OPINION

Kuaj të ndërruar, shpresë e mërguar

07:45 - 08.01.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërrimi i më shumë se gjysmës së anëtarëve të kabinetit qeveritar pak ditë përpara gjelit të vitit të ri ndoshta u bë për t’u kthyer shpresën njerëzve tek qeveria dhe përpjekjet e saj për t’i bërë të jetojnë më mirë, por kjo nuk po ndodh. Qytetarët e kuptojnë se po të mos kishte qenë protesta trejavore e studentëve në dhjetor 2018, e cila e tronditi nga themelet qeverisjen, karroca qeveritare si zor të ndërronte qofte dhe një kalë të vetëm në stacionin e Vitit të Ri 2019. Ata brenda karrocës ndiheshin ngrohtë me rrezatimin virtual qeveritar, me reformën e thellë në arsimin tonë të lartë, me një ligj të përsosur të vitit 2015, njësoj siç e kanë gjermanët dhe francezët, apo me rritjen ekonomike katër për qind, ndër më të lartat në rajon. Pavarësisht se të 129 mijë studentët e arsimit të lartë publik ndiheshin më të rrjepur se kurrë më parë, nga tarifat e ngritura dhe shërbimet e tjera të kripura. Pavarësisht se më të varfrit ndiheshin akoma dhe më të varfër, ngaqë 4 përqindëshin e rritjes ekonomike e përlanin më zengjinët, ata që ne i quajmë oligarkë dhe që në tre vitet e fundit kishin shtuar pasuritë e tyre me një mesatare 11 për qind.




Deri përpara 4 dhjetorit të protestës së studentëve ngelës, qeveria notonte në vetëkënaqjen e punëve të mëdha të Bashkëqeverisjes me qytetarin, të zgjidhjes së qindra halleve të njerëzve vetëm nga marrja seriozisht e ankesave të tyre online prej një ekipi realisht të ndershëm. Mirëpo me dhjetëra mijëra halle dhe ankesa të tjera ngeleshin pa zgjidhur, ose vonoheshin në zgjidhje edhe më shumë, duke shtuar pakënaqësinë mes njerëzve, tani që pritshmëritë Bashkëqeverisja i kishte rritur në maksimum. Dhe koordinatorët e Bashkëqeverisjes nisën të duken si anëtarët e kontrolleve punëtore e fshatare të një epoke tjetër, për nga përqasja gati donkishoteske për të zgjidhur problemet e njerëzve. Duke mos parë dështimin në pritshmëritë e njerëzve, ideatori i kësaj qasjeje i gëzohej gëzimit të atyre qindrave që u zgjidhej halli, duke mos kuptuar se qasja ishte thjesht një sprovë populiste, dhe jo zgjidhje reale, e cila duhej të vinte nga ndryshimi i sistemit. Prandaj dhe në këto ditët e para të këtij viti, njësoj si në korrik 2017, pasi mënjanoi partinë e tepsisë dhe e mori timonin i vetëm, i kthehet sërish idesë për ndryshime në administratë. Atëherë hoqi brenda ditës drejtorët e hipotekave dhe vërtet ngjalli shpresë. Tani po e ngroh si një diell korriku në këto ditë acari siberian ideja e studentëve të shkëlqyer të 9-ës dhe 10-tës që të futen ku të duan në administratën shtetërore. Por me një dallëndyshe nuk vjen pranvera. Ndryshimi i vërtetë ndodh kur kryhen reforma të thella, kur ato procedura në dukje kaq dixhitale e perëndimore për të rekrutuar njerëz të rinj në administratën shtetërore sot, kontrollohen vërtet.

Dhe, më së fundi, të krijohet ai mjedis antibiotik për të mos lejuar trukimet që kanë bërë këto gjashtë vitet e fundit të futen militantë partie apo jarane ministrash gati po me atë ritëm kur futeshin me pusulla letre nga bojarët partiakë në periudhën 1992-2012. Qeveria nuk ka asnjë reflektim se pse duhej të bllokoheshin 1.2 miliardë euro në katër projekte rrugësh me koncesion, kur rrugët e reja mund të pritej edhe disa vjet të bëheshin(nuk është se nuk kemi akse rrugore tani!) dhe me këto para mund të ndihmoheshin shumë më tepër me dhjetëra mijëra bujq apo sipërmarrës të vegjël në turizëm. Ky investim po që të kthehet shpejt, që nuk ka nevojë për të rënduar taksat e sotme dhe të 10 apo 20 viteve që vijnë, dhe që prodhon me dhjetëra mijëra vende pune në dy sektorët më premtues të ekonomisë sonë. Nëse nuk ndryshon sistemi dhe nuk kthehet përgjegjshmëria në administratën shtetërore nëpërmjet ligjit për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik, që KLSH ka pesë vjet që rreket të bindë ligjvënësit tanë ta përgatisin e miratojnë, nëse nuk anulohen kontratat koncesionare të porsalidhura, qoftë edhe me gjoba dhe paratë publike të shkojnë në ekonominë e gjithë shqiptarëve, jo në xhepat e oligarkëve ndërtues, atëherë shpresa se ky vend bëhet do të  vijojë të ngelet e mërguar në nevojën për teknikë që ka tregu gjerman ose në lotarinë amerikane.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.