MILOSAO

Po banalizohet lufta për teatrin?!

14:30 - 05.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Qëndrimi jo i pak njerëzve, lidhur me Teatrin Kombëtar, përkon me një gjë. Hapësira që i krrespondon teatrit të mbetet e teatrit dhe aksesorëve të tij po ashtu. Por, ndërsa njëra palë lufton dhe militon që teatri të mos prishet fare dhe të rikonstruktohet pikërisht me ngrehinën e vjetër, një pjesë jo e vogël tashmë është prezantuar me idenë e një teatri krejt të ri, porse sërish pa prekur hapësirën. Me këtë grup duket më e afërt dhe oferta e kryebashkiakut, por edhe mirëkuptimi i qeverisë aktuale.




Kjo betejë idesh dhe protagonizmi, që nisi fillimisht si paraqitje militantizmi mblodhi rreth vetes në një front të madh shumë emra të artit dhe jo vetëm, që ju ngjitën më vonë të tjerë personazhe. Ballafaqimi i parë me kryetarin e Bashkisë nxori konfliktet e këtij fronti shumëngjyrësh, por edhe një sëmundje të vjetër të njerëzve të artit, që shpesh nuk ndajnë dot individin shoqëror me individin aktrues. Si zakonisht mizëria e njerëzve që kërkojnë protagonizmin e panë si hapësirë të paanë që të shprehnin veten duke treguar mbështetjen…me qëllimin për të fituar kredite sociale ose më qartë pikë… Anipse artikulimet patetike të shumëve syresh shpesh e ulnin kauzën para syve të njerëzve. Për hir të së vërtetës, kjo mbështetje mjaftoi gjithsesi që protesta të mbante kaq shumë ditë. Veçse në ditët që po jetojmë, një gjë mbetet realisht pezull, cila është dhe do të jetë rezultantja e kësaj lufte?! Për fat, presidenti i vendit Ilir Meta me tagrin si garantuesi i kushtetutës gjeti shumë shkelje dhe këtë ua kumtoi zyrtarisht autoriteteve të ekzekutivit dhe atyre lokalë, duke i dhënë me këtë rast një mësim të mirë sa i përket respektit të ligjeve. Paçka se politika vazhdon ta quajë si pabesi dhe madje ka vendosur një afat, që hiç mos më pak do të thotë se mbeten vetëm 35 ditë nga vendimi për ta prishur teatrin.

Këtu është futur banaliteti, që ka përfshirë shumë aktorë, politikanë, personazhe të jetës sociale dhe të tjerë. Dhe, ndodh, që ata që i kanë dhënë jetës kulturore, tashti thjesht për të qenë mirë me një konjukturë apo me tjetrën çfarë nuk lënë pa thënë për njëri-tjetrin, kurse letra si epistolarë shkëmbejnë personazhe të ndryshëm për të treguar veçantinë e tyre.

Do ishte më e thjeshtë për të gjithë nëse Teatri Kombëtar duhet të qëndrojë atje ku është. Tirana e kullave ka vend plot aty ku po synon të bëhet apo në Tiranën moderne që po planifikon të marrë jetës apo pas Bulevardit të ri. Një referendum i qytetarëve mund ta zgjidhte shumë më lehtë këtë rebus, që na ka kapur, por nga ana tjetër do bënte për herë të parë që qytetari të merrte në dorë ligjërisht fatin e një vepre të kryeqytetit të shqiptarëve. Kjo do t’i vinte fre banalitetit, por do të mbyste dhe qerthullin e disa njerëzve që duan të pengojnë gjithçka thjesht për interesat meskine të tyre. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.