikën “Shënime” të të dhënave të listëpagesës shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë … te subjekti “x” me NIPT………”, si dhe ruan vërtetimin e tatimpaguesit ku është i punësuar. Për këtë rast, nga personi fizik, kontributi i sigurimit shëndetësor të të vetëpunësuarit për vete llogaritet dhe deklarohet mbi bazën e pagës minimale për kontributin e sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit, njësoj sikur i vetëpunësuari të mos ishte edhe i punësuar.

Ndërkohë për rastet kur paga mujore e të vetëpunësuarit si punëmarrës është sa ose më e madhe se kufiri maksimal i pagës për kontributet shoqërore, tatimpaguesi punëdhënës (person juridik ose person fizik), ku i vetëpunësuari është i punësuar, kontributet e sigurimeve shoqërore i llogarit dhe deklaron mbi pagën deri në nivelin e pagës maksimale për kontributet shoqërore. Kontributet e sigurimit shëndetësor i llogarit dhe deklaron mbi bazën e pagës bruto reale të të vetëpunësuarit si punëmarrës, pa kufi të sipërm të saj. Ndërsa në rastin kur i vetëpunësuari, si i tillë, për vete, te personi fizik nuk llogarit dhe nuk deklaron kontribute shoqërore, por te emri i personit, në rubrikat e vlerave të kontributit shoqëror të të dhënave të listëpagesës vendos zero, si dhe në rubrikën “Shënime” ky subjekt shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë maksimale te subjekti “x” me NIPT……….”, si dhe ruan vërtetimin e lëshuar nga tatimpaguesi që deklaron dhe paguan kontributet shoqërore në nivelin e pagës maksimale. Për këtë rast, nga personi fizik, kontributi i sigurimit shëndetësor të të vetëpunësuarit për vete llogaritet dhe deklarohet mbi bazën e pagës minimale për kontributin e sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit, njësoj sikur i vetëpunësuari të mos ishte edhe i punësuar. Në të njëjtën mënyrë, si rastet më sipër në pikën 9.3 për të vetëpunësuarin, veprohet edhe për punonjësin e papaguar të familjes, i cili punon e bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin, kur ai është edhe i punësuar në një punëdhënës.

Rastet e ortakërisë
Në rastet kur i njëjti person, ortak i vetëm, është i regjistruar si person juridik dhe paguan kontribute si i punësuar te shoqëria, por njëkohësisht është i regjistruar edhe si person fizik, për llogaritjen dhe deklarimin e kontributeve për vete veprohet si më poshtë: a) Personi juridik, kontributet e sigurimeve shoqërore, për ortakun e vetëm si i punësuar i shoqërisë i llogarit dhe deklaron mbi pagën bruto jo më pak nga paga minimale në shkallë vendi deri në nivelin e pagës maksimale për kontributet shoqëror. Kontributi i sigurimit shëndetësor llogaritet dhe deklarohet mbi bazën e pagës bruto të ortakut të vetëm si i punësuar, jo më pak nga paga minimale në shkallë vendi dhe pa kufi të sipërm të saj. b) Personi fizik, për të vetëpunësuarin për vete do të llogaritë dhe deklarojë kontribute shoqërore deri në kufirin e pagës minimale në shkallë vendi, në atë masë që shuma e pagës si punëmarrës te personi juridik dhe paga deri në kufirin minimal si i vetëpunësuar të mos kalojë kufirin maksimal të pagës për kontributet shoqëror. Në këtë rast te emri i tij në rubrikën “Shënime” të të dhënave të listëpagesës, shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë ……… te subjekti “x” me NIPT………”, si dhe ruan vërtetimin e subjektit ku është i punësuar. Për këtë rast, nga personi fizik, kontributi i sigurimit shëndetësor të të vetëpunësuarit për vete llogaritet dhe deklarohet mbi bazën e pagës minimale për kontributit e sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit njësoj sikur i vetëpunësuari të mos ishte edhe i punësuar.

