OPINION

Requiem për Luan Hajdaragën! Do doja të ishte ndryshe mik…

07:20 - 01.08.18 Përparim Kabo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbase kishte minuta, por në fakt kishin qenë orë dhe ne bisedonim… Jashtë binte shi i imët, e kuptonim sepse të gjithë ata që hynin në hotel mbyllnin çadrat dhe shkundnin palltot ose pardesytë… Ishim atje për një promovim libri. Ceremonia kishte nisur si ngahera me një lloj rituali, në fillim botuesi, pastaj autori (në këtë rast ishte autore) më tej foli një diplomat i lartë… dhe pastaj fjala iu dha udhëheqësit më të lartë të vendit. Në atë moment së bashku me njeriun e lirë Erjon Kristo ia behëm jashtë… fjalime të tilla nuk na kanë pëlqyer kurrë… dhe zumë një tavolinë aty pari. Na u bashkua pas pak çastesh miku ynë i përbashkët, Luan Hajdaraga… E ndihmuam të zinte vend, sepse ishte shumë i shëndoshë. E më tej nisi biseda. Fillimisht përse humbasin nga vlerat promovimet ku kryesubjekt bëhen politikanët… ana komike e tyre që lexojnë atë që iu përgatisin të tjerët dhe më tej grotesku që lidhet me “mençuritë” e tyre që lind nga padija exellente… Qeshëm… Luani qeshte me gjithë shpirt, por ajo që më bënte përshtypje te ky njeri ishte mënyra si e vinte buzën në gaz… aq qetë dhe në mënyrë paqësore… Pas një pauze m’u drejtua: “Kur do na mbledhësh një herë të gjithë ne petroninsat, do ishte një mrekulli”, tha. “Mendoj vitin që vjen – i thash – është një përvjetor i plotë dhe mendoj të mblidhemi te Pallati Kongreseve…




Do ishte një festë e vërtetë kur në skenë të ngjiteshin inxhinierët, matematikanët, fizikanët, mjekët, filozofët, studiuesit e shkencave shoqërore, ata të shkencave bujqësorë veterinare, artistët, gjeologët dhe gjeodezët, ushtarakët… shkencëtarët e vërtetë që edhe jashtë kanë bërë sukses, mendimtarët e lirë dhe politikanët, shkrimtarët dhe poetët… Me të gjithë ata në breza bashkë do shikonim si u zhvillua vendi, si u bë Shqipëria…”!

Eh – tha Luani dhe pasi mbylli pakëz kapakët e syve me një qesëndi tipike të tij nisi të fliste për gjimnazin “Petro Nini Luarasi” me detaje, për profesorët dhe profesoreshat, me adhurim, ashtu si dinte ai skaliti tiparet e tyre, dashurinë dhe përkushtim, kontributet dhe mënyrën e komunikimit… Kujtesa ishte arma e tij e fortë dhe e patjetërsueshme.

Erjoni kishte lëshuar një qeshje të ëmbël mbi fytyrë dhe e shihte drejt në sy sikur donte të përpinte fjalët pa dalë mirë, si thuhet… që në ajër… Miku ynë ishte në ujërat e tij, lundronte me një dashuri të paanë, pastaj kujtoi maturën e tij. Sollëm në mëndje Aleksandër Sallabandën, Shasenka Degën, Ilir Ficon dhe tim vëlla, që kishte qenë në një klasë me të, por ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që Luani i kujtoi të gjithë djemtë e vajzat e klasës dhe me një adhurim gati fëmijënor i përkëdheli mes kujtimeve. Në atë moment kaloi aty gruaja e një qeveritari të lartë, i foli dhe i dha dorën, mua dhe Erjonit jo, nuk na pa, ne nuk dukeshim… Luani e përcolli me një lloj buzëqeshjeje të sforcuar dhe vijoi: “Mos u mërzite – i tha Erjonit? – Jo – tha Erjoni – po kënaqem, unë s’i kam ditur këto gjëra”.

Pastaj biseda vijoi për çështjen e Koresë, një temë që ai e kishte debatuar në një forum televiziv. Kishin kaluar disa orë dhe ai me gojëmbëlsinë që e tipizonte ligjëronte me pasion. Kur u ngritëm dhe u përqafuam nuk e dija që ishte hera e fundit… Ike mik, por biseda jonë vazhdon… Le kujtime, le punë dhe arritje, le një model… le një dhimbje dhe një boshllëk. Po, po biseda me ty dhe për ty vazhdon…!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Me behet qejfi,kur shkruan me pasion dhe me qellimin e mire te sho/kut/qerise,por ma prishe qejfin,me nje gje te vogel,por ama ,fare te vogel dhe qe eshte po aq edhe shume e madhe.I paskeni kujtuar te gjithe shoket e Petro Ninit,por simbas asaj qe vete ti,po na i kujton,te gjithe shoket e juaj,qenkan bere te gjithe,njerez te permenduar (dhe interesant,te gjithe me aresim te larte,se dhe me tituj po aq te larte ,shkencore).Po vertete more Perparim,nuk kaskeni patur asnje shok,apo shoqe,qe per nje apo tjeter aresye,nuk e paska perfunduar te larten? Apo,mos permendja e ndonjerit,apo ndonjeres,prej tyre,ndofta do e fyente tryezen tuaj te bisedes? Apo edhe me tej,te fyente,pjesemarresit e asaj bisede.Sa dp e desha nje pergjigje,por ama ashtu sic din ti,te thjeshta e te sinqerta,pa justifikime,se nuk eshste edhe ndonje krim,mos permendja e tyre.

    Përgjigju ↓