OPINION

Salvini nuk na urren sa Lulzim Basha!

09:54 - 04.07.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Matteo Salvini ka treguar me gisht në ajër, disa nga armiqtë e tij hipotetikë në Itali, ndërsa Lulzim Basha e ka drejtuar gishtin e tij nga Shqipëria. Dhe me siguri duhet të jetë vënë në siklet, nëse ja kanë treguar.




Ministri i Brendshëm populist italian po shpik një Itali mafioze për të pasur sebep për luftë, ndërsa kryetari i opozitës së Shqipërisë, i ka vënë në dispozicion vendin e tij si vend mafioz dhe narkoshtet, që ai ta ketë luftën me ne.

Lulzim Basha ka tentuar të bjerë në sy të të gjithëve, duke e cilësuar Shqipërinë një narko shtet që është mbështetur nga gënjeshtrat e djeshme të Italisë para Salvinit dhe e quan këtë të fundit një shpresë të ndryshimit. Është rasti tipik kur Salvini duhet të jetë ndjerë keq nëse e ka lexuar, pasi i vetmi që ka mbështetur deri tani rraha-gjoksin e tij është një nga të huajt që ai urren, një shqiptar inferior, që është gati t’i ofrojë vendin e tij si “mish për top” në shenjë urrejtje ndaj pafuqisë së tij për ta drejtuar këtë vend.

Ndërsa Salvini flet për punët e vet në Itali, një politikan nga bregu përballë, e fton të merret me Shqipërinë, pasi e konsideron të përkëdhelur nga qeveritë e mëparshme italiane që kanë mbështetur integrimin e Shqipërisë në Europë.

Në këtë histori, më pak se çdo gjë tjetër vlen të qënurit e Lulzim Bashës kundër Shqipërisë. Edhe pse kjo është shumë e ndjeshme për një politikan, në këtë rast është e keqja më e vogël.

Në këtë histori gjëja më e shëmtuar dhe e neveritshme është fakti që Lulzim Basha pret si një peshkatar i lodhur buzë lumit çfarë kufomash të sjellë rrjedha, për t’i përdorur ato. I paaftë deri në neveri, pa asnjë ide për të ndryshuar situatën e opozitës në vend, ai mendon se shpëtimi vjen nga çdo gjë e ndyrë raciste, poshtëruese dhe fyese ndaj Shqipërisë, që mund të dëmtojë qeverinë. Kjo s’ka të bëjë me inatin e tij me Shqipërinë, por me faktin se ai nuk e ka me vete Shqipërinë. Dhe si të tillë, është gati ta bëjë mish për top për Salvinin, i cili kushedi sa në siklet është vënë prej kësaj deklarate.

Në ligjërimin politik të Lulzim Bashës, kohët e fundit ndjehet përditë e më shumë një inat me shqiptarët, me shoqërinë, me njerëzit që nuk e mbështesin, me një Shqipëri që nuk e beson. Dhe gjithë ky mllef i lëshuar është pikërisht për këtë. Salvini ka zgjuar brenda Lulzim Bashës gjithë mllefin dhe inferioritetin e tij si njeri që nuk e besojnë në Shqipëri, dhe kërkon një aleat të huaj, qoftë ky dhe një populist racist, që t’i bëhet aleat në urrejtjen e tij kundër shoqërisë së vet.

Kjo është diçka shumë më e rëndë se sa Lulzim Basha të dalë e të shajë Shqipërinë, siç mund të ankohet rëndom dikush nga qeveria. Kjo është përtej kësaj. Lulzim Basha është i mllefosur me Shqipërinë dhe kërkon hakmarrje ndaj Shqipërisë, që nuk e beson.

Për fat, Matteo Salvini nuk e ka përkrahur ende mesazhin e Bashës. Nuk e ka konsideruar ende vendin si armik të tij që duhet ta vëjë në shënjestër të luftës .

Disa kohë më parë, kur ishim vend kandidat per BE, Salvini ishte i egër kundër Shqipërisë, sa i përket mundësisë së hapjes së marrjes se statusit. Ai deklaroi se nëse Europa i pranon shtetet si Shqipëria, ne të tjerët duhet të dalim. Kjo është gjëja më e rëndë që ka thënë Salvini deri tani për Shqipërinë. Por edhe pse ka thënë një gjë të rëndë kundër Shqipërisë, ai sot ka heshtur ndaj deklaratës servile, të pështirë, dhe malinje të Lulzim Bashës, i cili mendon se ka gjetur armikun e duhur të Shqipërisë, për ta bërë aleat të vetin, me shpresë se do ta shpëtojë nga dështimi. Por Matteo Salvini akoma nuk i ka dhënë shpresë. Nuk na urren sa Lulzim Basha.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Basha mund te urrej ty dhe sojin tend prej b.q dhe b.l por jo Shqiperine dhe shqiptaret. Te pakten hi me shume se ti dhe so qelbaniku qe te paguan per te llapur dhe shpifur qe dmth te besh ate qe ke per zanat qe e bere dhe me Berishen deri kur te ushqente.

    Përgjigju ↓