EKONOMI

Kreditë e këqija, rinegocim pas 60 ditë vonesë në pagesën e këstit

14:15 - 03.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kredimarrësit që nuk shlyejnë brenda 60 ditëve këstin e kredisë do të kenë mundësinë të rinegociojnë termat, por kjo mund të realizohet vetëm me pëlqimin e bankës që ka dhënë huanë. Kjo është vetëm një pikat e rregullores së Bankës së Shqipërisë, e cila ka për qëllimin uljen e nivelit të kredive të këqija. Rregullorja parashikon që, për kredimarrësit më vonesë me mbi 60 ditë, bankat mund të nënshkruajnë marrë-veshje bashkëpunimi për trajtimin e përbashkët të rastit. Pjesëmarrja e ban-kave në marrëveshje nuk është e detyrueshme, por rregullorja parashikon që Banka e Shqipërisë mund të ndërmarrë masa kufizuese ndaj atyre bankave që refuzojnë të bashkëpunojnë. Kredimarrësit që kanë ekspozim në më shumë se një bankë, për të paktën 100 milionë lekë do të jetë subjekt i rregullores së re të Bankës së Shqipërisë për trajtimin jashtëgjyqësor të klientëve në vështirësi financiare. Kjo rregullore do të jetë thelbi i qasjes së ashtuquajtur ‘Tirana Approach’, që parashikon një kuadër për trajtimin e bashkërenduar të bizneseve që janë huamarrës në disa banka.




Kështu, Banka e Shqipërisë mund të vendosë objektiva specifikë për uljen e kredive me probleme ose të kërkojë një normë më të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat që nuk marrin pjesë në marrëveshje ose që pengojnë arritjen e objektivave të përbashkëta. Procesi i vendimmarrjes së përbashkët do të menaxhohet nga vetë bankat pjesëmarrëse, përmes strukturave të posaçme, mbledhjeve dhe shkëmbimit periodik të informacionit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të ketë një rol monitorues. Zgjidhjet që mund të ndërmerren në kuadrin e marrëveshjes do të jenë ristrukturimi i kredive, dhënia e financimeve shtesë për të forcuar qëndrueshmërinë e biznesit, përfshi këtu edhe konvertimin e borxhit në kapital, por edhe shitja e aseteve apo aktiviteteve të veçanta të biznesit debitor. Rregullorja në fjalë do të ketë një kohëzgjatje dyvjeçare, deri në qershor 2020 dhe është hartuar kryesisht në funksion të menaxhimit të disa prej kredive ekzistuese problematike në segmentin e korporatave.

Institucionet financiare
Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jo banka ishte 12% në fund të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues ngeli i qëndrueshëm edhe për vitin e kaluar. Raporti i kredive me probleme ishte pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me një vit më parë dhe ngelet më i ulët në raport me sistemin bankar. Ndryshe nga sistemi bankar, institucionet financiare jo banka kanë një ritëm më të lartë të rritjes së portofolit të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë së këtyre institucioneve u rrit me 16% gjatë vitit të kaluar. Rritja e kredisë së re ndihmon në mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme, që historikisht për institucionet financiare jo banka ka qenë më i ulët. Kjo lidhet kryesisht me tipologjinë e produkteve. Institucionet financiare jo banka japin kredi mesatarisht më të vogla krahasuar me bankat, të adresuara kryesisht te individët dhe bizneset e vegjël dhe mikro. Kjo iu mundëson një shpërndarje më të mirë të rrezikut kreditor. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin e kaluar fitimi i institucioneve financiare jo banka arriti në rreth 1.16 miliardë lekë, në rënie të lehtë krahasuar me vitin 2016.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.