MILOSAO

Arratisja nga burgu i Burrelit

18:00 - 22.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Poli Loman Demiraku – E mërkurë, 2 gusht 1967.“S’më duket keq kjo datë. Me pak fat do t’ia dalim mbanë”, mendoi Dori. Kishte tridhjetë e tre burra në qelinë numër 7 të Burrelit, Alcatrazit të Shqipërisë. Hapësira ishte tetë me pesë metra. Shumica ishin politikanë të dikurshëm dhe intelektualë të dënuar. Ish-mbështetësit e Mbretit Zog I, arrestuar kur Enver Hoxha erdhi në pushtet, ishin po aty. Ata me arsim të ulët, si Dori dhe Ademi ishin të rrallë në Burrel. Dori kishte qenë boksier dhe Ademi mundës, të dy djem shtatlartë e muskuloze, në të njëzetat, me një dozë guximi të paparë.
Të burgosurit me rroba të grisura ngjyrë kafe, ishin shtrirë të dembelosur në dyshekët prej kashte, duke pritur orën shtatë e gjysmë. Disa luanin dam, të tjerë praktikonin shqiptimin e fjalëve të huaja. Kudo dëgjoje zëra. Ishte zagushi. Një erë e rëndë djerse mbushte qelinë e errët.
Ademi, i mbështetur në murin plot lagështi, rrotullote gishtat dhe shikonte përreth. Ai ishte një geg bukurosh, me flokë të errëta me onde dhe sy ngjyrë kafe që rrezatonin një vështrim të palëkundur. Ai po, kishte mundur të shkelte jashtë kufirit. Ademi dhe vëllai i tij mundën të arratiseshin nga malet, por në Jugosllavi i kapën dhe i dorrëzuan peng.
Dori, i cili ishte ulur pranë Ademit, ledhatonte mustaqet e holla me gishta. Ai kishte qenë më i pa fat në arratisje; e kishin arrestuan diku pranë kufirit me Greqinë. Dori kishte qenë kampion boksi dhe ëndërronte që t’i dilte ballë për ballë Muhammed Aliut të madh. Atë ëndërr e mbante akoma të gjallë. Shokët e qelisë i komentonin shpesh ndeshjet dhe fitoret e tij, veçanërisht finalen kundër kampionit kombëtar të atëhershëm, Jankut. Një nga shokët qelisë i kishte kërkuar operativit të vuante dënimin e Dorit, vetëm e vetëm që Dorit t’i jepej shansi të luante atë ndeshje të madhe. Sa herë operativi ngacmonte shokët e Dorit, e dinte mirë se më pas i duhej të përballej me ndjeshmërine e tij ndaj drejtësisë dhe grushtat e tij të hekurt. Ato dhjetë vjet që i kishin mbetur për të vuajtur, ishin si një gur i madh varur në qafë. Do preferonte t’u jepte lamtumirën shokëve të tij duke i përqafuar. E dinte se do t’a merrte malli për ta. Kishte mësuar shumë prej tyre. Ata kishin parashikuar me sukses çdo lëvizje politike të udhëheqësit. Dori pyeste veten nëse Ademi ishte po aq i tensionuar sa ai. E vështroi dhe pa se damari i qafës i pulsonte me shpejt se zakonisht. Adem i shkeli syrin. Nëse nuk do t’ia dilnin mbanë, do të kishte vdekjen e Ademit kurriz, sepse e tija ishte ideja. Dori kishte parashikuar mirë se çfarë do të ndodhte nëse do t’i arrestonin.
