DOSSIER

Bolivia, aventura apo misioni i fundit i Ernesto Che Guevarës

15:20 - 25.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Spartak Topollaj – I sapo kthyer në Kubë, pas dësh timit dhe zhgënjimit afrikan, ku kish marrë dizenterinë dhe pati kaluar një tjetër krizë akute të astmës kronike, Che përgatitet moralisht dhe materialisht për misionin, apo aventurën e fundit. Me bindjen e palëkundur se në një vend latino-amerikan mund të përsëriste suksesin e revolucionit kuban, zgjodhi Bolivinë e diktatorit Rene Barrientos Ortunjo, si vendin ku mund të realizonte ëndrrën delirante të tij. I maskuar në mënyrë të përkryer, duke u paraqitur si një biznesmen, me dokumente false nën emrin Adolfo Mena Gonzales, Che mes 3 dhe 4 nëntorit 1966 mbërrin nga Montevideo në La Paz, ku nuk vonon dhe merr kontakt me kreun e Partisë Komuniste Boliviane, Mario Molina Monje, më 31 dhjetor 1966. Të përçarë në disa rryma, udhëheqësit komunistë bolivianë nuk është se e mirëpritën atë për të mos thënë që s’u morën vesh për asgjë, madje Che, pak më vonë i klasifikoi edhe si tradhtarë ata. Kështu Che Guevara, po i hynte detit me këmbë, si i themi ne shqiptarët. Në krye të 58 vetëve, (29 bolivianë, 25 kubanë, 3 peruanë dhe Tanja) mori malet dhe pyjet në Kordiliere (Ande) dhe përgjatë lumit Nancahuazu me shpresën se fshatarët bolivianë do i përkrahnin, do i mbështetnin, do i ndihmonin e do iu bashkoheshin, siç pat ndodhur dikur me ata të Sierra Maestra-s në Kubë. Çeta e tij, nëse mund të quhet e tillë, bëri disa përpjekje të vogla me forcat qeveritare, por pa asnjë rezultat të dukshëm. Më 16 prill 1967, Che publikon “Mesazh për Tre Kontinentalin”, ku haptazi kërkon 2, 3, e më shumë vietnamezë, ndërkohë që katër ditë më pas, arrestohen dy intelektualë të majtë francezë, të afërt me guerilet, Regis Debray dhe Ciro Bustos, të cilët gjykohen dhe dënohen me nga 20 vite burg (Franca ndërhyri gjatë, deri sa ia mbërriti të lirohen pas katër vitesh).




Në maj mbërrijnë në Bolivi forcat speciale amerikane, që filluan stërvitjen e trupave qeveritare për luftë kundër guerilasve. Më 1 korrik Presidenti Barrientos, njofton publikisht se Che ndodhet në Bolivi dhe urdhëron dërgimin e dy batalioneve me rreth 1800 trupa, për të asgjësuar rebelët e armatosur. Nga ana tjetër, në Havana, Fideli bën edhe një përpjekje të fundit, natyrisht pa sukses, të sigurojë mbështetje për luftën guerilase në Konferencën e Solidaritetit të Amerikës Latine, (31 korrik-10 gusht), ku Che-së iu rezervua edhe karrigia e nderit. Më 4 gusht, një prej guerilasve dezerton dhe tradhtisht tregon bazën e Che dhe emrat e luftëtarëve të tij. Të rrethuar nga të gjitha anët, një pjesë e guerilasve shkëputet nga grupi dhe më 31 gusht bien në një pritë të mirorganizuar të forcave qeveritare, duke u asgjësuar të gjithë, përfshi dhe Tanjën e Che-së. Mes pyjeve, maleve të larta dhe humnerave, grupi i komanduar nga Che, të mbetur pa ushqime e municion, pa ndërlidhje e komunikim me Havanën (valët e dy radiove defektoze nuk mbërritën kurrë në Kubë) dhe të rrethuar në darën e forcave speciale të shumta në numër, te humnera El Juros, pranë fshatit Higuera në provincën Vallegrande, bënë rezistencën e fundit më 8 tetor.

