![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kavajë, pikërisht në shkollën “Rilindja”, ku shtatë adoleshentë akuzohen për abuzimin seksual të një 14-vjeçare. Ata kanë dalë sot paradite para Gjykatës së Durrësit, ndaj tyre është dhënë masa “arrest me burg”.
Shtatë adoleshentët kanë pranuar abuzimin me 14-vjeçaren, teksa pohuan se kjo gjë ka ndodhur disa herë dhe se e merrnin atë në shtëpi kur prindërit e tyre nuk ishin të pranishëm. Në seancën gjyqësore ndodhen edhe prindërit e fëmijëve të arrestuar, ndërsa mësohet se mamasë së njërit prej fëmijëve nga tronditja i ka rënë të fikët.
Banorët kanë treguar për Gazeta Shqiptare se vajza ishte një nxënëse e shkëlqyer. Banesa e vajzës është shumë pranë shkollës. Vajza jetonte me gjyshërit, dy motrat dhe të ëmën. Ndërkohë që i ati ishte emigrant në Itali. Ai është kthyer me të marrë vesh ngjarjen.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit në polici të vetë 14-vjeçares që mban datën 29 Janar të këtij viti. E mitura ka pohuar se është abuzuar nga 8 persona të moshës 14-17 vjeç, ndërsa një 15-vjeçar vijon të jetë në kërkim.
Policia nuk kishte njoftuar për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në shkollën “Rilindja”, ndërsa i pari që e denoncoi ka qenë ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.