Kush ta kishte shërbimin atë mbrëmje? Shpresonte të mos ishte Gozilla. Si do të ndihej udhëheqësi kur lexonte letrën e tyre? Fjalët e letrës do t’i binin si grushta të fortë në fytyrë. Prej tij ishte në Burrel, i penguar për të luajtur atë lojë të madhe që do ta bënte kampion botëror. Fjalët letrës i dinte përmendësh dhe i ripërtypte në mendje…
“I nderuar shoku Enver Hoxha, Udhëheqësi i Partisë dhe krimineli më i lartë,
Sot të flasin Adem Alti nga bjeshkët e Tropojës dhe Dori Gerloti nga Korça. Ne do t’a rrëzojmë kështjellën tuaj të gjakosur. Sot në Burrel do të hapet, varri masiv i Shqipërisë nga djem të pafajshëm që janë dënuar prej jush dhe prej vitesh mbahen në këtë kafaz hekuri. Ne po shkojmë drejt lirisë. Ushtria dhe armët tuaja nuk na frikësojnë. Ti dhe diktatura jote që ka mbjellë kudo gjak dhe shkatërrim, e ka jetën të shkurtër. Ti dhe lloji yt do të përçmoheni përgjithmonë dhe do të vdisni si qentë.”
“Si qentë do vdisni,” i mërmëriti ai Ademit kur dëgjoi zhurmën e këpucëve që afrohej. Ndihmësi dhe Gozilla hynë në qeli. Të gjithë heshtën. Me urdhër të tyre, të burgosurit u ngritën dhe rreshtuan për herën e tretë dhe të fundit të numërimit të asaj dite.





Dori dhe Ademi vështruan njëri-tjetrin dhe morën frymë thellë.
“Kemi një letër për Enver Hoxhën,” tha Dori. Ai tregoi letrën dhe bëri një hap para.
“Uuh? Vërtet?” reagoi ndihmësi dhe shikoi Godzillën i zgërdhirë.
“Hidhe në kutinë postare. Do t’ja dorëzojmë personalisht së shpejti.”
Të burgosurit e rreshtuar s’e mbajtën dot të qeshurën. Gozilla u kënaq për një moment. Por kjo nuk zgjati shumë. Dori doli nga rreshti dhe papritmas i dha një grusht Godzillës me të djathën e tij mu në qoshen e mjekërs. Këtë moment e kishte dëshiruar me kohë. Godzillës ju përplas koka përtokë dhe mbeti pa ndjenja. Ademi ju sul ndihmësit dhe pas disa grushtave të forta i shtrinë të dy.
“Dori, Dori,” brohorisnin të burgosurit sikur të shihnin një ndeshje boksi.
Dori ua bëri me shenjë shokëve të mos bënin zhurmë.
Shpejt ata u lidhën gojën ndihmësit dhe Godzillës me fasha çarçafi që i kishin bërë gati më parë. I morën unazën me çelësa Godzillës, u hoqën uniformat dhe u lidhën edhe duart e këmbët me fasho. Gozilla nuk reagoi më, por ndihmësi perpëlitej. Kur Dori i po i lidhte duart, filloi të thërriste për ndihmë me një zë të thellë që dukej se vinte nga gremina. Ademi e urdhëroi të pushonte dhe po ndërronte rrobat me shpejtësi. Ndërkohë që Dori e lëshoi për një çast që të ndërrohej edhe vetë, ndihmësi vazhdoi të thërriste për ndihmë, duke u përpjekur të zvarritej drejt derës. Kur Dori dhe Ademi ngjeshën revolverët në brez dhe u bënë gati të largoheshin, Dori i dha një shqelm të fortë ndihmësit të shtrirë. Ai e mati për në pjesën e kurrizit, por për shkak të një rrotullimi të papritur të ndihmësit, shkelmi kapi nofullën dhe kokën. U dëgjuan kërcitje dhëmbësh dhe kockash, që patjetër duhët të ishin thyer. Ndihmësi i kontraktuar nga dhimbjet u mblodh kruspull. Në qelinë numër 7 nuk pipëtinte më njeri.
“Ju mjafton kaq apo t’ia marr shpirtin?” tha Dori, duke parë nga shokët e tij dhe ndihej sikur arbitri i kishte ngritur dorën në raundin e parë.