Shumica syresh u vranë, disa u plagosën dhe u dorëzuan, ndër ta edhe vetë Che-ja. Për dorëzimin dhe orët e fundit të Che, ka dëshmi të shumta. Mbetur i plagosur, me pushkën gjysmautomatike vetëmbushëse M2, të papërdorshme nga dëmtimi dhe me revolverin pa karikator, siç tregon biografi i tij Jon Lee Anderson, që i referohet rreshterit Bernardino Huanca, dëshmitar në ngjarje, Che iu lut ushtarëve të mos shtinin mbi të, se kur të mësonin kush ishte, do të kuptonin pse ai u duhej i gjallë! Ashtu të plagosur, e lidhën dhe e izoluan në shkollën e fshatit, ku tentuan ta marrin në pyetje. Che refuzoi të përgjigjej dhe të vetmen gjë që kërkoi ishte një qese me duhan për llullën e tij, kërkesë që iu plotësua nga piloti i helikopterit ushtarak, Jaime Nino de Guzman, i cili kish sjellë posaçërisht kolonelin Zenteno Anaya dhe superagjentin amerikan me origjinë kubane, Felix Ismael Rodriguez Mendigutia (1941), mbajtës i katër pseudonimeve në karrierën e gjatë e të suksesshme. Të nesërmen, pra më 9 tetor 1967, Presidenti Barrientos urdhëroi ekzekutimin e tij, edhe pse amerikanët e deshën të gjallë, për ta transportuar e marrë në pyetje në Panama. Ai i trembej një arratisjeje të mundshme të Che, apo qoftë edhe një gjyqi, që mund t’a vishte Che me petkun e heroit. E habitshme mbetet edhe vetë vdekja e Barrientos në një aksident ajror në Koçabamba më 27 prill 1969 dhe mikut të ngushtë, Ministrit të Brendshëm, Antonio Arguedas Mendieta, që kish qenë një marksist dhe njëkohësisht agjent i fshehtë i CIA-s, arratisur nga Bolivia e kthyer më në fund në La Paz, ku duke përgatitur një bombë artizanale gjeti vdekjen, pasi ajo i shpërtheu në dorë në vitin 2000.

Ishte ky, që i dorëzoi CIA-s Ditaret e Che-së. I pranishëm në orët e fundit të Che, ishte siç e përmendëm, edhe superagjenti i famshëm CIA-s i ikur nga Kuba, Felix Rodriguez, dërguar posaçërisht me mision. Femra e fundit që Che takoi sa qe gjallë, ishte mësuesja 22-vjeçare e shkollës së fshatit La Higuera, e quajtur Julia Cortez, e cila dëshmoi se në orët e fundit, Che kishte një shikim zhbirues, ishte i qetë dhe ironik. Ekzekutimin e tij e mori përsipër vullnetarisht apo me short një tjetër rreshter, që njihej si i alkoolizuar, 27-vjeçari Mario Teran, në shenjë hakmarrje për vrasjen nga guerilasit, vetëm disa ditë më parë të tre shokëve të njësisë së tij, që për koinçidencë, kishin edhe ata të njëjtin emër, Mario. Pasi ushtarët bënë foto me Che-në e lidhur, Teran hezitoi disa sekonda, deri sa me një karabinë M2, shtiu plot 9 herë mbi trupin e Guevarës! Po këtë ditë u ekzekutuan edhe dy shokët e Che, Uilli dhe Cino. Ky qe fundi i Che-së, por jo ai i mitit dhe legjendave për atë, deformuar, zbukuruar dhe amplifikuar nga të majtët e çdo ngjyre, përfshirë edhe këta shqiptarët, mjeshtra të palodhshëm të rrugës së mundimshme të fshehjes dhe deformimit së të vërtetave, në këto plot 51 vite pas ekzekutimit të tij. Pa harruar asnjëherë t’i bënin, siç edhe vazhdojnë t’i bëjnë elozhe e ta ekzaltojnë, këtë figurë apokaliptike, të veshur plot mister dhe enigma. Më 15 tetor Kastro publikon lajmin mbi ekzekutimin e Che dhe shpall tri ditë zie, që mbyllen më 18 tetor, me një fjalim të tij para 1 milion vetëve në Sheshin e Revolucionit. Disa muaj më vonë, saktësisht me 22 shkurt 1968, kthehen në Kubë tre shokët e Che-së, që shpëtuan nga vdekja: Pombo, Urbano dhe Beninjo, ndërsa vetë Che, u kthye në Kubë, natyrisht i vdekur, vetëm 30 vite më vonë, kur edhe u gjet në korrik të 1997 varri i tij, diku afër vendit ku e ekzekutuan, kurse eshtrat u rivarrosën në Santa Klara.

