OPINION

Kur edhe Ivica Daçiç tenton të japë leksione qytetarie?!

11:24 - 27.08.18 Spartak Topollaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë, zv/kryeministri i Parë e njëkohësisht ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, brenda të gjithë rregullave diplomatike, kërkoi leje nga autoritetet serbe për të marrë pjesë në një aktivitet publik në Novi Pazar, ku edhe ishte i ftuar. Leja iu refuzua për turpin, tashmë të ngrënë me bukë, të autoriteteve shtetërore policore kufitare të Serbisë.




Që këtu, duke njohur politikën dhe qëndrimet idiote të politikanëve serbë, nuk ka pse të habitemi. Por habinë më të madhe, na e shkaktoi një deklaratë edhe më idiote e zv/ kryeministrit të parë e ministër i Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Ky farë politikani e kryediplomati i Serbisë, refuzimin e lejes për Pacollin, e motivoi me absurdin, se nëse do e lejonin të ndodhte kjo, do të duhej të silleshin me Pacollin, as më shumë e as më pak, por vetëm ashtu si u sollën autoritetet e Kosovës, me Marko Gjuriçin.

Dhe e gjitha kjo, nuk paska ndodhur, ngaqë serbët, ndryshe prej shqiptarëve, na qenkan të “qytetëruar”?! Këtu e vërteta dhe historia është sa e thjeshtë, aq edhe e qartë për këdo, por megjithatë, e ndjej për detyrë të ndriçoj me fakte e argumente, se ku ndryshojnë dy rastet diametralisht të kundërta. Prej gati 20 vitesh, serbët e kanë humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën. Ata u shporrën nga Kosova, falë Luftës Çlirimtare të shqiptarëve dhe ndërhyrjes ushtarake e bombardimeve të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA. Prej 10 vitesh Kosova e Pavarur është njohur nga 115 shtete të Botës, por jo nga Serbia.

Madje në marrinë kolektive të tyre, ata vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën pjesë e shtetit serb! Duke mos reshtur së provokuari, sidomos me të ashtuquajturën Bashkësi të Komunave Serbe dhe përkujtimet e “festimet” e humbjeve, apo ceremonitë fetare ortodokse (ku Irinej, Artemije dhe Amfilohije, pothuaj nuk mungojnë kurrë)! Në larminë provokative të paranojës serbe, një vend të veçantë zënë përpjekjet për të hyrë me forcë, nën pretekste, shpesh herë qesharake, brenda territorit shtetëror të Republikës së Kosovës, të politikanëve apo klerikëve ortodoksë serbë. Autoritetet kosovare, në shumicën e rasteve, me një tolerancë civile të admirueshme, kanë treguar një vetëpërmbajtje shembullore, paçka se prepotenca dhe arrogance e eskortave të liderëve serbë tejkalon shumë herë detyrat e tyre.

Në plot raste autoriteteve serbe, u është akorduar leja e kërkuar, por të gjithë ata, nuk kanë lënë rast pa humbur, për të shkelur haptazi lejen dhe qëllimin për të cilin edhe e kanë marrë atë. Kulmi kanë qenë dy raste, të cilat, SHBA dhe BE, iu kanë dhënë të drejtë autoriteteve kosovare. I pari qe Treni Blu (si dikur ai i blinduari i Titos), të cilin serbët donin ta fusnin forcërisht në Kosovë, pasi s’kishin lënë vend pa shkruar mbi të në shumë prej gjuhëve kryesore “KOSOVA ËSHTË SERBI”?!

Kuptohet, që dështuan me sukses të plotë. Rasti i dytë, ishte kur “trimi” Marko Gjuriç, i paralajmëruar disa herë se po shkelte statusin e tij, qëllimin e lejes së dhënë, e për më keq akoma, në të gjitha rastet propagandonte në çdo tubim e aktivitet para përfaqësuesve të pakicës serbe, se Kosova është Serbi?! E pikërisht për këtë, forcat e policisë së Kosovës, u detyruan ta ndalojnë forcërisht, duke e kthyer andej, nga edhe kishte ardhur!