“Ty të lumtë, por po i dhe dhe një tjetër, nuk gdhihet i gjallë,” tha Sazani.
Dori i hodhi një sy korridorrit dhe ia bëri me shenjë Ademit se mund të largoheshin. Në atë moment dikush thirri:
“Dori, të vij dhe unë me ju?”
Ishte Sazani, një ushtarak i cili kishte punuar për qeverinë për disa vjet. Se përse kishte përfunduar në Burrel, s’i kish treguar njeriu. Sazani ishte i shkurtër në shtat, por i zgjuar dhe i shpejtë. Para disa vjetësh kishte mundur të arratisej nga burgu ku kishte qënë, por më vonë e kishin arrestuar dhe dërguar si të rrezikshëm në Burrel. Ai u fliste shpesh për vajzën e tij trevjeçare. Dori hezitoi. Si të bënin? Ata kishin vetëm dy uniforma dhe, për më tepër, Sazani nuk dinte asgjë për planin e tyre. Po sikur të diktoheshin prej gabimeve të tij?


“Adem?”
Edhe Ademi hezitoi. Më pas tundi kokën ‘Jo’.
“Jo për ty, Sazan, por as nuk dimë nëse do mund të shpëtojmë kokën.”
“Dua të shoh Almën. I vdekur nga malli apo nga plumbi, nuk më intereson më. “ Dori u prek dhe pa nga Ademi me një vështrim lutës.
“Po hajde dhe ti me ne,” psherëtiu Ademi i zënë ngushtë.
Dori kontrolli me sy korridorrin. Nxituan jashtë qelisë dhe vrapuan drejt daljes. Cili çelës ishte i derës së parë?
“Adem, shpejt, më jep të dytin. Cili çelës i bën?”
Edhe dera e dytë u hap.
Në dhomën e rojeve kishte dritë; turni i natës kishte mbërritur. Ndërsa ecnin të zvarritur, Dori i dha armën Sazanit.
“Ndoshta na nevojitet te dera e tretë. Ti e ke shënjestrën më të mire se timen.”
“Duhet të ishin kthyer,” dëgjuan të thoshin rrojet.
Dera e dhomës së rojeve u hap. Ata ishin prapa derës. Po sikur t’i shihte? Më kot t’ju ikte gjithë ai mundim? Zemrat u godisnin fort në kraharor. As në ndeshjen me Jankun nuk pata kaq emocione, mendoi Dori. Roja pa një copë herë nga korridorri pa lëvizur nga dera.
“Ç’më rri atje si hu?” bërtiti shoku i tij. “Shko shiko ku janë.”
“Dëgjova lëvizje, prandaj s’po ik,” u përgjigj ai.
Sazani vështroi Dorin në sy. Dori tundi kokën “jo” dhe i bëri shenjë me gisht që të mos lëvizte.
“Shumë shumë do ketë qënë ndonjë mi,” u dëgjua nga dhoma. Roja lëvizi drejt qelive.
Ja ku ishte dhe dera e tretë.
“ Sazan, mbaji në shënjestër rojet,” pëshpëriti Dori pasi kaluan dhomën e rojeve.
“Shpejt, Adem, çelësat. Edhe dy dyer kemi.”
Edhe çelësi i katërt rrëshqiti pa vështirësi në bravë.
“Djema, jemi të lirë, të lirë!” pëshpëriti Sazani i gëzuar.
“Më jep çelësin për portën e fundit Adem, shpejt.”
Duart e Ademit filluan të dridhen.
“Cili është djemta?” Katër çelësat e mëdhenj i përdorëm. S’ka të pestë nga këta të mëdhenjtë.”
“Oh, i bëfsha kurvën! S’ka tjetër. Shiko, shiko, kjo portë s’paska vrimë çelësi. Dera u hapkërka vetëm nga jashtë,” tha Dori.
“Me farë e me fis, kurvarët e mutit!”
“Po tani?” tha Sazani.
