KULTURË

Titujt e rinj në panair/ Nga Kadare për Pasternakun, te nobelistët e shkrimtarët shqiptarë

14:12 - 15.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Besnik Mustafaj, Namik Dokle, Gazmend Kapllani, Zija Çela, Enkel Demi, Flutura Açka me vepra të reja




 Kur Osip Mandelstam do të arrestohej mbrëmjen e 16 majit 1934, se kish folur shumë kundër pushtetit të Stalinit, Boris Pasternak do të rendte në shtëpinë e tij, për të takuar të shoqen dhe për të kërkuar të gjenin në parti një mik që do të mund ta shpëtonte. Ndërsa përpiqej të shpëtonte Mandelstamin, Pasternaku, do të shprehej për shumë të tjerë, se nuk kishte të bënte me të.

Më 13 qershor 1934, në apartamentin e shkrimtarit në rrugën Volkhonka, bie zilja e telefonit. Ai u përgjigj dhe  nga ana tjetër dëgjoi një sekretar t’i thoshte se do t’i kalonte në telefon, Stalinin. Fillimisht, Pasternak mendoi se ishte ndonjë mik që donte t’i bënte një lojë, nuk besonte se Stalini donte të fliste me një si ai, ndaj e mbylli telefonin. Por telefoni ra përsëri. Pak minuta më vonë, dëgjon frazën “Po ju flet Stalini”.

Biseda e 84 viteve më parë, shërben ende si një temë për të cilën ka dritëhije. Dilemat janë mbi disa prej përgjigjeve që ka dhënë atë ditë Pasternak, kur Stalini e ka pyetur për mikun e tij Mandelstam.

Nis me këtë telefonatë, një prej librave më interesantë të këtij panairi.

Është libri më i fundit i Ismail Kadaresë: “Kur sunduesit grinden”- Rreth misterit të telefonimit Stalin –Pasternak. Vepra sjell një qasje mbi raportin e shkrimtarëve me diktatorët dhe në kopertinë ka imazhin e Janusit, perëndisë që sipas mitit romak, qe perëndia e fillimit, kohës,

tranzicionit, dualitetit. Janusi, i përshkruar si me dy fytyra sheh njëherësh të shkuarën e të të ardhmen- ai shenjon fillimin dhe mbarimin e konfliktit, luftën dhe paqen. Portat e një ndërtese në Romë që mbante emrin e tij, hapeshin në kohë lufte dhe mbylleshin për të shënuar ardhjen e paqes. Kadare po punon me këtë libër prej dy vitesh; mbi telefonatën e diskutuar gjatë, të një shkrimtari në ish-Bashkimin sovjetik me Stalinin- ‘udhëheqësin’ që dikur do e përdorte këtë telefonatë, kundër vetë shkrimtarit.

TITUJT

Ky është një prej titujve të rinj në panair. Më poshtë, ‘GSh’, sjell titujt e rinj nga disa shtëpi botuese që marrin pjesë në këtë event.

Shkrimtari Mehmet Kraja do të jetë në stendën e Onufrit në Panairin e Librit, të enjten në orën 11, për të promovuar dhe nënshkruar romanin e tij të ri “Prishtina”.

“Shënimet e krimbit Smolinski”, romani i ri nga Azem Deliu, ku Piotr Smolinski, shkrimtar i njohur polak, ftohet në një rezidencë artistësh në Kosovë ku ndeshet me mentalitetin e pasluftës, e që në disa pika, i kujton problemet e pas rënies së komunizmit në vendin e tij. Përballjet e tij me familjen, traditën, kishën, e në fund fare, me veten, e bëjnë të mbajë nofkën dëshpëruese “krimb i pandershëm”.

