DOSSIER

Shqiptarët e Çamërisë në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme

18:00 - 28.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof.Dr.Selman Sheme* – Këtë vit mbushen 75 vjet nga akti final i gjenocidit grek dhe spastrimit etnik të krahinës së Çamërisë nga popullsia shqiptare myslimane. Në këtë shkrim do të trajtojmë rrethanat historike, metodat dhe etapat e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e veta stërgjyshore.




Migracionet zënë një vend të veçantë dhe me peshë në popullimin human të krahinës së Çamërisë dhe zhvillimin e saj në shekuj. Zhvillimet ekonomike dhe politiko-shoqërore, por sidomos faktorët shkatërrues të jetës shoqërore, si pushtimet koloniale, luftërat civile dhe spastrimet etnike me dhunë, shpronësimet dhe diskriminimi sociale etj., kanë diktuar lëvizjet migruese të popullsisë shqiptare të Çamërisë në shekuj.
– Shpërnguljet e dhunshme dhe me pasoja shkatërruese për strukturën demografike të krahinës së Çamërisë janë ato të 100 viteve të fundit. Gjurmët e dëbimit me forcë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre i ndeshim që në gjysmën e shek. XIX. Por ky proces bëhet më i dukshëm dhe në mënyrë të organizuar pas luftës ruso-turke të viteve (1877-1878) dhe Kongresit të Berlinit 1878). Synimet ishin të qarta: zgjerimi i kufijve shtetërorë tradicional të Greqisë dhe grabitja e tokës dhe e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve.

Shpërngulja me forcë e në rrethana të përdhunshme e popullsive shqiptare të Çamërisë nga trojet e veta nuk u bë në të njëjtën kohë e në mënyrë të pandërprerë. Këto procese janë zhvilluar në momentet historike më kritike për fatet e popullit shqiptar, kryesisht në viset periferike të trungut etnik, siç është Çamëria.

Vala e parë e shpërnguljes u përket viteve ’80 të shek. XIX, kur Greqia e ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha, në bazë të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878) mori nga Turqia rrethet e Artës dhe shpërnguli me forcë popullsinë shqiptare nga këto troje.
Faktet tregojnë se në fillim të shek. XX shpërngulja e popullsisë shqiptare nga krahina e Çamërisë bëhet më intensive e masive dhe është e orientuar gjeografikisht në mjediset qendrore të trojeve shqiptare, në Turqi, në SHBA etj.

Një fazë e re dhe me pasoja tragjike për popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të viseve të Konicës, Kosturit, Follorinës etj., fillon me luftërat Ballkanike dhe copëtimin e Shqipërisë nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Me këto vendime pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë mbetën jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptarë, duke rënë nën sundimin grek. Diplomati i shquar shqiptar, Rasih Dino, i deklaroi Konferencës së Londrës, se “paqja dhe qetësia e gadishullit do të arrihej vetëm në qoftë se Shqipërisë së ardhshme do t’i jepej një strukturë homogjene dhe kufijtë e saj të ndiqnin vijën e kufirit të atëhershëm me Malin e Zi, të përfshinin bashkë me hinterlandin e tyre përkatës, qytetet e Ipekut, Mitrovicën, Prishtinën, Shkupit e Manastirit, deri në Meçovë dhe të ruanin kufijtë ekzistues me Greqinë deri në Prevezë”.

-Për të nënshtruar përfundimisht viset shqiptare, administrata greke ndërmori aksionin e mbledhjes së armëve, vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe ndalimin e qarkullimit të Shqiptarëve jashtë juridiksionit të fshatit apo qytetit të tyre. Autoritetet ushtarake e administrate civile, filluan të shpronësojnë popullsinë myslimane shqiptare dhe të ushtrojnë dhunë mbi ta për t’i detyruar të shpërnguleshin.
Ndërsa, popullsinë e krishterë e shtrëngonin të mohonte përkatësinë kombëtare dhe të pranonte etnitetin helen e të shpallej greke. Për të shtypur qëndresën e shqiptarëve u ndërmorën masa të egra terrori dhe u shkatërruan qindra shtëpi në fshatrat e Çamërisë. Në vitin 1913-1914 në Kazanë e Paramithisë u shkatërruan fshatrat Gardhiq me 300 shtëpi. Dhragomia me 200, Petrovica me 75, Minina me 65 shtëpi. Në Kazanë e Filatit u shkatërruan ndër të tjerë: Ninati me 120 shtëpi, Markati me 12, Janjari me 150 shtëpi, e tjerë.
– “Fati i Shqiptarëve të provincës së Çamerisë, – shkruan F.S.Noli, – provincë e aneksuar prej Greqisë nuk ndryshon nga ai i kosovarëve. S’është veçse një ribotim i tragjedisë në tri akte: ç’pasurim, ç’përngulje, ç’farosje”.

