Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se tarifa e vendosur ndaj mallrave serbe është e drejtë e Kosovës dhe se përmes saj po mbrohet siguria kombëtare.
“Kryeministrja e Serbisë vazhdon t’u dërgojë letra shteteve, i ka dërguar edhe Shqipërisë, për të tërhequr njohjen e Kosovës. Pra, përderisa Serbia ka këtë qasje atëherë kuptohet shumë mirë se çfarë kemi vepruar ne”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka përsëritur disa herë se nuk do të tërheqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës derisa të ndodhë njohja e Kosovës.
Heqjen e tarifës e kanë kërkuar zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian si dhe Serbia e cila ka vendosur të mos vazhdojë dialogun me Kosovën derisa të shfuqizohet kjo masë nga ana e autoriteteve në Prishtinë.