MILOSAO

Poezi nga Sidorela Risto

20:30 - 01.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sidorela Risto ka lindur në Tiranë më 25 maj 1983. Shkollën 8-vjeçare e kreu në kryeqytet, pastaj të mesmen në Pendleton, shteti Oregona në SHBA. Ka kryer studimet e larta për letërsi krijuese dhe muzikë, në Hunter College, New York. Po në Hanter College studio për master dhe e mbrojti me temën “Joyce and Wagner”. Autore e vëllimeve poetike “Pegasus”, “Ku e vërteta gënjen të vërtetën” (në shqip dhe anglisht) “Aprila” (në shqip dhe anglisht), “Harta e verbër”, “The Blind Map” (në shqip dhe anglisht), dhe së fundmi librin “The Quest for Redemption”, me ese në anglisht etj. Ka përgatitur dhe përkthyer dosje për poetin e madh amerikan Ezra Pound (Mehr Licht, 24). Poezitë e saj janë botuar në disa revista letrare amerikane. Punon dhe banon në SHBA.




Nga Sidorela Risto

Diçka për notimin

I.
Vetëm.
Mendja ulet në kështjellën prej rëre
loti formon baltën
unë pi gurët e vetmisë
jeta s’më jep ujë
dhe mbytem.
Një peshk i vogël : unazë në grep.

II.
Në fëmijëri bëja not peshku
duart në formë lutjeje
vallëzonin mbi det
këmbët luftonin pafajësinë e valëve
gjysmë vals, gjysmë flamenko
gjysmë peshk, gjysmë njeri
fytyrën baltës, shpinën qiellit
isha fëmijë.

III.
Tani bëj not delfini
përqafoj jetën me krahë të rëna
krahë e këmbë të lodhura
zhytja është luftë njerëzore
lutjet plumba dhe goja grykë pushke
Me Zotin komandant qëlloj
armik nuk kam
armiq kam plot
delfin naiv jam.

IV.
Jeta është stomak peshku.
Si Jona në barkun e balenës
jam unë perlë e ndotur në barkun e botës
Të dy kërkojmë një vend të huaj
Ai Ninivitët, unë Parajsën.

V.
Hapuni valë, hapuni,
peshkaqenëve dua t’u largohem
notoj në oqeanin e vetes.

Pusi
Dëgjova ankimin e pusit të kohës,
i pëshpëriste guralecëve të rëndë të gdhendur në të
“Dua të dëgjoj jehonën time.”
“Jemi të mbërthyer këtu nga kujtimet,” thanë ata,
“thithur nga graviteti i psherëtimave
të varrosura në palcë. Na mungojnë brigjet tona.”

Nuk mund ta pija ankimin, as ti jepja zë
U ul i mbytur nën malet me peshë
akordet e ëndrrave të braktisura ledhatonte
“Ekzistoj te heshtja, te pafundësia e lotëve
që nuk mund të derdh – si varkë e vetmuar pa spirancë në tokë të thatë
që pret të ndiej rrahjen e rrymave.”

Dëgjova trokitjen e pikave të shiut mbi guaskën time
tek harmonizoheshin mbi skaje të mprehta dhe shkëmbinj të ashpër,
psherëtimat e një pusi tjetër që kishte arritur tonalitetin,
“Vërshimi im është dhembja jote, më pi dhe thadro
gurin e vetë reflektimit – unë jam njeri i ri,
përpiqem të josh jehonën tënde. Më pi!”

I qepur pas zinxhirëve të arsyes mbrojtëse
pusi i mbytur nuk u dorëzua, “vërshimi yt do më thërrmoj përbërjen,
të shuhem është blasfemi. Më lër të mbahem pas heshtjes sime në currila të qeta.”
“Mik i vjetër, thjesht më pi! Gëzimi që jap është përjetësor,
Çliro uraganin, bashkohu me rrymën, më pi!”

Lotë të improvizuar
Pikëza uji
trokasin këmbët mbi
sipërfaqen e ftohtë
si rënie të ngrira daulleje
të një xhazi të varfër.

