Intervista

Duma: Opozita duhet të bindë, mision jo vetëm rrëzimi i qeverisë

14:30 - 26.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Ish-deputetja Grida Duma paralajmëron se në rast mosreflektimi nga ana e kryeministrit Edi Rama radikalizimi i mëtejshëm është i paevitueshëm. Zj.Duma thotë për “Gazeta Shqiptare” se për opozitën nuk është sfidë të bindë qytetarët se Edi Rama duhet të ikë; sfida e opozitës është ta realizojë politikisht largimin e tij. Por Grida Duma beson se opozita mund të sakrifikojë mandatet, por në asnjë mënyrë s’do të sakrifikojë rolin dhe qenien e saj. Zj.Duma i kujton lidershipit të PD-së se opozita duhet të jetë bindëse në përpjekjen e saj për të treguar se di të ndërtojë qeverisje, jo thjesht të rrëzojë qeveri. Ndërsa Edi Ramës i bën të qartë se është mendjelehtësi të përpiqesh të injorosh një opozitë që lufton, duke ndërmarrë sipas saj hapin qesharak të zëvendësimit të saj me dordolecë politikë. Për kundërshtitë e ndërkombëtarëve ndaj aksionit të opozitës, Grida Duma shprehet se nuk mund të injorohen shqetësimet e tyre, por ajo përmend së opozita po sakrifikon nga vetja pikërisht për të ruajtur thelbin e institucioneve kyçe të demokracisë.




Zj.Duma, Shqipëria aktualisht është në protestë për cilat arsye? Edhe sa kohë opozita do t’i nxjerrë njerëzit në shesh?
Opozita ka kryer veprimin politik fundor, ka djegur mandatet. Ishte një akt politik i kryer me besim të plotë në atë që ne të gjithë besojmë – rruga e vetme për t’u përballur me sistemin politik aktual, është dalja prej këtij sistemi. Për pasojë opozita është e vetëdijshme se ky hap nuk ka kthim pas. Opozita do të përfaqësohet nga protesta dhe sot opozita është vetë protesta. Sa kohë opozita është në sheshet e Shqipërisë protestat do vijojnë pa asnjë limit.

Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverisjen socialiste, por Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër. Si po i bindni qytetarët që ta rrëzojnë atë nga pushteti?
Rënia e Edi Ramës nuk lidhet vetëm me bindjen e shumicës së qytetarëve se ai duhet të ikë. As vetëm me besimin e opozitës se ai duhet larguar. Mendoj se këto dy rryma janë takuar prej kohësh. Shumica e heshtur e qytetarëve nuk e do Ramën. Opozita sot e merr forcën dhe aksionin e saj politik radikal pikërisht, sepse qytetarët janë të bindur që Edi Rama duhet të ikë edhe formalisht. Sepse qeverisja ka rënë. Edi Rama është kryeministër i rënë jo si individ; kryeministri është qeverisja, qeverisja është mirëqenie ose jo për qytetarët. Ne 6 vite të qeverisë, Rama ka sakrifikuar pa mëshirë jetën dhe mirëqenien e qindra-mijëra shqiptarëve. Ikja në masë nga Shqipëria nuk është thjeshtë pasoja e një ngërçi të momentit. Është shenja e dëshpërimit të shqiptarëve, një dëshpërim që nuk mbulohet dot me një, dhjetë, apo njëzet samite diaspore. Ikja në masë edhe e atyre që kanë një profesion të mirë, të ardhura të kënaqshme, por që gjithsesi zgjedhin të jetojnë tjetërkund, është barometri më i qartë i plakjes dhe shkretimit të së nesërmes. Për shqiptarët është e qartë që me Ramën e sotmja është po aq e keqe sa ç’është e nesërmja e pashpresë. Ikja e Edi Ramës është një mënyrë për t’i thënë ndal ikjes së qytetarëve. Për opozitën nuk është sfidë të bindë qytetarët se Edi Rama duhet të ikë; sfida e opozitës është ta realizojë politikisht largimin e tij. Dhe opozita do ta bëjë këtë.

