Kryesore

Bie ligji i teatrit/ Hapja e thirrjes për projekte, Mazniku: Do të ketë garë

13:30 - 12.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Hapat që do të ndodhin tani do të jenë: Do të kemi një amendim të ligjit. Amendimi do përmbajë mundësinë e garës, që kompani persona apo institucione të tjera që kanë mundësi të konkurrojnë apo e kanë një opsion alternativ t’ia propozojnë këtë komisionit të shqyrtimit. Ka një datë parlamenti shqiptar, i cili do të shqyrtojë dekretin e presidentit dhe besoj që paralelisht me këtë do shqyrtohet edhe amendimi”. Ka qenë kjo deklarata e djeshme në “News 24” e Arbjan Maznikut, nënkryetar i bashkisë së Tiranës.




Deklarata e tij, vjen pas letrës që i dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian Michela Matuella. Në letrën e bërë publike ditën e hënë, ajo vlerësoi qëndrimin e ri të ekzekutivit shqiptar, për të amenduar ligjin, me qëllim prezantimin e një thirrjeje të hapur, për zbatimin e projektit për Teatrin Kombëtar, ku çdo kompani private mund të dorëzojë një propozim për projektin.
Por, çfarë nënkupton kjo? Së pari, rënien e ligjit.

LIGJI
Ligji që u miratua në parlament me 5 korrik, nuk u dekretua nga presidenti Ilir Meta në fund të të njëjtit muaj. Ky e fundit, bëri një oponencë të gjatë. Presidenti Meta vlerësoi se në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale dhe përgjegjësia fundore i bie atij për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjeve, ta rikthej atë në Kuvend “me qëllim që kjo çështje, të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur, për t’u vlerësuar përsëri nga Kuvendi”. “Ky ligj shkel parimet e ‘barazisë përpara ligjit’ dhe ‘lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve’, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta. Sipas tij, ky ligj “cenon
rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të ‘decentralizimit’ dhe ‘autonomisë vendore’, duke rënë ndesh njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.

Por çfarë thotë ligji konkretisht? Ai ka për objekt përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizmin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Në nenin 2 bëhet me dije se qëllimi i këtij ligji është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partner privat. Ai përcakton se në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të këtij ligji, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme. Neni 5 thotë se Komisioni i Negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha” sh.p.k, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit.

Neni 8 thotë se miratimi i kushteve të kontratës së negociuar do të kalojnë me dhënie pëlqimi në parim nga Këshilli Bashkiak me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit dhe do të dërgohet zyrtarisht nga Bashkia Tiranë pranë ministrive të përmendura në pikën 3 të nenit 6 të këtij ligji, me qëllim dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave. Me të gjithë këto pika, por sidomos me përcaktimin e privatit që do të bënte ndërhyrjen, ligji aktual praktikisht bëhet nul. Për të realizuar të njëjtën ide dhe me PPP si fillim, bie ligji ku përcaktohet kompania fituese dhe njëherësh, bie edhe projekti. Jemi pra, në fazën fillestare: pa një ligj e pa një projekt. Kemi vetëm njerëz të lodhur që kanë konsumuar kohë e ide për të mbrojtur teatrot, sepse janë dy dhe jo një, e në anën tjetër një qeveri që rreket të mbajë në këmbë një ligj që nuk ka më pas paterica.

Dje, nënkryetari i bashkisë Arbjan Mazniku ftoi opozitën të bashkëpunojë në hartimin e ligjit të ri. “Në qoftë se opozita do të kishte ardhur në komision dhe në vend që të ngrinte karrige e tavolina, të bërtiste e të bllokonte komisionin, të vinte me një propozim specifik për mënyrën si ligji mund të bëhej më i mirë, ju siguroj që do ishim të gjithë të gatshëm” – theksoi ai dje.

Sa i takon procedurës që do të ndiqet në raport me dekretin presidencial, Rregullorja e Kuvendit përcakton qartë hapat. Dekreti do të shqyrtohet në komisionin përgjegjës, që është Komisioni i Veprimtarive Prodhuese. Referuar Rregullores, brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit, komisioni paraqet raportin. Parashikohet që komisioni parlamentar të mblidhet fillimjavën e ardhshme, ndërkohë që sipas përcaktimeve në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, do kalojë për votim në parlament në seancën e 20 shtatorit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.