Spastrimi etnik gjatë Luftës së Parë Botërore
Në rrethanat e luftërave ballkanike dhe të pushtimit të Çamërisë fillon etapa e parë masive e shpërnguljes së dhunshme të popullsisë së krahinës për në Turqi, Shqipëri e vende të tjera të Ballkanit, në SHBA e tjerë. Për pasojë, vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore rreth 10.000 shqiptarë të Çamërisë, të cilët u dërguan në Turqi. Gjatë shpërnguljes pati shumë të vrarë e të masakruar.

Në vitet 1913-1914, duke kaluar kufijtë e porsacaktuar të Shqipërisë, ushtria greke vrau, dogji e shkatërroi mjaft vendbanime rurale e urbane në rrethet e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Skraparit e Tepelenës, duke përfshirë edhe Kurveleshin. U shkatërruan 190 fshatra dhe dy qytete. Popullsia që u detyrua të largohej prej andej, erdhi e u vendos në ullishtat e Vlorës, ku nga vuajtjet, sëmundjet dhe uria vdiq një numër i madh refugjatësh. Mis. E. Durham, që shkoi t’u jepte ndihmë mjekësore e ushqime, thotë se brenda dhe jashtë Vlorës bëheshin së bashku së paku nja 70.000 frymë, përveç atyre që kishin zënë vend në mes të Beratit e Vlorës dhe në tokat malore.

-Midis këtyre mijëra refugjatëve nga Shqipëria e Jugut, që qenë të detyruar nga dhuna e bandave “vorio-epirote” të vendoseshin në ullishtat e Vlorës kishte edhe rreth 20.000 shqiptarë janinas, vashtinjarë, konicarë, e tjerë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, shqiptarët e Çamërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare në Greqi, mbështetën programin e Lëvizjes Kombëtare për të krijuar një Shqipëri në kufijtë e saj etnikë. Me përfundimin e luftës dhe me thirrjen e Konferencës së Paqes në Versaje (Paris), lëvizja për bashkimin e Çamërisë me shtetin shqiptar u zgjerua. U krijuan shoqëritë e para të mirëfillta çame, në Shqipëri, SHBA e tjerë, në të cilat u aktivizuan shqiptarë nga Çamëria dhe emigrantë nga trojet e tjera Shqiptare.
Me gjithë shpresat që ushqenin shqiptarët te Konferenca e Paqes e Varsajes, kjo konferencë nuk solli asnjë ndryshim në gjendjen e popullsisë shqiptare, që kishte mbetur nën qeverisjen greke. Keqtrajtimi i popullsisë së pafajshme do të vijojë në vitet 1919-1921, e më pas në Shqipërinë Jugore e Juglindore, në të dyja anët e kufirit. Viset kufitare greko-shqiptare qenë objekt i një dhune të egër, prandaj dhe largimet e popullsive qenë më të shumta: Si rrjedhim, numri i popullit shqiptar në krahinë erdhi vazhdimisht duke rënë.
Në vitin 1921, në Memorandiumin e Përfaqësuesve të Komiteteve të Bashkuara të shqiptarëve irridente, drejtuar Bonin Longarit, ambasador i Italisë dhe anëtari i Konferencës së Paqes, vërtetuar nga Prof. Bedri Pejani, ndër të tjera kërkohet që t’i kthehen Shqipërisë Çamëria dhe trojet e tjera Jug-Shqiptare të aneksuara nga Greqia.

