OPINION

Fundi i një koncesioni dhe fillimi i reagimit institucional

07:30 - 03.08.18 Rezana Konomi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk është hera e parë që më është dashur të shkruaj për koncesionet dhe specifikisht për koncesionin e Rinasit dhe gjithë problematikat që janë konstatuar para se të nënshkruhen kontratat koncesionare, pas nënshkrimit dhe sidomos për sjelljen e koncesionarit gjatë vazhdimit të ushtrimit të së drejtës ekskluzive. Për këtë arsye nuk dëshiroj të bie në përsëritje




Nëse do të monitoronim me kujdes çdo shërbim që është  koncesionuar, ekzistojnë probleme dhe kjo ndoshta është  e natyrshme, por panatyrshmëria qëndron në faktin kur këto probleme rëndojnë mbi konsumatorin në mënyrë të paarsyeshme dhe kur kjo sjellje u bëhet e ditur institucioneve përgjegjëse, askush nuk reagon. Këtu fillon problemi shqiptar. Të gjithë bëjnë sikur bëjnë dhe asgjë nuk ndodh. Ata që duhet të dëgjojnë dhe reagojnë, bëjnë sikur nuk dëgjojnë, të tjerët (shoqëri civilë, grupe aktivistësh apo institucione të ndryshme) që konstatojnë, bërtasin, rekomandojnë, asnjë nuk ua vë veshin dhe secili në stanin e vet tund dybekun.

Por po ndalëm te koncesioni i aeroportit të Rinasit, për të disatën herë, pasi zhvillimet e fundit, reagimet e disa organeve shtetërore, më lanë të kuptoj së deri tani gjithçka është thënë dhe është bërë lidhur me këtë koncesion paska shkuar në vesh të shurdhët. Kush dhe pse u kujtuan pas kaq kohësh të pajtohen me shqetësimin se koncesionari i Rinasit paska biletat më të shtrenjta se çdo aeroport tjetër në rajon dhe më gjerë?

Padyshim që marrëveshja për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, e cila nisi zbatimin në prill 2005 me afat 20-vjeçar shënoi një zhvillim, pozitiv sepse më në fund shqiptarëve dhe të  gjithë përdoruesve të kësaj porte të vetme ajrore do t’u ofrohej një shërbim cilësor me standarde europiane. Përfitimet nga ky investim kanë qenë të shumëfishta dhe të pamohueshme. Por, a mund të justifikohet rritja e cilësisë së shërbimit me kosto kaq të larta për konsumatorët?

Pikërisht në analizë të sjelljes së këtij koncesioni Autoriteti i Konkurrencës, si një institucion i pavarur publik, i vetmi që monitoron kushtet e tregut, sjelljen e operatorëve, para dhe pas dhënies së të drejtës ekskluzive, ka dalë me disa vendimmarrje, të cilave çuditërisht vetëm ditët e fundit po u bëhet jehonë, megjithëse ato datojnë shumë më herët. Natyrshëm lind pyetja: përse u zgjuan tani aktorët dhe faktorët lidhur me këtë çështje, çfarë ka ndodhur, kujt iu përmend memoria, apo ndoshta dikush duhet të shantazhohet dhe ky është momenti. Janë dyshime dhe hamendësi, të cilat nuk mund të kalojnë pa vëmendje, sepse kjo heshtje e zgjatur dhe ky zgjim i vonuar duhet të këtë dhe disa përgjegjës, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre nga padijenia apo dijenia e kamufluar, kanë sjellë pasoja në dëm të interesit publik dhe kanë rënduar padrejtësisht xhepat e konsumatorëve.

