OPINION

Lulzim Basha dhe zjarri (ar)mik

14:25 - 06.09.18  Dr. Albano Zhapaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqiptarët sot e pesë vjet po përballen me pasiguri të paprecedentë që nga koha e regjimit komunist, pasiguri kjo që u detyrohet efekteve të qeverisjes së Edi Ramës. Çdokush është i aftë të kuptojë se po jetojmë në një vend ku institucionet qendrore e lokale ushtrojnë kontroll në biznes e në popull me anë të frikës, papunësisë dhe varfërisë, ku pasiguria e jetës është rritur dukshëm, ku recesioni ekonomik e shoqëror vjen çdo ditë e më i hidhur, ku sistemi oligarkik qeverisës ka shtrirë metastazat e tij përmes korrupsionit në çdo qelizë të mundshme të shoqërisë shqiptare dhe ku të përpiqesh të flasësh me zërin e së vërtetës, etiketohesh si kundërshtar i qeverisë, dashakeqës i Shqipërisë, panikaxhi, dembel apo edhe deri tek i paaftë.




Situata e keqe ekonomike, papunësia, varfëria dhe mjerimi vazhdojnë të rriten në proporcion të drejtë me rritjen e çmimeve, taksave dhe shpenzimeve superluks të qeverisë. Shqipëria vazhdon të renditet si vendi më i korruptuar në rajon, trafikimi i drogës është në nivele të konkurrueshme me Kolumbinë dhe Afganistanin, kriminaliteti në rritje me vrasje e atentate që tanimë bëhen përballë portës së shtëpisë, ose në sheshet e qyteteve në mënyrë demonstrative, siguria e njerëzve rrjedhimisht ka ardhur duke u përkeqësuar nga dita në ditë.

Opozita shqiptare me në krye Lulzim Bashën në këto pesë vjet këtë situatë vazhdimisht e ka denoncuar, e ka kundërshtuar, ka protestuar, diku ka arritur fitore të ndjeshme, kujtojmë ligjin e dekriminalizimit, dhe diku tjetër ka dështuar. Lista e gjatë e skandaleve korruptive e kriminale të kësaj qeverie është padyshim shumë herë më e madhe se lista e betejave të opozitës, humbëse dhe fituese të marra së bashku, por prapë se prapë në perceptimin e shumë shqiptarëve, opozitarë apo jo opozitarë, paudhësitë e keqqeverisjes çuditërisht shkojnë dhe i “faturohen” kreut të opozitës, Lulzim Basha, i cili në gjykimin tim, ndodhet aktualisht mes drejtimit të luftës opozitare me “zjarrin armik”, që i vjen nga qeveria “Rama” dhe “zjarrin mik” që i vjen nga ish-pushtetarë, ish-deputetë apo personazhe, potencialë ose jo, anëtarë të vetë opozitës.

Çfarë kuptojmë me “Zjarrin mik” Po të gërmojmë në fjalorin e gjuhëve të Evropës Perëndimore mbi kuptimin e togfjalëshit “Zjarri armik”, vështirë se gjejmë një përkufizim të caktuar, alegorik ose jo, pasi bashkëndahet qartazi kuptimi i tij brenda çdo komuniteti apo shoqërie si goditje që të vijnë nga pala kundërshtare, nga armiku, goditje këto qoftë fizike, ashtu edhe të karaktereve të tjera si; ekonomike, politike, mediatike etj. Ndërkohë, “Zjarri mik” ka një përkufizim të qartë në zhargonin ushtarak, ku përshkruan një situatë të caktuar në të cilën ushtarët ose automjetet bien pre e zjarrit të baterive të tyre, ose të aleatëve të tyre. Ushtria amerikane për këtë grupim përdor termin “Friendly Fire” (Zjarri mik) ose “No-Hostile Fire” (zjarr jo armik). Një tjetër kuptim i “Zjarrit mik” përfshin gabime identifikimi, të cilat ndodhin kur trupat mike sulmohen gabimisht sepse besohet të jenë armiq. Aksidente apo situata të këtij lloji ndodhin nga gabime në drejtimin ushtarak, kur luftimet përfshijnë trupa në lëvizje, ose kur trupat janë shumëkombëshe, gjë e cila rrit gjasat e episodeve të “Zjarrit mik”. Kur goditjet nga “Zjarri mik” janë të qëllimshme, atëherë përdoret një tjetër term në anglisht, që e përkufizon situatën si “Fratricida” ose e thënë shqip “vëllavrasje”.

