OPINION

Anëtarësimi në BE, si lexohet jashtë propagandës së partive

07:30 - 30.06.18 Përparim KABO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dikur një politikan relevant shqiptar pat thënë se Shqipëria mund të pranohet në BE në 100-vjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, pra do i takonte diku nga ditët e para të nëntorit 2018. Ne pritëm gjatë ditëve të qershorit 2018 në kuadër të 140-vjetorit të Kongresit të Berlinit duke besuar në atë që njihet prej ca vitesh si procesi i Berlinit. Përgjigjja erdhi. Shihemi nga qershori i 2019-s!




Palët politike tashmë të ndara e në armiqësi do të vrapojnë ta lexojnë njëra si një fitore se hapja e negociatave është kryer dhe vetëm është shtyrë në kohë për një vit-qershor 2019. Pala tjetër do e lexojë situatën si një kohë për anarki me qëllim sulmin ndaj qeverisë aktuale dhe asfiksimin institucional të vendit duke bllokuar proceset reformuese nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtar, pa çka që edhe këta ndryshime janë duke ecur aq avash sa të duken si të pamundur të kryhen si duhet dhe kur duhet.

Ne si qytetarë të këtij vendi duhet të lexojmë me mendje të kthjellët dhe me atdhedashuri përgjigjen e BE-së me qëllim që Shqipëria, atdheu ynë ta meritojë futjen në BE, ndaj le t’i shohim kushtet e BE-së

1-Reforma zgjedhore: Leximi i parë, përgjegjësia është e atyre që e hartojnë reformën, forcat politike dhe aprovimi në parlament. Leximi i dytë, përgjegjësia është e klasës politike. Përfundimi: Nuk morëm përgjigje pozitive, sepse sistemi zgjedhor nuk ka dhënë garanci të një demokracie funksionale dhe për pasojë institucionet janë të kapura deri nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit. Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë nuk japin garanci. Përgjegjësia mbetet e klasës politike.

2-BE-ja kërkon luftën kundër krimit të organizuar. Po çfarë do të thotë krim i organizuar? Organizatat kriminale të trafiqeve, të pastrimit të parave dhe akteve të rënda kriminale që veprojnë në një treg lokal, rajonal dhe global, kanë shtënë në dorë segmente të shtetit dhe pushteteve, duke siguruar autoritet vendimmarrës dhe mundësi që të veprojnë jashtë kontrollit ligjor e policor. Ata që janë në shtet dhe i ndihmojnë e bëjnë këtë krim të quhet i organizuar. Përfundimi: Përgjegjësia është e institucioneve, organeve ligjzbatuese, atyre të taks-tatimeve, bankave dhe medias.

Kushti tjetër i BE-së. 3-LUFTA KUNDER KORRUPSIONIT. Pra, kemi një sistem korruptiv që ka kapur drejtësinë, e cila është futur në proces vetingu me ritmin e breshkës dhe duhen 10 vite të mbyllet. Kemi klasë politike me pasuri të pajustifikuar dhe një popull që varfërohet duke krijuar një shoqëri me një polarizim ekstrem, vërtetuar kjo gjendje edhe nga institucione prestigjioze ndërkombëtare. Përfundimi: Sërish përgjegjësia bie te klasa politike, te qeverisja, organet e drejtësisë dhe ato të hetimit inteligjent.

Kryepërfundimi. Pyetja e thjesht e para dhe e fundit, qershor 2018-qershor 2019, a mund të kryhen këto detyra shtëpie te ne me këta institucione dhe me këtë klasë politike që kemi? Unë them jo. Pranoj mendim alternativ, por me argumente bindëse dhe jo me entuziazëm që e shtyn procesin mbase në një kohë pa shifër. Historia vazhdon.

Integrimi në BE, prona te i zoti legjitim, jo te hajduti dhe antiligjori.

