MILOSAO

Predha që gjeti vendin e Orakullit

16:50 - 01.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arben Velo – Ajo predhë avioni, me diametër 30 cm dhe gjatësi 121 cm e hedhur, në Barrun, në kodrat e Frakull Fier, mendohet nga një fluturak italian atë fund korriku të vitit 1943, peshonte 250 kg. E hedhur me nxitim nga qielli, me mision për të shkatërruar, nuk plasi. U zhyt nën tokë, udhëtoi në kohën e pakohë të saj, u rikthye si të frikësohej nga udhëtimi në thellësi e qëndroi afër sipërfaqes, duke krijuar dy metra katror varr të vet. Ashtu si dikush që bie në gjumë të thellë, në pritje të bjerë zilja e kurdisur e zgjimit, fjeti e fjeti për 77 vjet. Dhe atëherë kur nuk e priste, Ora e zgjimit erdhi. Ishte fillim prilli 2019. Një goditje e beftë në shpinë, diku në ije të saj, një lloj tik-taku metalik, zgjim që di të krijoj një goditje prej kazme ( “zgjohu de se u kalbe në gjumin e dherave”) do t’ia prishte letargjinë. E përgjumur, karthosur mes ndryshkut, dhe e inatosur nga ajo troshitje e pakëndshme, ajo u betua se do të rikrijonte tmerrin e dikurshëm , të cilin nuk arriti ta krijoj dot kurrë.




Fermeri Sami Kanaj, po punonte për hapjen e një kanali në tokën e tij, atje në Barrunin e mbushur me ullinj dhe shkurre, buzë një rezervuari me ujë, afër vendit ku dikur mendohej se qëndronte Orakulli , disa km larg Apolonisë së lashtë, po aq kilometra larg nga kisha antike e Kafarajt, përballë Vjosës. Dy metra përfund tokës që punonte, ai pikasi një varr që të jepte përshtypjen se fshihte një arkivol metalik. Metali mbështjellës ishte gjymtuar nga veprimi gërryes inati i ujrave dhe dherave. Ndërmjet tij, qëndronin nervat e tendosura të damarëve të tokës, ( a mbahej mbi vete ky fatsjellës metalik i rrezikshëm, aq më keq i paftuar,dhe shumë më keq i rënë dhunshëm nga qiejt, duke çarë e përndryshkur atë pjesë toke?) pra gjithë ky proces, nuk e kishte kallur përjetësisht metalin. Si një kalimtar, që trëmbet kur i shfaqet papritur një gjarpër bullar, pa kokë dhe këmbë, edhe fermeri u tremb. Mes frikës , pasigurisë dhe thirrjes për ndihmë, ai zgjodhi të tretën. Pasi e la gropën hapur,lopatën përmbys lajmëroi dhe kërkoi asgjesimin e predhës nga organet kopetente.

Avioni që e mbarti farën e keqe, të prodhuar për shfarosje në masë, fluturoi midis kodrave të Apolonisë së lashtë, u rrotullua përmbi ndërtesat e ulëta të Fierit,u ngjit në kodrat e Gurëzezës së Cakranit,dhe pasi përpiu me sy shtratin e Vjosës, u drejtua për nga kodrat e fshatit Frakull e Vogël, atje ku me qindra e qindra vite më parë ishte ndërtuar një tempull fatthënës dhe ku gjendeshin ende rrënoja të ish-shtyllave prej graniti të tij. Pasi u gjend përmbi Kafaraj, pa e ditur se po kalonte sipër një vendi ku gjendeshin ende gjurmët e një kishe të ndërtuar në antikitetin e vonë, kishë që u përdor edhe gjatë luftës së parë botërore, piloti e drejtoi avionin drejt fundit të barkut të kodrave, në një pllajë, afër vendit ku përflitej se kishte jetuar Orakulli. Ai po ndiqte itenerarin ushtarak të përcaktuar në hartën sekrete ajrore, harta që i ishte dorëzuar para nisjes së aksionit, nga eprorët. Me rreth të kuq vizohej një hapësirë e madhe, që duhej bombarduar

Ajo predhë me ngjyrë bronzi, regëtinte një dritë verbuese nën ndriçimin e disa rrezeve të diellit, atje nën aparaturat ku lëviznin duart dhe këmbët e pilotit. Predha priste e gatshme për të dalë nga barku i avionit, si një krijesë nga një lindje e vonuar. Pikërisht ai ndriçim , shkaktuar nga dielli i asaj zone , nisi të trulloste keqazi në kokë aviatorin e huaj. Ai afsh që vinte prej zjarrit të fshehtë, pushtoi më pas edhe predhën përbrenda, Ngjante si një zjarr i pashpjegueshëm Orakulli. Piloti e kishte të qartë,do të bombardonte. Ndryshe nga herët e tjera, ku çdo predhë e hedhur nga avioni, llogaritej me jetë të humbura njerëzore, kjo bombë llogaritej të qëllonte të shkuarën, për të zhdukur të ardhmen e atij vendi. Aviatori që bëhej gati të hidhte në tokë hatanë, nuk arriti të mësoi se ,diagorja që duhej të bënte këtë hata, nuk do të pëlciste kurrë. Gjatë fluturimit nga aerodromi, në kodrat e Apolonisë, ato të Gurëzezës, mbi Frakullën e Vogël, shtratin e Vjosës dhe deri përmbi Barrun të Frakullës së Madhe, gjatë këtij segmenti kohor, ajo kishte shpërthyer mu atje përpara hundës së tij, madje pa cak e pa bam, pa zhurmë, pa bujë, duke e vulosur që atje mbi qiell, mosshpërthimin në tokë. E shkuara e djeshme e bërë bashkë, me të sotmen dhe të nesërmen e asaj zone, kishte qënë më shumë se sa një mekanizëm xhenier asgjesues. Njësoj si një fëmijë që vdes para kohe në placentën e nënës, pa mundur që të dal e gjallë që andej, duke mos lëshuar piskamën e parë në jetë, pra duke mos qarë, edhe kjo bombë, kishte dhënë shpirt nën ujrat e dritës verbuese, atje në placentën e barkut të avionit, që uturinte nga dhimbjet e atij bombardimi të pritshëm.