Në fusha të tjera të jetës përdorimi i togfjalëshit “Zjarri mik” merr një sinjifikat alegorik dhe nënkupton goditjet, kritikat apo kundërshtitë që të vijnë nga njerëzit që i përkasin të njëjtit grupim shoqëror apo politik, në të gjitha format e mundshme. Nga vjen “Zjarri mik” ndaj Lulzim Bashës? Është e qartë që kjo mazhorancës dhe shefi i saj do të qeverisë aq gjatë, sa më tepër të jetë e dobët opozita e sa më tepër të jetë nën presionin e “zjarrit armik” kryetari i opozitës. Nëse “zjarri armik” dihet qartësisht se nga i vjen Lulzim Bashës, pra nga mazhoranca qeverisëse, nga vetë kreu i qeverisë, si dhe nga çdo element përbërës apo i lidhur me këtë qeveri, duket se forma e dytë e goditjes nga “zjarri mik” i vjen nga tjetërkund, nga brenda, nga të vetët.

Ky “zjarr mik”, i përkufizuar si më sipër, vjen nga “bateritë” e të njëjtit grupim politik, kryesisht nga ish-funksionarë të qeverisjes së kaluar dhe në ndonjë rast edhe nga ndonjë aleat. Në rast se në një vend normal demokratik për opozitën përdorimi i fjalës “luftë” është i rrallë, përdoret më tepër në mënyrë alegorike për paralelizëm, pasi ajo shihet si një vëzhguese kritike e qeverisjes dhe një alternativë e ardhshme qeverisëse, në Shqipëri për opozitën përdorimi i fjalës “luftë” është në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasi i duhet të luftojë në një qeveri të lidhur me krimin, siç ajo denoncon përditë me fakte.

Në këtë luftë, që pa dyshim mund ta konsiderojmë si luftë e së mirës kundër të keqes, të së drejtës kundër të padrejtës, të arsimimit kundër injorancës, të lirisë kundër robërisë, të mirëqenies kundër varfërisë, të jetesës në vendin tënd kundër emigrimit të detyruar, opozita përbën ushtrinë e vetme shpëtimtare dhe kryetari i saj, gjeneralin që drejton këtë luftë. “Zjarri mik” që vjen nga “bateritë” e grupimit të djathtë politik përkundrejt kryetarit të tij nuk bën gjë tjetër veçse zgjat jetën e (keq)qeverisë dhe çon ujë në interesat personale dhe jo vetëm, të shefit të mazhorancës aktuale dhe oligarkëve që e rrethojnë.

“Zjarri mik” ndaj Lulzim Bashës, spontan apo i sponsorizuar? Makineria gjigante e propagandës qeveritare në këto pesë vjet ia ka dalë me sukses të spostojë vëmendjen e njerëzve të thjeshtë nga problemet reale që ka vendi tek lojërat politike dhe konfliktet i radhës, nga varfëria dhe emigrimi te veshja e kryeministrit, nga vjedhjet galoponte me koncesionet PPP tek fajin e ka Basha që nuk

ngrihet, nga dështimet e reformave tek opozita që nxin situatën tek ndërkombëtarët. Logjikisht edhe pse të vjen të mendosh se kjo makinë propagande proqeveritare funksionon në mënyrë perfekte sepse ka në shërbim të saj persona që janë profesionistë të komunikimit dhe të manipulimit të masave, gjykojmë se kjo s’do të mjaftonte e vetme të jetëgjatësojë pushtetin, pasi njerëzit po e shikojnë se si vendi po boshatiset përditë, se si shkollat po mbyllen se nuk ka fëmijë, se si papunësia po rritet dhe fenomenet kriminale kanë zënë rrënjë. Qeveria është e vetëdijshme që nuk mjafton vetëm ajo të luftojë opozitën dhe i duhet që të gjejë aleatë brenda kundërshtarëve, pra kuaj Troje që të punojnë për të.