A funksionon marrëveshja e besimit në vendin tonë? Pra, a ka një besim reciprok mes qytetarit dhe shtetit. John Lock thoshte se që besimi të funksionojë kërkon respektimin nga qeverisja e tri lirive: liria e jetës, liria e pronës dhe liria e shprehjes. Në kuadrin e anëtarësimit të vendit tonë në BE më së fundi zyra e BE-s në Tiranë para ndoca ditësh u zgjua edhe për problemin e pronave. Shkurt çelja e negociatave dhe pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon në mënyrë taksative që prona të shkojë te i zoti sipas parimit universal që vjen që nga Dhjata e Vjetër, ku shkruhet se ”Prona është 9/10 ligj dhe 1/10 aset. Juridikisht prona trashëgohet dhe kjo provohet ligjërisht. Prona shitet dhe blihet dhe kjo bazohet në procedura ligjore korrekte. Prona falet dhe ky akt duhet të verifikohet dhe provohet ligjërisht

Te ne në mënyrë anarkike është shtuar edhe një mekanizëm tjetër unikal i paparë dhe padëgjuar askund dhe në asnjë kohë. Prona zaptohet apo vidhet më saktë, dhe legalizohet po nga shteti. Tek ne shteti që nuk është pronar sillet si i tillë, dhe në vend që t’ia kthejë tokën të zotit legjitim, ia jep klientit privat me koncesion dhe ai atje lanë paratë dhe ndërton në pronën e tjetrit, si të thuash ia grabit ditën për diell me bekimin e ligjit dhe të madhit… Maliqit…!

Le t’i shohim çështjet më radhë, një e nga një…

1-Ligji nr. 7501. Në hyrje të ndryshimeve ekonomike dhe sociale në vitet 90-të ky ligj u shpreh për dhënien e tokës atyre që plotësonin këto kushte…a) Personi banon në fshat, b) Ka gjendjen civile në fshat, c) Merret dhe jeton me bujqësi…Leximi i parë…Po kur personi ka ikur nga fshati? Leximi i dytë. Po kur personi nuk ka më gjendje civile në fshat ose e ka atë formalisht? Leximi tretë, po në rastin kur personi ka ikur dhe jeton ose në qytet ose fare jashtë Shqipërisë, pra as që nuk merret me veprimtari bujqësore? Si duhet vepruar me ligjin pa objekt dhe pa subjekt?!

Pra, në këto kushte ligji 7501 nuk mund të funksionojë, sepse ka rënë përmbajta sociale dhe juridike e tij sa kohë që ky është një ligj që shpreh në thelb raportin e individit me tokën. Ligji institucionalisht nuk funksionon ose mbahet me paterica në kundërshtim me kushtet juridike e sociale dhe praktikisht është shfuqizuar pikërisht nga ata që përfituan prej tij. Kështu si mbahet ky realitet është shkelje e ligjit. Por kur ligji shkelet ka penalitete për shkelësin…Pra, nëse dikush grabit, ai shkel ligjin dhe shkon në burg ose merr një dënim alternativ se p.sh. ka vjedhur energji elektrike…Po kur shkel ligjin dhe mban tokën e tjetrit pse nuk kërkohet drejtësi, pse nuk dënohet ai që e kryen këtë shkelje ligjore?! Analiza duhet të jetë rast për rasti jo për të legalizuar informalitetin si u bë këtu te ne, por rast për rasti që ai që ka shkelur kërkesat e vetë ligjit ta humbi pronësinë mbi tokën dhe ajo t’i kthehet pronarit të ligjshëm!

2- Kthimi dhe kompensimi pronave…Si funksionon? A zbatohet barazia e qytetarit para ligjit? Ja të arsyetojmë. Nëse brenda trungut familjar djali xhaxhait tënd e ka marrë pronën me kompensim fizik të plotë bazuar në ligjin e mëparshëm, ndërsa ti s’e ke marrë ende dhe, bazuar në ligjin e ri aktual, toka do të konvertohet në vlerë në bazë të zërit kadastral dhe falë një transaksioni imagjinar që e bën shteti me pronën tënde pa qenë pronar i saj, në fund po shteti vlerën ta kthen në pasuri fizike; pra po tokë, por jo sa të kanë lënë të parët e tu, por aq sa të llogarit shteti d.m.th. më pak. Në këto rrethana bazuar në të njëjtën Kushtetutë ka dy qasje dy realitete dhe jo barazi para ligjit: njëri e merr të plotë, tjetri një çyrek!