Në media, kohët e fundit po flitet çdo ditë për çmimet e larta të biletave me të cilat operohet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit. Kjo është një e vërtetë e hidhur, që gjithkush e di dhe e ka provuar. Por nuk mund të rri pa përmendur habinë që ndjeva kur pashë reagimin e deputetëve se çmimet paskëshin qenë shumë të shtrenjta dhe pikërisht këta deputetë që rrinë më shumë në ajër se nëpër zyra, vetëm tani e kuptuan se sa shtrenjtë paguajnë shqiptarët kur përdorin këtë aeroport. Është qesharake dhe në të njëjtën kohë tallëse dhe fyese. Si është e mundur që të paktën deputetët, të cilët janë mjaft mirë të informuar për çdo vendimmarrje të Autoritetit të Aviacionit Civil apo Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me analizën dhe rekomandimet që kanë adresuar kohë pas kohë për këtë koncesion të bëjnë rolin e të paditurit dhe të çuditurit. Ku kanë qenë këta deputetë kur ky Autoritet paraqiste çdo vit raportin vjetor dhe shqetësimi për këtë koncesion ka qenë prezent në çdo vit, sepse edhe vendimmarrjet lidhur me të kanë qenë sistematike. Ahh po, ndoshta në ato ditë, kanë qenë duke udhëtuar me ato biletat e shtrenjta, por që asnjëherë nuk e dinin sa kushtonin derisa sot e dëgjuan dhe e kuptuan, se ndoshta mund të këtë sjellje abuzive të këtij koncesioni.

Por, kusuri nuk është vetëm i koncesionarit, i cili gjeti shesh dhe bëri përshesh. Madje, besoj edhe ai  vetë është po kaq i çuditur se çfarë ka ndodhur  pikërisht tani që pala shqiptare po reagon për disa fakte, të cilat kanë ekzistuar gjatë gjithë kohëzgjatjes  së koncesionit!

Roli inekzistent i palës shqiptare ka bërë që koncesionari të ofrojë tarifa për shërbimet tepër të larta, të paaudituara, të parishikuara për periudha të gjata kohore dhe kjo është reflektuar te çmimi i biletave. Sipas kontratës së koncesionit, në pikën 19 përcaktohen pagesat për shërbimet e aeroportit, vlerësimi periodik i tyre, rishikimi në periudha të ndërmjetme i pjesës së miratuar të kostos së operimit dhe rishikimi i pavarur nëse mendohet se është e nevojshme. Tarifat për shërbimet e ofruara nga TIA përgatitën nga shoqëria koncesionare dhe miratohen nga Organi Shtetëror i Autorizuar. Në vijim në pikën 19.2 germa a përcaktohet se: “Organi i Autorizuar Shtetëror dhe shoqëria do të rishikojnë pagesat për shërbimet e aeroportit çdo tri vite…”. Nga vëzhgimet rezulton se rishikimi i parë dhe i fundit është në vitin 2007. Ky problem, përveç të tjerave, gjatë procesit hetimor  është konstatuar nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili i ka dërguar rekomandim ministrisë përgjegjëse, Entit Rregullator, si dhe Kuvendit të Shqipërisë, por fatkeqësisht asnjëherë nuk pati as më të voglin reagim. Kur shteti nuk përfill, nuk dëgjon institucionet e veta, nuk zbaton vendimet e tyre, çfarë mund të pretendojë shoqëria civile se do t’i dëgjohet zëri dhe shqetësimi qytetar?! Në këtë vazhdë edhe dilema të flasësh apo mos flasësh, të shkruash apo jo, shkon në favor të kësaj të dytës.

Nëpër edicione lajmesh transmetohen çdo ditë problemi i çmimeve të larta të biletave, apo mungesa e një metodologjie dhe rregullore të miratuar nga Organi Shtetëror i Autorizuar, i cili së bashku me Entin Rregullator e ka për detyrë të monitorojë një treg me situatë monopoli dhe të ndikojë në rregullimin e tarifave, duke i orientuar ato drejt kostos, me qëllim shmangien e abuzimit me pozitën dominuese në këtë treg. Por, të gjitha këto teori veprimesh e mosveprimesh të institucioneve shtetërorë, dukë luajtur pingpong nuk u duhen shqiptarëve apo kujtdo që përdor këtë shërbim. Moskryerja e detyrave nga organet dhe institucionet përgjegjëse nuk është çështja jonë. Papërgjegjshmëria dhe kultura e mosndëshkimit duhet të fillojë nga vetë pushtetarët për të dhënë modelin së kushdo që abuzon, nuk kryen detyrën për të cilën paguhet nga taksat tona, duhet të ndëshkohet dhe të mbajë përgjegjësi.