Me roman të ri vjen edhe shkrimtari Virion Graçi. Me një ironi sarkastike në romanin “Pëllumbat i vrasin natën” tregohet fati i ndryshëm i dy vëllezërve dhe i nënës së tyre që ka humbur kujtesën. Me neutralitet gati gazetaresk ndaj fakteve, autori tregon si fijet tragjike të fatit njerëzor mund të mpleksen e të ndërvaren prej ngjarjesh kontinentale e ndarjesh botërore gjeo-politike si dhe nga shtysa të brendshme, instinktive e patologjike të njerëzve të rëndomtë tjetërsuar prej pushtetit pa caqe, dehumanizuar deri në barbari.

Mira Meksi vjen me librin “Hakmarrja e Casanova-s”(novelë e tregime). Në të, një ekspeditë historianësh të lashtësisë përndjekin misterin më të madh të jetës së Kazanovës, princit venecian të joshjes dhe njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes europiane. Zbulimi i tij trondit jo vetëm biografët e Kazanovës, por mbarë njerëzimin. Një tragjedi e padëgjuar pason…

Agron Tufa prezantohet në panair me “Fabula Rasa”(e rishikuar), personazhi i Agron Tufës, përmes një dueli real dhe metaforik vihet në kërkim të vetvetes drejt shpalimit të shtresimeve të identitetit moral, psikologjik, drejt profilit shpirtëror. Dualizimi i njeriut, përpjekja e tij për ta mbytur realitetin duke kërkuar shpëtim në lexim, në libra, në një botë të cilën ai përpiqet ta ndërtojë brenda asaj që jeton, është përpjekje e stërmundimshe e njeriut për të shpëtuar nga hiçi, nga krimbi që rritet brenda shpirtit të tij e që e përcakton deri në skaj prejardhjen prej krimbaçëve të mëdhenj.

TOENA

“Letrat e mia kredenciale” është botimi më i ri i Besnik Mustafajt. Ai u promovua dje në panairin e librit në një bisedë me Arta Markun. Namik Dokle vjen me romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”, Subjekti i këtij romani shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca. Ajo vjen nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë asnjë mundësi të bëjnë dashuri. Në fshat mbizotëron një shtetrrethim i frikshëm mbi ndjesitë dhe nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet kanë veshur, të gjithë, petkat e tyre prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare në diktaturë. Heshtja e frikshme mes banorëve për të artikuluar dyshimet, e pengon një profesor shkencëtar të njihet shpejt me të vërtetën. Laboratori i tij nuk është thjesht shkencor, por kryesisht njerëzor.

ALBAS
Dy romane nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë i gjeni në stendën ALBAS. “Uni i ndaluar” nga Peter Carey (2 herë fitues i Booker Prize) dhe “Zhurma e bardhë” nga Don DeLillo (një nga kandidatët më të diskutuar për çmimin Nobel), përkthyer nga Ukë Buçpapaj.

Seria për fëmijë “Më quajnë … ” (botime ALBAS) tashmë e mirënjohur dhe mjaft e vlerësuar nga të rritur dhe fëmijë (me dy çmime Panairi), që flet në vetën e parë për figurat më të shquara botërore dhe shqiptare, tashmë pasurohet me Gegë Marubin, i fundit i të lavdishmëve MARUBI. Rita Petro thotë se i është mirënjohëse për bashkëpunimin autorëve të tekstit Albert Vataj, Zija Vukaj, si dhe Tonin Vasës për materialet informuese dhe përshkrimet plot ndjenjë për jetën dhe veprën e rrallë që këto personalitete të shquara na e lanë si trashëgimi nëpërmjet fonotekës Marubi. Në veçanti një falënderim i veçantë shkon për Entela Kasemi Beati dhe Sulid Kasemi Beati që me ilustrimet e tyre i kanë dhënë jetë kësaj serie të çmuar. (Së shpejti në përgatitje janë “Më quajnë Eqrem Çabej”; “Më quajnë Onufri” “Më quajnë Ali Pashë Tepelena” (përgatitur nga Luan Rama); etj.

Po në Albas janë tregimet e Francis Scott Key Fitzgerald, përmbledhje e titulluar “Një mal diamanti” përkthyer nga Ylli Pango.