Leximi parë. Nëse tokën time ti, komision administrativ dhe jo kuazi-ligjor si gjykatë, pra Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e kalkulon nga tokë në vlerë dhe nga vlerë tregu sërish në tokë, a mund të më thuash: Kush ta ka kërkuar që të më bësh këtë transaksion? Unë si qytetar jo! Leximi dytë, ti, Komision i Kthimit dhe Kompensimit të pronave që me ke bllokuar pronën dhe nuk dihet kur do ma çlirosh, a mund të më përgjigjesh për një pyetje: Nëse ke të drejtë të më llogarisësh vlerën në raport me kërkesë ofertën e tregut sot dhe të më japësh aq sa llogarit ti, Po unë si qytetar pse s’kam të drejtë të llogaris fitimin e munguar për mos kthim të pronës prej 25 vjetësh?! Edhe unë dua të më llogaritet në vlerë dhe të më transkriptohet në tokë fizike. Po ta bëjmë këtë llogari jo që do ma kthesh të gjithën tokën që kam trashëgimi, por jam me bindjen se edhe më shumë do rezultojë!

Përfundimi. Ja pra se integrimi Shqipërisë në BE nuk është thjesht çështje 28 qershori 2018 apo 2019…Pa pronën private te i zoti legjitim Republika e Shqipërisë është një shtet jo normal dhe jashtë demokracisë përmes ligjit. E përsëris: Prona 9/10 është ligj dhe 1/10 është asset dhe jo si te ne 9/10 është Maliq dhe 1/10 mere me lëng se mishi u mbarua!!!

Në çdo rast kur flitet për detyrat e shtëpisë së Republikës së Shqipërisë dhe plotësimin e kushteve në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, nuk mungon kërkesa për ndërtimin e një administrate të qëndrueshme, profesionale, të depolitizuar, kompetente dhe në shërbim të publikut, e pa molepsur me korrupsion. Një administratë europiane, e cila në qendër të punës së saj ka qytetarin dhe interesin publik. Ky kusht konstant me gjithë ndonjë ndryshim sipërfaqësor, gjatë gjithë tranzicionit është në gjendje shumë mjerane. Njerëzit herë-herë gënjehen me formën e shërbimit që fal teknologjisë mund të shkurtojë kohën dhe procedurat, por në thelb ne kemi një administratë që karakterizohet:

1-Nga rekrutimet partiake, nepotike dhe korruptive. 2-Ne kemi një administratë që drejtohet që nga nivelet më të larta nga inkompetentë, nga persona pa stabilitet dhe që drejtojnë me një frymë komandimi të tipit otomanist(rituali i kokës së prerë). 3-Administrata jonë, sidomos ajo e larta e ekzekutivit gjatë gjithë tranzicionit është dalluar negativisht për paqëndrueshmërinë ligjore. Çdo ministër që hip në fuqi, gjënë e parë që bën është ndryshimi i ligjit organik të institucionit me qëllim rritjen e kompetencave personale, sigurimin e një kontrolli absolut mbi gjithçka dhe mbi këdo si dhe sigurimin me shteg ligjor dhe administrativ të kanalit ku kalojnë fondet monetare, të cilat pa më të voglin dyshim duhet të derdhen edhe në “thesin e tij apo të saj”. Kështu, këta “sans culotte” sa hap e mbyll sytë përfundojnë me vila dhe me pasuri përrallore. Si të tillë ata krijojnë shembullin dhe shpurën që i ndihmon të rrjepin pa dal në shesh duart e tyre “të pastra”. 4- Në administratën tonë nuk ka klimë meritokracie, sepse drejtuesit më të lartë madje dhe brenda vetë partive janë mediokrit. Ja p.sh. shikon sekretarin e përgjithshëm të PD-së dhe të PS-së. Si të tillë ata duan dhe mbledhin rreth vetes njerëz me kulturë mesatare, persona me njolla në jetën e tyre me qëllim që t’i përdorin nën trysni, si dhe shërbëtorët e padenjë që dinë të thonë vetëm “yes sir” pra servilët në disa breza. (ja se ç’më shkruan në inbox një ish-studentja ime, e paraqes integralisht): Shumë e vërtet profesor! Çfarë administrate kemi ne e provova mbi lëkurën time. Nuk pranova të firmos për një rast korruptiv, pa procedurë, në shkelje të ligjit për një kontratë me qindra miliona dhe sot jam e papunë. Kam fituar gjyqin në shkallë të parë, tani jam në Apel, por kur marrin vesh arsyen e largimit nga puna (se kundërshtova urdhrin e paligjshëm të titullarit) kanë frikë të më marrin në punë. Kjo është Shqipëria, për të cilën jam penduar që u riktheva.” Ajo studioi në Norvegji dhe u kthye për të kontribuar! Zhgënjimi ka peshë të rëndë dhe shije të hidhur.