“Plani B. Mbrapsht në qeli. Sazan, rri aty se që këtu e tutje vështirësohet puna. Mendoju shpejt.”
“Jam me ju. Ma ka sjellë në majë të hundës ky ferr kolere. “
Afër dhomës së rrojeve dëgjuan një zë që fliste në telefon. Dori guxoi të kalonte i pari dhe pa se roja ishte kthyer me shpinë nga dera. Ua bëri me shenjë të tjerëve që ta ndiqnin. Roja i parë ishte diku duke kontrolluar qelitë dhe ata me siguri do t’a ndeshnin përballë. Dera e qelisë numër 4 ishte gjysëm e hapur. Dëgjuan rojen tek i pyeste nëse ishin numëruar. Një nga një ata u futën përsëri në qelinë 7. Ndihmësi dhe Gozilla ishin akoma të shtrirë në dysheme. Pranë kokës së ndihmësit panë një pellg gjaku.

“Ç’ju thotë mendja juve? Lojtët nga fiqiri?” u thirrën shokët. “Kthehuni! Ata do vijnë të na numërojnë përsëri dhe kur të shohin këtë! Mendou, Dori, se çdo dhjetë metra ke nga një ushtar te kullat vrojtuese!”
Dori vështroi Ademin. Mos duhej të hiqnin dorë? Ademi e shkundi përsëri kokën ‘jo’ dhe kërkoi me nxitim çelësin. Dera e rëndë e ajrisjes u hap. Tarraca e burgut ishte e vetmja mundësi për të shpëtuar. Në heshtje u ngjitën mbi supet e njëri-tjetrit duke u mbajtur fort në shufrat e dritares mbi derën. Varur në kangjëllat e dritares, i dhanë hov trupit për lart dhe ndihmuan njëri-tjetrin për t’u ngjitur në tarracë. Një botë pa mure u shpalos para tyre. Tashmë liria ishte kaq pranë. Por për dreq, ushtari në kullën vrojtuese në të djathtë ua bëri me dori. Adem ia ktheu përshëndetjen. Për pak kohë bënë përpara, derisa ushtari vuri re uniformën e Sazanit.
“Stop!” u bërtiti ai.
Ata nuk ia vunë veshin thirrjes së tij dhe vrapuan mbi soletë. Ushtari shtiu në ajër për t’i paralajmëruar. Sazani nuk ngurroi dhe i shtiu ushtarit, duke rendur drejt anës. Ademi kërceu i pari. Dori e ndoqi.
“Hidhu, Sazan!”
Sazani hezitoi. Ai vuri pëllëmbët në buzë të soletës dhe u var për të zvogëluar distancën e kërcimit.
“ Ç’varesh ashtu Sazan, shkëputu!” i bërtitën të dy shokët në të njëjtën kohë. Por tarraca ishte mjaft e lartë për të. Më në fund e lëshoi veten, por ndërsa po binte u godit nga disa plumba. Ademi u kundërpërgjigj direkt duke shtënë në drejtimin nga erdhën plumbat. Dori e priti në krahë.
“Qelbësirat!” thirri Dori i tronditur. “Sazan,” bërtiti Dori me të madhe kur pa se kishte marrë disa plagë. Sazani rënkonte nga dhimbjet e plagëve.
“Ngrihu, Sazan!”
“Ikni ju, më lini mua.”
“Jo, Sazan, s’bëhet fjalë, ngrihu vëlla!” tha Ademi duke ju marrë fryma.
“Alarmi u dha. Tani edhe kullat e vrojtimit jashtë gardhit do na kenë në shënjestër.”
“Do të mbaj në kurriz,” tha Dori, kur pa se Sazani nuk lëvizte dot as kokën.
“Unë tashmë jam i lirë”, pëshpëriti ai. Sytë e tij u mbyllën dhe koka iu var në krahun e Dorit. Dhe përsëri plumba të tjerë fluturuan mbi koka e tyre.