Tani, përpara se të paraqesim shembujt e pafund të sjelljes “qytetare”- serbe, që na tregon Ivica Daçic, ky lektor i vonuar i “qytetarisë e demokracisë” milosheviçiane, le t’i hedhim një sy jetës së këtij dashnori kameleonian të civilizimit. Ivica Daçiç, për ironi të fatit  lindi në Prizren, më 1 janar 1966. Babai, ishte një oficer policie i kohës rankoviçiane, kur UDB–ja ishte në apogjeun titist të raprezaljeve e terrorit fizik e psikik ndaj shqiptarëve.

E ëma, Jelisaveta (Jela) ishte një shtëpiake. Ai kish edhe një motër, Emica. Transferimi i familjes në Zhitorade koinçidoi me fillimin e shkollimit të tij. Inteligjent si fëmijë, spikati veçanërisht për memorie, aq sa në një gazetë e quajtën “enciklopedia me pantallona të shkurtra”.

Në fëmijëri i vunë nofkën “Bucko”. Këtu mbaroi dhe 8-vjeçaren, ndërsa shkollën e mesme e bëri në Nish. Të lartën e kreu në Universitetin e Beogradit për shkenca politike dhe gazetari. Ishte aktivist i njohur i Rinisë Komuniste jugosllave dhe në 1990, u bë i pari president i Rinisë Socialiste për kryeqytetin. Ai është i martuar me Sanjën dhe kanë dy fëmijë, djalin Luka dhe vajzën Andrea. Karrierist provincial, arrivist pragmatik, burrë i lëngët, që merrte formën e enës ku e hidhnin, servil ndaj shefave, e prepotent me vartësit, ra shpejt në sy të Bosit të Bosëve, Sllobodan Millosheviæit, të cilit i duheshin të ngjashmit me Daçiç-in, ndaj dhe e përkrahu të ngjiste shkallët e pushtetit, paçka se ai, ashtu i shkurtër siç është, edhe vetë shpesh çante me bërryla mes politikanëve serbë, përgjithësisht të gjatë,

Karrierën e vërtetë e nisi teksa e bënë botues të organit jetëshkurtër të Partisë Socialiste të Serbisë, “EPOHA”. Më pas e shohim në krye të stafit të informacionit dhe propagandës së PSS në zgjedhjet e 1992 dhe 1993. Millosheviæi dhe Mirjana Markoviç (bashkëshortja dinake dhe e korruptuar e tij, e strehuar politikisht dhe e garantuar financiarisht nga Putin) e mbanin afër Daçiçin, duke i dhënë edhe zyrë ne selinë e PSS, apo funksione në organet e zgjedhura të pushtetit për kryeqytetin. Ata ndiqnin me vëmendje ambiciet për pushtet të këtij provinciali me pamje konviktori, duke e përdorur gjatë spastrimeve në parti dhe e caktuan në disa prej bordeve më të rëndësishme të propagandës, si atë të TANJUG-ut, madje edhe në krye të Këshillit Drejtues Federal të Radio Televizionit Jugosllav.

Në 10 shkurt të 2000 zgjidhet në krye të PSS për Beogradin. Revolucini “Buldozer” i 5 tetorit 2000, që nisi, çoi në arrestimin e Milosheviæ- it më 31 Mars 2001 dhe transferimin e tij në Hagë për ta gjykuar si kriminel lufte. Ashtu si Fushe-ja dhe Talejran-i, edhe Daçiç nuk i tradhtonte miqtë, ai vetëm i braktiste ata, kur nuk i duheshin më!(për koincidencë prej vitesh, ai i ka mbajtur të dy funksionet, ministër i Brendshëm si Fushe dhe i Jashtëm si Talejran)! Në zgjedhjet presidenciale të 2004-ës, shfaqet si kurrë më parë kameleonizmi dhe etja e papërmbajtur për pushtet e tij, teksa kandidon, duke dështuar me sukses të plotë, pasi me vetëm 4.04% të votave (125.952), zuri vendin e pestë.