A ka ardhur në Shqipëri Ernesto Guevara në marsin e vitit 1960?
Che Guevara duhet të ketë ardhur në Shqipëri në pranverën e vitit 1960 dhe unë rreshtohem mes atyre që e besojnë këtë, por nga ana tjetër, mbetet enigmatike; pse u mbajt kaq gjatë ky mister nga të dy palët, që edhe sot mbulohet nga një tis i errët! Si shpjegohet që atë, nuk e priti diktatori Hoxha, gjë të cilën, si më parë, ashtu edhe më vonë, ai e kish bërë dhe do e bënte, për figura dhe personalitete të rangut shumë më të ulët se Che?! Ende Enveri, që sapo i kish kaluar të pesëdhjetat, mbahej mirë me shëndet, madje pak muaj më vonë ai do merrte rrugën e gjatë, mes acareve politike të “Dimrit të Vetmisë së Madhe”, siç e ka përcaktuar gjeniu Kadare dhe acarit të njohur të motit në Moskën e nëntorit 1960, aq e famshme për shizmën e madhe të komunizmit. Njeriu që ka folur më gjatë për këtë vizitë, është Zeqi Agolli, i pari sekretar personal i diktatorit, kur ai ende jetonte dhe punonte në hotel “Dajti”, e që më pas u bë një nga diplomatët dhe funksionarët më jetëgjatë të Ministrinë e Punëve të Jashtme.

I thirrur nga kryeministri Shehu, Zeqi Agolli tregon se u urdhërua prej tij të priste në aeroportin e porsandërtuar nga të burgosurit në Rinas, një delegacion miqsh të huaj, të cilëve nuk u duhej bërë asnjë pyetje. Vetë Agolli, mesa duket e kuptoi mirë detyrën. I shoqëroi ata në zyrën e kryeministrit dhe mori edhe vetë pjesë në takim. Ai, rrëfen se u fol gjatë spanjisht mes tyre dhe pati shkëmbim pikëpamjesh, mes të cilave edhe nga ato që nuk përputheshin mes tyre. Che injoronte dhe nënvlerësonte partitë politike, qofshin edhe revolucionare ato dhe rolin udhëheqës të tyre (me sa duket nisej nga shembulli kuban). Ai parapëlqente ndezjen e vatrave lokale, të cilat do e përhapnin flakën e revolucionit kudo. Nga ana tjetër, Che ashtu si edhe Fideli, ende nuk kish një qëndrim të prerë, se anën e kujt duhej të mbante në konfliktin ideologjik mes komunistëve sovjetikë dhe atyre kinezë. Këto pikëpamje Shehu, duhet t’ia ketë transmetuar menjëherë Enver Hoxhës dhe në mënyrë të padiskutueshme, këto duhet të ketë qenë edhe arsyet e vërteta, pse ai nuk denjoi ta sajdisë as për kortezi Che Guevarën, që priti më kot dy net në vilën luksoze të Erebarave, dibranëve atdhetarë e intelektualë të shquar e të pasur, të cilëve regjimi ua kish shtetëzuar atë fill pas luftës. Ai e kaloi kohën pa dalë nga vila duke luajtur me një automatik, dhuratë surprizë kjo e Shehut, domethënien e çuditshme të së cilës, edhe sot e kemi të vështirë ta kuptojmë, po të kemi parasysh, se në mars të 1960, ende Shqipëria nuk prodhonte armë, pasi akoma s’ishte ndërtuar Uzina e Armëve e Gramshit, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë, që prodhoi me teknologji dhe çelik kinez e më pas suedez, “Kallashnikovë” dhe “Karabina” vetëmbushëse “Simonov” dhjetëshe dhe njëzetëshe (dhe jo siç thuhet shpesh gabimisht e Poliçanit, ku prodhoheshin vetëm fishekë e predha).