Rastet me dy subjekte
Në rastet kur i njëjti individ ka të regjistruar në emër të tij dy tatimpagues persona fizikë me ose pa punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes, të dy tatimpaguesit bëjnë llogaritjen dhe deklarimin e kontributeve të të vetëpunësuarit për vete njësoj sikur i vetëpunësuari të mos ishte i vetëpunësuar në dy tatimpagues persona fizikë. Pra, secili prej tatimpaguesve persona fizikë, për të vetëpunësuarin, për vete, llogarit dhe deklaron kontributet e sigurimeve shoqërore mbi një pagë jo më të vogël se paga minimale në shkallë vendi e deri në atë masë sa që shuma e pagave te të dy personat fizikë të mos kalojë kufirin e pagës maksimale për kontributet shoqërore. Për këtë rast, nga secili personi fizik, kontributi i sigurimit shëndetësor të të vetëpunësuarit për vete llogaritet dhe deklarohet mbi bazën e pagës minimale për kontributin e sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit. Për rastet kur gjatë muajit, një person i regjistruar si tatimpagues person fizik (i vetëpunësuar), me ose pa punëmarrës, punon edhe si punonjës i papaguar i familjes, në një tatimpagues person fizik (i vetëpunësuar) i regjistruar në emër të familjarëve të tij, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht, të dy tatimpaguesit bëjnë deklarimin e personit në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse.

Personi fizik, ku i vetëpunësuari punon si punonjës i papaguar i familjes bën deklarimin, në drejtorinë rajonale tatimore, me të dhënat sipas rubrikave të deklaratës “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”. Personi i regjistruar si person fizik i vetëpunësuar, por edhe si punonjës i papaguar i familjes në një person fizik të familjarëve të tij, pasqyrohet në të dhënat e rubrikave të listëpagesës përkatësisht nga të dyja subjektet, por llogaritja dhe deklarimi i kontributeve kryhet vetëm nga personi fizik i regjistruar në emër të personit në fjalë, si më poshtë:

a (personi fizik, për të vetëpunësuarin për vete llogarit dhe deklaron kontributet e sigurimeve shoqërore mbi një pagë jo më të vogël se paga minimale në shkallë vendi e deri në kufirin e pagës maksimale për kontributet shoqërore.

Për këtë rast kontributi i sigurimit shëndetësor të të vetëpunësuarit për vete llogaritet dhe deklarohet mbi bazën e pagës minimale për kontributin e sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit.

b) Personi fizik tjetër, i regjistruar në emër të familjarëve, tek i cili i vetëpunësuari punon si punonjës i papaguar i familjes, tek emri i tij në rubrikat e vlerave të kontributit shoqëror dhe shëndetësor të listëpagesës, vendos zero dhe në rubrikën “Shënime” të listëpagesës bën shënimin “Punonjës i papaguar i familjes ka deklaruar kontribute te personi fizik “X” i regjistruar në emër të tij me NIPT……….”.

c) Për rastet kur punonjësi i papaguar i familjes (pjesëtari i familjes, që nuk trajtohet me pagë), që punon e bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin, gjatë muajit punon në dy tatimpagues persona fizikë, të regjistruar në emër të familjarëve të tij me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht, të dy tatimpaguesit bëjnë deklarimin e punonjësit të papaguar të familjes, me të dhënat sipas rubrikave të deklaratës “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”. Të dy tatimpaguesit në të dhënat e rubrikave të listëpagesës së kontributeve pasqyrojnë punonjësin e papaguar të familjes, por llogaritja dhe deklarimi i kontributeve kryhet vetëm nga njëri prej tatimpaguesve (person fizik) i regjistruar në emër të familjarëve të tij, në nivelin e pagës minimale, sipas përkatësisë për kontributet shoqërore dhe ato shëndetësore për të vetëpunësuarit. Tatimpaguesi tjetër (person fizik) tek emri përkatës i familjarit, në rubrikat e vlerave të kontributit shoqëror dhe shëndetësor të listëpagesës vendos zero dhe në rubrikën “Shënime” të listëpagesës bën shënimin “Deklaruar kontribute si punonjës i papaguar i familjes te personi fizik “x” me NIPT……….”.

d) Kur rezulton që kontributi shoqëror në total i paguar për të njëjtin person nga të dy tatimpaguesit është më i madh se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale për kontributet shoqërore për të punësuarit, atëherë për shumën totale të kontributeve shoqërore të paguara më tepër për punonjësin e punësuar në të dy tatimpaguesit, drejtoria rajonale tatimore, mbi bazën e kërkesës së tij me shkrim, bën rimbursimin e tatimpaguesit nga i cili punonjësi ka marrë pagën më të lartë. Ky tatimpagues bën rimbursimin e punonjësit për shumën totale të pjesës së kontributeve të punëmarrësit të paguar më tepër në të dy subjektet. Veprimet e rimbursimit të kontributeve duhet të pasqyrohen në versionin e listëpagesës me të dhëna të ndryshuara, të periudhës tatimore përkatëse, e cila i kërkohet dhe duhet të deklarohet nga tatimpaguesi përkatës. Kur të dhënat e listëpagesës janë dërguar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, atëherë versioni i listëpagesës me të dhënat e ndryshuara për kontributet i dërgohet edhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.