EKONOMI

Ulja e tatimfitimit nga 15 në 5%, bizneset që përfitojnë

16:20 - 29.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Ndryshimet e fundit që Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë në paketën fiskale duke ulur tatimfitimin nga 15 në 5% për fermerët që bashkohen në kooperativa, për bizneset e agroturizmit e ulja e tatimfitimit për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë pritet të ketë një efekt në zërin e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Ndikimin më të madh pritet ta ketë vendimi për tatimin e fitimit në 5% (nga 15 që është aktualisht) edhe për bizneset me të ardhura nga 8 deri në 14 milionë lekë. “Rritja e pragut nga 8 milionë në 14 milionë ka efekt -420 milionë lekë në grupin e tatimpaguesve që aktualisht tatohen me shkallë tatimi mbi fitimin 15%. Ndërkohë, ky ndryshim do të ketë efekt pozitiv si rezultat i rritjes së vetëdeklarimit nga tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të cilët do tatohen me shkallë tatimi 5% edhe për segmentin tatimpaguesve me një qarkullim vjetor prej 8-14 milionë lekësh. Efekti pozitiv i vlerësuar nga ky grup llogaritet në rreth +200 milionë lekë”, shkruhet në relacion. Reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor nga 15% në 5% nuk do të shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet, pasi aktualisht numri i SHBB-ve të regjistruara ka qenë minimal (30 të tilla), ndërkohë që kontributi fiskal në buxhet ka qenë i papërfillshëm. “Pritet që rritja e numrit të SHBB-ve dhe e volumit të punës së tyre do të çojë në rritjen e të ardhurave dhe rrjedhimisht edhe të kontributit fiskal”, vijon relacioni. Po ashtu, reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për sektorin e agroturizmit nga 15% në 5% nuk do të shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet, pasi numri i njësive agroturistike është minimal dhe pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruara si biznes i vogël. “Parashikohen efekte pozitive që nuk mund të maten nga zgjerimi ekstensiv i këtij biznesi si rezultat i incentivave të ndërmarra”, vijon relacioni.




Bujqësia
Sektori i bujqësisë përbën një ndër sektorët bazë të ekonomisë shqiptare. Zhvillimi dhe modernizimi i tij do të ketë impakt edhe në sektorë të tjerë prioritarë për vendin, sikurse është industria e turizmit, e cila e ka të nevojshme bashkëpunimin me një sistem bujqësor, që është në gjendje të garantojë furnizimin me produkte bujqësore dhe blegtorale në sasi, cilësi dhe kohë. Ndërkohë, një sektor bujqësor i kompozuar nga fermerë individualë me ngastra të vogla toke dhe prodhim minimal për treg nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e konsumatorëve dhe për më tepër, ato të një industrie siç është turizmi. Gjithashtu, është e vështirë që prodhuesit individualë të jenë faktor i rëndësishëm për rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore. Për këto arsye, është e domosdoshme që të rritet shkalla e kooperimit në bujqësi, një ndër format e të cilës janë shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Por, rritja e kooperimit të fermerëve dhe krijimi i këtyre shoqërive kërkon edhe stimuj nxitës. Në këtë kuptim, krahas masave të tjera nxitëse të sektorit bujqësor sikurse janë subvencionimet, investimet në kullim, ujitje etj., është e arsyeshme që nxitjes së kooperimit dhe krijimit të njësive të mëdha prodhuese bujqësore t’i shërbejë edhe një normë tatimi mbi fitimin e reduktuar për këto shoqëri. Gjithashtu, edhe vendet e tjera të rajonit përdorin incentiva dhe mekanizma të ndryshëm, me qëllim stimulimin e produkteve bujqësore të prodhuara dhe konsolidimin e prodhuesve vendës.

Agroturizmi
Në kuadrin e mbështetjes dhe stimulimit të sektorëve dhe industrive prioritare të vendit, sektori i agroturizmit do të jetë gjithashtu një ndër prioritetet e vendit, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës. Parë në këtë këndvështrim, iniciativa e ndërmarrë synon të nxitë krijimin dhe rritjen e këtij biznesi, i cili pritet të ofrojë akomodim, ushqim, çlodhje, argëtim dhe veprimtari të tjera të lidhura me fermën bujqësore. Projektligji parashikon për këtë kategori biznesesh normë të reduktuar të tatimit mbi fitimin prej 5%. Legjislacioni i fushës së turizmit ka parashikuar agroturizmin si kategori të veçantë të tij, ndërkohë që vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar kriteret për licencimin e operatorëve “agroturistikë”. Norma e reduktuar e tatimit mbi 2 fitimin 5% për këtë sektor shoqërohet gjithashtu me incentiva lidhur me normën e reduktuar të TVSH-së dhe përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Bizneset e vogla

Bizneset e vogla ngurojnë për të deklaruar xhiron reale, pasi nëse kjo xhiro është 7,9 milionë, ky biznes paguan 5% tatim mbi fitimin neto të tij dhe nëse xhiroja e tij do të rritet në 8,1 milionë, ai paguan jo 5%, por tri herë më shumë, 15% tatim mbi fitimin. Pikërisht, për të shmangur këtë problem, po prezantojmë rishikimin e pragut dhe të ngarkesës fiskale të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, duke synuar që pragu 8 milionë lekë të rritet në një kufi të arsyeshëm 14 milionë lekë në vit. Gjithashtu, ky propozim synon të lehtësojë ngarkesën fiskale për një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish, afërsisht 10.800, që aktualisht bëjnë pjesë në kategorinë me të ardhura mbi 8 milionë dhe i nënshtrohen shkallës së tatim-fitimit 15%. Referuar parashikimeve të propozuara tatimpaguesit me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë do t’i nënshtrohen një shkalle tatimfitimi prej 5%. Pra, në tërësi synohet të lehtësohet kategoria e biznesit të mesëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.