Por Daçiç nuk ndalet. Në Kongresin e VII të PSS, mbajtur në 4 Dhjetor të 2006-ës zgjidhet Kryetar i saj, duke mundur në raundin e dytë Milorad Vuçeliçin me 1287 vota, kundrejt 792 votave që mori i dyti. Në 2007 zgjidhet në krye të Komitetit të Sigurisë së Parlamentit, ndërsa në 7 Korrik 2008, zgjidhet zv/ kryeministër i parë dhe ministër i Brendshëm. Në gusht të 2010, Daçiç e familja e tij, vihen nën mbrojtjen e policisë, pas dyshimeve të Shërbimit Sekret, të konfirmuara dy vite më pas, se mafia serbe, saktësisht superbosi i drogës Darko Shariç, ofronte 10 milionë euro për vrasjen e Tadiçit dhe Daçiçit, si krerë të koalicionit qeveritar. Këtu është vendi të kujtojmë se mafia serbe e përbërë kryesisht nga ish-oficerë të forcave speciale dhe policisë sekrete të Milosheviçit, e lidhur me politikanë dhe oligarkë, njohur ndryshe si “Klani i Zemunit”, vranë më 12 mars të 2003 në Beograd, kryeministrin Zoran Xhinxhiç, mafie kjo që vetëm pak ditë më parë vrau edhe një prej avokatëve të Milosheviçit, Dragoslav Ognjenoviç.

 

Në zgjedhjet e 2012, PSS mori 14.53% të votave, duke u detyruar të bëjnë koalicion me Partinë Progresiste Serbe (PPS) të Tomislav Nikoliçit dhe me parti të tjera. Nikoliç merr Presidencën, Daçiç qeverinë dhe Jorgovanka Tabakoviæ, parlamentin. Në zgjedhjet e 2014, fituar nga Partia Progresiste e Aleksandar Vuçicit, në aleancë me të, Daçic ndërron pozicion, duke i lënë fituesit postin e Kryeministrit dhe vetë mban atë post që ka edhe aktualisht, atë të zv/kryeministrit të parë e ministrit të Jashtëm. Në zgjedhjet presidenciale të Prillit 2017, Vuçiç kandidon dhe fiton me 55% të votave, duke i lënë postin e Kryeministrit, Ana Brnabiçit. Nikoliæ, ky varrmihës, pasardhës i kriminelit Sheshelj, kontribuoi për ta futur sa më thellë në varr edhe vetë ish- Jugosllavinë.

Në 17 shkurt të 2008, siç dihet, Kosova u shpall e pavarur edhe de jure, se de facto kishte gati 10 vite e tillë. Daçiç, në qëndrimin ndaj Pavarësisë së Kosovës, pak a shumë, i ka qëndruar linjës intransigjente të politikanëve serbe të të gjithë krahëve, për të mos e pranuar njohjen Kosovës si një shtet indipendent, paçka se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e njohu si të ligjshëm Aktin e Pavarësisë dhe rrëzoi Padinë serbe për paligjshmëri, duke nxjerrë zbuluar, si jo në pak raste, Serbinë, që vajti të vinte vetulla dhe nxori sytë (kujtoni këtu edhe vendimin përfundimtar të KAS që dënoi Serbinë pas ndeshjes së futbollit në Beograd me Përfaqësuesen e Shqipërisë)!

Sot Kosova njihet si shtet i pavarur nga 115 vende të botës. Daçiç në 2011 akuzonte qeverinë e Kosovës për incidentet në Veri të saj, madje i quante provokime për të penguar Serbinë të aplikonte për pranim në BE! Megjithatë, atij i duhet njohur “merita”, që pranoi i pari nga serbët propozimin e SHBA e Brukselit, për të takuar Thaçin, e për të biseduar mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo ndodhi në muajt e parë të 2013 dhe vazhdon edhe sot, por pa arritjen e ndonjë rezultati të dukshëm, e kjo për faj të serbëve, të cilët, të llastuar nga Europa për 100 vite, i rrihnin shqiptarët e nuk i linin të qanin, ndërsa sot qajnë, pa i rrahur askush!!!