“Lamtumirë, shok,” pëshpëriti Dori, “Do kujdesem unë për Almën.”
Dori dhe Ademi ecnin kërmba-dorazi përgjatë anës së ndërtesës. Duhet të kishte diku ndonjë vend të përshtatshëm për t’u ngjitur mbi gardhin e jashtëm. E gjetën një vend ku ishin disi të mbrojtur nga breshëria e plumbave. Gardhi me tela me gjëmba ishte pesë metra i lartë. Ademi u ngjit i pari. Kaloi në anën tjetër dhe u hodh poshtë. Edhe Dori u hodh menjëherë. Ishin çjerrë në shumë vende, por në ato momente nuk ndjenin gjë. Vështruan njëri-tjetrin për një moment, pothuajse të kënaqur.
“Janë katër kulla jashtë gardhit,” tha Dori, duke ju marrë fryma.
Vrapuan përmes një vreshti që ndodhej midis gardhit të jashtëm dhe katër kullave. Filluan ti qëllonin edhe nga katër kullat e jashtme.
“Jepi vrapit Doriiiii!”
Ndësa po vraponte, Dorit ju kujtua i ati, Rafaeli, i cili i bënte stërvitje në kodrat e Korçës. “Jepi djalë, më fort, më shpejt. Mundesh Dori,” i jepte kurajo vetes. Por papritur ndjeu diçka që filloi ta pengonte. Një plumb i kishte kapur kaviljen dhe një tjetër pulpën e këmbës. Filloi t’i ngjitej kodrës duke kërcyer mbi një këmbë. Por nuk po ja dilte dot. “Nuk mundej më? Ai, që kishte rrëzuar në tokë boksjeret më të fuqishëm, të binte që më këmbë e përdhe në atë vresht?” Hodhi vështrimin lart: veshulët e rrushit i vareshin mbi kokë, por nuk ishin bërë akoma për t’u ngrënë. Rrush plot lëng, sa mire do ishte të provonte nja dy kokra në gojë! Po këmba, ah, këmba sa i dhimbtte.
Nga katër kullat e jashtme i qëllonin pa pushim, edhe pse tashmë duhet të mos i kishin më në shënjestër. Ademi që vraponte para tij vuri re se Dori kishte rënë dhe u kthye prapa.
“Jo, jo, jo!” mendoi Dori kur pa Ademin që po i afrohej. “Ç’më gjeti mua! Ç’më tha mendja t’i lutesha të më betohej se do më vriste nëse do plagosesha? Nuk dua të vdes t’i dhjes tëmën, jo tani! Ademi është burrë i besës, e mban fjalën e dhënë. Por unë nuk dua të vdes, nuk e kam tani rradhën të ik. Kaq herë kam dashur të vdes, por jo në këtë moment, nuk dua; nuk duhet; duhet të shkoj në shtëpi, duhet të mbledh rrushin, ta ve në fuçi, të nxjerr raki, dhe ta bëj gëzuar me miqtë e mi, atje lart në malin e Moravës, mundësisht tek ‘Guri i Capit’, ku të kënaqet shpirti nga pamja.
“Dori…, Dori…, Dori! përgjigjmu,” i thërriste Ademi nga larg.
“O Zot ç’më shikojnë sytë!” Ademi i shtypi gjoksin Dorit dhe preku fytyrën e tij të pajetë. Dori nuk lëvizi.
“Dori, thuaj diçka. Mos të ka rënë të fikët?”
Edhe pse ishin të mbuluar nga gjethet, plumbat u binin ndër këmbë. Ademi vuri dorën te këllëfi dhe nxori revolen.
“Dori, është e tmerrshme, por ti e di që unë e mbaj fjalën.” Gishti tregues preku këmbëzen. Ademi ia drejtoi revolen dhe shtrëngoi sytë.
“Më fal o Zot!” thirri dhe e shkrepi.
“Dreqi ta marrë, e shkrepa apo jo? Pse s’dëgjova gjë?”
