Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës, ka reaguar pas votimit pro të liberalizimit të vizave të Kosovës nga Komiteti i Parlamentit Europian për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme.
Ai është shprehur i sigurt se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën do të përfundojë me sukses, ndërsa e cilësoi si mbyllje të suksesshme raundin e dytë të procesit të liberalizmit. Kryeministri i shprehu mirënjohje raportueses për liberalizim të vizave në Parlamentin Europian, Tanja Fajon si dhe eurodeputetëve.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn.
Ai e ka quajtur një vendim shumë pozitiv të PE për Kosovën.
Reagimi i Haradinajt
Pas plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim, hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses. Parlamenti Europian, respektivisht Komiteti LIBE për të Drejta Civile, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme, aprovoi sot mandatin për hapjen e negociatave me Komisionin Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit, andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
Mirënjohës për angazhimin e madh dhe të vazhdueshëm të eurodeputetes dhe raportueses për liberalizim të vizave në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, dhe të gjithë eurodeputetëve tjerë që votuan pro lëvizjës së lirë për kosovarët.