Individët e zotë, ata me kurajë dhe me personalitet, ata që kanë vizion dhe ide, që ndërtojnë dhe sendërtojnë plane dhe projekte largpamëse, që nuk zbatojnë urdhrat korruptiv, para ata që prishin qetësinë e kënetës, ata dhe ato nuk na duhen në administratë. Atyre duhet t’u mbyllet goja dhe a ka mundësi t’i mbajmë sa më larg, t’u krijojmë një gjendje stresante, një lloj frike dhe paragjykimi, ti atakojmë dhe denigrojmë. Shkurt t’i përzëmë që ta lënë punën dhe pastaj kokën le të përplasin ose andej nga shoqëria civile ose të marrin “rrangullat në krah dhe të sikterisen andej nga Kanadaja apo Amerika.

5-Sjellja ndaj administratës në të gjitha nivelet është mbytëse. Atë që ta jep ligji nuk ta lë spahiu. Atë që ta njeh Kushtetuta nuk të lë ta ushtrosh pashai. Dhe atë që ta njeh rangu zyrtar ta merr si pa të keq eprori më i lartë apo deputeti i zonës që sillet si sherifi zonës.

6-Administratës sonë i mungon vijueshmëria. Çdo institucion kur akreditohet vlerësohet nëse ka një qëndrueshmëri në stafin e vet. Apo njerëzit ndërrohen sipas stinës politike dhe tek ne edhe sipas motit kapriçioz brenda stinës me tipare të koloritit shumëngjyrësh politik në rastet kur drejtohet në koalicione partiake. Tek ne faturinot dhe shoferët bëhen deputetë, anglishtfolësit merren me ministrinë e rrugëve, artistët me ekzekutivin, mjekët drejtojnë botën globale, ata që s’kanë punuar as një ditë në punë shteti bëhen kryeministra. Vetëm ekonomistët, politologët, filozofët dhe inxhinierët nuk pyeten, sepse ata nuk i duhen punëve të shtetit. Ne jemi një shtet që drejtohemi nga gjysmakët, nga anonimët dhe nga të paaftët, që dinë shumë mirë vetëm të zhvatin.