Askush nuk mund ta kuptoj se çfarë do të thotë të ndihesh një predhë ndryshe, që nga ngjizja në laboratorin e mendjes njerëzore dhe deri te krijimi në fabrikë. Përmasat e gjatësisë së trupit, më shumë se një metër e njëzetë cm, gjerësia trupore, më shumë se 30 cm dhe vetë pesha, 250 kg, të kujtonte se ajo ishte krijuar jo për të hapur një gropë në tokë, por një gropë në kohë. E bindur se do të sfidonte vite gërmimesh e zbulimesh arkeologjike, shtresa historike që nga epoka e gurit dhe deri në epokën e vet, predha u gatit që nga barku i avionit , të tregonte madhështinë e gjemës së vet. Por vetëm një rrotullim sipër kodrash mbi Gurëzezë, Peshtan, Kafaraj e pastaj mbi një luginë mbi Frakull, solli metamorfozën e papritur. Një fuqi e ardhur nga toka, një energji e padukshme, e çekuilibroi plotësisht. Në barkun e avionit, nën një lloj magjie, ajo u përhumb, u çmilitarizua, u zhvesh nga dinjiteti ushtarak. Humbi fuqinë,e njëkohësisht lavdinë .Atëherë kur ishte e bindur se zbuloi kodin për të shpëtuar nderin e vet, ndjenja e përgjumjes zëvendësoi ndjenjën e urrejtjes, drejt e në detonatorin e shpirtit. Ishte çasti kur piloti lëshoi dorezën e kapakut poshtë avionit. Barku i tij u hap si në një lindje të vështirë, duke krijuar shtegun që po e dërgonte foshnjën prej metali, drejt vuajtjes.
Toka ku po binte dhe po futej, ishte vendi i Orakullit. Nisur nga evoluimi fonetik i zanores “O” në consonantet buzoro-dhëmbore “V” dhe pastaj në “F”fjala Orakull, kishte lindur Vrakull, Frakaull. Pas Delfit dhe Dodonës, ai vinte i treti për nga fama. Ideve që futën në debate historianët, disa e përfytyrojnë atë afër Nymfeut të Apolonisë së lashtë, disa të tjerë e lokalizojnë në Frakull të madhe, të tjerë në vendin e quajtur trojet e Frakullës së Vogël, iu doli përballë kjo predhë. Cuditërisht Ajo doli një nga studiuset më të mëdha të historisë. Gjeti vendndodhjen e saktë të Orakullit .

Ishte pikërisht ajo re histerike që vinte nga pritat antike të Gjanicës, kalonte përmbi elementët e latinë të Vilës Rustika, në grykën e kodrave, vërshonte sa nga Fshati Frakull e Vogël, Adë e Kafaraj, shtungëllohej në në një ndriçim hënor përmbi gjithë zonën deri në kodrat e Apolonisë, e ndalonte çdo shpërthim predhash mbi këtë vend hyjnor.
Një mjet ushtarak u shfaq të nesërmen e gjetjes së predhës, në brinjët e kodrës së Barrunit, në Frakull të madhe. Ekspertët xhenierë të OED në Ministrinë e Mbrojtjes vinin nga Tirana me një mision, asgjesimin e saj. Ajo i priste atje, brenda varrit, mes pamundësisë për të dalë mbi tokë dhe sforcos për të qëndruar nën dhe, duke vështruar qiellin ku endej prej mijëra vitesh një re magjike mbrojtëse ndaj çdo predhe që kishte dashur dhe do të donte të vriste të shkuarën dhe të ardhmen e zonës. Në trup i dukeshin mbetje rrathësh të bërjes dhe zhbërjes së saj. Xhenierët nisën nga puna. E shkulën nga mesi I errësirës që ajo mbarte mbi vete, për ta shpënë në poligon, në shpërthimin e fundit të vet. Pas një çasti, automjeti u shkund dhe uturiu fort.Po transportonte atë pjellë metalike që nuk arriti të bëhej asnjëherë shkatërrues i së shkuarës dhe vrasëse e së ardhmes. Në rezervuarin e ujit përbri, fermeri po tërhiqte një trap lundrues të formuar me degë nga krasitja e ullinjve shekullorë. Sipër tij, transportonte një pemë të re ulliri e gatshme për tu mbjellë në varrin e zbrazët. I jepte shkopit si varkëtar për të kaluar nga njëri breg i rezervuarit, në tjetrin dhe nuk kishte asnjë ngjashmëri me varkën e “Karonit”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.