EKONOMI

Hiqen 41 licenca të pikave të këmbimit valutor

14:25 - 29.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Banka e Shqipërisë ka nisur kontrolle të njëpasnjëshme në zyrat e këmbimit valutor për shkak të informalitetit të lartë që ka ky lloj biznesi dhe raportimeve problematike që ata bëjnë në sistem për këmbimin e valutave. Banka Qendrore bën me dije se shumë pika të këmbimit valutor rezultojnë me risk të lartë në fushën e pastrimit të parave, ndërsa në vitin 2017-ë Departamenti i Mbikëqyrjes ka revokuar 41 licenca të këtyre zyrave, nga 8 që ishte numri i licencave të hequra në vitin 2016. Në total në vitin 2017 në territorin shqiptar operuan 426 zyra të këmbimit valutor, ku 10% e tyre janë pezulluar.




Kontrollet
Kontrollet janë përqendruar edhe në institucionet financiare ku 29 subjekte, mes tyre 4 banka, kanë rezultuar me risk të lartë. “Shkak për këtë – thotë Banka Qendrore – është bërë mosraportimi i transaksioneve”. Problematikat më të përhapura lidhen me justifikimin e transfertave bankare të kryera nga punonjësit e bankave, disponimin e dokumenteve që provojnë burimin e fondeve apo identifikimin e saktë të strukturës së pronësisë së bizneseve. Mësohet se Banka Qendrore është duke përgatitur edhe një rregullore të re lidhur me forcimin e marrëdhënies që kanë zyrat e këmbimit valutor me institucionet bankare dhe raportimin e saktë të transaksioneve që do të bëjnë me njëra-tjetrën.

Rregullat e reja
Banka e Shqipërisë ka forcuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen e tregut, duke bërë ndryshimet e nevojshme në rregulloren për parandalimin e pastrimit të parave. Fokusi i ndryshimeve ka të bëjë me përfshirjen në raportim të të gjithë subjekteve edhe pranë Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë pret që edhe gjatë këtij viti ndryshimet në sistemin bankar të lidhura me shitjen apo bashkimin e bankave të vijojë duke sjellë si efekt në fund të vitit më pak banka në strukturën e përgjithshme të tregut. Të gjitha këto detaje u bënë me dije gjatë prezantimit të Raportit të Mbikëqyrjes të vitit 2017 të Bankës së Shqipërisë. Mes të tjerave, ky institucion ka vënë theksin te prioritetet që do të ketë gjatë vitit 2018 të lidhura me rrezikun e kredisë me fokus kreditë me probleme dhe trajtimi i kredimarrësve në vështirësi financiare. Po kështu, përafrimi i mëtejshëm i kuadrit rregullator me Bazel III dhe finalizim i projektit për rregullimin dhe mbikëqyrjen e qeverisjes së bankave. Në fokus do të jetë edhe konsolidimi i sistemit bankar, vetëvlerësimi ekuivalencës së kuadrit rregullativ me direktivat europiane si dhe bashkëpunimi me Bankën Qendrore Europiane (nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit) apo monitorimi i efekteve nga standardet e reja të raportimit financiar përgatitja e ra-portimit financiar sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.