Le të kthehemi tani, te qëllimi kryesor i këtij shkrimi, pra te leksionet serbe për qytetari, kinse diametralisht e kundërt kjo, me sjelljen e autoriteteve të Kosovës në rastin Marko Gjuriç! Këtu është me vend të kujtojmë se “Buçkoja” Daçiç, veç kësaj nofke të fëmijërisë së tij, ka mbajtur edhe nofkën tjetër, më se sinjifikative, “Slloboja i vogël”. Në rolin jashtëzakonisht të vështirë të mbrojtjes dhe justifikimit të krimeve të luftës dhe genocidit serb, nga makina ushtarako-policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, si zëdhënës i tij, ai “shkëlqeu” vetëm si demagog, gënjeshtar dhe mashtrues! Ky farë enciklopediku me pantallona të shkurtra, që kish fituar edhe konkursin panjugosllav “Tito, Revolucioni dhe Paqja” mes 600 adoleshentëve të tjerë, kur filloi të merrej me politikë të madhe, u “sëmur” nga amnezia historike, siç rëndom ka ndodhur me politikanët, diplomatët, akademikët dhe historianët shovenë serbë!

Më poshtë, po përpiqemi t’ia freskojmë kujtesën, “Buçkos” Ivica, për të vërtetuar se sa me “qytetari” janë sjellë serbët, për shekuj, dekada e vite të tëra, veçanërisht kjo ndaj shqiptarëve.

Sllavët, mes tyre serbët, në Ballkan u shfaqën të ardhur nga stepat e thata apo tundrat moçalore rreth shekujve VI-VII, kur prej shekujsh në këto treva jetonin pellazgët, e pas tyre, ilirët, helenët, thrakët, dakët, maqedonët (ata të Filipit, Aleksandrit të Madh etj).

Qytetërimi i lartë i tyre, është tashmë i vërtetuar dhe i argumentuar katërçipërisht nga shkencat e antropologjisë, arkeologjisë, historisë, gjuhësisë, etnografisë etj. Shkodra, Durrësi, Berati, Apolonia, Butrinti, Bylisi, etj në trojet tona ishin qytete të zhvilluara me urbanizëm, vepra arti e monumente madhështore.

I kënduari Daçic enciklopediku, duhet të ketë lexuar për Lekën e Madh, Pirron, Teutën, Gentin, Bardhylin, Agronin etj, që jo rrallë fituan mbi helenët apo romakët, kur për serbët, askush nuk dinte gjë! Ekspansioni sllav në Ballkan erdhi me zjarr, me hekur, apo edhe me ortodoksi të dhunshme, duke shndërruar tempujt paganë dhe objektet e kultit kristian katolik, në kisha e manastire ortodokse serbe. Kjo veçanërisht e theksuar në trojet iliro-arbërore. Daçiçi e di mirë se përballë rrezikut të madh të pushtuesve të rinj otoman, prijësit arbëreshoshqiptar, iu bashkuan koalicionit ballkanas, në një nga betejat më të mëdha të shekullit XIV-të, asaj të Fushë Kosovës në qershorin e 1389- ës dhe se vrasësi i Sulltan Muratit të I-rë ishte një shqiptar, Milosh Nikolla Kopiliq (1350-1389), nga fshati Kopiliq i Drenicës së Epërme, emrin ortodoks të të cilit, të parët e tij, po kaq mjeshtra sa këta të sotëm, duan ta paraqesin si sllav. Po pse sllavë ishin krerët shqiptarë që morën pjesë në Betejë, si Gjergj Balsha II, Dhimitër Jonima, Teodor Muzaka, Gjon Kastrioti, Andrea Gropa etj?!

Le të gjejnë serbët një hero kombëtar, të përmasave europiane si ai i Gjergj Kastriotit?! Klerikët serbë ortodoksë përdorën thikën dhe helmin në shekuj, duke ndryshuar forcërisht toponimet iliro-arbërore, po ashtu si dhe pushtuesit otomanë pas tyre. Në shekullin XIX, serbët ringjallin mitin e Betejës së Fushë Kosovës, lënë në harresë mbi tre shekuj. Ata, të mbështetur te toponimia dhe antroponimia e ndryshuar dhunshëm prej tyre apo osmanëve donin t’i paraqitnin shqiptarët si të ardhur me Turqit, por tre mendje të shquara të kohës, veç të tjerash, i hedhin poshtë përfundimet e vonuara “shkencore” serbe. Ami Bue,(frëng), Spenser, (britanik) dhe Hahn, (austriak), në gjysmën e parë të shek. XIXtë, vizituan dhe treguan ku janë trojet shqiptare. Teksa Turqia dobësohej dhe serbët fituan autonominë e më pas pavarësinë, gjithnjë me mbështetjen e mëmës Rusi, shfaqën haptazi pretendimet mbi trojet shqiptare.

