OPINION

Nuk është vetëm teatri, ka akoma

07:30 - 06.07.18 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Parë me një sy pa pasione, seanca e sotme nga pikëpamja e korrupsionit nuk ka asgjë të veçantë. Në një krah ishin socialistët që mbronin kalimin e pronës publike një firme private sepse ashtu kishin urdhër. Disa prej tyre ka mundësi që nuk e dinin çfarë bëhej. Më kujtohet përpara dy vitesh në emisionin “Bardh e Zi”, ku përveç meje ishte e ftuar edhe Klotilda Ferhati, në ato kohë drejtuese e grupit të këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës dhe sot deputete, që akuzës sime se tek këndi i lojërave tek Rruga e Elbasanit do ndërtohej kullë, i përgjigjej me mohim. Madje ironikisht. Sot kulla ka filluar dhe po hedh shtat. Ndaj nuk jam i prirur t’i gjykoj negativisht shumë prej tyre, pasi ca janë për bukën e gojës, ca se aq dinë dhe ata që dinë, kanë interesat e tyre.
As krahu tjetër nuk ka ndonjë lavdi të madhe, sepse shumë prej tyre kanë mbrojtur kauza fantomatike të Berishës dhe e kanë quajtur të zezën të bardhë pa iu dredhur qerpiku, kudo: Në salla parlamenti, studio televizive dhe publik.
Sot shumë deputetë të maxhorancës diskutonin për historinë pa qenë të tillë, për arkitekturën pa pasur kualifikimin përkatës, për leverdinë ekonomike pa pasur atë shkollë. Edhe në të shkuarën kemi parë krahun tjetër që kur ka qenë në podium, ka qenë po aq pa logjikë.
As tahmaqarllëku i Edi Ramës nuk është ndonjë gjë e re, pavarësisht se tashmë është shumë lakuriq, sepse edhe demokratët kanë historitë e tyre të megakorrupsionit.
Me hapin që po ndërmerr Rama nuk është se po pakëson radhët e votuesve të tij. Personalisht jam shumë skeptik. Turmat e kanë kujtesën e shkurtër. Dhe as do t’i ikin në krahun tjetër.
Por pas rënies së kinemave, stadiumit dhe nëse ndodh, edhe teatrit, do t’u vijë radha të tjerave. Tirana po mbetet pa kujtesë historike. Dhe ky është një hap që shkon përtej hajdutllëkut. Një ndër akuzat që u është drejtuar shpesh shqiptarëve nga armiqtë e tyre është mungesa e institucioneve dhe të shkuarës historike, ku prezenca e godinave është një dëshmi e rrallë. Hapësira shqiptare ka shumë pak të tilla. Ne kemi një gjuhë të kodifikuar vonë, që vuan akoma debatet e standardit; kemi arkitekturë të pakët dhe jo autoktone dhe histori të shkruara nga të tjerët. Nëse ka një luftë që i bëhet një kombi, kjo është shkatërrimi i memories së tij. Dhe me këtë sipërmarrje Edi Rama po merr dyshime të mëdha përsipër. Nëse do të ishte dikush tjetër, ky do ishte ndër hamendësimet e para, por në rastin e Ramës duke pasur parasysh imazhin e tij si ekscentrik, nuk ka ndodhur. Por rasti i teatrit dhe synimi i tij për të rrafshuar gjithçka që ka një kujtesë historike, sjell në vëmendje edhe vendimet që kështjella sinjifikative për historinë tonë të kthehen në klube. Dhe këtu memoria fillon e rëndohet.
Të bësh teori komploti në një komb që e ka të ndezur fantazinë si ky yni është e thjeshtë. Por pas akteve ndaj monumenteve historike, shpalljes së dhjetë minoriteteve në Shqipëri dhe bisedimeve okulte me Greqinë, ka diçka që nuk shkon. Këtu fantazia thahet dhe faktet të bëjnë të shtosh dyshimet.
Fatkeqësisht tek ne tradhtia kalon shpesh si muhabet mejhanesh, ku të bësh ca pare është zotësi, pavarësisht rrugës. Dhe mbase një popull parapolitik kështu i gjykon raportet me vendin dhe të ardhmen. Vetëm se kur vijnë kohët që politika e madhe e botës të diskutojë siç bën një herë në njëqind vjet dhe të kërkojë dëshmitë e shqiptarëve, dosja jonë do të jetë bosh. Sepse kullat e Edi Ramës janë vetëm dëshmi e delirit dhe tahmasë së tij, por jo e ekzistencës së një kombi./dritare.net




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.