E shkrepi përsëri në një drejtim tjetër, por arma përsëri nuk nxorri as plumb e as zë. Ademi u gjunjëzua dhe u përkul mbi Dorin. “Nuk doja të ikje miku im,” tha dhe qau me ngashërim.
“Më fal, kur të premtova, mendova se do t’ja dilnim mbanë, se ky moment nuk do ndodhte kurrë, si mund të të qëlloja unë ty? Lamtumirë Dori, miku im i shtrenjtë”, tha Ademi, dhe e puthi në ballë. Ai e shkëmbeu revolverin e tij me atë të Dorit dhe u nis në drejtim të Maçukullit. Sapo u largua Ademi, Dori hapi sytë.

Po errësohej shumë shpejt. Dori nuk dëgjonte më të shtëna, por vetëm zëra.
“Si po shkon puna?”
“Një ja ktheu patkonjtë diellit. Dy të gjatët kanë shpëtuar. U hodhën nga telat pesë metra lart pa pikën e frikës dhe u zhdukën.”
“Vazhdoni t’i kërkoni, edhe gjithë natën po të jetë nevoja.”
Dori u befasua nga një qen i cili e sulmoi. Ai u përpoq t’a largonte duke lëvizur duart, por kafsha ia nguli dhëmbët në këmbë.
“Egërsirë e mallkuar, kafshë e ndyrë, ndoqe gjurmët e gjakut ti?” Dhimbjet në këmbë ju bënë të padurueshme. Një roje burgu erdhi direkt pas qenit.
“Unë do të shkul shpirtin nga gjoksi, ty qen bir qeni,” kërcënoi ai Dorin dhe me këpucët e tij të rënda e gjuajti atë në gjoks me sa fuqi që kishte.
Dori ulëriu nga dhimbja. Në atë moment arriti një oficer me përforcime. Ai urdhëroi rojen ta lëshonte Dorin. Një makinë ishte nisur drejt tyre, por duhet ta tërhiqnin deri në pjesën e shtruar të rrugës. Zërat e tyre gumëzhinin si grerëzat në kokën e Dorit. I lidhën duart dhe këmbët bashkë me një litar. Dori ulërinte nga dhimbja. E tërhoqën ashtu të lidhur mespërmes vreshtit. Shigjeta të tmerrshme dhimbjeje i godisni kokën nga çdo anë.
“Do më hedhin dhe mua në gropën e gëlqeres te qershiza, të tretem aty me të tjerët,” mendoi ai, dhe frika se mund të gjendej midis gjithë atyre eshtrave dhe kafkave të pashpërbëra akoma, i ngjalli një tmerr të kobshëm. Një dritë e fuqishme i verboi sytë. “Të jetë qielli ky?” pëshpëriti dhe mbylli sytë.

Kur u përmend kishte ftohtë. Dëgjonte hapa dhe zëra që sa vinin e afroheshin. Me vështirësi hapi një sy dhe pa se ndodhej në oborrin e burgut.
“Ne të thamë ti rruaje dhe jo ti vrisje, o drejtor!”
Zëri dukej i njohur për Dorin.
“Ju keni të drejtë, por kjo ishte një situatë e jashtëzakonshme”.
“ Partisë i premtove se as një mizë nuk do mund të shpëtonte nga ky burg.”
“Edhe unë jam çuditur. Fluturuan si me krahë. Po mos ki merak, nuk do munden të fluturojnë larg. Kemi vënë alarmin në të gjitha fshatrat fqinje. Edhe vullnetarët janë ngritur në kërkim të të arratisurve.”
“Pse i keni hedhur trupat mbi njëri-tjetrin?” pyeti ministri. “Ndajini veç e veç!”
Dori ndjeu një dorë që e rrëmbeu atë nga këmisha dhe e ktheu për mbarë. Shpina e tij preku tokën.