Kongresi i Berlinit, 1878 e sidomos Konferenca e Ambasadorëve në Londër, (Dhjetor 1913), përgjysmuan territorin shqiptar, në favor të fqinjëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qershor 1878 që shpalli Autonominë, u “harrua” nga Europa e kohës. Gjatë gati 35 viteve serbët, sidomos në Veri të trevave shqiptare, kryen krime të përbindshme, të cilat, Daçiç mund t’i gjejë lehtësisht në veprat e shumë autorëve serbë, ku shquajnë dy prej tyre, historianë që guxuan të thonë e të shkruajnë të vërtetat e tmerrshme mbi krimet e përbindshme të shovenëve serbë, Dimitrije Tuçovic dhe Dubravka Stojanoviç, e meqenëse mbahet edhe si anglishtfolës, le të lexojë Aubrey Herbert, diplomatin e shquar britanik, në “The Times” të Londrës e gazeta të tjera në Shtator- Tetor të 1913 ës! Le të pyesë Daçic, si dhe kush i vrau legjendat e kryengritjeve të mëdha antiturke e antiserbe Ded Gjo Luli, Mehmet (Sokol) Shpendi dhe Is Boletini?!

A e di Daçiç se kush i dogji tre herë kullat e Ndreve të Dibrës më 1913, 1918 dhe 1921?! A ka dëgjuar gjë për kryengritjet e mëdha antiserbe të Dibrës dhe legjendën që i udhëhoqi ato, Elez Isuf Ndreu? Barbaritë e serbëve që vranë, prenë, dogjën, shkatërruan çdo gjë, përdhunuan gra e vajza, u ngulën bajonetat grave shtatzëna, ishin aktet e “qytetarisë” serbe, për të cilat na jep leksione sot Ivica i Sllobos! Edhe mes dy luftërave Botërore, nuk rrashtën krimet dhe depërtimet e dhunshme të shqiptarëve nga serbët e “qytetëruar”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në Jugosllavi, e patën vështirë të binden për të ashtuquajturin Vllazërim-Bashkim, (Bratsvo-Jedinstvo) mes  popujve, që predikonin komunistët e Titos, pas të cilit shkonte edhe Enver Hoxha, servili më i pështirë i tij, deri në neveri dhe i të deleguarve të PKJ, Popoviæ e Mugosha, Jovanoviç e Tempo, Stojniç e Dizdareviç etj etj. Autoritetet italiane dhe gjermane të pushtimit, duke njohur urrejtjen e akumuluar të shqiptarëve ndaj sundimit të gjatë e të egër serb e shfrytëzuan në interes të tyre këtë, nisur dhe nga fakti që ata shpallën bashkimin e trojeve shqiptare dhe vendosën administratën vendase po me shqiptarë, e hapën kudo shkollat shqipe. Komunistët jugosllavë, s’mund ta pranonin kurrë këtë, ndaj dhe nacionalizmin për një Shqipëri etnike dhe refuzimin për t’u vëllazëruar me komunistët e inkuadruar në njësitet luftarake të Armatës së Titos, nuk ia harruan lehtë dhe s’ua falën kurrë shqiptarëve. Dhe më kriminal e më tragjik është masakra e Tivarit, e 1 Prillit 1945, kur u masakruan pabesisht mijëra shqiptarë të mobilizuar me forcë nga Armata Jugosllave, në prani të njësive partizane të UNCSH, që i shoqëronin.

Kryekrimineli stalinist Enver Hoxha, priti gati 40 vjet ta denonconte këtë masakër të tmerrshme, në pamfletin “TITISTËT”, paçka se kishte rreth 35 vite që ishte “prishur” me Titon. Kjo masakër, e ngjashme me atë të Katinit në Poloni me urdhër të Stalinit, ishte pranuar në dokumente zyrtare të udhëheqjes titiste, e më pas gjatë raportimit para Kongresit të PKJ në Maj të 1945 nga vetë famëkeqi Rankoviæ, i cili, ndryshe nga ç’shkruhej në dokumentin zyrtar, ku pranohej eliminimi i 420 djemve të rinj kosovarë, e uli në rreth 300 numrin e tyre, duke zvogëluar me disa fish numrin e tyre!!!