Zinxhiri i organeve përgjegjëse për koncesionin e Rinasit, por jo vetëm për këtë koncesion, të cilët nuk kanë vepruar dhe me dashje kanë lejuar këtë sjellje abuzivë është i gjatë. Bazuar në nenin 11/4 të Kodit të Transportit Ajror, Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e tarifave dhe praktikave diskriminuese, çmimeve abuzivisht të larta si rezultat i një pozitë dominuese dhe çmimeve abuzivisht shumë të ulëta. Por, Autoriteti i Aviacionit Civil i miraton tarifat e kompanive të njoftuara në AAC, pa pasur një analizë kostoje apo metodologji për vlerësimin e këtyre tarifave. Çfarë ka bërë ky Autoritet deri sot? Konsiderohet se i ka kryer funksionet e tij? Kush i ka kërkuar llogari për këtë mosveprim, apo heshtja ka qenë marrëveshje e heshtur dhe e parapëlqyer për funksionarët dhe drejtuesit përkundrejt eprorëve. Shqiptarët përsëri të braktisur nga shteti i vet, i cili nuk ushtron asnjë rol rregullator, asnjë balancë midis interesave private dhe atyre publikë, madje shumë më keq se kaq, as që do t’ia dijë se sa shumë rëndon kjo pozitë në jetesën e përditshme të qytetarëve.

Jo më larg se dje, dëgjova së Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar Kuvendit që të ndërhyjë për të zbatuar rekomandimet e tij lidhur me koncesionin e Rinasit. Nuk mund të mos çuditesha sërish. Reagim i vonuar, pse tani, çfarë ka ndryshua?! Autoriteti i Konkurrencës vendimmarrjen e tij të parë e ka në vitin 2014 dhe në vijim ka pasur disa të tilla, ndërkohë që çdo vit ka raportuar në Kuvend për problematikat, për rekomandimet e pazbatuara, por asnjëherë nuk ka këmbëngulur publikisht si tani. Këtu kuptova pavarësinë e  institucioneve tona të pavarura. Kur Kuvendi reagon, kur deputetët bashkohen me shqetësimin qytetar, atëherë dhe organet e shtetit dhe institucionet fillojnë të zgjohen, të bashkojnë zërin me maxhorancën (cilado qoftë ajo në pushtët) dhe të tregojnë rolin e kompetencat e tyre ligjore.

Nëse do të jemi të vëmendshëm sa herë ka reagime të tilla ku zëri i politikës dhe i institucioneve fillon të dëgjohet, do kuptojmë pse ndodhin në mënyrë ciklike këto reagime, ndërkohë që problemet dhe shqetësimet kanë qenë dhe mbeten aty të pazgjidhura për vite të tëra. Para një ose dy vitesh u fol për negociata me koncesionarin për hapjen e aeroportit të Kukësit, më pas ministri përgjegjës deklaroi publikisht se për 3 muaj situata do ndryshojë, së fundi është përfolur për hapjen e një aeroporti në jug të vendit. Por është fakt i ditur që kushtet e kontratës koncesionare nuk mund të ndryshojë, nëse të dyja palët nuk dakordësojnë dhe të gjitha këto deklarime flluskash sapuni bëhet në sezon vëre, kur piku i turistëve dhe i hyrje-daljeve rritet në mënyrë të ndjeshme. Ky është pikërisht opiumi që na trullos dhe vë në gjumë vetëdijen, na vë në gjumë për të pritur deklarimin dhe çudinë që pason natyrisht verës tjetër. Dhe në këtë mënyrë, afatit të këtij koncesioni po i vjen fundi dhe zëri ynë për të reaguar sa vjen dhe meket…

Prof. Asc. Dr. Rezana Konomi*

Dekane e Fakultetit Drejtësisë

KU “LUARASI”*

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.