Che-së nuk i mungonin armët, qofshin amerikanet trofe, apo sovjetiket dhe kinezet! Si mund të shpjegohet fakti, që edhe pse Che, tashmë nuk ishte në ilegalitet, madje de facto ishte nr. 2 i regjimit kastrist, vizita në Shqipëri u mbajt “top secret”, ndryshe nga vizitat e së njëjtës periudhë në disa nga vendet e tjera socialiste, që u bënë të gjitha publike. Asnjë proces verbal, asnjë fotografi dhe asnjë filmim i vizitës dhe takimit me Shehun nuk është gjetur deri më sot, edhe pse regjimi ynë diktatorial u kushtonte rëndësi të veçantë këtyre, deri në detajet më të imta. Vetë diktatori e ka përmendur vetëm njëherë Che-në, gjatë një bisede me dy drejtues të Partisë Komuniste (M-L) të Ekuadorit plot 50 vite më parë, më 21 tetor 1968, ku ai e quan atë “një luftëtar të mirë të majtë”, por jo një marksist-leninist dhe vazhdon: “Përse duhet ta vajtojmë vrasjen e Che-së, në fund të fundit revolucionarët vriten”! Me sa duket, Hoxha nuk mund ta pranonte dhe miratonte dorëzimin e Che-së!

Interesant mbetet edhe një fakt tjetër. Në një intervistë të dhënë vite më parë për autorin pasionant të disa librave për Che Guevarën, të cilin duket haptazi që e ka idhull, Jovan Jano, studiues apartiak i majtë, Zeqi Agolli, edhe pse tregon për vizitën e Che-së në Tiranë, befason me anonimitetin e tij lehtësisht të kuptueshëm e të zbulueshëm, duke mos pëlqyer të identifikohet! Por vite më pas, teksa po i afrohet 100 viteve, duket se e “harron” këtë, madje shfaqet publikisht me zë dhe me figurë, në një ekskluzive të para disa javëve në “Top Channel”, dhënë gazetarit Marin Mema, ku pasi thotë që edhe pse flas pesë gjuhë, duke mos ditur spanjisht, unë nuk kuptova asnjë fjalë nga biseda Shehu-Che! Natyrisht, kuptohet me lehtësi, që këtu ka diçka që nuk shkon. Së fundmi, mund të arsyetojmë në favor të faktit që Che e ka vizituar Tiranën, edhe me dy argumente të tjera: së pari, Che merrte pjesë, siç dëshmon Zonja Pogaçe, bashkëshorte e ambasadorit shqiptar në Kubë, në pritjet që ambasada jonë atje jepte në raste festash dhe kjo s’ishte rastësi, e së dyti, ai ishte drejtuesi i vetëm i lartë, që vizitoi dhe bisedoi në një nga saletet e hotelit ku ishin akomoduar, me anëtarët e delegacionit më të lartë qeveritar të Tiranës, dërguar ndonjëherë në Kubë, kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi (nëse kishte një të tillë Shqipëria komuniste!), e natyrisht edhe kjo s’mund të ishte rastësi. Të tjerë shqiptarë që kanë takuar Che-në, mund të përmendim Kiço Ngjelën, ish-ministër i Tregtisë (dënuar më vonë), Eleni Pashko Terezi, aparatçikë të lartë të Komitetit Qendror si Mihallaq Gjinikasi e Qemal Myrseli, diplomatë si ambasadori Pogaçe, Labo Abazi, Pertef Hasanmataj, atasheu tregtar, Tiri Çollaku e ndonjë tjetër.