Në një vaskë me ujë
dy qirinj në formë gjetheje
lundrojnë mbi petale trëndafili –
varka të zbrazura puthin
horizontin e kuq.

Nën ujë
një rrymë kujtimesh
luan melodi të heshtura
mbi telat e butë
të gishtërinjve të vyshkur

Djersa kafshon lehtë gjinjtë kumbull,
prekja është fantazmë e dëshirës.

Vetëm, peshk i rrudhur.

Shërbehen në Nju Jork, Los Anxhelos
dhe Uashington
Mbi tavolina qelqi të restoranteve japonezë
gra lakuriqe shtrihen si tabaka
me peshq të gjallë në barkun e rrafshtë.
Buzë të lyera, zambakë u çelin mbi gjinj,
nuk kërcejnë në shtylla,
nuk nuhasin djersën e të huajve në krevatet e tyre.
Si sirena të mermerta zgjasin këmbët e akullta, qafat e gjata
të joshin oreksin e burrave për peshk, jo mish njeriu.

 

Gratë e zeza

E Dua Veten

E dua veten
vija lakuese mbërthejnë trupin si dallgë të buta
që lëpinë gurë te palëvizshëm.
Jam e bukur
se trupi im prej uji shkrin në mishin-çokollatë
të një burri që e quaj timin.
Dashuria jonë shtillet
një kërcim kakao i nxehtë në filxhanin e fatit
ku shijoj djegien
e pasionit të sotshëm dhe ndarjes së të nesërmes.
Ndiej gëzim
sepse mishi im i errët mund të shihet dhe të ndihet
jashtë dhomës private
të krijimit.
Marr frymë thellë, thellë nga përkëdhelja e dorës sime
dhe rënkimi i tij i butë,
Pluhuri i shkrirë i kakaos shijon ëmbël,
Kështu shijon dhe mëkati i shpallur para botës,
Dëgjoni këngën time
Ndijeni ofshamën e trupit!
Unë jam reale.

Romanca:
Një Gisht Prej Bari

Romanca: një gisht prej bari
E gjelbër, kur vesa e burrit pikon mbi lëkurën time,
E brishtë, kur ai më shqyen zemrën.
Një kërcell i hollë pa rrënjë, një re dyshimi.
E lagur, sepse shiu i zemrës së thyer
më godet mbi gjinj
dhe unë, një uragan lumturie përqafoj
sepse jam e lirë, e gjallë,
një kërcell i hollë që lufton për frymë,
sepse ai iku në një botë
përrallash ku princërit e zinj
janë bretkoca.
Romanca ime, një gisht i vyshkur bari
shijon hidhërimin e tokës.
Romanca ime,
rimishërim i shpresës së zezë të shpresës.

Ninulla e Trëndafilit Ngjyrë Vjollcë

Fli biri im se babi
do të kthehet sërish
një ditë
të thotë më fal.
Sot ti ke vetëm gjirin tim
të pushosh
në paqe, i fjetur.

Unë nuk e njoh romancën, biri im
por aromën e kam të ëmbël.
Nga gjembi që më shpoi zemrën:
Rrëke gjaku prej mjalti

Ti pusho,
se babi do të kthehet sërish
një ditë
të thotë
më fal.

Sot e pe tek pikturonte
mishin e brishtë në ngjyrë vjollcë
Bukuria ime shpesh është art
i urisë dhe grushtit të tij të fortë.

Por mos u mërzit, i vogli im
mos u mërzit, ti fli
Mami është trëndafil ngjyrë vjollcë
me aromë të ëmbël mjalti.

Dhe babi do të kthehet
një ditë
të kthehet
të thotë më fal!

Dhe do t’i gatuaj supë dhe mish
Do t’i them
Mos u mërzit.
Arti i tij i dhunës: vjollcë në trëndafil.