Racionalja apo “logjika spontane” të bën të mendosh se kur brenda opozitës nuk punohet siç duhet dhe kur nuk drejtohet me efektshmëri, atëherë spontanisht elementë brenda saj gëzojnë të drejtën e kritikës, kundërshtisë apo edhe të “zjarrit mik” përkundrejt kryetarit të tyre. Përsëri logjikisht duam të pranojmë se kundërshtitë që vijnë nga “zjarri mik” ndaj Lulzim Bashës të jenë minimalisht në proporcion të drejtë me kritikat dhe denoncimet e tyre përkundrejt keqqeverisjes, korrupsionit dhe krimit, por shikojmë që edhe kjo nuk ndodh. Rrjedhimisht kemi të drejtën të mendojmë se ky “zjarr mik” është i orientuar apo edhe i sponsorizuar nga vetë qeveria, njerëzit pranë saj, oligarkia dhe pse jo edhe vetë krimi. Në një kohë kur Shqipëria është në krizë dhe vendi po rreshket drejt një diktature të re, kur një pjesë e madhe e popullsisë po vuan për shkak të qeverisjes së keqe,  mungesës së sundimit të ligjit, zbatimit selektiv të tij, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, përkeqësimit të skajshëm të gjendjes ekonomike dhe sociale, kur një pjesë e popullatës vazhdon të braktisë shtëpitë, qytetet, fshatrat, miqtë edhe shokët, për t’u drejtuar drejt Perëndimit, për një jetë më të mirë e më të sigurt për fëmijët e tyre, logjika spontane na thotë se adresimi i “zjarrit mik” ndaj Lulzim Bashës dhe jo ndaj qeverisë apo shefit të saj nuk është gjë tjetër veçse një aksion i sponsorizuar i makinës qeverisëse dhe shefit të saj. Kujt i shërben “zjarri mik” ndaj shefit të opozitës? Farkëtarët politikë të “zjarrit (ar)mik” dhe përdoruesit e tij, personazhe të veshur me pushtet në mandatin e qeverisjes së djathtë 2005-2013, ish-ministra, ish-deputetë, ish-drejtues të lartë institucionesh duhet të dinë se e djathta humbi edhe si pasojë e arrogancës së tyre, si pasojë e injorancës dhe paaftësisë për të bërë shtet, si pasojë e korrupsionit, që me dashje apo pa dashje këta ishpushtetarë lejonin t’u kalonte pranë syve, saqë edhe qytetarët u lodhën aq shumë duke pranuar një ndryshim të ri, paçka se nuk e dinin se me qeverisjen që votuan do të përjetonin qeverisjen më të keqe që kishin parë ndonjëherë.

Zjarrmëtarët (ar)miq ndaj shefit të opozitës duhet të kuptojnë se zjarri i tyre po forcon të keqen, atë të keqe që përfaqëson shumica aktuale sot, e cila ka bërë dhe vazhdon të bëjë gjithçka për ta venitur rolin dhe figurën e opozitës dhe për ta fabrikuar atë, në mënyra dhe forma aspak dinjitoze, si brenda ashtu dhe jashtë parlamentit. Zjarrmëtarët (Friendly Fire) duhet të kuptojnë se zjarri i tyre po lodh qytetarët, të cilët janë mëse të rraskapitur nga kjo keqqeverisje saqë kanë pranuar që varfëria të ulet këmbëkryq në vatrat e tyre në trajtën e një “status quo”, ndërkohë që nevojitet një fillim i ri, një erë e re me ndryshime thelbësore në mënyrën se si qeveria vepron me qytetarët, mënyrën se si ajo buxheton paratë e taksapaguesve, mënyrën se si takson dhe rregullon veprimtaritë shoqërore e njerëzore. Përdoruesit miq të “zjarrit (ar)mik” duhet të kuptojnë se pikërisht në këtë moment, zjarri i tyre nuk shkon vetëm kundër Lulzim Bashës apo popullit të djathtë, por shkon në dëm të të gjithë shqiptarëve, pasi sot më tepër se kurrë duhet të kuptojmë se forca e një populli për ndryshim, duke i rënë opozitës dhe dalë krahë qeverisë, shkon drejt rreziqesh. Të menduarit e thjeshtë e racional që ka një popull liridashës të nxjerr në konkluzion se në qoftë se “zjarrmëtarët miq” e bëjnë këtë punë qëllimisht e të sponsorizuar, atëherë bëhen palë në rrëshqitjen e vendit nën kthetrat e diktaturës dhe si të tillë, “zjarri i qëllimshëm mik” i tyre nuk mund të kuptohet si “Friendly Fire”, por si “Fratricida” e thënë shqip “vëllavrasje”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ti o doktor zeza qenke nje koqe gomari ne vleresimet e politikes dhe ngjarjeve ne shqiperi te cilat kane nje mbartje historike qe nga qeverisja e dinastise kriminale autokratike e Sali Berishes ndersa Lulezim Basha eshte nje hu gardhi qe e ngul dhe e shkul Sali kafsha ku ti doje menderja sepse qe te dy jane analfabet ne poliike por kriminel dhe hajdute qe e zhyten Shqiperine ne kete gjendje duke eliminuar drejtesine dhe prandaj krimi ne shqiperi o doktor zeza i diplomes se Saliu ka fituar qytetari dhe eshte natyralizuar sa qe nuk pyet njeri se kush jam une e kush je ti por kush eshte me i forti me mafozi me krimineli i mbeshtetut nga salisto bashistet.

    Përgjigju ↓