“Po ç’kini bërë more qelbësira? Po kaq idiote jini? Sazanin gjetët të vrisnit?” ulëriu ministri. “Drejtor muti më qënke! Hajde se ta tregoj unë vendin ty! Harroje këtë post! Që në këtë moment je i mbaruar.”
“Ngushëllimet e mia, shoku ministër! Ka ndodhur gabimisht.”
“Gabimisht? Po si t’ia them motrës unë këtë të ndodhurën gabimisht?” ulëriu ai duke kapur duart në kokë. “Prapësi! Prapësi!”
Dori ndjeu një dorë në qafë që i kontrollonte rrahjet e zemrës.
“Boksieri duket i gjallë. Pulsin e ka të dobët, por është ende gjallë,” – kumboi zëri i doktorit të kampit.
“Lere t’i rrjedhë gjak sa të ngordhë ky qen. Le t’ia kthejë patkonjtë diellit edhe ky,” tha drejtori i burgut, duke shpresuar se do pakësonte sado pak zemërimin e ministrit.
“Jo, në asnjë mënyrë,” urdhëroi ministri, “jepini ndihmën e shpejtë.” Çojeni në infermieri.”
“Po ai është një nga më të rrezikshmit e Burrelit,” ndërhyri drejtori.
“E pikërisht, armiqve më të rrezikshëm ne nuk u falim një vdekje të lehtë. Duhet të japin llogari ndaj Partisë dhe popullit, apo i harrove udhëzimet e Partisë?”
Dori kujtoi ndeshjet e fundit të kampionatit të boksit. Ministri kishte qenë një tifoz i përkushtuar i tij. Gjithmonë i pranishëm në tibunë. Dori e kishte takuar disa herë personalisht.
“Ku dëshironi ta vendosim trupin e nipit tënd?”
“Mbuloje. Trupi i tij do t’i kthehet familjes.”
“Hmm, Po kjo është kundër rregullave, Zoti ministër. Ti e di më mirë se i burgosuri edhe kufomë duhet të vuajë dënimin. Vetëm pas dënimit mund t’ia japim trupin familjes.”
“Nuk është nevoja të më kujtosh ti rregullat mua! Do marr leje nga lart. Shiko se mos e hedhësh me të tjerët, se i ziu ti, gjej vrimë ku të futesh.”
Zërat u fashitën dhe zhurmën e hapave e përpiu distanca. I lanë të dy të shtrirë në mes të oborrit. Dori ndjehej i këputur. Si mund ta linin atë të shtrirë pranë të vdekurit?
Infermieria ishte pranë oborrit afër ndërtesës së komandës. Doktori i vuri menjëherë një infuzion dhe filloi t’i pastronte plagët. Dori humbiste herë pas here në kllapi. Kishte humbur shumë gjak. Dy roje rrinin te dera.
U zgjua disa orë më vonë nga ndërrimi i turneve. Sytë i mbante mbyllur, por gjumi nuk e zinte. Dëgjonte bisedën e rojeve.
“Morrën në telefon nga spitali. Frani s’ka gjë, është në shtëpi, por Kola duket shumë më keq. Ka rënë në komë. Doktorët mendojnë se do mbetet i paralizuar për gjithë jetën.”
“Oh! S’ka mundësi! Vetëm nga një grusht i këtij kafshës?”
“Nga një grusht apo një shqelmë e tij, nuk e di, por ajo që di unë është se prej tij ka plasur bomba këtu. Ministri ishte bërë xhind. Tha se vigjilenca ishte zero, dhe se të gjitha repartet e burgut do ndëshkohen për këtë që ndodhi. Edhe kampi do ndëshkohet. Gjashtë muaj as vizita, as pako, as letra nuk do lejohen, dëgjova.”
“Kush e rruan për të burgosurit, ata e meritojnë, por ne ç’faj kemi? Kush rri bredh prap nëpër male për të ushqyer gojët e familjes!”.
“Po ti ç’do bësh?”