E njëjta shtëpi botuese ka marrë të drejtën e botimit të veprës së një prej lirikëve më tipikë të letrave shqipe, Frederik Rreshpjes, që i është besuar nga familjarët. Për këtë botim janë kujdesur me shumë përkushtim e profesionalizëm Vjollca Osja dhe Gazmend Krasniqi. Veçanërisht vlerësimi kritik i tyre përfshirë në libër zbulon disa anë mbetur të pandriçuara për sa i përket forcës së poetikës të Rreshpjes.

Një album i rrallë – 100 fotografitë që ndryshuan botën (ku përfshihen dhe dy foto nga ngjarje kyçe në historinë e shqiptarëve, është një bashkëpunim i ALBAS-it me shtëpinë botuese WHITE STAR. Një nga punët më të çmuara në këtë panair të librit është bashkëpunimi me Primo Shllakun për të sjellë në shqip veprën e plotë “Lulet e së keqes”; një punë e mundimshme përkthimi disavjeçare për të harmonizuar muzikën dhe domethënien e thellë të vargut bodlerian me tingëllimin e bukur në gjuhën shqipe. “I KEQI I VETES”, është romani i fundit i Gazmend Kapllanit, i njohur për publikun me “Ditar i shkurtër kufijsh”. “I keqi i vetes” të mbërthen në rrjetën e kujtimeve të viteve ’90 që shënuan kthesën e madhe në jetën kolektive dhe në jetën e gjithsecilit prej nesh. Dy vëllezërit Karl e Frederik, (emra të vënë nga i ati komunist për hir të Karl Marksit dhe Frederik Engelsit), ndjekin rrugë të ndryshme në jetë; njëri i ngulur në atdhe, në qytetin e Tersit (pranë bindjeve të të atit e konvencioneve të mjedisit shoqëror); tjetri merr rrugën e mërgimit nëpër botën e qytetëruar. Po a do t’i mbijetojë djali “plangprishës”, njëkohësisht dhe personazhi-autor i sfidave të emigracionit, mbijetesës për punë e studim, mbijetesës në marrëdhënie me femrat apo të kujtimeve e lidhjeve nostalgjike që e tërheqin si gjymtyrë meduze për ta kthyer në vendlindje?

IDK

Ribotohet Libri “Skënderbeu – Një histori politike” nga Aurel Plasari. Ai është vlerësuar më 2018 me Çmimin Shkencor Ndërkombëtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për studimet më të suksesshme për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun në Vitin Mbarëkombëtar kushtuar figurës dhe epokës së tij. Vepra është ndarë në kapitujt: Arbërit dhe Arbëria politike përpara pushtimit osman; Ekspandimi turk në kontekstin europian-arbëror; Shfaqja dhe ngritja në histori e Gjergj Kastriotit; Shpallja e politikës së luftës; Drejt “Aleancës së krishterë”; “Luftëtar i Krishtit” mes Turkut dhe Venedikut; Ballë-për-ballë me Muratin II; Mes papës Nikollë dhe mbretit Alfons; Mes Kalikstit III dhe Alfonsit V; Me Piun II në kulmin e politikës; Me kryqëzatën dhe pa kryqëzatën e Piut II; Në ballafaqim me “Mehmet Pushtuesin”; Zhgënjimi prej kurjes së Romës; Ballafaqimi i dytë me “Mehmet Pushtuesin”; Ethet e vdekjes dhe fundi; Skënderbeu – hero semantic; Fjalorth termash historikë; Shkurtesa të arkivave dhe bibliotekave; Bibliografi e autorëve të cituar ose të përmendur.

PEGI

“Dita e mbetur” e Kazuo Ishiguros, përkthyer nga Parid Teferiçi hap siparin e nobelistëve në panair. “Dita e mbetur” është po aq e fortë, sa delikate, një studim i ndrydhjes, me nuanca shumë të holla dhe shpesh gazmore. Në të analizohet “ndërgjegjja e rreme” (jo tërësisht e palumtur) e një njeriu …. Është një libër vërtet origjinal dhe i shkruar bukur. Kur e lexon, ke përshtypjen e pazakontë se po kontrollohesh nga autori.

