Interi ka lënë pas pushimet e fundvitit, teksa i është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Beneventos.
Luciano Spalletti e ka pasur grupin e tij të plotë, përjashtuar këtu dy sulmuesit argjentinas, Lautaro Martinez dhe Mauro Icardi. Ish-bomberi i Racing po vuan nga një dëmtim në ije dhe ditën e sotme është stërvitur vetëm në palestër, ndërkohë që çështja Icardi është më e ndërlikuar.
Kapiteni i zikaltërve ka humbur fluturimin për në Milano, pasi aeroporti argjentinas nga ku duhej të nisej i anuloi përkohësisht fluturimet. Dhe në të tilla kushte, Icardi ka humbur seancën e parë stërvitore, diçka që për tifozët përkthehet “divorc”.
Megjithatë, Icardit i duhet të bashkohet me grupin të mërkurën në “Appiano Gentile”, për të shuar dyshimet për një krisje të marrëdhënieve me drejtuesit zikaltër, që ditëve të fundit i kanë ofruar një kontratë të re kapitenit të tyre, e refuzuar nga ky i fundit.