Spastrimi etnik pas Traktatit të Lozanës (1923-1926)
Në verën e vitit 1922, pas disfatës greke në luftë me Turqinë, dështoi projekti grek i Megali-Ides për aneksimin e Azisë së Vogël dhe sundimin e Greqisë në ish-territoret e Perandorisë Bizantine. Për rrjedhojë, në vitet 1921-1922 filloi një periudhë e re tensioni politik në Greqi, që u shoqërua me aksione agresive ushtarake kundër shqiptarëve etnikë.
Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombeve, më 30 janar 1923 u nënshkrua Traktati i Lozanës midis Turqisë dhe Greqisë. Në një nga nenet e tij përcaktohej shkëmbimi i popullsisë turke në Greqi me atë greke në Turqi. U vendos që të ngrihej një komision i Lidhjes së Kombeve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit, së bashku me disa nënkomisione.
Komisioni Mikst, i ngarkuar nga Lidhja e Kombeve për zbatimin e shkëmbimit vendosi të “përjashtohej popullsia shqiptare e besimit mysliman të Çamërisë”. Këtë fakt e kishin pranuar edhe qeveritarët e Athinës. Përfaqësuesi grek në Lidhjen Kombëtare, Kaklamanos deklaroi se, “qeveria greke nuk ka për qëllim të shkëmbejë myslimanët me origjinë shqiptare, se shqiptarët banojnë në një krahinë të përcaktuar mirë, në Epir. Në qoftë se ata janë të një besimi me Turqit, nuk janë kurrsesi të një kombësie”.
Autoritetet greke në kundërshtim me deklaratat e tyre, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara ndërmorën masa të gjithanshme për pastrimin etnik të popullsisë shqiptare duke i etiketuar si turq.
Masat qeveritare ndaj shqiptarëve myslimanë që padrejtësisht iu nënshtruan “andallaisë” (shkëmbimit) u zbatua me egërsi të madhe. Çeta audartesh dhe kriminelësh profesionistë grekë masakruan popullsinë, e grabiten dhe e shpronësuan për ta detyruar të largohej në Turqi.
Me “andallaian” (shkëmbimin) filloi etapa e dytë e spastrimit etnik që iu bë popullit çam.
Në takime me Komisionin e Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesit e Çamërisë mbrojnë me vendosmëri identitetin e tyre shqiptar. Ata deklarojnë në mënyrë kategorike se janë shqiptarë dhe nuk i lidh asgjë me Turqinë, duke shprehur me këmbëngulje e vendosmëri kundër shkëmbimit dhe dhunës.
Në vitet 1920-1926, gjatë shpërnguljeve me dhunë u dërguan me forcë në Turqi 35.000 shqiptarë, banorë të 24 fshatrave të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 55.000 shqiptarë myslimanë të Epirit (Çamërisë), pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe të Pargës. Këto qytete, që deri në atë kohë kishin mbajtur të gjallë frymën kombëtare, me largimin (shpërnguljen) e popullsisë shqiptare myslimanë për në Anadoll, filluan të asimilohen.
Në shtëpitë e shqiptarëve myslimanë u vendosën me dhunë refugjatët grekë të Azisë së Vogël, ndërsa shtëpitë e banuara nga të krishterët dhe grekët nuk u prekën. Padrejtësia ishte e hapur, mizore dhe çnjerëzore.
Në vitet 1922-1927 rreth 1400 shqiptarë të Çamërisë emigruan në Shqipëri. Emigracioni në Shqipëri vijoi në mënyrë periodike gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX. Që nga fillimi i vënies në jetë të Traktatit të Lozanës e deri në vitin 1937 kanë migruar në Shqipëri e në Amerikë 27.000 Shqiptarë myslimanë.
Me ardhjen në pushtet të qeverisë fashiste të Joanis Metaksait më 1936, gjendja e popullit shqiptar në Çamëri u bë edhe më e vështirë. Kolonizimi i rajonit nga grekët u intensifikua. Shpronësimi i popullit çam nga pasuria e tyre u vazhdua dhe emrat e vendeve (toponimet) të banuara nga shqiptarët u zëvendësuan me emra grekë.
Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët vetëm 20.200 banorë ishin grekofonë dhe 92.419 ishin shqiptarë.
Finalizimi i spastrimit etnik nëpërmjet gjenocidit (1939-1945)
Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta dhe henelizimit të saj u fut në një fazë të re gjatë luftës italo-greke (1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet tragjike të viteve 1944-1945.