“Viljevo” i Luka Bekavac përkthyer nga Ben Andoni, është një roman që i kushtohet idesë se forca e shtypjes është në përpjesëtim të drejtë me forcën e rezistencës e me dëshirën për liri, në Kroaci a kudo. Kjo histori përgjimesh e lufte për mbijetesë, si dhe përpjekjesh për ringritje, mund të jetë zhvilluar gjatë verës së vitit 1943, a kurdoherë. “Udhëtimi i gjatë i Geri Hopit”, nga Moony Witcher përkthyer nga Agim Doksani, roman fantazi për fëmijë tregon historinë e Geri Hop, një djalosh 13-vjeçar, i guximshëm dhe i zellshëm, që mbi të gjitha ka dëshirë të ndihmojë njerëzit që ka për zemër. Takimi me Alinën, një vajzë të re nga fisi i Fiderbëve, do ta ndihmojë të ndryshojë këndvështrimin e tij për botën. Dy fëmijët, të destinuar për t’u njohur për shkak të urrejtjes, shpejt do të jenë shokë udhëtimi dhe, në fund,

do të bëhen miq për kokë. Romani “Pa frymë” i Lorenzo Amurri, përkthyer nga Beti Njuma, rrëfen historinë e vërtetë të autorit. Jeta e tij ishte e bukur: muzikë, miq, drogë dhe rock & roll. Lorenco Amurri ishte njeri me fat, derisa, një ditë, teksa po bënte ski me të dashurën, Johanën, pëson një aksident të rëndë. Një çast më pas, është i shtrirë diku dhe po nxitojnë për në spital. Ofiçina, helikopterë, sulme ushtarakësh të ëndërruar e doktorë të vërtetë. Pas disa ditësh, ndërgjegjja kthehet sërish dhe bashkë me të, tmerri i situatës së tij të re: është i paralizuar në pothuajse gjithë trupin e tij, nga gjoksi e poshtë. Ka vetëm një shpresë të vogël për duart, dhe duart për të janë të rëndësishme, pasi falë tyre ai është kitarist dhe muzikant, një ndër më të talentuarit të gjeneratës së tij.

 

Çelja e panairit, “të ulet taksa e librit”

Është çelur dje në Tiranë, Panairi i librit. Në fjalën e mbajtur, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve tha se nisma për të nxitur leximin, si ajo “Takohemi për një libër” etj dhe pasurimin e disa bibliotekave janë punë që duhen lëvduar e mbështetur. “Nëpërmjet Lëvizjes Kombëtare për Lexim, po synohet të pasurohen biblioteka në 12 qytete, gjë që duhet përshëndetur, por duke kërkuar të përmirësohet bashkëpunimi me Shoqatën e Botuesve qoftë për veprimtaritë librore brenda dhe jashtë vendit. Duket se Ministria e Kulturës ka një pikëvështrim të qartë për punët me librit, por ne theksojmë që duhet punuar akoma më shumë për rritjen e buxheteve dhe përqendrimin e tyre, qofshin edhe ato lokale, për bibliotekat provinciale sidomos”, theksoi Ymeri. Ai shtoi se një detyrim i ministrisë është që së bashku të këmbëngulë për të ulur në minimumin e vendeve europiane Tvsh mbi librin, e cila është anormale dhe shumë e lartë. “Kërkojmë që të jetë në kufirin 4-6 % dhe me cikël të mbyllur. Përfshirja në Creative Europe ka qenë një shtysë shumë e mirë për një punë serioze, por edhe një shenjë e dukshme e profesionalizmit të botuesve shqiptarë që janë vazhdimisht fitues të projekteve të përkthimit dhe që ka ndihmuar në njohjen e letërsisë dhe kulturës së mjaft vendeve europiane në vendin tonë”, tha ai.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.