Krimet serbe nuk reshtën edhe gjatë 35 viteve të sundimit të Mareshal J.B.Titos. Nën pretekstin e mbledhjes së armëve, u eliminuan, u torturuan mizorisht, u burgosën e u internuan mijëra shqiptarë. Pas shkarkimit të Rankoviçit serb (1966), fajet iu veshën atij, por i sofistikuari antishqiptar Tito, nuk e ndali represionin.

Kështu, me gjak e dhunë u shtypën demonstratat e 1968 për flamur, autonomi e universitet, që detyruan Titon, nga frika e ndonjë revolte më të madhe mbarëshqiptare, më në fund t’i pranonte. Fill pas vdekjes së tij (4 Maj 1980), shpërthyen në Kosovë, demonstratat e Pranverës ’81, me kërkesë kryesore, “KOSOVA REPUBLIKË”, ku mbetën dhjetëra të vrarë, pas të cilave filloi procesi poshtërues i “DIFERENCIMIT”, një lloj apartejdi racist antishqiptar, i cili goditi egërsisht intelektualët, akademikët, profesorët universitarë, arsimtarët, gazetarët, shkrimtarët, artistët deri dhe sportistët, thjeshtë një neostalinizëm i pastër! Dhe Tirana zyrtare, për turpin e saj, heshti rreth një muaj, deri kur në gazetën “Zëri i Popullit” publikohen dy artikuj mbi ngjarjet në Kosovë, nënshkruar me pseudonimin Arbër Korabi, që as më shumë e as më pak, ishte dora vetë Ai, burracaku dhe frikacaku Enver Hoxha!

Në skenën politike jugosllave, po ngjitej ylli i Sllobo Milosheviç-it, që kremtonte plot “madhështi” në qershorin e 1989, humbjen!( 600-Vjetori i Betejës së Kosovës). Stalinisti i fundit në Europë, mori jo rastësisht, për zëdhënës të tij, “Buçkon” Ivica. Detyrë e vështirë kjo, të mbrohej e të justifikohej një paranojak histerik, që vuante nga dëliri i madhështisë e protagonizmit, të mbrohej e justifikohej diktatori më i egër i Ballkanit, që shkatërroi me luftë Jugosllavinë, vrau dhjetëramijëra njerëz në Vukovar, Srebrenicë, Recak etj, duke kryer gjenocid, krime lufte, përdhunime e deportime të tmerrshme në Bosnjë, Kroaci e Kosovë.

Por ai, me gjithë përpjekjet dhe artin e tij të demagogjisë, nuk e shpëtoi dot shef Sllobon, i cili nga Pallati i Bardhë i mbretërve në Beograd, i arrestuar, u transferua ne Holandë, shumë afër Pallatit Mbretëror në Hagë, në burgun e Sheveningenit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës! Sllobo u gjykua për krimet e tmerrshme që bënë serbët, nën udhëheqjen e tij, të Karaxhiçit, Mlladiçit, Shesheljit, Arkanit e të tjerëve, por vendimin përfundimtar me vdekje, Sllobodanit, ia dha i “Plotfuqishmi”. Arkanin e Cecas e vranë në mes të Beogradit, ish miqtë e dikurshëm të supermafias serbe, ndërsa tre te tjerët e sipërpërmendur, (si dhe shumë të tjerë kriminelë serbë), u dënuan me afate të gjata burgimi.

 

Në Kosovë, të shtunën e 23 dhjetorit 1989, një grup intelektualësh, akademikë, profesorë universitarë, shkrimtarë, gazetarë dhe studentë me Ibrahim Rugovën në krye, të frymëzuar edhe nga legjenda e burgjeve Adem Demaçi, themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila qe e para parti politike demokratike në gjithë Lindjen Komuniste.