7-Si ndërtohet një administratë? A ka përvoja që mund të merren? Po ka. Aspektin shkresor dokumentar e kemi pasur shumë serioz edhe në mbretëri dhe në diktaturë. Por me që duam të bëhemi shtet modern pa u bërë shtet normal është me vend që të kemi ca pika referimi. Shkencërisht le t’i referohemi Max Weberit…(inshalla ndonjë zyrtarë yni ja ka dëgjuar emrin dhe ka lexuar ndonjë libër të tij, sepse është themeluesi i sociologjisë moderne), i cili ka nënvizuar se një administratë moderne duhet të ketë në strukturën e vetë: Menaxherët e karrierës-(lexo administratorët me përvojë të gjatë pune dhe eksperiencë profesionale. Politikanët që përgatiten duke kaluar nga shtegu i menaxherëve me karrierë (tek ne pa të dërsirë mustaqja të marrin të prokurosh miliona pastaj të fusin një shkelm të ndenjurave dhe të hedhin në rrugë, ose të gjejnë në askund dhe të japin një detyrë vetëm e vetëm që të të përdorin. Politikanët tanë në këta 28 vite janë të frikshëm, sepse vijnë nga asgjëja dhe bëhen drejtues të lartë pa as një lloj kontributi dhe merite që mund të bindin se ai apo ajo japin garanci së paku për kompetencë. Dhe struktura e tretë janë eruditët, që në administratën tonë mungojnë në mënyrë absolute. Mungojnë Think tank-et dhe institutet kërkimore. Sa keq. Pa dashur të absolutizojë por dikur kishim elita shkencore, inxhinierike, mjekësore, bujqësore dhe veterinare, gjeologjike dhe gjeodezike, ushtarake dhe artistike, albanologjike dhe filologjike që nisën të ndërtoheshin që në kohën e mbretërisë duke u shkolluar jashtë vendit dhe që vijuan edhe në përudhën e diktaturës. Tani kemi me kokrra ca që kanë studiuar jashtë dhe janë kthyer, por elita nuk kemi. Administrata jonë nuk mund të ndërtohet sa kohë që ka spastrime ciklike, sa kohë që çdo parti politike ka ushtrinë e vet administrative dhe çdo hierark ka shpurën e tij; sa kohë që njëri thotë kush nuk mban ritmin lë vendin e punës dhe e zbrazi në 2005-n administratën dhe tjetri flet për Shqipërinë e gjeneratës së re dhe e ka lënë atë pa specialist. Ne do jemi pa administratë funksionale të besueshme dhe në shërbim të qytetarit dhe interesit publik,përpos pa dalë nga fryma otomane dhe sa kohë do mungojë kultura europiane si dhe pa e siguruar vendin e punës me ligj dhe jo me Maliq. Nuk ka mundësi të ngremë një administratë të tipit dhe fizionomisë europiane pa kulturë europianiste. Shteti normal kërkon ligje dhe zbatim të tyre institucionalisht. I duhen njerëz të zotë dhe të përkushtuar, administrata ka nevojë për konkurrim meritokratik dhe për hierarki vlerash. Shteti ndërtohet nga politikanë të besueshëm. Siç thoshte Meh’di Frashëri: Shqipëria do bëhet kur të mënjanojë nga drejtimi ata që merren me dokrra dhe do të shpjerë në litar hajdutët.

Udhëtimi qenka i gjatë. Historia vazhdon…!