E vërteta ndryshe për Ernesto Che Guevarën dhe një përfundim
Do të ishte naivitet, nëse autori i këtij shkrimi për Che Guevarën do ta konsideronte shterues atë. Për Che-në, është e vërtetë që janë shkruar libra dhe publiçistikë e shumtë, janë bërë filma e dokumentarë kinematografikë dhe televizivë, madje për të janë bërë edhe këngë (ku më e pëlqyera mbetet ajo e këngëtares së famshme kubane Nathalie Cordona “Comandante Che Guevara”). Të famshëm atë e bëri dhe fotografia e Alberto Kordës “Guerrilieri heroik”, vlerësuar nga një Institut Artesh në Merilend, si fotoja më e bukur e shekullit të XX-të, e stampuar në miliona bluza, të shitura, sa për propagandë, po aq edhe për biznes, apo e stampuar si tatu (fjalë e njëjtë me një nga pseudonimet e Che-së), në trupin e Tajsonit dhe Maradonës.

Ekzekutimi i Che-së ndodhi në preludin e Pranverës Revolucionare të Rinisë më 1968 (sidomos në Francë) dhe mjeshtrat e mëdhenj e të palodhshëm të propagandës së majtë, të trushpëlarjes dhe trullosjes së njerëzve, e shfrytëzuan dhe e përdorën në favor të tyre shembullin e tij, sidomos mes rinisë studentore. Ata shfrytëzuan po kaq mirë dhe takimin e vlerësimin e parë të Sartrit (Jean-Paul Charles Aymard Sartre 1905-1980), babait të ekzistencializmit dhe Dë Bovuarit (Simone Ernestine Marie Bertrand de Beauvoir 1908-1986), bashkëjetuese e Sartrit, me Che-në në zyrën e tij në Havana, mars 1960, për t’i bërë më pas atij një publicitet të amplifikuar. Më vonë, Sartri ky filozof i madh frëng, i rishikoi qëndrimet dhe vlerësimet e tij të majta, duke pranuar se kishte gabuar (sidomos për socializmin e llojit sovjetik, ku krimet e tmerrshme dhe varfëria e skajshme për miliona njerëz, ishin ambalazhuar me një cipë të sheqerosur nga propaganda e fuqishme zhdanoviane e Stalinit e pasuesve të tij).

Edhe në Shqipëri është shkruar jo pak për Che Guevarën, por është interesante të thuhet se në gjallje të Enver Hoxhës, kjo nuk ndodhi dhe natyrisht, jo vetëm për shkaqet që treguam më sipër, që çuan në mospërfilljen ndaj tij, por edhe për faktin se Partia Komuniste kubane dhe Kastro u konsideruan shpejt revizionistë nga Hoxha, ndaj dhe nuk guxoi kush të shkruajë për të. Nostalgjia për Che-në, çuditërisht shpërtheu te ne, fill pas përmbysjes së regjimit. Më shumë se për Che-në, kjo ishte nostalgji për mënyrën afërsisht të ngjashme me të cilën erdhën në pushtet komunistët shqiptarë dhe si një justifikim për terrorin dhe krimet që ata bënë, si gjatë, ashtu dhe pas Luftës, duke kompromentuar rëndë heroizmin, sakrificat dhe gjakun e derdhur kundër pushtuesve nazi-fashistë. Ndryshe, si duhet kuptuar fshehja e anëve të errëta, krimet dhe terrori, që deri personalisht edhe ndaj bashkëluftëtarëve, madje dhe miqve të ngushtë zbatoi Che-ja, kur ishte guerilas dhe fill pas marrjes së pushtetit, kur i kërkoi Fidelit emërimin në postin e komandantit të burgut të tmerrshëm “Kabanja” që më 2 janar 1959, në më pak se 6 muaj u ekzekutuan deri 105 persona!
A nuk ngjan ai me kryeterroristin shqiptar Enver Hoxha, kur “dekoronte” me plumba pas koke, Anastas Lulën, Zai Fundon, Mustafa Gjinishin e shumë të tjerë, burgoste e internonte Ymer Dishnicën, Sejfulla Malëshovën, Zef Malën, Gjin Markun etj., për të mos përmendur listën pa fund të anëtarëve të Politbyrosë, të Komitetit Qendror, ministrave, gjeneralëve, deputetëve e shumë kuadrove të larta, që shkoi deri te Mehmet Shehu, të ekzekutuar, burgosur e internuar nga “Fideli” ynë!