Kjo, pas suprimimit nga Milosheviçi në mars, të Kushtetutës së 1974-ës, që i njihte autonominë e shumë liri e të drejta shqiptarëve. Edhe pse LDK e lideri historik i saj dhe i Kosovës, Dr. Rugova u shprehën në mënyrë eksplicite për Kosovën Republikë, ata ishin për rrugën paqësore të mbërritjes së qëllimit final, në 2 Korrik 1990 Kuvendi i Kosovës shpalli Republikën e Pavarur dhe miratoi Kushtetutën e Re, ndërkohë që më 7 Shtator 1991 Referendumi me mazhorancë absolute e njohu Pavarësinë. Në 1992 zhvillohen zgjedhjet presidenciale e parlamentare dhe Rugova zgjidhet President. Serbia “qytetare”, gjithnjë sipas Daçiç-it, i tregon dhëmbët, siç kish bërë edhe me grevat e minatorëve të Trepçës e Stari-Tërgut, mbyll shkollat e Universitetin dhe komandon në krye të çdo institucioni drejtues serbë! Shqiptarët dhe Qeveria e Dr. Bujar Bukosh-it, hapin shkollat paralele që mbahen me 3% e të ardhurave të çdo emigranti.

Millosheviçi nuk priti më gjatë, por dërgoi ushtrinë, policinë, tanket dhe blindat. Kjo qe rruga “demokratike e Qytetare” e Sllobos të cilës shqiptarët paqësorë iu përgjigjën me krijimin e FARK-ut, ndaj të cilit qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha dhanë mbështetje të fuqishme, më pas edhe UÇK, ku shquante komandanti legjendar Adem Jashari, njësitë luftarake të së cilës, po rriteshin e forcoheshin nga dita në ditë, deri sa në fund të Luftës mbërritën deri në 20.000 luftëtarë.

Lufta u zhvillua gjatë 15 muajve: 28 Shkurt 1998-11 qershor 1999, ku vendimtare ishte ndërhyrja ushtarake e NATO-s, sidomos bombardimet e saj deri edhe mbi Beograd. Serbëve nuk u bëri punë as ndihma e gjithanshme ruse në logjistikë e armatime, e sidomos me mercenarë kriminelë të degraduar si pijanecë e drogmenë.

Mes shumë betejave, beteja dhe fitorja më e madhe gjatë Luftës, ishte ajo e Kosharës. Tetë masakrat më të mëdha të serbëve në Kosovë ishin: e Prekaz-it(56 Jasharajt), Reçakut, (45 të masakruar, denoncuar botërisht nga ambasadori amerikan i OSBE William Walker), Izbicës, Rezallës, Dubravës, Krushes së Madhe (Rahovec), Rugovës së Hasit dhe ajo e Studimes (Vushtrri) Pasojat e krimeve serbe: 11 843 të vrarë (1.392 fëmije dhe 1.739 femra). Dëshmorë 2.261, 68 nga Shqipëria, ende të pagjetur 1.450 shqiptarë, u dhunuan 20.400 femra. U shkatërruan 188.000 ndërtesa (shtëpi, shkolla, biblioteka, qendra shëndetësore, xhami, kisha katolike) dhe u depërtuan me dhunë 782.100 njerëz.

Daçic “po bën petulla” për një ndarje të Kosovës, dhe me shefin e ri, Vuçic (një tjetër kameleon politik serb ky, i rilindur, pasi ishte ndër më konfidentët e kriminelit Sheshelj) zgjasin pa fund bisedimet e Brukselit?! Ana Brnabiçin e kanë lënë të merret me hallet e mëdha që kanë shoqatat e LGBTI (si e dyta Kryeministre e Serbisë, pas Petar Zivkoviæit (1879-1947) e deklaruar GAY. Nuk dihet çfarë duhet t’i ketë thënë Ues Micell atij (se Sekretari Pompeo s’pati kohë ta priste), apo nëse ia mori këngës në Uashington këto ditë, si para “Sulltan” Erdoanit, vëllait mysliman të kryeministrit tonë ortodokso-katolik, por një gjë dihet mirë: Kosovën nuk ka forcë që ta ndajë! Presidenti Trump, e di mirë si vihen në rresht Kimët e Koresë, Ruhanët e Iranit, apo këta Vuçiçët e Daçiçët dhe gjithë HIÇËT e tjerë të Serbisë.

Këtë shkrim po e mbyll me një pyetje: a mund të na japë përsëri leksione demokracie e qytetarie nga serbët Ivica Daçiç?!

Spartak Topollaj, historian dhe diplomat i karrierës, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Partisë Demokratike)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.