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. I nderuar profesor antropolog. E lexova me vëmendje shkrimin tuaj dhe nuk i heq asnjë presje atij, por më vjen keq ta them por mu duk se ai është një leksion i shkëlqyer për studentët në auditor. Problemet që ju shtroni bukur, gjithkush (më mirë të themi ata që i kuptojnë) i di, disa i kanë hequr edhe në kurriz, si ajo ish studentja jote (e ardhur nga studimet në Norvegji), por edhe nga unë, pothuajse në gjithë problematikën e ekspozuar nga ju, pa përjashtuar të dy periudhat para dhe pas vitit 1990. Por jam me ju, duhet të mbetemi tek e sotmja dhe ku do të shkojmë. Parë thjesht gjithë shqetësimin tuaj, lin vetiu pyetja: po mirë gjithë këto konstatime dhe pyetje që lindin logjikisht, cilat do të ishin përgjigjet dhe më pastaj zgjidhjet. Më duket se më shumë kemi nevojë për këto. Historia na ka mësuar se kur një shoqëri kalon një tranzicion (si ne) me shumë probleme të vështira, koha, shoqëria nxjerr reformatorët e saj të mëdhenj (Martin Luter, Napoleon, Ataturk, baballarët e Amerikës etj) a ka ‘sy për qabe’ të ndodhë kjo tek ne?! Jo skeptik, por jam i zhgënjyer. Do të jetë rrugë e gjatë ajo drejt një normaliteti, i cili mund të arrihet vetëm me një shtet të së DREJTËS, të cilin ju me shumë të drejtë e adresoni edhe me referencat relevante. Në të gjithë analizën tuaj, ju theksoni se nga do që ta vërtisësh, problem është politikadhe prapë politika. Po del pyetja vetiu. Kush e pjell atë? Nuk jepet dot përgjigje aq sbkurt sa dhe pyetja, por mu për këtë duhet një analizë apo studim nga ju intelektualët e fushës, sociologji, antropologji, filozofi etj. Se bie fjala, politika dje, sot dhe nesër, ashtu ka dashur do e do të dojë, sepse ashtu i intereson. Cilat forca e largojnë? Për mua është pyetje e vështirë, por ju intelektualët e nivelit të lartë mund ta jepni. Unë me nivelin tim psh. do të thoja se politika jonë është produkt i shoqërisë tonë. Por me që shiqëria jonë do ndoshta dhe një shekull të arrijë standartet e shoqërive moderne. Na pret puna? E shikoni ju dhe kushdo nivelin e parlamentit tonë, ai ‘mexhlis’ nga ku ka buruar dhe buron gjithçka për jetën tonë. Të vjen keq, por edhe turp që jetojmë nën arogancën e këtij forumi më të lartë të Shtetit, sepse prej aty burojnë ligjet që na qeverisin e duhet të na japin drejtësi. Si bëhet?! Thashë më lart që vetë jam mosbesues, duke iu referuar zgjidhjeve afat shkurtëra ndoshta dhe afatmesme, por jo afatgjata. Sepse dy zgjidhje edhe mund të jenë: E para presion i gjithanshëm ndaj politikës, si nga brenda, ashtu dhe nga jashtë. Nga brenda do të duhet ta bëjnë intelektualët dhe mediat, të cilat mund të fokusohen drejt më kollaj, se ta zemë populli/elektorati që ka në dorë votën dhe atë një herë në katër vjet, por që e jep ashtu si e jep. Ama jo intelektualët dhe mediat që hanë një me këta politikanë e këtë politikë, prej 27 vjetësh. Jepeni profesor ju këtë kontribut. Ngrini një forum me burra (bile me tre ‘r’) të mençëm ashtu siç jeni, të paanshëm e të sakrificës deri në sakrifica sublime, si Xhordano Bruno, por aman, jo si Galileo Galilei, nën zë me një “et pursi muove”, siç ndodh përditë e kudo, duke bëlbëzuar “ka probleme, por…”. Sot me keqardhe, por duhet thënë se, bërja palë e intelektualëve dhe mediave, sipas kampeve politike, për interesa nga më të pështirat, është lodhësr dhe e neveritshme. A mund të ndryshojë situata? Po! Me shumë vendosmëri dhe atdhedashuri. E dyta është faktori i jashtëm. Edhe ai historikuiht, me keqardhje duhet thënë, që më shumë na ka dëmtuar se ndihmuar. Por mendoj se kohët kanë ndryshuar, për fat. Presioni dhe ndihma e tyre për reformimin e drejtësisë duhet të vazhdojë me më seriozitet dhe pjesmarrje aktive (ka zëra që shkojnë deri aty, sa për nja 10 vjet të kemi në institucionet kryesore të drejtësisë, të huaj) por gjithsesi drejtësia është njera anë. BE ka problemet e veta, po pavarësisht tyre, ne nuk jemi realisht gati për të qenë pjesë e familjes së tyre. Loja e tyre diplomatiko-politike e ka brenda arsyen se pse na mbajnë as afër e as larg. Në këtë kuadër presioni i tyre ndaj nesh si shoqëri dhe ndaj politikës, duhet të jetë premanent dhe vazhdimisht në rritje. Duhet ta kuptojmë se kuptuarja e Europës si një lopë që duget mjelë, në kuptimin material dhe subjektiv (çdo krah politik do të përfitojë prej saj për interesa të veta). Të dy këto opsione, jo të panjohura, duhet të jenë në fokusin e përditshëm të punës së intelektualëve dhe figurave me prestigj në media. Do t’i shërbejnë kësisoj, sidomos elektoratit, që duhet thënë në Shqipëri është një elektorat më shumë militant. (Këta na bëjnë peshqesh çdo katër vjet këta politikanë), por më shumë duhet synuar elektoratin gri, atë të zhgënjyerin, e cili harron postulatin amerikan që: “Ata që nuk votojnë ose votojnë pa “mend”, do të qeverisen nga ata që votojnë si militantë. Profesor ju jeni një njohës i mirë edhe i futbollit dhe e dini mirë psikologjinë e tifozit, enthusiazmin e tyre për skuadrën e zemrës, edhe kur ajo humbet dhe luan dobët e shëmtuar.

    Përgjigju ↓