Vendimi politik i PD-së për protesta, a do të çojë drejt një aksioni edhe më radikal për largimin e kryeministrit Edi Rama?
Aksioni është radikal që në këto momente. Sigurisht, në mungesë të reflektimit, radikalizimi i mëtejshëm është i paevitueshëm, jo thjeshtë si vendim politik, por edhe si hap i radhës. Opozita mund të sakrifikojë mandatet, por në asnjë mënyrë ajo s’do të sakrifikojë rolin dhe qenien e saj. Është mendjelehtësi të përpiqesh të injorosh një opozitë që lufton, duke ndërmarrë hapin qesharak të zëvendësimit të saj me dordolecë politikë. Nuk ekziston asnjë mënyrë në të cilën opozita të mund të pajtohet me arrogancën e pushtetit të Ramës, dhe me mendjelehtësinë që kjo arrogancë sjell.

Cili është plani i PD-së për tej kësaj situate, çfarë ndodh nëse Edi Rama nuk dorëhiqet?
Mbetet të jemi së bashku me ju dëshmitarë faktikë të betejës së Partisë Demokratike. Është e paduhur që të shpalosen paraprakisht detajet e aksioneve të ardhshme politike. Ndërkaq, paralelisht me atë që ndërmerr për të zhbërë pushtetin e Ramës, Partia Demokratike duhet të fillojë të artikulojë më fort alternativën e saj ndërtuese. Besoj jemi të gjithë të qartë që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e do rrëzimin e Ramës vetëm që Partia Demokratike të vijë në pushtet. Ikja e Ramës është një parakusht që shqiptarët të përmirësojnë jetën e tyre. Ikja e Ramës nuk është përfundimi, është fillimi shumë i vështirë i një rruge për zhvillim. Opozita duhet të jetë bindëse në përpjekjen e saj për të treguar se di të ndërtojë qeverisje, jo thjesht të rrëzojë qeveri. Nëse sot nëpër protesta i kemi shqiptarët me vete, ne duhet të dimë që atyre krahas forcës së kundërshtimit, t’u japim edhe aftësinë për të ngritur diçka më të mirë se kjo që duam të lëmë pas.

Pse kaq kundërshtarë të huajt ndaj vendimit të opozitës për dorëzimin e mandateve? Cila është zgjidhja?
Ndërkombëtarët theksojnë nevojën që zgjidhja të vijë me rrugë institucionale. Ata theksojnë nevojën e ruajtjes së stabilitetit. Partia Demokratike po përpiqet të bëjë më shumë se mirë detyrën e saj për të fuqizuar institucionet e demokracisë reale, ashtu siç e kërkojnë shqiptarët dhe mbështetësit e saj; thënë kjo, mbetet të vijojmë akoma më tej për të intensifikuar dialogun me ndërkombëtarët. Në asnjë mënyrë nuk mundet të injorohen shqetësimet e justifikuara të ndërkombëtarëve. Por, nga ana tjetër, besoj se jemi të qartë që të gjithë që aksionet opozitare nuk kanë nevojë për justifikim, opozita po sakrifikon nga vetja pikërisht për të ruajtur thelbin e institucioneve kyçe të demokracisë – Kushtetutën, zgjedhjet e lira, pavarësinë e gjyqësorit, balancën e pushteteve, përfaqësimin demokratik.

Si e konsideroni rolin e Presidentit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës? A është e gatshme PD-ja të hyjë në bisedime për të gjetur një zgjidhje që do të çonte drejt normalitetit të situatës së krijuar në vend?
Partia Demokratike e ka shtruar rrugën për bisedime, duke shtjelluar opsionin e saj; qeveri tranzitore. Ne nuk duam dialog thjesht për të kaluar radhën. Ne nuk duam as ca poste në qeveri që të plotësojmë numrat apo të ndajmë politikisht pushtetet. Nevoja për dialog dikton parakushtin që dialogu të jetë i plotë. Qeveria tranzitore është një parakusht që dialogu të jetë real, dhe realiteti i këtij dialogu të ketë kuptim. Presidenti i Republikës që në fillesë ka ushtruar mandatin duke i shkuar në limitet fundore kompetencave kushtetuese, besoj me qëllimin për të ristabilizuar figurën e presidentit, jo thjeshtë si regjistër noterial. Besoj që e njëjta qasje në këto momente i shërben vendit ndërsa jemi në momentet më të nevojshme për balance pushtetesh në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe kapje politike e organeve të drejtësisë e prokurorisë.
Opozita ka paralajmëruar se do të bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit gjë që veçse do të thellojë krizën në vend.
Ajo që e thellon krizën në vend është konsiderimi i saj si normalitet. Kryeministri Rama po bën gjithçka që ta trajtojë krizën e vendit si diçka normale, të cilën ai mund ta zgjidhë me veprime spektakolare – si për shembull me zëvendësimin brenda natës së gjysmës së kabinetit qeveritar. Por, të mbulosh krizën me rrecka të grisura, veçse e thellon krizën. Nuk është opozita shkaktarja e krizës; as nuk është opozita përgjegjësja për thellimin e saj. Pasi dogji mandatet, opozita nuk mund të përdoret më si një shiringë mpirëse nga Rama, që do të topitë ndjeshmërinë e popullit ndaj qeverisjes së keqe.