Me të drejtë mund të pyesë dikush: Pse Che-ja nuk u ngrit të organizonte në luftën për liri, barazi, demokraci dhe drejtësi kundër borgjezisë kapitaliste dhe latifondistëve, popullin e tij argjentinas, por mori rrugët e malet deri në Kubë, Afrikë e Bolivi, mijëra e mijëra km larg?! Pse Che-ja nuk e nisi barazinë nga familja e tij, pasurinë e madhe të së cilës, mund t’iu a shpërndante të varfërve, duke i shpëtuar edhe nga shtypja e shfrytëzimi kapitalist, që me aq pasion ai, përpiqet t’i shpjegojë në tre librat e shkruar, apo publicistikën e tij?! A nuk del qartë dyfytyrësia e Che-së, në pasionin e egër të tij për t’iu a marrë tokën, fabrikat, pronat të tjerëve, kur kryesonte komisionet apo dikasteret për shtetëzimet dhe reformat, e shpesh, duke iu a marrë edhe jetën!

A nuk ishte e Che-së përgjegjësia për dështimet e rënda të industrisë, bujqësisë dhe financave kubane konstatuar herët nga ekonomisti i famshëm francez Rëne Dumont, e shumë të tjerë?! Po për moralin e Che-së, ç’mund të na thonë idealizuesit tanë të majtë?! Lidhjet e para të njohura me një femër, ishin ato me një grua të martuar, 30 vite më e madhe se ai, vajza e madhe e dy herë Presidentit hondurian, Ponciavo Leiva Madrid dhe gruaja e biznesmenit amerikan Henry Holst, marksiste e majtë e Aleancës për Gruan, farkëtuar në kudhrën e komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë?! Pa u divorcuar ende nga Hilda, nëna e fëmijës së parë të tij, që aq shumë u investua për të, ai kalonte netët e nxehta pyjeve me Aleidën, e cila edhe pse nëna e katër fëmijëve me të, tradhtohej lehtësisht prej tij në xhunglat e Afrikës dhe në pyjet e Andeve, me shoqen komuniste Tanja, që po të ishin partizanë në Shqipëri, do të kishin pasur fatin e Ramize Gjebresë e Zaho Kokës, të cilët “morali” partizan i çoi drejtë vdekjes, moral ky, që për trojkën Hoxha-Shehu-Kapo nuk vlente!

Ky pra ishte Ernesto Guevara, i mbiquajtur “Che” prej miqve të tij kubanë, që kur u njoh në Meksikë me ta, të cilëve u bënte përshtypje përdorimi i shpeshtë i fjalës “Che”, që rëndom përdoret nga argjentinasit dhe ka kuptimin miqësor “hej”, glorifikimi majtist gjysmëshekullor i figurës së tij, duket se është “ndihmuar” sadopak edhe nga karizma, që do ia kishin zili edhe aktorët e Hollivudit, por kjo vetëm për filma, se në jetë s’kishin pse të zgjidhnin vetësakrifikimin e jetës, falë delirit të madhështisë dhe protagonizmit.

(Diplomat dhe opinionist)


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Pal Totri Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. I nderuar Spartak. e lexova dhe e rilexova ne qetesi shkrimin tuaj, pervecse me pelqeu me dha edhe nje opinion te plote per nje guerilas i kthyer ne mit. kete mit e ke permbysur njehere e mire si shume mite te tjera te pa qena qe krijonte ideollogjia komuniste.

    Përgjigju ↓