Kalorësi
Po pres për atë kalorës
personazh Blu përrallash
fitimtar i Bardhë i zemrave vajzërore
E Zezë
unë jam.
Pres kot që dielli të lind natën.
Nuk ka asnjë princ Blu
Asnjë përrallë në botën time prej mishi
vetëm shenjat e një të dehuri.
Duhet të vuaj
sepse jam e zezë
Dhe bota ime: një vrimë e zezë
e një ylli të vdekur.

Dialog me Lexuesin Diktatorial të Romaneve Rozë

-E pëlqen trupin tim?
-E pëlqej te veshur kur ekspozohet.
-Por lakuriqësia është rrëke pastërtie.
-Mëkat kur i shfaqet syve të uritur.
-Ato kanë uri për bukurinë që s’fshihet
-Mbuloje ATË!
-Por AJO është fryti i pasionit që shtrydh jetë.
-Mbuloje ATË!
-Por AJO është vetja ime, dëshmia e mbijetesës sime, anija e dëshirave.
-Mbuloje ATE, prostitutë!

-Trupi im është pemë e zezë, ushqehet me minerale dashurie.
Pa ndjesinë gjaku nuk rrjedh, dhe unë do të mbetem trung pa gjethe.
Duhet ta përdor atë që të jetoj.
-AJO është çështje private.
-Por AJO duhet të festohet. Seksi është dhuratë, hape!
-Kurrë në sytë e botës!
-Por AJO është liria ime, natyra femërore, anija e dëshirave.
-Mbuloje ATË!

Libri mbyllet.

Më ço në atë vend, dashuria ime…

Më ço në atë vend
ku xixëllonjat kërcejnë tango
dhe gurët e lëmuar bëhen trëndafilë pa gjemba
Në atë vend të shenjtë
ku shelgu i diellit pëshpërit premtime dashurie
Era thotë “pranoj”
Bilbili i turpshëm qan
Bilbili i lotuar sa qan.

Më ço në atë vend
ku lotët shkrihen në vargje
dhe ëndrrat – valë të ëmbla
përkëdhelin brigjet prej rëre
Në atë vend
ku akullnajat digjen
ku gjuhët e prushit pëshpërisin premtime dashurie
Dëbora thotë “pranoj”
Dallëndyshja e heshtur qan
Dallëndyshja e heshtur sa qan.

Më ço në atë vend, dashuria ime,
ku zogjtë janë rima
dhe poezitë – zemra të gjakosura fluturash
Në atë vend
ku lumenjtë mbyten
ku buzë hënëzore pëshpërisin premtime dashurie
Poeti thote “pranoj”
Poezia e vrarë qan
Poezia e thyer sa qan.

Kapiten pa busull

Gishtërinjtë përkëdhelin
gjethet që notojnë mbi dallgë
shegën e çarë – nota të ëmbla
në një pentagram të kuq.
Sy të kaltër pushojnë
Në bregun e rrezeve të perëndimit tim.
Një kapiten pa busull
i humbur në zjarrin
e pentagramit të kuq:
Shega nota pikon.
Ti je Hermes që luan në harpën e erës.

Farëza luledielli
nga gjyshja

“Nëse flutura e zezë
të fërkon ogurin e lotëve
në ballë,
pëshpërimat e vdekjes
tingëllojnë zhurmshëm,” më tha.

Zbathur, duke ecur
në ujra të zeza, baltë dhe rërë,
pashë një të rrotullohej
mbi mua
një ditë-diell
thjesht, kërcente vegimin profetik –
vegimin tim rreth vdekjes së saj…

Putha ëndrrën ,
inkubin tim,
mishin e akullt të
gjakut tim,
e huaj.
Pa nishane në fytyrë,
pa shkëlqimin e yjeve,
vetëm një çarçaf i bardhë,
puthja ime në ballin e saj,
zgalemat që qanin
dhe shkrimi i saj i shenjtë:

“Kur më fërkon këmbët
mos e prek
nishanin në mes.
Fluturat e zeza do ta vjedhin.”

© Autorja. Nuk lejohet ribotimi pa lejen e autores.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.