PD-ja ka deklaruar se përveç zgjedhjeve lokale do të jenë edhe ato parlamentare? Sa e mundur është që ato të jenë njëherësh dhe brenda 2019? Kur mendohet të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme?
Çdo gjë është e mundur; ajo që ne duam të pamundësojmë është vajtja në zgjedhje pa garanci të mbrojtjes së votës së lirë. Duhet ndryshuar në themel situata aktuale në mënyrë që vota të mbrohet; në funksion të këtij qëllimi, cilado formulë që jep rezultat duhet të jetë e dëshirueshme.

Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, a do të mund t’i fitojë opozita?
Opozita duhet të bindë shqiptarët se ajo di të qeverisë më mirë, jo thjeshtë se mund të fitojë zgjedhjet. Kur luftohet për të qeverisur mirë, qëllimi final nuk mund të jetë dita e fitores së zgjedhjeve, por dita kur sigurohemi se kemi hedhur hapa drejt mirëqeverisjes. Premtimet e pamenduara para fitores shpeshherë mund të jenë vargonj në këmbë pas marrjes së saj.

A është gati Partia Demokratike që të qeverisë ndryshe shqiptarët…?
Ka çdo potencial që të jetë gati. Në zgjedhjet e fundit Partia Demokratike u ristrukturua duke prodhuar një sekretariat jo tejet politik dhe me ndarje funksionesh po ashtu duke ndryshuar disi formulën e menaxhimit të saj. Parimi i ri i ndjekur mesa duket ka qene ndarja e funksioneve politike ndaj atyre administrative. Vijimësia e ndërtimit të qeverisë hije duhet parë nën dritën e këtyre përqasjeve të reja. Që do të thotë që nga qeveria e nesërme dhe çdo funksion tjetër politik nuk do të varet nga funksionet, por mundet nga kontributet dhe meritat e vlerësuara mirë. Themeli i qeverisjes së nesërme do të jetë meritokracia dhe vetëm mbi këtë themel mund të ndërtohet zhvillimi.

Me kë do të qeverisin demokratët nesër në pushtet dhe cilat do të jenë hapat e parë që do ndërmarrë PD-ja kur të vijë në pushtet?
Partia Demokratike duhet të jetë luajale me çdo mbështetës dhe kontributor të saj. Në takimet me demokratët theksohet domosdoshmëria që së pari të jenë demokratët ata të cilëve do tu njihet kontributi real i fitores. Është e domosdoshme që edhe në qeverisje të kemi një formulë të mirëpërcaktuar që harmonizon kontributin e demokratëve me atë të aleatëve të PD. Qartësia paraprake në ndarjen e përgjegjësive siguron nisjen e një qeverisjeje të përgjegjshme – pasi fitorja, sado e vështirë dhe e merituar, vlen vetëm nëse qeveriset mirë. Ne nuk do të përpiqemi të fitojmë siguri për veten duke u përpjekur të bëjmë propagandë me kalimin “nga fitorja në fitorje”, siç bën kjo qeveri. Hapat e parë tanë do të jenë konkretë – ekspozimi i keqqeverisjes nuk do të lidhet më me akuzat, sado të mirëargumentuara, të një opozite, por me masat dhe veprimet e një ekzekutivi që në thelb të punës së tij do të ketë çmontimin e sistemit që po i merr frymën këtij vendi. Nuk ka pse të ketë, dhe as do të ketë dyzime lidhur me këtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.