Në prag të shpërthimit të luftës italo-greke, represioni i qeverisë greke ndaj popullit shqiptar të Çamërisë u rrit ndjeshëm. Qeveria armatosi banda paramilitantësh ushtarakë, të cilët filluan të terrorizojnë shqiptarët në të dyja anët e kufirit. Rekrutët çamë në ushtrinë greke megjithëse shfaqen dëshirën për të luftuar kundër italianëve u trajtuan jo si ushtarë, por si robër lufte. Në vend të pushkëve, atyre ju dhanë kazma e lopata për të punuar e vepruar në prapavijë për ndërtime rrugësh. Në këtë mënyrë, qeveria fashiste e Metaksait tregoi zyrtarisht mungesë besimi ndaj tyre, duke i poshtëruar e trajtuar jo si qytetarë grekë, por si të huaj të dyshimtë. Ky qëndrim përbuzës u përsërit edhe në mobilizimin e përgjithshëm. Tensioni politik në Çamëri u rritë në pikën kritike kur autoritetet greke, të ndërgjegjësuar për shtypjen e ushtruar kundër popullit shqiptar në Çamëri dhe të frikësuar nga ndonjë kundërveprim, urdhëruan internimin me dhunë të të gjithë meshkujve mbi moshën 16 vjeç, të cilët i futën nëpër burgje të ndryshme në ishujt e Detit Egje (Chios, Medelin, Korynth, Lefkada e tjerë). Numri i të burgosurve është llogaritur në mbi 5000 veta, prej të cilëve 550 u vranë ose vdiqën në tortura.
Në këtë situatë, Italia intensifikoi propagandën antigreke duke premtuar edhe çlirimin e minoritetit shqiptar në Greqi. Popullsia çame mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt. “Edhe kur italianët pushtuan Gumenicën – shkruan Jani Sharra – rrallë ndonjë çam u bashkua me ta”.
Një grup antifashistësh çamë i kryesuar nga Musa Demi iu kundërvu propagandës italiane para shpërthimit të luftës, por veprimtaria e tyre u ndërpre nga autoritetet greke. Gjatë muajve korrik-gusht 1940 krerët e Çamërisë u internuan. Pas thyerjes së ushtrisë italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia, qeveria greke ndërmori një valë të re dhune e terrori mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë.
Të burgosurit dhe të internuarit u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane, në një gjendje shëndetësore e shpirtërore të rëndë. – Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, qarqet shoviniste greke nxitën krijimin e bandave kriminale për të vrarë pjesëtarët e parisë së Çamërisë. Popullsia çame u ngrit mbi pasionet dhe urrejtjen nacionale dhe zgjodhi rrugën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit me popullsinë e krishterë, për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua pas pushtimit gjerman. Për këtë qëllim, njerëz me ndikim në krahinë u përpoqën të krijonin atmosferën e mirëkuptimit midis dy komuniteteve, grekë e shqiptarë.
– Popullsia çame në përgjithësi nuk pranoi mobilizimin ushtarak dhe bashkëpunimin me gjermanët në luftë kundër popullit grek. Nacionalistët bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut, me qëllim që të mënjanonin rrezikun zervist që i kanosej Çamërisë.
– Popullsia çame ka dhënë një kontribut të njohur në luftën antifashiste nacionalçlirimtare. Rezistenca antifashiste e kësaj popullsie fillon në dimrin e viteve 1942-1943. Në shkurt të vitit 1943 u krijua çeta “Çamëria” dhe pak më vonë batalioni “Çamëria”, i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën e famshme të Konispolit, kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë. Në këtë periudhë të trazuar, kur Napolon Zerva dhe bashkëpunëtorët e tij kërkonin të shuanin rezistencën antifashiste në Çamëri dhe luftën e popullit çam kundër fashizmit, në maj 1944 u formua batalioni i minoritetit çam, që mban emrin e heroit të LANÇ-it, birit të Filatit “Ali Demi”. Brenda disa muajve numri i partizanëve të batalionit “Ali Demi” u rrit 500 e ca luftëtarë. Ky batalion ishte inkuadruar në divizionin XV të ELLAS-it.
– Në verën e vitit 1944 tensionet politike në Çamëri u rritën dhe pasiguria e popullsisë çame u shtua.