“Unë e urrej punën në kooperativë. S’di të bëj gjë tjetër përveç kësaj pune.”
“Thuaj kemi qene me fat që kemi vite që punojmë këtu. Fundja Partia ta jep dhe Partia ta merr. Ti e di si funksionon, apo jo?”
“Kaq e patëm. Partia është e pashpirt se do më marrë gjithçka që më kanë dhënë: punën time, punën e gruas, apartamentin dhe shkollën e fëmijëve. Po të pushuan këta, zor se gjen punë gjëkundi tjetër.”
“Kujdes gojën njëherë ti shok-o! Mos harro se kur dështon në kryerjen e detyrës të pret edhe internimi, burgimi…”
“Si ta kemi fatin, as që dua të mendoj për pasojat tani. Di gjë si e kapën atë tjetrin?”
Dori u gëlltit.
“Ai mundësi u zbulua rastësisht nga një polic i cili e mbajti në shënjestër derisa arriti përforcimi. Më e bukura, ta kish ditur mundësi se pistoleta e tij ishte bosh, do kishte përfunduar ndryshe puna.”
“Gjer ku mundi të shkonte ai?”
“Deri tek kodrat e Maçukullit, dëgjova. Kish erdhur rrotull nja katër orë. Kur erdhi përforcimi, e sulmuan të gjithë në të njëjtën kohë. Ai luftoi dhe rrëzoi disa nga tanët, por kundër një force aq të madhe, s’kishte shans t’ia dilte “.
“Ah, Adem!” psherëtiu Dori me vete dhe fshiu lotët që i ranë në faqe.

Të nesërmen Dori u zgjua me dhimbje dhe ethe. Thirri doktorin, por ai nuk mund të bënte shumë për të, sepse morfina ishte mbaruar. Mbrapa murit dëgjoi zhurmën e një qerreje. Një roje thërriste dhe jepte urdhra. Ecnin pak, pastaj ndaleshin.
“Çfarë po ndodh?” pyeti doktorin.
“Drejtori ka mbledhur nja njëzet vetë para sheshit”.
Një moment më vonë ai dëgjoi zërin e drejtorit, që bërtiste fort përmes megafonit që të dëgjohej edhe pas mureve.
“Ajo që ndodhi dje është një çmenduri, po ju them një çmenduri!”
“Të çmendurit, të çmendurittttttttt, … ittt, …itttt”, jehoi në kokën e Dorit.
“Idiotët!” Si guxuan të mendonin të arratiseshin me ato kokat e tyre boshe? Kujtuan se do ju printe fati? Ja ku e kini Sazanin, të vdekur dhe të lyer në gjak. Dje ishte gjallë, sot është një kufomë. Kështu doni edhe ju? Nuk do kursejmë asnjë, as familjarët e udhëheqësve. I kapëm edhe boksierin, edhe mundësin. Dori dhe Ademi juaj janë po këtu. Ky është fati i të gjithë atyre që bëjnë përpjekje për t’u arratisur. Të dy do të akuzohen për veprimtari terroriste dhe për tradhëti ndaj atdheut.”
“Ju atje, kapeni trupin e Sazanit dhe hidheni sipër në qerre,” urdhëroi drejtori dy të burgosur.
“Jo,” ia ktheu njëri prej tyre. “Kam respekt për të ndjerin, nuk mund ta hedh trupin e tij në qerren e plehrave.”
“Bëje se ndryshe do hash një muaj izolim!” i bërtiti drejtori me zemërim.
“Edhe sikur të më shuash gjithë familjen time nuk e bëj!”
“Kapeni dhe zbuteni pak këtë kafshën,” urdhëroi drejtori. “ Siç duket paskemi më shumë se tre kriminela këtu në Burrel.”
“Mos e kini fjalën për tre heronjtë e Burrelit, drejtor?” thirri i burgosuri ndërsa po e tërhiqnin rrojet.
Dori kafshoi buzën e tij derisa i doli gjak dhe qau.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.