– Më 27 qershor ndodhi masakra e përbindshme e forcave të Napolon Zervës kundër popullsisë shqiptare të Paramithisë, që është masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë. Në atë ditë forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zerva hyjnë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Të nesërmen një batalion tjetër i EDES-it hyri në Pargë, ku vrau 52 shqiptarë të tjerë. Masakrat vazhduan 3-4 ditë, jo vetëm në qytete, por edhe nëpër fshatra. Me këto ngjarje fillon eksodi çam, që ndodhi në vitet 1944-1945. Në vjeshtën e vitit 1944 situata politike në Çamëri ishte jashtëzakonisht kritike. Në këtë periudhë forcat zerviste iu afruan qytetit të Filatit në një kohë që forcat gjermane ende nuk ishin larguar. Në mëngjesin e 24 shtatorit Filati ra në duart e zervistëve, të cilët përsëritën krime të ngjashme me ato që kishin ndodhur në Paramithi. Përveç poshtërimeve, shkatërrimeve, grabitjeve dhe ç’nderimeve të grave, vetëm në dy ditët e para u therën dhe u vranë 259 banorë të Filatit dhe 157 banorë të fshatit Spatar.
– Raprezaljet e Paramithisë, Pargës, Karbunarit, Spatarit, Filatit etj., ku u masakruan edhe fëmijët, nuk la më asnjë lloj iluzioni. Shumica e njerëzve u bindën për fatin që i priste. Filloi kështu eksodi biblik i popullsisë çame, i cili të kujton eksodin biblik të izraelitëve, ndodhur 3300 vjet më parë. Duke u larguar, ata lanë pas shtëpi të djegura, kufomat e të afërmve të pavarrosur dhe të pushtuar nga tmerri. Largimin e tyre, historiani Jani Sharra e përshkruan me këto fjalë.
“Mijëra njerëz, burra gra e fëmijë, me dhimbje dhe keqardhje në fytyrat e tyre, niseshin me ç’mundnin të merrnin me vete, në rrugën e shpëtimit”.
Në dhjetor të vitit 1944 kaluan kufirin shqiptar kolonat e fundit të refugjatëve shqiptarë çamë, të përbërë nga gratë dhe fëmijët që kishin mbetur në burgjet e Paramithisë, Filatit, Janinës etj.
– Pas largimit të banorëve autoktonë, situata në Çamëri u rëndua edhe më shumë si rezultat i ashpërsimit të konfliktit që çuan në luftime të ashpra midis forcave të ELLAS-it, (të majta) e të EDES-it (të djathta) të N.Zervas.
Në dhjetor të vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe forcat e ushtrisë NÇG (ELLAS), çliruan Çamërinë dhe në fillim të janarit 1945 i detyruan forcat zerviste (EDES) të kalonin në Korfuz. Në luftimet për çlirimin e Çamërisë një ndihmesë të rëndësishme dhanë edhe djemtë çamë të inkuadruar në batalionin “Ali Demi” dhe në formacione të tjera. Në këtë situatë të re, një pjesë e popullsisë çame (3000-5000 vetë) u rikthyen në shtëpitë e tyre duke pësuar masakrën e dytë akoma më të pabesë. Refugjatët çamë kishin marrë sigurinë verbale edhe nga Misioni Britanik në Tiranë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Varkizës (13 shkurt 1945) EAM-i pranonte që ELLAS-it të dorëzonte armët. Pas dorëzimit të armëve, luftëtarët çamë të batalionit të IV “Ali Demi” u nisën për Shqipëri të çarmatosur. Shumë prej tyre u vranë gjatë rrugës nga forcat qeveritare të gjeneral Plastiras. Në mënyrë të pabesë garnizoni edeist në Korfuz shkeli marrëveshjen duke kryer sulmin final kundër Çamërisë. Bandat edeiste pasi ripushtuan Çamërinë, iu drejtuan Filatit, duke realizuar një gjakderdhje të tmerrshme. Kjo qe fushata e fundit e masakrës së zervistëve kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Spastrimi etnik i Çamërisë krijoi precedentin e rrezikshëm të spastrimeve etnike në Ballkan. Ai ndryshoi dukshëm balancën etnike në raportet greko-shqiptare, në favor të grekëve dhe krijoi një problem, që do të ndikonte për një kohë të gjatë në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Spastrimi etnik i Çamërisë nxiti dhe fuqizoi presionet e shtetit grek ndaj kombit dhe shtetit shqiptar, duke avancuar planet dhe aktivitetet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.
Bazuar në Konventën europiane dhe Deklaratën Universale, shteti grek duhet të kryejë detyrimet ligjore kushtetues për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike. Njëkohësisht riatdhesimi i popullsisë çame që banon në shtetin amë, në trojet e veta në Çamëri dhe kthimi i pronave të tyre do të përmirësonte situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Vetëm në këtë mënyrë mund të metohet për integrim dhe demokratizim të rajonit të Ballkanit.

*Pedagog në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Tiranës


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.